Selia PS
TIRANE (31 Korrik) - Kryesia e PS-së zgjodhi dje sfidantin e saj për Bashkinë e Durrësit. Ai është biznesmeni Lefter Koka, administrator i dy kompanive dhe bashkadministrator në tre kompani të tjera. Socialistët këtë herë menduan që të gjejnë një njeri të suksesshëm në biznes për të bindur sërish qytetarët durrsakë të votojnë për PS-në dhe kandidatin e saj. Socialistët bënë një ndryshim shumë të madh në përzgjedhjen e tyre këtë herë. Ata kanë menduar që të vendosin një kandidat, i cili i vetëm si biznesmen i paguan administratës tatimore në Durrës plot 10 milionë dollarë në vit. Ky është kontributi i tij i parë që jep për këtë qytet. Tashmë PS-ja e ka zgjedhur Lefter Kokën edhe si kandidat për të administruar qytetin e Durrësit. Mbase pikërisht për karakteristikat e tij si biznesmen dhe administrator të kompanive private të tij bënë drejtuesit e lartë të mendojnë se ai do të jetë i sukseshëm në garën elektorale. Kjo përvojë ka dalë me sukses në zgjedhjet e fundit të përgjithshme. Socialistët gjatë këtyre zgjedhjeve zgjodhën disa biznesmenë për të konkurruar për deputetë. Dy prej tyre u treguan shumë të suksesshëm dhe fituan bindshëm. Ata ishin Agron Duka, kandidat i PS-së në Shijak, biznesmen i njohur dhe aktualisht ministër i Bujqësisë. Kandidati i dytë ishte Shyqyri Duraku, emri i të cilit lidhet me kompani të mëdha të sigurimeve dhe të tregtimit të karburanteve. Duraku konkurroi në Kukës duke mposhtur një nga emrat kryesorë të PD, Jemin Gjanën. Avantazhi i biznesmenëve që PS-ja zgjedh për garat e saj elektorale është se ata kujdesen vetë për mbështetjen financiare të fushatës. Fushatat aktuale janë bërë gjithmonë e më të kushtueshme për shkak se po marrin ngjyra të forta të fushatave perëndimore. Nga ana tjetër, interesat e tyre të biznesit kanë bërë që në zonat ku punojnë dhe jetojnë të japin punë për një numër të madh qytetarësh në bizneset e tyre të prodhimit apo tregtimit. Përvoja e gjatë e kandidatit të PS-së në fushën e biznesit ka qenë vendimtare në zgjedhjen e tij si kandidat për bashkinë e qytetit të Durrësit. Nga ana tjetër, edhe PD-ja ka vendosur për rivalin e Lefter Kokës; ai duket se do të jetë një tjetër biznesmen i quajtur Avni Hoxha. Bashkia e Durrësit aktualisht drejtohet nga kryebashkiaku Miri Hoti. Mjeku i njohur i këtij qyteti kandidoi për Partinë Socialiste duke patur një mbështetje shumë të madhe nga ana e drejtuesve të lartë socialistë dhe të qeverisë së mazhorancës. Në ndihmë të tij ishte vënë edhe kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në disa takime elektorale të Miri Hotit. Kryebashkiaku aktual i Durrësit nuk do të kandidojë më. Ai u tërhoq që nga përzgjedhja brenda sturukturave të PS-së duke u hapur rrugën tre kandidatëve të tjerë, mes të cilëve drejtuesit e PS-së lokale dhe biznesmeni Lefter Koka. Përfundimisht kryesia e PS-së vendosi që biznesmeni i njohur i qytetit të kandidojë për të qenë administratori i ardhshëm i Durrësit, qytetit më të rëndësishëm në vend pas Tiranës dhe qyteti më i rëndësishëm i Korridorit të 8-të për shkak të portit më të madh në vend. ro/ro (GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt