Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    BE, Presidenti Klaus dhe problemi i gjermanëve sudetë

    BE, Presidenti Klaus dhe problemi i gjermanëve sudetë

    Pas referendumit të Irlandës dhe firmës së Presidentit polak, duket sikur është hapur rruga për aprovimin përfundimtar të Traktatit të Lisbonës. Ka mbetur vetëm një pengesë, një firmë e Presidentit të Republikës Çeke, Vaclav Klaus. Presidenti Klaus është

    Shaqir Vukaj

    Sipas tij, "europianët nuk janë një komb" dhe "tentativa për të krijuar një shtet artificial do të nivelonte interesat kombëtare, do të përqendronte vendimet ekonomike vetëm në Bruksel, do të shmangte vendimet unanime në nivel të BE-së" etj. Këto dhe të tjera ai i ka shprehur shumë herë gjatë këtyre viteve, madje i ka mbrojtur me forcë në fjalime, në takime me europianë, në mbledhje e forume ndërkombëtare etj.
    Megjithëse këto diheshin, Parlamenti dhe Senati çek, me votën e tyre të lirë, e zgjodhën për një mandat të dytë në këtë post. Por, ai doli kundër qëndrimit e votës së këtyre dy institucioneve parlamentare, të cilat e ratifikuan me shumicë votash Traktatin e Lisbonës.
    Europa, që nuk e vlerësonte dhe nuk i merrte seriozisht thëniet e tij, tani e ndodhur para kësaj gjendjeje po bën të gjitha përpjekjet për ta bindur atë të firmosë, madje edhe me forcë. Kështu, Presidenti francez Sarkozi kërcënoi se BE do ta përjashtojë Republikën Çeke. Ka zëra nga Parisi e Berlini se po përgatitet një hetim ndaj tij. Në Parlamentin çek kanë filluar të kërkojnë interpretime e rrugë ligjore për t‘i hequr të drejtën e firmës, duke ia kaluar ketë kompetencë Kryeministrit. Nga sondazhet, rezultonte se 44% e çekëve shpreheshin që ai po prish imazhin e Republikës Çeke.
    Pavarësisht nga këto, ai nuk lëviz nga qëndrimi i tij. Duke qenë se presioni i ditëve të fundit ndaj Klausit ka qenë tepër i madh, para pak ditësh ai vuri kushte. Ai kërkoi që "në traktat duhen përfshirë korrigjime që kufizojnë veprimin e Kartës Europiane për të drejtat e njeriut në Republikën Çeke", që e argumentoi me faktin se për britanikët dhe polakët janë bërë përjashtime.
    Ai nxori një argument të ri, që befasoi shumëkënd, por njëkohësisht i futi çekët në mendime e madje frikësoi edhe shumë prej tyre. Klausi nxori edhe një herë para Europës problemin e gjermanëve sudetë, problem që para lufte u bë preteksti kryesor për marrëveshjen e Mynihut dhe pushtimin e Çekosllovakisë. Pra edhe një herë Europa, ashtu si në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, po përballet me problemin e gjermanëve sudetë. Gjermanë sudetë janë quajtur gjermanët që kanë jetuar në rajonet veriore dhe veriperëndimore të Çekisë. Ai është një problem i vjetër, që e ka origjinën që në Mesjetë, por haptazi e mjaft ashpër ai është shfaqur në periudhën e Revolucionit të vitit 1848 dhe veçanërisht në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e sidomos në përfundim të saj.
    Dokumentet thonë se prania gjermane në këto rajone është e vjetër, dhe ato flasin për bashkëjetesë të hershme të fiseve gjermane dhe sllave, ku këta të fundit përbënin shumicën në këto toka.
    Gjermanët kanë filluar të shkojnë në tokat çeke si kolonë në shekullin XIII. Kolonët gjermanë fillimisht janë vendosur përreth manastireve, por me kohë ata u përhapën ose pranë qyteteve të vjetër (Pragë etj.), ose në vendbanime të reja, duke krijuar komunitetet e tyre me disa privilegje të veçanta.
