Jetojnë vetëm me lekët e Florianit të sëmurë nga epilepsia pas vetëvrasjes së nënës. Askush nuk iu ofron ndihmë
Fëmijët e familjes Doçi nuk mund të harrojnë skenën kur panë nënën e vetëvarur nga varfëria
MIRDITE- Arjola është vetëm 10 vjeçe dhe nga mendja nuk i shqitet 8 marsi, i këtij viti, kur nëna e saj u vetëvra nga varfëria. I kishte blerë nënës së saj 35-vjeçare, Gjelina Doçi, një zambak me rastin e kësaj dite të shënuar por nuk mundi t’ia dhuronte. Ditën e varrimit, para se të hidhnin lopatën me dhê mbi arkivolin e së ëmës, ajo thërriti: “Prisni!” dhe hodhi zambakun për ta përkujtuar në përjetësi… Tani ajo jeton së bashku me babanë, dikur ish- polic dhe me dy vëllezërit e saj më të vegjël, njëri prej të cilëve është sëmurë nga epilepsia, që kur pa nënën e tij e tij të vetëvarur.
Historia e familjes Doçi
Familja Doçi nga fshati Trojez i Perlatit, e përbërë nga 5 anëtarë, para se të ndodhte tragjedia, kishte zbritur në qytetin e Rrëshenit, në kërkim të një jete më të mirë. U vendosën në një barakë në periferi të qytetit. Kryefamiljari, Ardiani, aso kohe punonte polic në Rrëshen, por pas disa muajve ai u shkarkua nga detyra për shkelje të rregullores së shërbimit, dhe kjo i shkaktoi gruas së tij, Gjelinës, një kalvar mundimesh dhe privacionesh ekonomike. Ndërkohë që i shoqi sillej sa andej këndej me gjyqe e ankesa nëpër institucione për të kërkuar të drejtën, sipas tij, Gjelina mundohej me gjithë fuqitë e saj që të mbante shtëpinë dhe fëmijët, duke shitur çikërrima rrugëve të Rrëshenit. Ishte e pamundur të jetonte në kushte të tilla në qytet ndaj mori ato pak plaçka, fëmijët dhe u kthye sërish në fshat. Ka qenë një ditë para 8 marsit dhe një “përgjigje negative”, siç kujton i shoqi, nga institucioni i Kryeministrisë për rikthimin e tij në polici, “pasi çdo gjë duhej zgjidhur me gjyq dhe ne si institucion nuk mund të ndikojmë”, që gruaja e shtëpisë të mos shpresonte më. Në depresion e sipër, ajo e ka çuar mendjen tek litari, për t’u vetëvarur pas disa orësh tek plevica e bagëtive. Më kot janë mundur të tre fëmijët e vegjël t’ia zgjidhnin litarin nga fyti, nëna u ka vdekur në sy të tyre. “Që nga ajo ditë fëmijët kanë kaluar ditë të vështira”, tregon një i afërm i tyre. Më i vogli çdo mëngjes, para se të nisej në shkollë, kërkonte ta vishte e ëma, ndërsa më e madhja u shndërrua në nënë para kohe për më të vegjëlit. Pas pak kohësh babai i tyre u martua në pamundësi që t’u shërbente të tre fëmijëve vocrrakë, ndërsa ata jetimë, tashmë për nënë, vazhdonin të jetonin me skenën e vetëvarjes së njeriut më të dashur në sytë e tyre. Asnjë psikolog, punonjës social a shoqatë që “mbijeton” në saje të ekzistencës së kësaj kategorie fëmijësh nuk u pa në këto anë, thotë një e afërme, që u ka shërbyer disa ditë këtyre fëmijëve. Ata më shumë se për asgjë kishin nevojën e dorës së ngrohtë të një njeriu.
Gjitha familja, bukë me lekët e fëmijës me epilepsi
Shtëpia e fëmijëve me nënën e vetëvrarë, me pamjen e një plevice dykthinëshe, është e strukur rrëzë një kodre mbuluar me dushqe. Duket një ndërtesë e bërë për hall. Plasaritjet e mureve gjithandej ndërtesës janë shenjë paralajmëruese se një hata më e madhe mund t’i ndodhë familjes. Një oborr me shumë pak pemë, më tutje kasollja e atyre pak bagëtive, qumështi i të cilave shërben për të ushqyer fëmijët. Kur shkuam në atë shtëpi gjetëm vetëm fëmijët. Arjola 10- vjeçare, të lutet të hysh në dhomën e pritjes. Është një fëmijë që ta rrok fjalën pa e nxjerrë mirë nga goja. Përgjigjet me kujdes dhe të kupton aty ku fjala vete e shkon për mamanë e vetëvarur, Gjelinën, disa muaj më parë. Për disa kohë asaj i është dashur të bëjë edhe zonjën e shtëpisë për të pritur e përcjellë miqtë që vinin për ngushëllim. Vajza e mitur të tregon për dy vëllezërit e saj, Klodianin, 9- vjeçar, dhe Florianin, 6- vjeçar. “ Klodiani,-thotë ajo,- edhe më dëgjonte e vishej në mëngjes për shkollë, pasi na duheshin 2 orë në këmbë për të shkuar deri atje, ndërsa Florjani i vogël nuk pranonte. Ai qante dhe kërkonte nënën që ta bënte gati për shkollë”. Ai e kishte parë nënën e vetëvarur, por unë përpiqesha që ta qetësoja, duke i thënë se nëna do të vinte më vonë dhe ajo ka lënë porosi që ta vishja unë. Që nga ajo