Shkruan: Jusuf FERIZI

Para se të fillonte shembja e sistemit komunist në sferën lindore të planetit tonë në vitet e 80-ta, ish presidenti amerikan Ronald Regani, komunizmin (Bashkimin Sovjetik shtesa e nikës) e shpalli "perandori të së keqes" (më mirë do ishte pa thojza, sht. n.), ose thënë shqip, fashizëm i kuq. Mirëpo, sot, edhe pas më se dy dekadash lufte kundër perandorisë të së keqes, mund të thuhet lirisht se komunizmi u shemb, por nuk u ndëshkua siç u ndëshkua fashizmi pas Luftës së Dytë Botërore. Pra nuk pati proces të dekomunistifikimit siç pati proces denazistifikimi, edhe pse dihet mirë se po të kishte fituar Hitleri kriminel lufte do të shpallej Stalini. Sikur të ishte zbatuar procesi i dekomunistifikimit do të ishin zhdukur të gjitha shkaqet që sollën deri te ai gjenocid i paparë që ushtroi komunizmi i fashistizuar serb me shqiptarët. Procesi i dekomunistifikimit është aq më i domosdoshëm kur dihet se serbët, si popull karpatian, krimin që e ushtrojnë e përjetojnë si një "kulturë heroike". Dhe, sikur të mos ishte kjo "kulturë heroike" serbe, do të duhej të kishte pasur ndonjë pendesë serbe për tërë atë gjenocid që u ushtrua mbi popujt tjerë, dhe, nëse për asgjë tjetër, atëherë për gjithë ata eshtra shqiptarësh që po vijnë përditë nga varrezat masive të shqiptarëve në Serbi, e të cilat eshtra po sistemohen në kufoma shqiptare në "krematoriumin" e Rahovecit!!!
Përkundrazi, edhe pas rënies së Millosheviqit, politika e Bashkimit Evropian ka mbetur e përqendruar në Beograd. Si duket, Evropa, posaçërisht ajo Evropa "plakë" e Solanës, as që e ka ndërmend të përballet me atë problemin kryesor që do të quhej denazistifikim i Serbisë e që do të bënte kushtin themeltar për demokratizimin e Serbisë. E njëjta Evropë "plakë", politikë të ngjashme të paqësimit me agresorin, me Serbinë pra, pati ndjekur edhe ndaj Gjermanisë së Hitlerit në vitet e 30-ta. Politika e ngjashme ndaj Serbisë naziste nga ana e Evropës franko-gjermano-ruse, është absurdi më i madh i këtij shekulli. Krerët e Evropës së vjetër as që çajnë kokën për faktin e hidhur sipas të cilit, në emër të socializmit, komunistët në pushtet vranë shumë më tepër njerëz sesa që vranë bashkërisht fashistët dhe të gjithë të tjerët në të gjitha kohët. Duke bërë rikapitullimin e tmerrit të shekullit të kaluar, Erik Hobsbaun thotë se gjatë shek. XX u vranë ose u dërguan drejt vdekjes më shumë njerëz nga ç'mbahet mend në tërë historinë botërore. Në atë kohë shton Hobsbaun, shqiptarëve u takoi të përjetonin tmerret më të tmerrshme të shekullit, për çka përgjegjësinë e mban ajo "Evropa e Qytetëruar", ajo Evropa "e vjetër", siç e quajti sekretari amerikan i Mbrojtjes kontinentin e vjetër në prag të fillimit të çlirimit të Irakut nga diktatori Sadam. Ata që i kanë hypur moti gomarit me fytyrë kah bishti, vazhdojnë të qëndrojnë në krye të "Evropës së Vjetër". Hyjnë në këtë "Evropë" ato vende, të cilët, krahas Rusisë e Kinës, siç janë Franca e Gjermania, nuk lanë gur pa luajtur në mënyrë që të bllokojnë sulmin amerikano-anglez kundër Irakut, me të vetmin qëllim që t'ia vazhdojnë jetën diktatorit Sadam. Mbrojtja këmbëngulëse e regjimit të Sadamit nga ana e Parisit e Moskës, tregon qartë se në kontinentin e vjetër vazhdojnë të koekzistojnë dy mendësi: një mendësi e plakur që i përket Evropës së vjetër të shekullit XIX, kur Amerika ende nuk ishte bërë faktor botëror dhe ligjin e bënin të ashtuquajturat "fuqi të mëdha" evropiane dhe Rusia, një mendësi e plakur evropiane e cila, në krye me Solanën, mbron perandorinë e së keqes në Serbinë naziste, dhe mendësia e dytë, mendësia e re që i përket Evropës së shekullit XXI, kur në krye të vizionit botëror është Amerika.
Ndaj kësaj ndarjeje mendësish që gjallërojnë sot në Evropë, Kosova duhet të jetë shumë syçelë për t'u bashkuar sa më shpejt me Evropën e re, me Evropën proamerikane, kundër së cilës fatkeqësisht, janë edhe shqiptarët e ashtuquajtur Fatos Nano e Hashim Thaçi, të cilët vetëm për pak pushtet janë të gatshëm të tregtojnë edhe me trungun e etnosit shqiptar, siç po tregon Nano në jugun e Shqipërisë, dhe të cilët, nuk mund të mendojnë, as ta fitojnë, as ta mbajnë pushtetin, pa mbështetjen e Evropës "plakë", pa mbështetjen e Athinës, Beogradit e Moskës.