Asistent Komisioneri Tarik Gafurr apel emigrantëve tanë: S'do ta tolerojmë krimin shqiptar, se kështu mbrojmë njerëzit e ndershëm
"Kemi identifikuar shqiptarët e krimit"
Numri dy i policisë Londineze: Luftoni të inkriminuarit që keni rreth vetes
Nga korrespondenti yne ne Londer Muhamed Veliu
Gazeta Shqiptare.
Pas pesë vjet rritje të numrit të shqiptarëve që kanë emigruar në Britaninë e Madhe, ku shumica e tyre jeton e punon në kryeqytetin e këtij vëndi, jo gjithçka në këtë komunitet të ri ka shkuar pa probleme. Ndërsa mijëra shqiptarë derdhin djersë për të siguraur jetësën ndershmërisht, sa në ndërtimet e shumta, apo të tjerët nëpër restorantet e Londrës, në një ndër kryqytetet më të zhurmshëm që ka bota, një pjesë tjetër e tyre ka gjetur si rrugën më të lehtë për t'u pasuruar, atë të krimit. Megjithëse kategoria e këtyre të fundit janë pakica, pikërisht këta janë atë, të cilët me krimet e tyre tipike të dhunshme zënë faqet e para të gazetave dhe më pas etiketohen nga media angleze, e etur për të tillë "robinhudë" si mafiozë, bosë të krimit apo kontrolluesit e trafiqeve që në pamje të parë kujdo që i lexon të tilla, epitete me doemos do t'i shtohet frika. Në krye të luftës së krimit të organizuar brënda komuniteteve të huaja në Londër, gjindet një ndër ekspertët më të njohur të policisë britanike, Asistent Komisioneri, Tarique Ghaffur. Vetë Ghaffur, tani një njohës i mirë i krimit shqiptar në Londër, drejton operacionin "Maksim", i cili ka në fokusin e tij eleminimin e grupeve kriminale të huaja që veprojnë në Londër. Në këte intervistë ekskluzive per Gazeten Shqiptare funsionari i lartë i policisë londineze tregon rreth problemve dhe proukupimit të kësaj policie për të goditur krimin shqiptar, i cili tani është zhvendosur në Londër dhe riorganizuar pas goditjeve të marra kryesisht në Itali dhe vënde të tjera europiane.
Cila është panorama aktuale e krimit shqiptar në Londër?
Nga informacionet që ne kemi rrezulton se një pakicë e shqiptarëve, të cilët jetojnë në Londër janë të përfshirë në krime. Ata të cilët merren me krime e kanë përqëndruar aktivitetin e tyre në vjedhjen e makinave, trafikimin e njerzve dhe prostitucion. Ka persona të caktuar që janë të përfshirë edhe në krimin e ekonomik, si hapje lavazhesh pa leje apo kafene në të cilat ata mblidhen. Nuk ka një rritje masive të atyre që merren me trafikimin e drogës, kjo është një gjë e mirë. Por kemi patur raste të rrëmbimit dhe mbajtjes peng të personave të ndryshëm, por ky është një fenomen i hapët, i cili ndodh në të gjitha komunitet e tjera.
Nuk përjshtohet dhe krimi i vrasjes. Kjo është me pak fjalë panorama aktuale e krimit. Do të shtoja se, për sa i përket krimit shqiptar përdoren terma të ndryshme si krimi ballkanik, apo i evropës lindore, pra tentohet të krijohet një konfuzion midis krimit shqiptar duke e identifikuar atë si ballkanas apo evropiano-lindor. Ekziston një krim evropiano-lindor, por në publik gjithnjë e më shpesh po bëhet një zhurmë si të thuash për krimin shqiptar.
Sa i përhapur dhe problematik është krimi shqiptar në Londër?
Me terma të përgjithëshme mund të them se në Londër ky krim është shumë i ulët në krahasim me komunitetet e tjera.
Dihet që metodat policore që përdoren në Britaninë e Madhe kanë në bazën e tyre një partneritet të ngushtë me komunitetet.
A e kziston ndonjë partneritet i tillë me komunitetin shqiptar?
Meqënëse është një komunitet i ri ne po punojmë të ndërtojmë një partneritet. Kemi shumë vështirësi, sepse nuk ka një qendër shqiptare ku mund t'i drejtohemi apo subjekte, të cilat do të mbështesin nismat tona. Në Londër jetojnë më shumë se 300 komunitete të ndryshme të stabilizuara ku edhe ato kanë të njëjtat probleme, si komuniteti shqiptar, por janë të organizuar me liderë dhe aty di se kujt mund t'i drejtohesh për apel, nëse ndodh ndonjë krim. Ajo që vihet re tek shqiptarët dhe është shqetësuese për ne, është se shumë krime ndaj tyre nuk raportohen nga frika e hakmarrjes.
Ç'farë garancije dhe ndihme do t'u jepnit atyre, të cilët bashkëpunojnë me ju pra ju ndihmojnë në hetimet tuaja?
