Mamudije Brija nuk është e para që ka trokitur në derën e avokates së popullit, Brizeda Gjikondi. Me një zë të qartë, pa pikë mëdyshjeje, juristja tregon se fëmijët e prindërve të divorcuar përbëjnë njëkohësisht një nga problemet më të mëdha në Shqipëri, për të cilin shumë pak është shkruar dhe folur. Brizeda tregon se janë të panumërta shkeljet e ligjit, në pjesën dërrmuese nga burrat. Kujdestari të pamarra kurrë, pensione të papaguara apo dhunë mbi fëmijët janë vetëm disa prej tyre. Akuzat e Gjikondit shkojnë edhe më tej. Avokatja pohon, pa iu dridhur zëri, se shkeljet më të mëdha i bën sidomos policia dhe zyrat e përmbarimit. “Që janë krejtësisht të paafta të merren me të miturit”, -thotë gruaja e re, duke tundur në dorë broshurën e strategjisë kombëtare për fëmijët. Të gjitha janë të sqaruara e të sanksionuara me ligj aty, gjithçka për fëmijët, por rrallë mund të vihen në zbatim. E në tërë këtë qerthull akuzash, Gjikondi nuk lë jashtë as OJF-të e fëmijëve. “Janë me dhjetëra, por nuk bëjnë asgjë konkrete”, -akuzon avokatja e popullit.
“Unë denoncoj…”
Për Brizedën, historia e të miturve Matmuja nuk do të ishte kaq e trishtueshme nëse babai i tyre do të zbatonte ligjin. “Nënës i takon kujdestaria dhe në rastin e Mamudisë ekziston një vendim gjykate. Ish-bashkëshorti i saj nuk ka fare të drejtë t’ia privojë ato ç’ka i ka dhënë ligji”, -thotë ajo. Avokatja denoncon publikisht zyrën e përmbarimit të Kukësit që nuk e ka zbatuar kurrë vendimin e dhënë nga gjykata, duke sorollatur për tre vjet me radhë një nënë nga Tirana në Kukës. Përgjigja e tyre ka qenë se i ka lënë me të vërtetë një shije të keqe. “Tashmë i kam humbur shpresat tek zyrat e përmbarimit”, -thotë Gjikondi. Gjithsesi, gruaja energjike nuk i ka rreshtur përpjekjet dhe tetë ditë më parë, u ka dërguar relacione ministrit të Rendit, Luan Rama dhe atij të Drejtësisë, Spiro Peçi. Përveç rastit të Mirgen Matmujës, ajo denoncon edhe dy të tjerë. Në relacion, Gjikondi thekson se babai i të miturit, ka abuzuar me detyrën e vet si efektiv policie “i ndihmuar edhe nga strukturat e shtetit”. Një relacion të tillë avokatja e ka bërë gati edhe për kryeministrin Fatos Nano dhe do t’ia nisë atij pasi t’i kthejnë përgjigje dy ministritë. “Por ato akoma nuk e kanë bërë një gjë të tillë, edhe pse ka kaluar një javë”, -thotë ajo.
