Kush janë policët që e ekzekutuan 47 vjeçarin Rexhmati në sy të fëmijëve, grave e pleqve. Kush e pengoi doktorin që t'i jepte ndihmën mjekësore. Pse gënjeu ministria e rendit rreth vrasjes së tij. Pse policia iu paraqit Rexhmatit me roba civile dhe sikur ishin tregtarë bimësh medicinale
Rexhep SHAHU
Policia e shtetit shqiptar shënoi edhe një vrasje makabre të një qytetari shqiptar në veri të vendit, në Kukës, në fshatin Tërshenë të komunës Bicaj.
Kjo vrasje e një shqiptari nga policia shqiptare është bërë për llogari të shtetit maqedonas.
Shtetasi Sali Rexhmati, 48 vjeç, nga fshati Tërshenë i rrethit Kukës, është vrarë në oborrin e shtëpisë së tij nga policia e shtetit.
Është vrarë në sy të një grumbulli fëmijësh dhe të disa pleqve e plakave, në mes të ditës, në orën 15:30.
Është vrarë nga policia ndërkohë që nuk ka bërë asnjë shkëmbim zjari me policinë siç edhe janë përhapur informatat e policisë.
Është vrarë pabesisht teksa po u jepte policëve dhalltë për të pirë dhe kastraveca të freskëta për t'i qerasur. Sepse policët kanë shkuar jo me uniforma policie, por të veshur civilë dhe janë paraqitur si specialistë të organizatës MADA që gjoja kishin dalë për të dhënë ndihma për fermerët dhe për të grumbulluar boronicat e fshatarëve.
Është vrarë në sy të njerzve dhe policia nuk ka lejuar mjekun e fshatit për t'u afruar dhe për t'i dhënë ndihmë. Nën rrethimin policor, pas dy orësh rrjedhje gjaku, pa asnjë ndihmë a ndërhyrje, Sali Rexhmati, baba i shtatë fëmijëve ndërron jetë, duke iu drejtuar policëve në grahmat e fundit se "...ty të njofta, edhe ty..., edhe ty tjetrit ... U njofta të treve...".
***
Pas 100 vjetësh në këtë fshat të Kukësit shënohet vrasja e parë. Dhe kjo vrasje nga policia. Vrasje për llogari të shtetit maqedonas.
Sali Rexhmati, baba i shtatë fëmijëve, i pa punë, pa përkrahje nga shteti, niset para katër vjetësh për të shitur dy armë automatike në Maqedoni për të siguruar bukën e gojës. Në udhë e sipër për Maqedoni bien në pritën e policisë maqedonase. Aty është bërë shkëmbim zjarri me policinë maqedonase. Në këtë shkëmbim zjarri ka mbetur i vrarë një polic. Maqedonasit, me përforcime të shumta dhe me helikopterë kanë mundur të kapin Sali Rexhmatin dhe dy shqiptarë të tjerë. Dhe pas shumë peripecish, e kanë denuar në Maqedoni me burgim të përjetshëm. Pas dy vjet burg, me kërkesa dhe ndihma të ndryshme, autoritetet e shtetit maqedon e kanë liruar dhe përcjellë për në Shqipëri.
Sali Rexhmati filloi jetën sërish me shumë skamje e varfëri. Gëzonte respektin dhe simpatinë e gjithë fshatit dhe shumë më gjerë, si njeri fisnik.
***
Por ja që vjen një ditë dhe policia e shtetit të Shqipërisë shkon dhe e vret. Pa i bërë asnjë kundërshtim me armë policisë. E vret sepse Sali Rexhmati na paskësh qenë "...person në kërkim nga maqedonët, shumë i rrezikshëm, autor i shumë krimeve të rënda...". E vret policia e shtetit të vet. Për llogari të shtetit maqedon!!!
***
Tre policët që kanë shkuar në oborr të shtëpisë së tij janë paraqitur si specialistë të organizatës MADA që vepron edhe në Kukës. Ata, me formularë në duar, duke mashtruar banorët kanë hyrë në fshat dhe në oborrin e Sali Rexhmatit. Ai i ka pritë shqiptarisht. U ka nxjerrë dhalltë për të pirë. U ka dhënë kastraveca të njomë. I ka lutur për bukë. Tre policët civilë kanë bashkëbiseduar me Saliun dhe të tjerë banorë për boronicat që të mund t'i grumbullojnë në gjithë zonën.