Ne kemi ngritur operacionin "Cintaky", i cili merret me mbrojtjen e viktimave, të cilët bashkëpunojnë me ne. Kemi patur dy raste serioze rrëmbimesh, ku viktimat shqiptar nuk pranonin të jepnin dëshmitë e tyre për këto rrëmbime. Ne kemi ndërhyrë pranë qeverisë duke i spjeguar se pa iu garantuar një mbrojtje dëshmitarëve, ku do përfshihet qëndrimi i përhershëm në këtë vend i këtyre personave, ne kurrë nuk mund të bëjmë ndryshime. Operacine të tjera policore që ne kemi këtu kanë korrur suksese duke u bazuar në dëshmitarë, të cilët më pas janë trajuar me statusin e marrjes në mbrojtje të dëshmitarit.
Cili do të ishte spjegimi juaj rreth faktit se disa persona që janë të kërkuar nga policija shqiptare apo shtete të tjera në Europë, kanë kërkuar azil ne Britani dhe disa kanë fituar të drejtën e azilit?
Unë nuk mund të jap një spjegim për këtë. Për mua prioritet është identifikimi i tyre duke punuar me komunitetin shqiptar. Njëkohësisht i kemi kërkuar policisë italiane të tregojë se cilët janë ata, të kemi fotot e tyre dhe shenjat e gishtave.
Siç e thashë, unë nuk mund ta spjegojë se si ata kanë arritur të fitojnë të drejtën e azilit në këtë vënd. Ne jemi të vendosur për t'i identifikuar ata dhe patjetër do t'i tregojmë vendin që meritojnë.
Sipas raporteve të fundit të publikuara në shtyp, thuhet se keni identifikuar 24 bosët e mafias shqiptare që operojnë në Londër. I konfirmoni këto raporte?
Duke punuar ngushtë me autoritetet shqiptare, ne i kemi identifikuar ata. Nuk mund t'i quaj ata bosët shqiptar të mafias, siç i ka etiketuar shtypi. Ata janë persona të kërkuar për krime serioze të ndryshme, si vrasje dhe krim të organizuar. Ne po punojmë në këtë drejtim, kemi të gjitha të dhënat përfshi shenjat e gishtave etj. Kapja e tyre është vetëm çështje kohe.
Në çfarë nivelesh qëndron bashkëpunimi midis grupeve kriminale shqiptare, atyre britanike dhe komuniteteve të tjera si turqit apo xhamaikianët?
Për momentin nuk ka ndonjë bashkim të madh të këtyre grupeve me njëri-tjetrin. Por, ne jemi të frikësuar nga disa taktika që kriminelët shqiptarë kanë përdorur në Europë. Ata nuk konfrontohen me grupe të tjera, por në një mënyrë apo tjetrën ata marrin në dorë frenat e trafikut të drogës dhe prostitutionit. J
Jemi në dijeni të bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe grupeve të tjera kriminale në trafikimin e njerzve.
Mund të përmendni disa nga këto grupe?
Patjetër. Ata janë grupe kriminale britanike, aziatike. Këtë bashkëpunim të tyre e tregoi dhe hetimi i policisë belge me trafikantët shqiptarë.
Meqënëse dolët tek ky rast, a keni pasur ndonjë informacion nga policia belge rreth bashkëpuntorëve të këtij grupi në Londër, pasi sipas prokurores belge, ata e koordinonin këtë trafik me një perfeksion të plotë?
Është një operacion shumëvendësh i quajtur "Refleks", i cili merret me problemet e trafikimit, i cili është i lidhur me operacionin "Maxim", të cilin unë drejtoj. Ne jemi duke marrë informacione dhe po bëjmë lidhjet për pjesën e pakapur të këtij grupi.
Përse Londra është kthyer në një destinacion të preferuar për krimin shqiptar?
Eshtë fakt që Shqipëria është një rrugë tranziti për kontrabandën e cigareve, drogave dhe njerzve një rrugë që kalon nga Italia e më pas në të gjithë Evropën. Me përpjekjet e Italisë e Shqipërisë kjo rrugë është mbyllur, por natyrisht që grupet kriminale gjejnë rrugë të reja dhe lokalitete të reja. Në Londër grupet shqiptare shfrytëzojnë po njerëz brënda komunitetit të tyre, si në prostitucion apo rrëmbime personash.
Në të shumtën e rasteve shtypi britanik po i identifikon grupet kriminale shqiptare si mafjozët e ri, tejet të rrezikshëm dhe të pashpirt. Si një ekspert krimesh që ndesh dita ditës me këta persona, a ndani ju të njëjtin opinion?
