Debati veror
Organizatorë të protestave universitare në Paris, aspirues të së majtës perfekte u bashkohen debateve të studentëve dhe pedagogëve shqiptarë në një universitet veror
Me studentë dhe pedagogë të filozofisë nga “Paris 8”, duke debatuar për demokracinë në bregdet
Belina Budini
TIRANË – Tatu “Che Guevara” në sup, flokët bisht ala Beckam, “piercing” me tepri, veshur shkujdesshëm, stil sport-trendy... Detaje të tilla në look-un e një grupi të veçantë të rinjsh nuk kanë kaluar pa u vënë re nga pushuesit e Vlorës, pranë Ujit të Ftohtë, pesëmbëdhjetë-ditëshin e dytë të korrikut. Nuk janë “viktima” të modës por të filozofisë. Bëhet fjalë për një grup prej rreth 15 të rinjsh kanadezë, francezë, irlandezë, algjerianë, franko-italianë..., që në bregdetin shëmbor shqiptar nuk i ka sjellë publiciteti i suksesshëm i Ministrisë shqiptare të Turizmit, por debati për demokracinë që për të dytën verë radhazi zhvillohet në qytetin e Vlorës. Demokracia ka mbledhur aty përveç studentëve të huaj të apasionuar pas filozofisë së majtë edhe të rinj shqiptarë të angazhuar në politikë, organizma rinore, shoqërinë civile dhe nga bota universitare e akademike si edhe shumë lektorë të huaj e shqiptarë, shpesh të pozicionuar djathtas (shqiptarët). Universiteti veror për “Demokracinë dhe pjesëmarrjen në të”, që mblodhi rreth 30 vetë nga 100 aplikantë, sapo ka përfunduar, por organizatorët (KRIIK-Albania dhe IRDD) shprehen se synojnë të krijojnë vijimësi për këtë universitet.
Majtas jo djathtas
E majta është pasioni politik për ta. Në këtë rast titulli i librit të profesorit shqiptar të filozofisë, Artan Fugës, interpretohet Majtas, jo djathtas. Jo vetëm grupi i studentëve dhe i pedagogëve, por i gjithë universiteti nga vijnë, “Paris 8”, është i pozicionuar politikisht. Nëse në Shqipëri kjo gjë nuk ndodh rëndom, për ta logjika është krejt tjetër. “Arsimi nuk është kurrë jopolitik”, - shprehet Adrien Arrous, një nga studentët e vitit të katërt të filozofisë në universitetin “Paris 8”. Janë njohur me njëri-tjetrin në Francë, para se të hynin në universitet. Idetë e përbashkëta majtas i kanë shpënë në “Paris 8”, ku kanë themeluar edhe një revistë filozofike të quajtur “Failles”. Këta “mendimtarë”, që e kanë po aq të vështirë të gjejnë punë si filozofë në Paris sa ç’e kanë të vështirë të diplomuarit shqiptarë në të njëjtën degë të punësohen në Tiranë, përtej shkollës janë edhe më të angazhuar. Aty ku teoria shndërrohet në praktikë. Jo më larg se gjashtë muaj më parë, kur Franca ziente nga protestat universitare, në krye të këtyre manifestimeve ishin edhe studentët që kanë zbarkuar në Vlorë. Bëhet fjalë për një sërë grevash për arsimin ku ata janë përfshirë pasi reformat e universitetit janë pritur keq prej tyre. Studentët dhe pedagogët kanë kundërshtuar logjikën qeveritare franceze për arsimin dhe kanë vërejtur kush mund të ketë të drejtë për studime, të shtohet numri i mbikëqyrësve të shkollës tetëvjeçare, etj. Alain Brossat, një nga dhjetë profesorët më të mirë në Francë, ishte organizator i protestave të studentëve dhe profesorëve pak kohë më parë në Francë. Profesori francez ka referuar edhe në seancat e universitetit veror të Vlorës. Megjithëse e filozofisë politike të së majtës, Leila Ouitis, studente e vitit të katërt në “Paris 8”, nga Algjeria, shpjegon se universiteti i tyre dhe ata vetë nuk janë aspak dakord me doktrinën e së majtës franceze. Duket se ajo dhe shokët e saj aspirojnë të majtën marksiste.
Debati veror
Teorikë, hera-herës monotonë, lektorët shqiptarë u janë dukur të lodhshëm studentëve të huaj të filozofisë. Anipse teoria i tërheq fort kur i përfshin në diskutim edhe ata, ama. Një nga vërejtjet e tyre për universitetin veror shqiptar ishte pikërisht hapësira e kufizuar e diskutimit gjatë leksioneve. “Ne kërkonim debat, pa gjykuar askënd, dëshironim të debatonim edhe me studentët shqiptarë, edhe mes nesh, edhe me referuesit”, - u shprehën studentët e huaj. Me një pjesë të lektorëve që kanë referuar aty studentët thonë se nuk kanë ndarë të njëjtat mendime, por në veçanti i ka irrituar leksioni i njërit prej tyre, i cili “kishte problem metodologjik në referimin e vet. Leksioni i tij ishte kryekëput sofizëm dhe ky tip diskutimi është më i keqi i mundshëm, i hap rrugë së keqes, ishte madje racist, por lektori nuk denjoi as të diskutonte rreth tij, në fund por iku”, - u shpreh Benoit Vignot, student në “Paris 8”. “Ne nuk ndenjtëm pa diskutuar megjithatë, por këtë gjë e kemi bërë më së shumti në tavolinë, në grupe më të vogla, jo aq në sallën e seminareve”, - shprehet Laic Texizh, student që mbron “Dea” në “Paris 8”. Debat në kafe. Kjo nuk është ndonjë çudi për ne. Pikërisht aty e kanë vijuar debatin teorik edhe të rinjtë shqiptarë, që merrnin pjesë në këtë universitet veror, megjithëse përparësia e gjuhës i ka ndihur gjatë debateve pas leksioneve të gjata, të ndara në tre seanca gjatë gjithë ditës deri vonë në mbrëmje, aq sa shumë prej tyre vetëm sa e kanë ndjerë detin afër, pa patur kohë të bëjnë plazh.
Frankofonët, eksperienca shqiptare
Kishin lexuar për Shqipërinë, por thonë se mësuan shumë më tepër pas shikimit të filmit dokumentar “Ekuinoks” i Kujtim Çashkut, që provokoi shumë debat mes shqiptarëve, sidomos atyre që e njohin shtypin. Megjithëse disa prej studentëve francezë pas shikimit të filmit e kishin ngatërruar përmbysjen e diktaturës me dhunën pas shembjes së piramidave, ata u shprehën se filmi u kishte dhënë shumë informacion rreth Shqipërisë. Gjatë qëndrimit në universitetin veror ata kanë vizituar hera-herës edhe qytetin e Vlorës, ashtu si edhe qytetin antik të Apolonisë,etj.
Disko me muzikë shqiptare
Diskot e Vlorës pas mesnatës gjallëroheshin jo vetëm nga pushuesit shqiptarë, por edhe nga studentët e pedagogët frankofonë. Dhe preferonin të kërcenin muzikën shqiptare, ndërsa njëri prej tyre nuk e shqiste nga dorë një kamera dore. Filmonte nga delet në fshatrat duke shkuar drejt Apolonisë, bunkerët e shumtë rrugës, deri tek vajzat shqiptare që përdridheshin nën tingujt e muzikës shqiptare. Një ndër më të apasionuarit pas muzikës ishte profesori Alain Brossat, që referoi tema nga më interesantet gjatë seminareve.
Krijoni Kontakt