Manjani, shtiza shqiptare, kampione bote për flamurin grek
Shqiptarja Mirela Manjani, rekordmenja e hedhjes së shtizës, pjesëmarrëse e shumë aktiviteteve të rangut ndërkombëtar, nuk i ndahet asnjëherë zonës së medaljeve. Vajza nga Durrrësi, që me shtizën e saj ka arritur rekord të ri në Kampionatin Botëror të Atletikës që zhvillohet në Paris, e ka hedhur shtizën 66.52 metra dhe ka lënë pas kubanezen, Osleidis Menendez, mbajtëse e rekordit në vitit 2001. Në këtë kampionat, kubanezja zuri vendin e pestë. 26- vjeçarja, ndonëse sot përfaqëson ngjyrat e shtetit helen, në këtë lloj sporti mbetet si gjithë sportistët e tjerë shqiptarë të talentuar, që për arsye nga më të ndryshmet, kryesisht ajo ekonomike, luajnë dhe mbajnë rekorde për ngjyrat e flamujve të huaj. Ka qenë viti 1997 kur ajo aktivizohet për herë të parë me ngjyrat e Greqisë. Po këtë vit, ajo ka vendosur rekordin brenda vendin helen. Në vitin 1999 ajo ka marrë pjesë në Lojrat Ndërkombëtare të zhvilluara në Sevilje dhe ka marrë medaljen e parë të artë. Në këtë aktivitet botëror, ajo ka arritur rekordin prej 67.09 metrash. Në vitin 2000, Manjani ka marrë pjesë në Lojrat Olimpike të zhvilluara në Sidnei, duke zënë vendin e dytë dhe ka marrë medaljen e argjendit. Vendin e parë në këtë kampionat e arriti kubanezja Menendez. Gjatë kësaj kohe, ajo ishte e martuar me peshëngritësin shqiptar, Jorgo Xhelili. Në vitin 2001, Manjani fiton medaljen e argjendtë në lojrat e zhvilluara në Edmundo. Edhe këtë vit, rekordin e hedhjes së shtizës e fitoi kubanezja Menendez, me 69.53 metra. Kurse Mirela Manjani ka zënë vetëm vendin e dytë, me shifrat 65.78 metra. Ka qenë viti 2002 kur ajo rrok nje tjetër medalje të artë, në Lojrat Botërore që u zhvilluan në Monako. Në këtë turne, Mirela nuk njihej nga shtypi gjerman për shkak të ndryshimit të mbiemrit, nga Xhelili, dikur titullare me këtë mbiemër, në Manjani. Ishte rekordi i arritur prej saj, ajo që e bëri të njohur. Para dy ditësh, në Paris, shqiptarja Manjani ka vënë një rekord të ri botëror në hedhjen e shtizës, duke kapur vendin e parë me 66.52 metra. Në një deklaratë të dhënë për shtypin grek, ajo ka thënë: “Këtë fitorë ja dedikoj babait tim, i cili më ka marrë në telefon dhe më ka thënë që të dua me titull. Dhe unë e arrita”. Pas këtij rekordi. ajo vështron për një medalje tjetër në Lojrat Olimpike të Athinës në vitin 2004.
Krijoni Kontakt