Mendoj se ndoshta ka kriminelë shumë të organizuar, të cilët janë diku gjetkë dhe për ta punojnë njerëz të tjerë. Nëse më pyesni nëse ka një tip mafije shqiptare në Londër përgjigja ime do të ishte jo. Ndoshta diku gjetkë ka njerëz me një status të tillë. Po ka persona, të cilët kanë kryer krime në vënde të tjera Evropiane dhe pasi i kanë shpëtuar drejtësisë të këtyre shteteve kanë mbërritur në Britani me identitete të tjera dhe po vazhdojnë të bëjnë krime në komunitetin shqiptar në Londër. Ne nuk do ta tolerojmë krimin shqiptarë, se vetëm kështu ne do të mbrojmë njerëzit e ndershëm dhe të pafajshëm. Nuk dua t'i bëj shqiptarët steriotipa të krimit.
Në ç'farë nivelesh është bashkëpunimi juaj me policinë shqiptare pas vizitës tuaj në Tiranë?
Në nivelet më të larta. Kontaktet tona me Ministrinë shqiptare të Rendit janë shumë të mira dhe ne po punojmë gjithashtu dhe me ambasadën angleze në Tiranë. Gjatë vizitës time atje, na u dhanë listat e personave që mendohet se fshihen në Britani, njëkohësisht po mundohemi të ndërtojmë një lidhje kompjuterike direkte Londër-Tiranë, me sistemin e kontrollit të gishtërinjve që fatëmirësisht në Shqipëri funksionon pas asistencës së dhënë nga policia e Essexit.
Gjatë vizitës tuaj në Shqipëri së bashku me ministrin Luan Rama ratë dakort që pala shqiptare të dërgonte një oficer të sajin në Londër për të koordinuar punën ndërmjet dy policive. A u ka realizuar një gjë e tillë?
Një gjë e tillë është e planifikuar dhe do të ndodhi në muajt e ardhshëm. Ne kemi oficerët tanë që mbajnë lidhje me Shqipërinë. Do të dëshiroja shumë, që një oficer shqiptar të punonte me stafin tim. Do të ishte një diçka shumë e dobishme.
Ç'farë mbresash ju la vizita juaj e parë në Shqipëri në krye të një delegacioni të lartë policor britanik?
Do të thoja se është një vend i mrekullushëm. Cilindo që takova ishte shumë miqësor dhe të gatshëm që marrveshjet tona të viheshin në zbatim. E kuptoj se është një shtet me shumë probleme në fusha të ndryshme përfshi dhe atë të vendosjes dhe respektimit të ligjit. Meqënëse është një shtet i ri pas daljes nga diktatura pasja e problemeve është e paevitushme përfshi dhe krimin e organizuar.
Cili do të ishte mesazhi juaj për komunitetin shqiptar?
Mendoj se mesazhi im do të ishte se nëse në shtetet e tjera metodat e policisë janë të ndryshme. Ne në Londër e fokusojmë punën tonë kundër krimit sëbashku me komunitetet. Në qoftëse komuniteti shqiptar dëshiron të jetojë në Londër për një jetë më të mirë, ne do t'ia garantojmë atë me ndihmën e tyre.
Ata duhet të bashkëpunojnë me ne siç dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të zgjidhim problemet e tyre duke luftuar atë pakikcë të inkriminuar brënda këtij komuniteti. Arrij të kuptoj vështirësitë që ata kanë në kalimin e informacionit tek ne, por dua t'i garantoj ata se ç'do kushit që do bashkëpunojë me ne, do t' ruhet kofidencialiteti i plotë.
Pas vizitës në vëndin tuaj e ndjej se tani unë jam miku juaj dhe do të bëj të pamundër në ndihmën e shqiptarëve të këtushëm dhe ecjen përpara të Shqipërisë drejt aderimit në Europë.
Kush është Tarique Ghaffur
Assistent Komisioneri i policisë së Londrës, Tarique Ghaffur e filloi karrierën e tij si oficer policije në forcën policore të Greater Manchester, në vitin 1974. Në katër vitet e para të punës së tij, ai punoi dhe në departamentin e hetimeve CID. Gjatë kësaj periudhe ai mori pjesë në një operacin të fshehtë investigimi për "National Crime Squad", skuadrës nacionale e krimeve, nga ku dhe u dekorua. Në 1978 Ghaffur gradohet në rangun e Sergant. Pas një sërë inversigimesh të sukseshme, në vitin 1982 përsëri ai fiton ngritje në gradë ku ngjitet në rangun e Inspektorit. Viti 1993 do ta gjente oficerin e sporovuar Tarique Ghaffur në ambientet e FBI-së në një kurs tremujor rreth krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe drogës. Që nga viti 1993 ai mban postin e zëvëndëskomisionerit të policisë së Londrës. Gjithashtu ai është përgjegjës për "Specialist Crime Directorate" (SDC) nga ku drejtohet dhe operacioni "Reflex". Ai eshte oficeri policie i rangut më të larte, i minoriteteve në britani dhe ka fituar rangun e "Chief Constable" (shef policije) në vitin 2001. Është i martuar, ka dy fëmijë dhe ka një interes të veçantë për muzikën aziatike dhe sportin e Squash, ku ka fituar disa trofe si përfaqësues i policisë londineze.
Krijoni Kontakt