Pretenca: Çuan në Britani 12 mijë emigrantë
-
Nga Londra Muhamed Veliu
Pretenca e dhënë për një superbandë, të përbërë kryesisht nga komponentë shqiptarë që merreshin me trafikun e qenieve njerëzore, është dhënë dje në një gjykatë blege. 24 pjesëtarët e kësaj bande që drejtohej nga tropojani Mhill Sokoli, janë dënuar seicili me nga 10 vjet burg. Ndërsa përfaqësuesja e akuzës ka shpjeguar dje përpara gjykatës belge të gjithë funksionimin e rrjetit të klandestinëve që siguronte lëvizjen e emigrantëve nga Shqipëri me destinacion final Britaninë e Madhe. Gjatë procesit gjyqësor, më i madhi i këtij lloji në Belgjikë, prokurorja e çështjes, Anne-Marie D'Hondt, ka deklaruar përpara trupit gjykues se banda shqiptare gjatë dy viteve të fundit ka fituar më shumë se 12 milionë stërlina nga trafikimi i 12.000 shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe. Më pas prokurorja ka shpjeguar se pas një investigimi të gjatë të policisë dhe pas një operacioni survejimi u mësua se për çdo natë trafikantët shqiptarë shumë të organizuar sillnin 20 emigrantë ilegalë, të cilët i fshihnin në kamionët dhe udhëtonin për në drejtim të Britanisë së Madhe. Prokurorja belge ka shpjeguar se lëvizja bëhej nga Shqipëria, më pas kalohej për në Itali më tej për në Belgjikë, ku ishte edhe shqiptari Mhill Sokoli, i cili ishte edhe kryeorganizatori i trafikut dhe destinacioni final ishte Anglia. I gjithë rrjeti funksiononte edhe me lidhjet e trafikantëve të vendeve prej nga kalonte edhe trafiku i qenieve njerëzore. Sipas dëshmive të policisë, i gjithë operacioni i trafikantëve ishte tejet i organizuar dhe njëkohësisht i sofistikuar.
Trafiku
Për një person të trafikuar drejt Anglisë, Mhill Sokoli kërkonte 2.150 stërlina dhe për të pasur një kalim të sigurt, ai u paguante bakshish edhe shoferëve të kamionëve për të kaluar ilegalisht dhe pa probleme klientët e tij. Policia belge për disa muaj rrjesht e shtriu investigimin e saj në Shqipëri dhe në Itali, ku grupi i trafikantëve kishte lidhjet e tij. Nga përgjimi i telefonave të njërit prej anëtarëve të grupit u mësua se ai për çdo mëngjes telefononte partnerët e tij në Londër për të mësuar se sa veta nga njerëzit e trafikuar kishin mbërritur atje. Nga llogaritjet e policisë rrezultoi se Sokoli i cili jetonte në Bruksel kishte fituar nga kjo veprimtari kriminale rreth 6 milionë stërlina në vit, të cilat i ka investuar në biznese të ndryshme në Shqipëri, kryesisht në blerje apartamentesh.
Bizneset
I kujdesshëm për të mos u ekspozuar, ai në Belgjikë bënte një jetë shumë të thjeshtë. Fundvitin e shkuar Sokoli arrestohet nga një grup xhandarësh të armatosur, të cilët në momentin e arrestimit në furgonin që ai po udhëtonte, i gjetën 10 emigrantë të fshehur. Prokurorja D'Hodnt në fundt të fjalës së saj tha se kjo çështej është më e madhja e këtij lloji, por ne mendojmë se të tjerë peshq të mëdhenj janë të lirë dhe aktivë në trafikimin e njerëzve për në Angli. Sokoli ka pranuar akuzën për fshehje të njerëzve nëpër kamionë dhe jo trafikimin e tyre. Gjykata do ta japë vendimin më 12 gusht.
Krijoni Kontakt