Burrat
Ndodh rëndom. Mjafton që babait të mos i ketë dalë inati i divorcit. Mjafton që ai të ketë ndonjë llogari të pashlyer me atë që deri pak kohë më parë ishte gruaja e tij. “Dhe për t’i shfryrë gjithë këto inate përdoren fëmijët”, -tregon Brizeda. Historitë mund t’i gjesh me thasë nga jugu në veri, nga lindja në perëndim të Shqipërisë. Më shumë se mentalitetit mashkullor shqiptar, avokatja ia hedh fajin shtetit, që nuk zbaton ligjet. “Janë të njëjtët njerëz si para vieteve ’90, po ata shqiptarë. Veçse atëherë shteti i zbatonte ligjet mbi fëmijët”. Burri është i fortë dhe ka të ardhura, thuajse gjithmonë më shumë se gruaja. Sigurisht ka edhe miq. Dhe nuk lë gurë pa lëvizur që t’i përdorë këta të fundit “për inat të saj” . Nuk ia jep fëmijën, e mban mbyllur, madje edhe mund ta godasë. Brizedës i kujtohet sakaq një rast i fundmë, ndodhur në Tiranë, kur një ish-bashkëshort rrëmbeu vajzën e tij të mitur që po luante me shoqet para pallatit. Ajo jetonte me të ëmën dhe njerëzit e saj. E futi të bijën në një taksi dhe ia mbathi. Ish-gruas së tij akoma nuk i ka ardhur fryma në vend, edhe pse fëmija iu kthye. Por në tërë këtë mesele, Gjikondin e ka lënë pa mend puna e policisë. “Pas denoncimit të gruas, ata shkuan ta merrnin fëmijën. Por nuk i bënë absolutisht asgjë babait të saj, asgjë. Më thanë: “Nuk ka bërë vepër penale”. Me sa duket ata quajnë vepër penale vetëm nëse ai do ta vriste fëmijën, ashtu siç ndodhi ca ditë më parë në Bërxullë të Tiranës”.
Policia dhe përmbarimet
“Kanë një mungesë të theksuar të njohjes së ligjit. Nuk dinë të trajtojnë një të mitur. Të mos flasim pastaj për të tjerat”, -akuzon avokatja. Shumica e punonjësve, sipas saj, nuk dinë të sillen me fëmijën, nuk dinë si ta marrin tek një prind dhe ta çojnë tek tjetri. Ndonjëherë përdorin furgonat e policisë dhe kështu ai që mendohej si “takimi romantik me babain” katandiset në një torturë të vërtetë për të miturin. “Siç ka ndodhur tani së afërmi në Shkodër me një vajzë të vogël që u mor forcazi nga policia për t’ia çuar babait. Ata nuk arritën të takoheshin dot sepse para të atit ajo filloi të villte. Pastaj i ra të fikët”, -kujton juristja.
Mos mendoni se Shqipëria nuk ka ligj për edukimin e policëve në kësi rastesh. Përkundrazi. Në kapitullin “Mbrojtja”, neni 1, të strategjisë kombëtare të fëmijëve, thuhet se në programet e Akademisë së Rendit Publik dhe duhet të parashikohen tema dhe leksione të veçanta për njohjen dhe respektimin e konventës së të drejtave të fëmijëve, por një gjë e tillë, sipas avokates Gjikondi, nuk rezulton të jetë bërë.
Zyra e Përgjithshme e Përmbarimit:
“Bëjmë më të mirën që mundemi”
Drejtori i i saj Nasip Naço tha për “Shekullin” se vetëm ditën e hënë mund të jepte një përgjigje të saktë se ç’do të bëhej me rastin e Mirgen Matmujës. Ai ishte në dijeni të historisë, pas një bisede me avokaten Brizeda Gjikondi. “Sigurisht që ne do të ndërhyjmë, gjithmonë e bëjmë një gjë të tillë”, -tha ai. Sipas Naços, problemet mes bashkëshortëve të divorcuar, fëmijëve të tyre dhe pensionit ushqimor, janë rastet më të rënda me të cilat merren zyrat e përmbarimeve. “Bëhen rreth katër mijë dosje të tilla”, -tha ai. I pyetur se përse zbatimi i vendimeve gjyqësore nga nëpunësit e përmbarimeve për këto raste, merr kaq shumë kohë, drejtori tha se vetë çështjet janë tepër delikate dhe personale, mes personash. “Por ne bëjmë më të mirën e asaj që mundemi, megjithë problemet që mund të kemi patur”, -tha ai.
E.S
Strategjia kombëtare për fëmijët (2001-2005)
Mbrojtja
Neni 1
Në programet mësimore të Akademisë së Rendit Publik dhe në Institutin 1-vjeçar të Policisë të parashikohen tema dhe leksione të veçanta për njohjen dhe respektimin e konventës së të drejtave të njeriut dhe të drejtave të fëmijëve
Krijoni Kontakt