    Edhe sot pranohet nga të gjithë roli i dukshëm që ka luajtur kolonizimi gjerman për zhvillimin e shtetit çek, duke ndihmuar për zhvillimin e bujqësisë, tregtisë, zejtarisë e jetës kulturore në përgjithësi.
    Lëvizja dhe luftërat progresiste Husiste të shekullit XV, krahas të tjerave sollën një çarje të dukshme në marrëdhëniet midis çekëve dhe gjermanëve. Kjo periudhë shënon ndërprerjen e depërtimit të kolonëve gjermanë, si dhe rritjen ndjeshëm të ndjenjave kombëtare te çekët.
    Me përfshirjen e tokave çeke në Perandorinë Austro-Hungareze, roli dhe pozita e gjermanëve në Çeki erdhi duke u forcuar, ndërsa i çekëve duke rënë, dhe rreziku i gjermanizimit ishte i pranishëm. Revolucioni i vitit 1848 dhe programi i parë politik modern çek u ndesh në kundërshtimin e rreptë të gjermanëve, të cilët dolën me kërkesa që Çekia të anëtarësohej në Perandorinë Gjermane. Pikërisht kjo është periudha kur kontradiktat midis çekëve dhe gjermanëve u kthyen në konflikt, që do të vinte duke u thelluar deri në ndarjen përfundimtare e dëbimin e gjermanëve nga Çekosllovakia.
    Gjatë Luftës së Parë Botërore, dy popullsitë zunë pozicione diametralisht të kundërta. Shpërbërja e Perandorisë Austro-Hungareze krijoi kushte për krijimin e shtetit të pavarur çekosllovak. Problemi i parë me të cilin u ndesh qeveria e përkohshme e shtetit të ri çekosllovak ishte përcaktimi i kufijve. Që më përpara përfaqësuesit e popullit çek, sllovak dhe atij të Ukrainës së Tej Karpateve, ranë dakord që brenda tij të përfshiheshin Çekia, Moravia, Silezia Austriake dhe Ukraina e Tej Karpateve. Reagimi i gjermanëve ishte i menjëhershëm. Ata jo vetëm nuk i njohën kufijtë e përcaktuar, por shpallën menjëherë katër provinca "gjermane", me qëllim bashkimin e tyre me shtetin shumëkombësh Austro-Gjerman. Këto rajone, jo vetëm që ishin me popullsi në shumicë çeke, por ishin dhe rajonet më të zhvilluara.
    Qeveria çekosllovake mbajti qëndrim të prerë dhe u përgatit edhe për përdorimin e forcës. Duke u mbështetur edhe nga vendet e Antantës, ajo arriti të mposhtë rezistencën e gjermanëve dhe t‘i përfshijë këto rajone brenda kufijve të shtetit të ri çekosllovak, kufijtë e të cilit u përcaktuan me Marrëveshjen e Sevrit të vitit 1920, ku u përfshinë Çekia, Moravia, një pjesë e Silezisë, Sllovakia dhe Ukraina Tej Karpateve.
    Në këtë mënyrë u krijua një shtet shumëkombësh me një popullsi prej 13.6 milionë banorësh, nga të cilët 3.2 milionë ose 23.4% e popullsisë ishin gjermanë. Qeveria çekosllovake u krijua nga partitë çekosllovake dhe gjermane (që u formuan menjëherë pas formimit të shtetit çekosllovak), ku gjermanët morën disa portofola të rëndësishëm ministrorë, si dhe shumë vende me përgjegjësi në institucionet shtetërore. Në këtë mënyrë, Çekosllovakia u bë shteti i parë në Europë, ku pakica gjermane filloi të merrte pjesë aktivisht në jetën shtetërore.
