Shaban Demiraj

Për sa u takon shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, ata qysh në Konsultën e Prishtinës të vitit 1968 vendosën të pranonin dhe të zbatonin atë gjuhë letrare që kishte gjetur një përhapje të gjerë brenda kufijve shtetëror të Shqipërisë. Prandaj, kur flitet sot për një gjuhë letrare të përbashkët për të gjithë shqiptarët, kjo, de fakto, u vendos në Konsultën e Prishtinës, katër vjet para Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe



Mimoza CIKA (DW)



Sa herë që bëhet fjalë për shqipen e sotme letrare, në përgjithësi, përmendet edhe Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe i viti 1972. Kjo është e kuptueshme po të mbahet parasysh fakti që në atë kongres, ku kishte përfaqësues jo vetëm nga Republika e Shqipërisë, por dhe nga viset shqiptare të ish - federatës jugosllave si dhe nga arbëreshët e Italisë, u vendos që të gjithë shqiptarët ta përdorin një gjuhë letrare të vetme dhe pikërisht atë që kemi sot në përdorim.
Në radhë të parë, duhet mbajtur parasysh se vendimi i një kongresi për një çështje aq të rëndësishme, siç është ajo e Gjuhës Letrare Shqipe, nuk mund të ishte i zbatueshëm, e aq më pak i detyrueshëm, për shqiptarët jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë - në rast se ata nuk do të ishin të gatshëm për ta pranuar atë me vullnetin e tyre.

Për sa u takon shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, ata qysh në Konsultën e Prishtinës të vitit 1968 vendosën të pranonin dhe të zbatonin atë gjuhë letrare që kishte gjetur një përhapje të gjerë brenda kufijve shtetëror të Shqipërisë. Prandaj, kur flitet sot për një gjuhë letrare të përbashkët për të gjithë shqiptarët, kjo, de fakto, u vendos në Konsultën e Prishtinës, katër vjet para Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Pa vendimin e Konsultës së Prishtinës nuk do të kishim sot një shqipe letrare të përbashkët.
Së dyti, duhet mbajtur parasysh, gjithashtu, se shqipja e sotme letare nuk u krijua as në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe as në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, kur në Shqipëri u vendos sistemi shtetëror monist. Është e vërtet se në atë periudhë u bë një punë e madhe për kodifikimin e mëtejshëm të normave drejtshkrimore të gjuhës shqipe. Për këtë kanë dhënë ndihmesë të çmuar sidomos gjuhëtarët tanë të shquar si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Dihet se përpunimi dhe kodifikimi i shqipes letrare ka nisur shumë më heret dhe nuk është punë e një a disa personave, por rezultat i punës së kryer nga disa breza intelektualësh, duke nisur me rilindasit tanë të shquar, Kristoforidhin, Naimin, Samiun dhe duke vazhduar me Konicën, Nolin e të tjerë. Dhe, një meritë të veçantë për këtë e kanë sidomos shkrimtarët të cilët me veprat e tyre ndihmuan për zhvillimin dhe përhapjen e shqipes letrare në përgjithësi.
Së treti, duhet mbajtur parasysh, gjithashtu, se asnjë vendim për një çështje kaq të rëndësishme, siç është gjuha letrare e një kombi, nuk mund të qëndrojë në rast se nuk i plotëson mirë të gjitha kërkesat e një gjuhe letrare të një populli në zhvillim. Vështruar nga kjo pikpamje mund të pohohet se shqipja e sotme letrare e ka kaluar tashmë periudhën e provës më të vështirë. Ajo i ka plotësuar pa ndonjë vështirësi të madhe kërkesat e letërsisë artisitike, shkencore, kulturore si dhe të kumtimit gojor në të gjitha rrafshet. Ajo është lëvruar edhe nga shkrimtarë që në familje kanë përdorur dialektin verior. Për më tepër, ajo është përvetësuar mirë edhe nga nxënësit e shkollave të ndryshme të viseve të banuara nga shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë.

Së katërti, dëshiroj të theksoj se edhe dialekti verior mund të kishte shërbyer si bazë për shqipen letrare të përbashkët, natyrisht duke iu nënshtruar një procesi standartizimi që me siguri do të kërkonte më shumë punë për shkak të dallimeve midis të folmeve të ndryshme të atij dialekti, sidomos në rrafshin fonetik. Nga kjo pikpamje dialekti jugor paraqitej me dallime më të pakta ndërmjet të folmeve të tij. Historia e gjuhës shqipe dëshmon se të paktën qysh nga shekulli i Buzukut dhe i Matrëngës, të folmet e dialektit verior janë diferencuar gjithnjë e më shumë njëra nga tjetra, ndërsa të folmet e dialektit jugor gjatë këtyre shekujve kanë pasur një zhvillim më konvergjent. Natyrisht, me këtë nuk duhet kuptuar se dialekti verior nuk mund të ngrihej në një gjuhë letrare të përbashkët, por disa rrethana, përfshirë këtu edhe ndonjë faktor jashëgjuhësor, bënë që të përhapej më shumë varianti letrar jugor, i cili me përpunimin dhe zhvillimin e tij të mëtejshëm tashmë është përhapur gjithandej si gjuhë letrare e përbashkët e të gjithë shqiptarëve.
Në këtë mënyrë, dëshira e disa brezave atdhetarësh për një gjuhë letrare dhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët më në fund u bë realitet dhe është me të vërtët një gjë e gëzueshme që kjo gjuhë letrare po përdoret gjithandej, si në botimet letrare, shkencore, kulturore dhe politike, ashtu edhe nëpër kumtimet gojore, në radio e televizon.
Në këto rrethana mendimi i shprehur nga disa intelektualë për t'u kthyer prapa tek gjendja e dikurshme e dy varianteve letrare të gjuhës shqipe është i papërligjur dhe për më tepër do të ngjallte frymën e përçarjes në një kohë kur kombi shqiptar ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim.
Së fundi, dëshiroj të theksoj se kjo gjuhë letrare e përbashkët nuk duhet marrë si diçka e bërë një herë e përgjithmonë, domethënë që nuk ka më nevojë për përmirësime të mëtejshme. Natyrisht, të gjithë intelektualët shqiptarë e kanë për detyrë që të japin ndihmesën e tyre në këtë drejtim. Besoj se këtij qëllimi do t'i shërbejë konferenca mbarëshqiptare që mendohet të organizohet vitin e ardhshëm në Tiranë, me rastin e 30 vjetorit të Kongresit të Gjuhës Shqipe.