ditë, Florianin filloi ta zinte sëmundja e tokës (epilepsia), ndaj s’duhej ta bënim të qante. Edhe babai kishte kujdes për të. Për babanë e rimartuar tepër shpejt, Arjola nuk kishte ndonjë mëri. E thërriste me emrin e saj, Moza. “Moza me babin kanë shkuar për në qytet”, thotë ajo suke të sqaruar për mungesën e kryefamiljarëve në atë moment. Kur e pyesim “a keni patur me se të ushqeheni dhe të visheni”, Arjola të përgjigjet “ju jeni rasti i parë që keni ardhë në këtë derë për të na parë e pyetur, qëkurse na ka vdekur mami. Ne të gjithë sa jemi, 5 vetë, e shtyjmë muajin me 45 mijë lekë (të vjetra) që i janë lidhur vëllait të vogël për sëmundjen që ka. Babai është i papunë, Moza gjithashtu. Përkrahje dhe ndihmë nuk kemi. Edhe ato të mbjella që i kishim na i përzhiti thatësira”. Dy vëllezërit e tjerë ndjekin me kureshtje rrëfimimn e motrës më të madhe, dhe duken se i binden logjikës së motrës së tyre, që më shumë bën rolin e nënës për dy vëllezërit e saj. “Nëna më kujtoihet natë për natë, thotë ajo. Në ëndërr apo jo, o zot sa më ka marrë malli. Por unë jam e madhe, nuk dua të bie në sy të vëllezërve. Tashmë të gjithë duhet të mësohemi me mungesën e saj, nuk kthehet më. I ka jeta këto, kështu paska qenë shkruar për ne…”.
Famullitari austriak
Famullitari austriak Franz Winsauer ka mbetur i tronditur kur ka lexuar në gazetë gjendjen e kësaj familjeje. Famulltari, një misionar që prej 10 vitesh shtegton zonave të thella të vendit tonë, kryesisht në Veri për të ndërtuar e rikonstruktuar shkolla e objekte sociale, por dhe për të shpërndarë ndihma për njerëzit në nevojë këtë gjendje të familjes e ka bërë prezent dhe në bashkinë e Rrëshenit. Duke qenë edhe drejtues i Caritasit Austriak ai u ka kërkuar autoriteteve vendore në Rrëshen që të evidentojnë një për një të gjitha rastet e jetimëve si ai i të tre fëmijëve të lartpërmendur dhe të përgatitet një dokumentacion i hollësishëm për çdonjërin prej tyre. Kësisoj janë listuar 110 fëmijë jetimë në këtë bashki, ku 21 prej tyre figurojnë me prindër të vetëvrarë apo të vrarë për gjakmarrje, aksidente etj. Një listë tjetër prej 90 fëmijësh është përvijuar me ata që vuajnë nga sëmundje të rënda apo janë handikapatë. Padër Winsauer thotë për Shekullin se “pas verifikimeve të hollësishme ëmër për emër, që të mos abuzohet nën emrin e këtyre të gjorëve, ne do të bëjmë të mundur lidhjen e një pensioni vjetor të pëlqyeshëm”. Famullitari 65- vjeçar, prej disa muajsh, përmes sensibilitetit mediatik dhe në internet në Austri, ka bërë të mundur grumbullimin e të hollave që duhen për këtë aksion humanitar në Graz të Austrisë dhe provinca të tjera me moton “Ndihmoni fëmijët jetimë të Mirditës mike!...”. Është një shpresë kjo dhe për tre fëmijët e familjes Doçi, që po vuajnë varfërinë dhe mungesën e nënës, atje rrëzë një pylli, në Trojëz të Perlatit.Gjergj Marku
Babai Ardiani: Dua të jem sërish polic
Ardian Doçi, për disa vite ka punuar në polici. Shërbente pranë dhomave të paraburgimit. Madje dhe është trajnuar e specializuar për këtë lloj shërbimi. Por, me sa duket, në një moment mund të ketë shkarë, sipas burimeve të policisë, duke thyer rregulloren. Ndërkohë që ai nuk e pranon këtë gjë, dhe për këtë u është drejtuar të gjitha instancave shtetërore. Mandej ka hapur gjyq, por deri tani nuk ka mundur të rikthehet në radhët e policisë. Nuk kam lënë derë pa trokitur, por ende nuk kam marrë një përgjigje pozitive, ndërkohë që profesionin e policit e dua më shumë se asgjë tjetër”,- thotë ai. Të tjerë mendohet të kenë kryer gabime të rënda dhe të jenë të inkriminuar në trafiqe të ndryshme dhe sot janë në radhët e policisë e sërish mbahen atje, ndërsa mua më veshin të paqëna, vijon ai. Burime të komisiariatit të Mirditës pa dhënë shumë sqarime të thonë se Ardiani është larguar nga detyra pasi ka thyer rregulloren. Ardiani thotë se tani, ata nëse janë njerëz, duhet të mendojnë dhe për fëmijët e mi, si t’i mbaj, me çfarë t’i ushqej, pa shtëpi, pa punë.
Mirë unë apo gruaja që iku, po fëmijët përse duhet të vuajnë. Kësisoj ai ka vendosur të mos u ndahet gjyqeve deri sa t’i dalë e drejta. “Po të rikthehem në punë, e ndiej se sadopak, do të mund t’u kthej buzëqeshjen dhe 3 fëmijëve të mi”,- thotë ai.
Krijoni Kontakt