Tërmeti godet kufirin indo-pakistanez
Zyrtarët thonë se numri i viktimave mund të jetë "shumë i lartë"
Dhjetëra persona mendohet se kanë humbur jetën pasi një tërmet i fuqishëm goditi Pakistanin, veriun e Indisë dhe Afganistanin.
Njoftohet se tërmeti ishte 7.6 ballë dhe me epiqendër 80 km në verilindje të kryeqytetit të Pakistanit, Islamabad.
Ushtria pakistaneze thotë se tërmeti mund të ketë shkaktuar dëme të mëdha në veri të vendit.
Një zyrtar tha se numri i viktimave të mundshme mund të jetë "shumë i madh".
Ekipet e shpëtimit po përpiqen të ndihmojnë banorët e ndërtesave të rrëzuara nga tërmeti në Islamabad.
Njoftohet se tronditjet janë ndjerë dhe nga anorët e kryeqytetit afgan, Kabul dhe të kryeqytetit të Indisë Delhi.
Dridhje
Gjen.Maj. Shaukat Sultan, zëdhënës i ushtrisë pakistaneze i tha agjensisë franceze të lajmeve AFP: "Kemi njoftime se një fshat i tërë në rajonin Bagh në Kashmir, është rrënuar".
"Po marrim njoftime për dëmtime të rënda në Kashmir dhe në zonat veriore."
Më vonë, ministria e Brendshme e Pakistanit tha se fshatra të tërë mund të jenë shkatërruar.
Korrespondenti i BBC-së në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, tha se atje janë ndjerë dridhje të tokës pas tërmetit dhe se shumë njerëz janë ende nëpër rrugë nga frika për t'u kthyer në shtëpi.
Tërmeti rrëzoi dy ndërtesa në një lagje rezidenciale të qytetit.
Një korrespondente e BBC-së në vendngjarje thotë se ekipet e shpëtimit po përpiqen të nxjerrin të mbijetuarit nga rrënojat e ndërtesave.
Mohammad Ali, një zyrtar i tha agjensisë Reuters: "Nuk mundem të them se sa njerëz ndodhen atje poshtë dhe ne po përpiqemi t'i evakuojmë.
"U prekën mbi 75 apartamente, kështu që numri i njerëzve është me qindra".
Zyrtarët pakistanezë druhen se numri i viktimave të tërmetit mund të jetë shumë i madh.
Vetëm nga Kashmiri ka njoftime për 25 viktima.
Krijoni Kontakt