FLASIN SHPETUESIT NE RASTET E AVARIVE
"Me ankthin e vdekjeve të nëntokës"
Odeta Halili
TIRANE
Ata nuk kanë mbetur keq pas ndonjë falenderimi të munguar, e kanë marrë me mend mirënjohjen e familjarëve, e kanë kuptuar dhimbjen e tyre, kur qanin mbi trupat e saponxjerrë nga puset e galeritë. Dhe kanë vazhduar. Ata, gjithsej bëhen 17, njihen si grupi i shpëtimit në avaritë e minierave dhe puseve (të fundit janë shpeshtuar këto kohë dhe të parat janë rralluar), por pohojnë me nënqeshje të hidhur "ka qenë shumë e vështirë, pothuaj e pamundur të shpëtojnë jetët e njerëzve të asfiksuar nën dhè". Nuk janë si mjekët, do të qe tepër komod ky pozicion, në "regjistrat" e tyre shënohen të mbyturit e nëntokës. "Dhe kjo për shkak të kohës që është "armiku" ynë. Të shkuarit në vendngjarje, ne jemi i vetmi repart me këtë mision, në vend na merr ndonjëherë minuta e ndonjëherë orë të mira. Ju e dini sa mund të rezistojë njeriu pa oksigjen", thotë Muharrem Hida komandant i grupit të shpëtimit, pranë Repartit të Inspektimit dhe Shpëtimit në Miniera (RISHM).
Puset
"Aty ku njerëzit mbyten me frymën e tyre", shënohet "pus-i" në "fjalorin" e repartit. Më të rrallë ka ndodhur që viktimat të jenë helmuar me gaz, siç thuhet në fakt, dhe kjo kur ka bërë vaki të ketë qenë ndonjë pompë benzine në fund të gropës. Në të shumtën e herëve ka qenë mungesa e oksigjenit dhe përqëndrimi i dioksidit të karbonit ato që kanë vrarë. "Bëhen gjithsej 11 viktima gjatë këtij viti. I fundit qe më i rëndi, rasti i Yzberishit me 4 të vdekur, dy vëllezër dhe bijtë e tyre", tregon Hida. Merr frymë një hop, "shtanga kur trupat i kishim nxjerrë nga pusi. Njërin nga vëllezërit e kam njohur dikur ka punuar në miniera. Ai që ka zbritur në puse 600 metra nën tokë dha shpirt në një gropë 5 metra. Ka rendur pas të birit". Sipas Hidës ata që shkojnë në ndihmë të të mbeturve në pus, që s'janë specialistë, vdesin shumë shpejt. "Stresi dhe emocionet e bën që të jenë të sforcuar, ndërsa zbresin kryejnë frymëmarrje më të shpejta, por thithin dioksid karboni". Do të qe e udhës të shënohej dhe "Puse" në identifikimin e repartit të tyre. Se eksperienca është rrudhur në aksidentet e puseve të ujit.
Minierat
Dikur rendnin për te minatorët anekënd vendit, "aq shpesh sa ndonjëherë mendoja se kot e kam shtëpinë në Tiranë", thotë Maliq Ozuni, komandant skuadre. Ai numëron 19 vjet pranë këtij reparti, e ndër këto vite qindra aksidente e dhjetëra të vdekur e më pak të shpëtuar. Në Memaliaj, Kukës, Pogradec, Bulqizë, shpërthime zjarresh e grumbullime gazrash helmues. Bashkë me minatorët, tre shpëtues kanë humbur jetën, Zenel Mema, Fatos Toto dhe Gëzim Rroshi. A u ka qëlluar të kenë patur ndonjëherë konflikte me familjarët që kanë shpresuar se do shpëtojnë njerëzit e tyre? "Jo, nuk ka ndodhur. Por jemi ndjerë keq në mjaft raste. Mbaj mend në një rast, gjatë një avarie në minierë, pasi kishim nxjerrë trupin e vdekur të një minatori u detyruam t'i bënim masazhe dhe frymëmarrje që t'i përgatitnim të afërmit se ai ishte shumë rëndë. Nuk mund t'ua pohonim vdekjen menjëherë. Ata na shihnin 20 metra më tej". Sa e sa skena të tilla kanë lënë pas në vite, mes rrezikut, tymit e lotëve…
Krijoni Kontakt