Në këtë moment, njëri nga policët ka hyrë në banjo. Nga atje ka komunikuar me radio lidhje me policët e tjerë që ishin afruar në mal pranë fshatit. Kur ky polic ka dalë nga banjoja, menjëherë e ka kaplluar Saliun nga mbrapa. Janë lëshuar edhe dy policët e tjerë. Janë lemeritur fëmijët e shumtë dhe gratë e pleqtë që kanë qenë aty. Saliu ka bërë përpjekje për t'u ikur nga duart policëve, pasi ai ishte i fuqishëm. Atëhere janë derdhur plumbat mbi trupin e tij. Ai ka rrëshqitur disa metra ashtu duke kulluar gjak. Kanë mbërritur policët e tjerë. Është rrethuar vendi. Banorët kanë njoftuar mjekun e fshatit të vinte, pasi Saliu ishte ende gjallë. Mjeku ka ardhë, por policët nuk e kanë lejuar të afrohej tek i plagosuri që kullonte gjak dhe që pas dy orësh ashtu nën torturat e dhimbjeve të plagëve, vdes...
Krimi u bë. U bë në sy të fëmijëve të vegjël dhe të grave e pleqve. Ata fëmijë dëshmitarë, vështirë të shërohën gjatë gjithë jetës së tyre nga ky tmerr. Vështirë të pranojnë absurdin se si policët vrasin qytetarin në oborr të tij. Se si policët nuk e marrin në krah të plagosurin për ta dërguar në spital. Se si policët nuk e venë në helikopter të plagosurin dhe ta dërgonin në spital, pasi helikopterin aty e kanë patur, se me helikopter kanë shkuar policët në afërsi të fshatit, sepse është fshati shumë i thellë dhe i thyer. Vështirë që këta fëmijë të harrojnë se si policia nuk e lejoi mjekun të shkonte për të shpëtuar të plagosurin prej plumbave të policisë. Vështirë të besojnë më këta fëmijë se policia nuk është për të vrarë, por është për të mbrojtur dhe siguruar jetën e njerëzve. Vështirë të besojnë këta dëshmitarë më në polici dhe në shtet. Përderisa shteti i vret shtetasit e vet. Përderisa dhunon dhe nuk respekton të plagosurin. Përderisa nuk i jep ndihmë të plagosurit, por e sheh tek vdes dhe pengon edhe të tjerët t'i japin ndihmë.
***
Sali Rexhmati 48 vjeçar, baba i shtatë fëmijëve u vra nga policia, nga shteti. U shënua vrasja e parë pas 100 vjetësh në këtë fshat. Por tani nuk dihet... Sepse fëmijët dhe të afërmit e Sali Rexhmatit të vrarë i panë vrasësit, i njohën ata. Dhe vrasësit e Saliut nuk ishin as serbë, as maqedonas, as nazistë gjermanë a fashistë italianë. Por ishin policë shqiptarë...
Ndoshta urdhëruesit e kësaj vrasjeje makabre kanë dashur të mbjellin vrasjet në këtë fshat. Të mbjellin vrasjet në Kukës. Të vazhdojnë vrasjet në veri. Se në veri ka kanun, ka gjakmarrje.
***
Fshati Tërshenë ka reaguar. Kryepleqësia ka reaguar. Kryetari i komunës ka reaguar. Është dërguar një reagim deri tek presidenti i republikës Alfred Moisiu, tek Avokati i Populli, tek Prokuroria e Përgjithshme, tek Komiteti i Helsinkit, tek organizmat ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë...
Opinioni në Kukës është shokuar. Kush e urdhëron shtetin të vrasë shtetasit e vet. Kush do të mbrojë shtetasin kur e vret policia!? Kush do ta ndihmojë shtetasin kur nuk e ndihmon policia. Dhe aq më keq që pengon edhe të tjerët për të ndihmuar shtetasit?
Pse duhej të vritej Sali Rexhmati. A nuk kishte një vend në burg për të, nëse ai duhej të bënte burg? A nuk kishte një copë bukë dhe një pjatë supë për të në burg? Po të kishte qenë aq kriminel sa nuk guxon ta thotë as vetë policia, aq shumë i kërkuar, pse e kanë lënë të lirë deri atë ditë policia disa vjet. Ai ka jetuar jetën i lirë si gjithë njerëzit e tjerë. Pse s'e ndaloi policia kur ai nuk është fshehur kurrë. Ai endej për punët e tij kudo nëpër Kukës, Tiranë, Kosovë.
Policia e vret. Kush do ta mbrojë qytetarin shqiptar...
Krijoni Kontakt