    Ardhja e Hitlerit në pushtet do të kishte pasoja tepër të rënda për Çekosllovakinë. Nazizmi kishte ithtarët e vet edhe në Çekosllovaki, e kryesisht në radhët e gjermanëve sudetë. Ata, që në vitin 1933 kishin krijuar Partinë Nacional-Socialiste, e cila mbasi u nxor jashtë ligjit, u kthye në Partia Gjermano-Sudete, e cila në zgjedhjet parlamentare të vitit 1935 arriti të marrë 1.3 milionë vota, dhe në qoftë se në këtë periudhë ajo kishte 385 mijë anëtarë, në vitin 1938 ajo arriti në 1 milion e 350 mijë anëtarë.
    Kjo parti, brenda së cilës u shkrinë të gjitha partitë e tjera të gjermanëve sudetë, krahas aktivitetit brenda Çekosllovakisë, ishte tepër aktive edhe në Europë, për ta bindur atë për kërkesat e drejta (sipas saj) të gjermanëve sudetë. Madje në disa vende, e kryesisht në Angli, ajo kishte gjetur mbështetje, mbasi interesat e Çamberlenit përputheshin me ato të Gjermanisë, në kurriz të vendeve të Europës Qendrore.
    Që para pushtimit të Austrisë, Hitleri kishte deklaruar në Raishtag se ai do të bashkonte të gjithë gjermanët në një shtet. Dhe bashkimit të gjermanëve sudetë i parapriu Partia Gjermano-Sudete, e cila mbas fjalimit tjetër të Hitlerit në Kongresin e Partisë Nacional-Socialiste, më 12 shtator, nxiti gjermanët sudetë për veprime të hapura antiqeveritare, çka solli krijimin e njësive të armatosura, ku bërthama ishte Partia Gjermano-Sudete. Brenda pak ditëve ajo arriti në 40 mijë vetë të armatosur, pra një ushtri e vërtetë brenda shtetit çekosllovak. Masave të marra nga qeveria për stabilizimin e gjendjes, gjermanët sudetë iu përgjigjën me ultimatum për kalimin e të gjithë pushtetit në duart e tyre.
    Në këto kushte, përfaqësuesit e Francës, Anglisë, Italisë dhe Gjermanisë u mblodhën në Mynih, ku vendosën që Çekosllovakia t‘i jepte Gjermanisë të gjitha territoret kufitare, që zinin një sipërfaqe rreth 28 mijë km katrorë, me rreth 3.6 milionë banorë, midis të cilëve rreth 1 milion çekë.
    Marrëveshja e Mynihut i hapi rrugë pushtimit të krejt Çekosllovakisë, ku menjëherë u aktivizuan të gjitha projektet e reja dhe të vjetra për "zgjidhjen përfundimtare" të problemit çek, qëllimi i të cilave ishte gjermanizimi i territoreve çeke dhe i popullsisë së saj. Sipas këtyre projekteve, kjo do të arrihej nëpërmjet gjermanizimit të një pjese të mirë të popullsisë çeke, shpërnguljes së pjesës tjetër drejt lindjes, dhe eliminimit të asaj pjese që nuk pranonte gjermanizimin etj., e ku një rol të posaçëm do të luanin gjermanët sudetë.
    Për arsye nga më të ndryshmet, shumica dërmuese e gjermanëve të Çekosllovakisë u orientua nga nazizmi, e mbështeti hapur atë, dhe luajti rol tepër të rëndësishëm për realizimin e planeve të nazizmit. Kështu, ata u futën në masë në Partinë Naziste Gjermane, duke arritur në rreth 500 mijë vetë, ose 17% e popullsisë, duke zënë vendin e parë në të gjithë Gjermaninë.
    Lufta e Dytë dhe qëndrimi i gjermanëve sudetë ndaj popullsisë së Çekosllovakisë i thelloi aq shumë kontradiktat, sa menjëherë mbas pushtimit u përforcua ideja se shpërngulja e gjermanëve sudetë, mbas lufte, ishte bërë domosdoshmëri. Që në vitin 1939 organizatat ilegale të rezistencës filluan përpunimin e programit të shpërnguljes së gjermanëve nga Çekosllovakia, si e vetmja rrugë për zgjidhjen një herë e mirë të këtij problemi. Me këtë problem filloi të merrej seriozisht dhe Presidenti çekosllovak Benesh dhe bashkëpunëtorët e tij që kishin emigruar në Londër.
