Arbëri
30.08.2003
Nano: “Nuk mund të ketë Kosovë nën Serbi”
Kryeministri i Shqipërisë kundërshton deklaratën e miratuar nga parlamenti serb
GERT SELENICA
TIRANË, 29 GUSHT - Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano shprehet kategorikisht kundër deklaratës së miratuar nga parlamenti serb, i cili e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë. Gjatë një fjale kritike të mbajtur ndaj diplomatëve të Shqipërisë, Nano u shpreh se në Ballkan ka 5 shtete, por 7 kryeqytete, ku njëri prej tyre është Prishtina. “Çoviqi apo cilido Çoviq tjetër, s’mund të pretendojë që një parlament gjithashtu transitor si ai i Serbisë, të përmbysë zhvillimet e pakthyeshme të rajonit, kuadrin jo ende terminal të rezolutave ndërkombëtare, për Ballkanin dhe Kosovën në veçanti”, është shprehur kryeministri i Shqipërisë. Nano mbështeti idenë se të gjitha vendet e Ballkanit në të cilat funksionojnë institucionet e zgjedhura në mënyrë ligjore, nuk kanë të ardhme nëse nuk respektojnë vullnetet e njëritjetrit dhe faktorit ndërkombëtar. “Nuk ka të ardhme asnjë union, asnjë rajon me kufij të hapur sipas standardeve evroatlantike, pra as Ballkani, nëse nuk respektohen vullnetet përfaqësuese të institucioneve të të gjitha komuniteteve”, ka theksuar kreu i Qeverisë shqiptare. Nano ka pranuar t’i japë përgjigje në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe vendimit të parlamentit serb. “Mund të kthehen serbët në Kosovë, por nuk mund të kthehet Kosova nën Serbi”, është shprehur Nano. Duke folur në emër të politikës së jashtme të Shqipërisë, kryeministri Nano garantoi opinionin publik se askund në asnjë qëndrim apo deklaratë, nuk është përmendur ndonjëherë synimi për të krijuar një Shqipëri të madhe. “Nuk ka më asnjë virus, erë, apo depresion të karakterit të ekzistencës së Shqipërisë së madhe në Tiranë”, është shprehur Nano. Gjatë fjalës së mbajtur para ambasadorëve të Shqipërisë, Nano kërkoi më tepër përkushtim në trajtimin e diplomacisë, si edhe koordinim të aktivitetit të tyre me Tiranën.
Marrë nga Koha
Shumë e mirë pjesa e parë, deri te fundi i këtij shkrimi ku Nano thotë se në asnjë qëndrim apo deklaratë nuk është përmendur ndonjëherë synimi për të krijuar një Shqipëri të madhe.
Së pari, termi Shqipëri e madhe çfarë nënkupton? Ndonjë Shqipëri 50-60 milionëshe e 500-600 mijë km2, për këtë edhe unë jam bindur që në një të ardhme të afërt nuk mund të pretendojmë e as të besojmë në një Shqipëri të tillë.
Shqipëria sot është një nga shtetet më të vogla në gjithë Europën e poashtu edhe Kosova dhe bashkimi i këtyre dyjave prapë nuk i bën këto të mëdha, por përkundrazi bën njëfarë balanci midis shteteve dhe kombeve të ndryshme të rajonit tonë edhe pse prapë ne do të jemi më të vegjël se Greqia, Serbia, Turqia, Italia etj etj, prandaj edhe ky term duhet hequr nga fjalori sepse është shumë absurd.
Tash e tutje pa frikë të gjithë politikanët shqiptar duhet ta thonë hapur para të gjithëve se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është zgjidhja më e mirë dhe e vetme e çështjes së Kosovës apo më mirë të them Dardanisë që siguron paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon, dhe kjo jo vetëm për shqiptarët por edhe për vet serbët dhe të gjithë.
Përshëndetje
Krijoni Kontakt