Revista e mirënjohur britanike paralajmëron një katastrofë zgjedhore për të majtët në pushtet në Shqipëri, për shkak të korrupsionit të lartë në administratë si dhe mungesës së perspektivave për zhvillim, ndërkohë që për Nanon njofton ditë të vështira edhe në kongresin e 12 dhjetorit
Afrimi i zgjedhjeve vendore ka shtuar interesin e mediave kryesore në Perëndim rreth rrugës që do të ndjekë Shqipëria pas 12 tetorit. Duke e perifrazuar verdiktin e kësaj date si një zgjedhje mes stanjacionit dhe klimës së korrupsionit apo ecjes me energji në rrugën e reformave, revista e mirënjohur britanike "The Economist", e përjavshmja më e madhe e vendit me 3 milionë kopje, paralajmëron një disfatë të thellë të socialistëve në këto zgjedhje. Duke analizuar edhe luftën e brendshme për pushtet që ka shpërthyer mes Fatos Nanos dhe Ilir Metës, në një shkrim editorial, revista thekson se socialistët parashikohet të pësojnë një humbje të thellë në këto zgjedhje. Arsyet ajo i sheh thellë në kolapsin ekonomik që i është shkaktuar vendit nga qeverisja e papërgjegjshme e Nanos dhe e të tjerëve gjatë këtyre viteve. "Në provinca ku dominojnë papunësia, ndërprerjet e energjisë elektrike si dhe rrugët e prishura e me gropa është dëmtuar çdo perspektivë e kandidatëve socialistë, vlerëson gazeta. Përpjekjet e qeverisë së Nanos për të shitur ndërmarrjet e mëdha shtetërore, për të ndërtuar rrugë më të mira, për të mbledhur më shumë taksa dhe për të tejkaluar krizën e ndërprerjeve të energjisë elektrike, citohet artikulli i "The Economist", disa nga problemet kryesore që kanë bërë të dështojnë përpjekjet për të tërhequr investitorët e huaj, kanë njohur të gjitha një ngadalësim të theksuar nën qeverisjen e zotit Nano. Parashikimet ogurzeza në rast të vijimit të qeverisjes së Nanos shkojnë edhe më larg, duke parë një izolim të vendit në arenën ndërkombëtare. "Negociatat me BE-në për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që shihen si guri i themelit i rrugës së gjatë të bashkimit të Shqipërisë me klubin e vendeve evropiane po ecin gjithashtu shumë ngadalë, thotë editori i "The Economist". Kontrabandistët e drogës dhe cigareve akoma vazhdojnë ta përdorin Shqipërinë si magazinë dhe rrugë tranzit për trafiqet e tyre. Pas parashikimit të disfatës së thellë të Nanos në zgjedhje, gazeta parashikon një tjetër stacion të vështirë për të, atë të kongresit të dhjetorit, ku mbështetësit e Ilir Metës do të kërkojnë revansh me kandidimin për të marrë kreun e Partisë Socialiste.
Krijoni Kontakt