    Me këtë problem kishin filluar të merreshin edhe Fuqitë e Mëdha. Kështu që në vitin 1940, Instituti Mbretëror Anglez kishte hartuar një memorandum, ku si rrugëzgjidhje propozohej shpërngulja e detyruar e pakicave kombëtare nga Europa Qendrore, ku Çekosllovakia zinte një vend të rëndësishëm.
    Në qershor të vitit 1942, Britania e Madhe aprovoi "Parimin e përgjithshëm të transferimit të minoriteteve gjermane" nga vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore. Sipas Londrës, vendimi përfundimtar do merrej bashkë me Fuqitë e tjera të Mëdha.
    Gjatë vizitës së Beneshit në SHBA, në maj 1943, ministri i Shtetit, Ribka, e njoftoi atë zyrtarisht se qeveria e SHBA ishte dakord për shpërnguljen e gjermanëve sudetë nga Çekosllovakia, por priste përgjigjen e qeverisë së Bashkimit Sovjetik. Ato ditë amerikanët i njoftuan Beneshit se edhe qeveria sovjetike ishte dakord për shpërnguljen e detyruar të gjermanëve sudetë nga territori çekosllovak.
    Në programin e qeverisë çekosllovake, hartuar në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një vend i posaçëm i kushtohej problemit të gjermanëve sudetë. Qëndrimi represiv që shprehej në këtë program ndaj tyre, justifikohej me qëndrimin e gjermanëve sudetë ndaj popullit dhe shtetit çekosllovak, si dhe me rolin dhe ndihmën që ata i kishin dhënë pushtuesit gjerman. Por, sipas këtij programi, nuk duheshin trajtuar të gjithë gjermanët sudetë njëlloj, dhe se duhej pasur kujdes me ata që i kishin "qëndruar besnikë shtetit çekosllovak".
    Çekosllovakia është vendi i fundit që është çliruar nga Ushtria e Kuqe dhe ajo amerikane. Menjëherë pas largimit të trupave gjermane, filloi një hakmarrje e egër ndaj gjermanëve sudetë, dhe jo vetëm ndaj kolaboracionistëve, nëpunësve të ish-shtetit nazist, bashkëpunëtorëve të pushtuesit, atyre që kishin shërbyer në ushtrinë naziste, por edhe kundër njerëzve të thjeshtë. Vala e urrejtjes ishte aq e egër, sa shumë prej gjermanëve sudetë të zonave kufitare u larguan menjëherë drejt Gjermanisë (sigurisht që të parët largoheshin ata që kishin bërë krime dhe e ndjenin veten fajtorë). Sipas të dhënave të shtypit çek, duke dashur t‘i shpëtonin terrorit, rreth 6 mijë gjermanë kanë përfunduar në vetëvrasje, ndërsa mijëra të tjerë janë ekzekutuar pa asnjë lloj gjyqi. Duke përfituar nga situata, lloj-lloj kriminelësh u aktivizuan në këtë periudhë, duke kryer vrasje, përdhunime, grabitje. Vetëm në periudhën maj-shtator 1945 janë larguar në mënyrë spontane e të paorganizuar, apo siç quhet ndryshe gjatë "shpërnguljes së egër", rreth 600 mijë gjermanë sudetë.
    Duke qenë se Parlamenti çekosllovak nuk ekzistonte, menjëherë pas çlirimit, Presidenti Benesh nxori disa dekrete (19 maj, 19 qershor e 21 qershor) që, krahas të tjerash kishin të bënin me dënimin e bashkëpunëtorëve të nazizmit, të atyre që kishin shërbyer në ushtrinë naziste, që kishin pas funksione në Partinë Naziste, tradhtarëve të vendit etj. Sipas dekretit të 21 qershorit, konfiskohej pasuria natyrore e gjermanëve sudetë dhe gjithë bashkëpunëtorëve të pushtuesit. Me pasuri natyrore kuptoheshin tokat e punueshme, pyjet, ndërtesat dhe pajisjet që ndodheshin në to, ndërmarrjet bujqësore, inventari i gjësë së gjallë etj. Për konkretizimin e këtyre dekreteve, ai ka nxjerrë edhe disa dekrete të tjera që, të gjitha së bashku, kanë hyrë në histori dhe njihen si "Dekretet e Beneshit".
