Dicka me shume rreth historikut te pamjes se Tiranes ne vite
Plani i trete i Tiranes
Nga Blendi Fevziu/ Kur nje arkitekte e re dhe simpatike franceze u ngrit ne kembe mes duartrokitjeve te te ftuarve ne nje salle luksoze te Hotel Sheratonit ne Tirane, per te marre cmimin e pare ne konkursin nderkombetar per rregullimin e qendres se Tiranes, pak vete kane menduar rendesine reale te momentit ne fjale. I konsideruar nje konkurs nga ato qe behen rendom ne Tiranen e sotme, i mediatizuar fale aftesise thuajse gjeniale te Edi Rames per te vendosur ne qender te vemendjes cdo aktivitet qe ka lidhje me te dhe qytetin qe drejton, i supervizuar nga nje numer pa fund specialistesh te huaj, ai nuk pati asnje analize serioze. Nje analize qe ta vendoste aktin e pardjeshem ne rrafshin historik dhe nje tjeter qe ta vendoste ne linjat e zhvillimit perspektiv te Kryeqytetit dhe te gjithe Shqiperise.
Ne veshtrimin historik hartimi i nje plani urbanistik per qendren e Tiranes, qe pritet te jete gati mundesisht brenda gjashte muajve te ardhshem, eshte i treti serioz qe nga krijimi i Kryeqytetit.
Plani i pare i takon vitit te larget 1614 te krijimit te qytetit dhe hartues i tij nuk ishte as nje urbanist dhe as nje arkitekt. Ishte nje gjeneral i ushtrise turke i lindur ne Mullet dhe i rritur ne Persi, i quajtur Sulejman Pashe Bargjini, themeluesi i Tiranes. I hipur mbi nje kale ne zonen ku sot ngrihet monumenti i Partizanit te Panjohur, Sulejman Pasha qe e kishte fituar fushen si shperblim te trimerise se tij ne betejen e Teheranit, vendosi ndertimin e nje xhamie, nje furre buke, nje hamami dhe nje hani ku te qendronin udhetaret. Duke treguar me gisht vendet ku do te ndertohej secila prej ketyre, ai u be urbanisti dhe vizionari i pare i qytetit dhe kryeqytetit te ardhshem te Shqiperise. Qytetit qe filloi te zhvillohej shpejt dhe ne menyre kaotike, duke u shnderruar ne fillim te shekullit te XX-te, nje nder qytetet me te rendesishme ne vend dhe me me shume se 17 mije banore.
Por mes Sulejman Pashes qe qendronte mbi kale dhe tregonte me dore linjat e qytetit te ardhshem dhe francezes simpatike te veshur me kostumin e bardhe elegant ne Hotel Sheraton, qendron edhe nje moment tjeter kulmor, per te mos thene me i rendesishmi ne zhvillimin e qytetit dhe mbi te gjitha ne modernizimin e tij. Ne fund te viteve '20-te, nje nder studiot me te rendesishme italiane te Firences mori porosine per te kryer planin urbanistik te qytetit dhe prezantimi i tij u be disa vite me vone, ne nje nga sallat e asaj qe sot njihet si Ministria e Puneve Publike dhe Turizmit. Per planin ne fjale, kishin punuar vec arkitekteve te studios fiorentine edhe nje emra te famshem, njeri prej te cileve, Armando Brasini, krijuesi i bulevardit dhe Ministrive dhe nje nder emrat e njohur boterore pas Luftes se dyte Boterore.
Ne te vertete, plani italian ishte edhe zanafilla e qytetit modern dhe duhet pranuar qe studioja fituese franceze e kishte ngritur planin e saj pikerisht mbi ruajtjen dhe permiresimin e planit ne fjale. Duke ia pershtatur ate zhvillimeve te koheve moderne.
Ka jo pak komente qe nenvizojne tentativat per nje plan urbanistik te bere ne vitet e komunizmit dhe pothuajse te gjitha keto shenojne planin e hartuar dhe miratuar ne vitin 1989. Fatkeqesisht, te gjitha planet e hartuara pas atij te mrekullueshem italian, nuk kane synuar asnjehere permiresimin apo pershtatjen e tij me standaret moderne, por shkaterrimin dhe prishjen e imazhit te perftuar prej tij. Duke e shnderruar qendren e Tiranes ne nje lloj hibridi te pakuptueshem dhe te pashpjegueshem per shumicen e specialisteve. Ne nje lloj shartimi te arkitektures dhe urbanistikes se mrekullueshme italiane, stil Imperial, me linjat e mjera dhe te varfera te arkitektures se socrealizmit. U shemb Bashkia e vjeter, nje ndertim ne harmoni absolute me godinat e tjera te sheshit qendror dhe ato te bulevardit; u shemb pazari i vjeter, rikonstruksioni i te cilit do t'i ruante Tiranes nje pjese te madhe te identitetit te saj otoman; u shemb kisha e vjeter ortodokse dhe ne vend te tyre u ndertuan nje pallat kulture qe nuk dihet me se per cfare do te perdoret, nje muze me linja dhe pamje mizerabel dhe nje hotel 15 katesh qe ne kontrast me muzeun meriton realisht percaktimin qe i kishin bere tiranasit e viteve '80 - te, "I holli me te trashin", duke ju referuar komikeve te njohur. Ka mjaft qytete ne lindje qe kane pamjen dhe vulen e arkitektures komuniste; ka qytete te tjere qe kane ruajtur identitetin e tyre, por veshtire se ka nje qytet, ku per 60 vjet, gjithe nderhyrjet urbanistike kane synuar prishjen e planit themelor rregullues te tij.
Pikerisht ne kete logjike, plani i pritshem do t'i jape fund abuzimeve dhe bashkejeteses absurde ne qender te Kryeqytetit. "Ai eshte nje koncept urban dhe jo nje plan konkret urbanistik", u shpreh dje Kryeministri. Deri ketu gjithcka eshte e sakte. Qe sot deri diten qe maketi konkret do te vendoset serish ne nje nga sallat e Hotel Sheratonit, 5 apo 6 muaj me vone, pra qe koncepti do te shnderrohet ne plan konkret, ai duhet te marre shume gjera parasysh. Duhet te marre raportet e pronesise; ndertimet publike; hapesiren e gjelber dhe lejet apo ndertimet e ngritura nderkohe. Duhet te synoje harmonizimin e te gjithave dhe mundesite reale te zbatimit, qofte edhe ne nje shtrirje kohore, duke i vene Kryeqytetit Shqiptar, vulen e se paku 100 viteve te ardhshme. Dhe duke cuar me tej dhe ne menyre me moderne, konceptin vulgar te Sulejman Pashe Bargjinit, i cili i hipur mbi kal vendosi qendren e qytetit te ardhshem dhe qe e veshtron ate tashme cdo dite i shnderruar ne bronx; apo te Armando Brasinit, qe e nxorri Tiranen nga nje qytet i piste dhe kaotik oriantal, ne linjat dhe vijat e nje metropoli modern
Krijoni Kontakt