Celibashi: Pollo, mos bëj presion
Frika nga mosregjistrimi për në zgjedhjet e tetorit ka nxitur reagimin e partive të ndryshme. Një nga partitë që ka bërë publike se mund të mos regjistrohet për shkak të siglës, mësohet se ka filluar të bëjë presion mbi institucionin që do të regjistrojë partitë. Këtë presion e ka konfirmuar vetë kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili në një deklaratë për shtyp, dënoi atë që e quajti "klimë presioni e partive politike mbi disa anëtarë të KQZ-së". KQZ-ja pas vendimit të fundit për mos regjistrimin e PAD-së ka nxitur debate dhe kritika të ndërsjellta, klimë e cila ka rritur tensionin dhe në një farë mënyre deklaratat e ashpra të Cekës dhe Reformatorëve kundër institucionit të rëndësishëm zgjedhor. Nesër pritet që nga ky institucion të bëhet regjistrimi i partive të mëdha. Debati i mëtejshëm është zhvilluar mes Partisë Demokratike dhe asaj Demokrate të Re të Genc Pollos. Këta të fundit kanë ngritur akuza mbi partinë më të madhe opozitare se po përpiqet që të sabotojë procesin e regjistrimit të saj.
--------------------------------------------------------------------------------
Berisha: "Pollon nuk e pengon PD, por ligji të regjistrohet"
PD ka reaguar sërish dje kundër pretendimeve të Cekës dhe Pollos për regjistrimin në KQZ. Kryetari i PD-së Sali Berisha ka sqaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk pengon asnjë forcë politike që të regjistrohet në përputhje me ligjet. "Ajo që thotë zoti Ceka se komisionerët e opozitës e penguan të regjistrohet është një trillim, sepse zoti Shimani nuk përfaqëson opozitën në atë komision. Në rastin e dytë, partia e zotit Pollo do të regjistrohet plotësisht, por në përputhje me kushtetutën dhe rregullat e vendit," pohoi Berisha. Kryetari demokrat deklaroi se jo vetëm ligji zgjedhor, por edhe ai drejtshkrimor ishin pengesat e regjistrimit të partisë së Pollos sepse shkurtimet nistore të gërmave sipas nenit 88 të 'kushtetutës së gjuhës shqipe' përcaktojnë se shkruhen me të mëdha. Kështu sipas kësaj logjike gërmat nistore të Pollos nuk ndërrojnë nga ato të PD-së. 'Si do t'i dukej t'ia bënin emrin e tij me "G" të madhe dhe mbiemrin me "p" të vogël z.Pollo?! Kjo është elementare, partitë nuk janë pronë as e imja as e zotit Pollo e kërkujt, partitë nuk janë private por edhe privati është i detyruar të respektojë kushtetutën e gjuhës që krijoi gjuhën letare shqipe," ka sqaruar Berisha.
--------------------------------------------------------------------------------
Dje Presidenti i Republikës ka arritur të sqarojë Kryetarin e PDR se sigla e tij ishte e jashtëligjshme
Sigla PDR, Moisiu i tregon vendin Pollos
Pas një takimi të zhvilluar në mesditë mes Presidentit të Republikës Alfred Moisiu dhe kryetarit të Partisë Demokrate të Re, Genc Pollo, ky i fundit ka rënë dakord parimisht që sigla e partisë së tij të jetë me shkronja të mëdha. Ndryshimi do të jetë nga PDr në PDR. Presidenti Moisiu i ka shpjeguar Pollos se në Fjalorin Drejtshkrimor të gjuhës shqipe, të gjithë shkurtimet shkruhen me shkronja të mëdha. Pas këtij takimi Pollo ka dalë i bindur se mënyra e vetme për të qëndruar në zgjedhje është zbatimi i ligjit, që në këtë rast presidenti Moisiu ia ka shpjeguar shumë mirë, se është e domosdoshme që ai të ndryshojë siglën e partisë, pasi sigla, në atë mënyrë, është e jashtëligjshme.
Pollo, pas një diskutimi të gjatë, ka pranuar që të zëvendësojë "r"-në e vogël me "R" të madhe. Nëpërmjet kësaj mënyre Pollo mund të futet në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, megjithëse për Tiranën partia e tij nuk ka nxjerrë akoma një emër.
Bëhet e ditur se përpara takimit me Genc Pollon, Moisiu është takuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha. Lideri demokrat ka biseduar me Presidentin Moisiu për garantimin e ligjit dhe mos thyerjen e rregullave në këtë prag fushate.
--------------------------------------------------------------------------------
Përjashtimi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte vendosur më parë për të përjashtuar Partinë Demokrate të Re, pikërisht për çështjen e siglës. Eksponentët e partisë së Pollos e interpretuan këtë si një presion të Partisë Demokratike mbi KQZ-në. Por këto zëra i hodhi poshtë vetë kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i cili tha se ka një vendim Gjykata që e detyron Partinë e Genc Pollos për të ndryshuar siglën. KQZ është treguar e vendosur për të mospranuar PDr me siglën e vjetër, kështu që Pollo është detyruar të pranoj kompromisin me Presidentin Moisiu për ndryshimin e siglës.
--------------------------------------------------------------------------------
Konflikti
Konflikti mes Partisë Demokratike dhe të ikurve nga kjo parti, përsa i përket siglës është i hershëm. Partia Demokratike ka akuzuar Partinë e Pollos se votat e marra në zgjedhjet e kaluara nuk janë meritë e tyre, por vetëm meritë e siglës joligjore që ata janë lejuar të mbajnë. Lideri demokrat Sali Berisha dha Partia Demokratike ka kërkuar vazhdimisht zbatimin e ligjit përsa i përket kësaj çështjeje, madje çështja shkoi deri në gjyq. Para disa ditësh sekretari për çështjet ligjore në PD Ilir Rusmali kërkoi nga institucionet përkatëse zbatimin e ligjit në lidhje me siglat me të cilat partitë do të hyjnë në zgjedhje. Ai nxori në pah edhe argumentin drejtshkrimor, që gjuha shqipe detyron që të gjitha shkurtimet të përdoren me shkronja të mëdha. Këtë e ka thënë dje edhe lideri demokrat Berisha.
--------------------------------------------------------------------------------
Konflikti Pollo-Shehi
Një konflikt i pazgjidhur ende është edhe konflikti Pollo-Shehi. Që të dy këta kryetarë kanë të njejtën sigël. Edhe Dashamir Shehi, sigël të Partisë Demokratike të Rinovuar, ka "PDr", madje sigla e Shehit është më e hershsme se ajo e Pollos. Përplasja mes këtyre dy kryetarëve nuk është ende e dukshme, por nëse vetëm njëra prej këtyre siglave do të regjistrohet në KQZ, atëherë njëra prej partive do të ngelë jashtë zgjedhjeve.
Krijoni Kontakt