TIRANE – Shqipëria ka paraqitur këto ditë raportin e parë para Komitetit mbi Eleminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racial, të Kombeve të Bashkuara. Drejtori i drejtorisë së OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme, Armand Skapi, bëri të ditur dje, në një takim me mediat, se ky raport i Shqipërisë u bë prezent gjatë punimeve të sesionit të 63-të të Konventës Ndërkombëtare mbi Eleminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racial (CERD), që u mbajt në datat 4-5 gusht në Gjenevë. Sipas Skapit, ky raport mbulon periudhën nga viti 1994, deri në vitin 2003. Delegacioni shqiptar përbëhej nga përfaqësues të drejtorisë së OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare, nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale. Në raport përshkruhet progresi në fushën e të drejtave të njeriut, veçanërisht në luftën kundër diskriminimit racial. Më tej, Skapi tha se anëtarët e komitetit vlerësuan faktin që Shqipëria, megjithëse një vend me mjaft probleme, që e kanë shoqëruar në periudhën e tranzicionit, u ka kushtuar një rëndësi respektimit të të drejtave të pakicave dhe nxitjes së tolerancës mes të gjithë shtetasve. Drejtori Skapi bëri të ditur gjithashtu se ekspertët e komitetit, si dhe raportuesi për Shqipërinë, Regis De Gouttes, përmes pyetjeve u njohën rreth situatës së romëve dhe gjendjes së tyre sociale, ekonomike dhe arsimore, pjesëmarrjes së pakicave në zgjedhjet parlamentare dhe vendore, pranimi nga Shqipëria i refugjatëve të etnive të ndryshme gjatë Luftës së Kosovës, në vitin 1999 etj. Konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare të komitetit mbi raportin e paraqitur nga Shqipëria do të publikohen pas përfundimit të punimeve të sesionit të 63-të (fundi i muajit gusht) dhe do t'i paraqiten palës shqiptare, tha Skapi.
Krijoni Kontakt