    Fill pas përfundimit të luftës, u organizua Konferenca e Podzdamit (korrik-gusht 1945), ku morën pjesë kryetarët e qeverive të ShBA, Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe. Krahas problemeve të tjera, një vend i posaçëm iu kushtua çështjes së shpërnguljes së detyruar të gjermanëve nga Çekosllovakia, Polonia dhe Hungaria. Aty u vendos dhe mori formë zyrtare shpërngulja e gjermanëve nga këto shtete. Aty u vendos të ndërpritej "shpërngulja e egër" dhe ajo të kryhej në mënyrë "të rregullt" e "njerëzore". Për këtë u ngarkua Këshilli i Kontrollit (organ i krijuar posaçërisht për problemet që lidheshin me Gjermaninë), i cili do të përcaktonte zonat ku do të vendoseshin ata nëpër Gjermani.
    Për të shpejtuar shpërnguljen e gjermanëve sudetë nga Çekosllovakia, më 3 shtator Beneshi nxori dekretin tjetër, sipas të cilit, ata gjermanë që kishin lënë shtetësinë çekosllovake dhe kishin marrë atë gjermane, kishin humbur të drejtën për të rikthyer shtetësinë çekosllovake. Përjashtim bënin vetëm ata gjermanë që i kishin qëndruar besnikë shtetit çekosllovak, që ishin dënuar nga pushtuesit, që kishin qenë në kampe përqendrimi, që kishin marrë pjesë në luftë për çlirimin e Çekosllovakisë. Këto nene janë përdorur e përdoren edhe sot për të vërtetuar se edhe në atë kohë nuk është vepruar mbi bazën e "fajit kolektiv".
    Më 24 tetor, Beneshi nënshkroi një seri dekretesh të tjera për nacionalizimin e ndërmarrjeve të mëdha, disa ndërmarrjeve ushqimore, shoqëri sigurimesh, bankash etj., që kishin qenë pronë e shtetit gjerman, ose e personave që kishin lënë shtetësinë çekosllovake.
    Sipas një plani të hollësishëm, gjatë vitit 1946 u realizua shpërngulja e 2 milionë e 256 mijë gjermanëve sudetë. Duke pas parasysh se rreth 600 mijë vetë kishin ikur menjëherë mbas lufte nga Çekosllovakia, si dhe rreth 200 mijë vetë u shpërngulën më vonë, rezulton se numri i të shpërngulurve ka qenë rreth 3 milionë vetë.
    Kështu, me të keq, urrejtje e armiqësi, u ndanë mbas një bashkëjetese shekullore gjermanët e çekët, duke lënë të hapur atë që tashmë njihet si PROBLEMI gjermano-sudet, e që edhe sot vazhdon të mbetet një problem i mprehtë, dhe siç po tregojnë ngjarjet e ditëve të fundit, mund të sjellë pasoja…
    Gjermanët e shpërngulur u vendosën afërsisht sipas programit të përcaktuar nga këshilli, në zona kompakte, çka u jepte mundësi të mbanin lidhje e kryesorja të organizoheshin në parti e organizata të ndryshme. Që në vitin 1947, tashmë të organizuar në disa parti, gjermanët sudetë filluan veprimtari të organizuara kundër Republikës Çekosllovake, që u thellua më shumë mbas vendosjes së sistemit komunist aty.
    Në vitin 1950 u nënshkrua marrëveshja midis RD Gjermane dhe Çekosllovakisë, sipas së cilës "shpërngulja e gjermanëve sudetë nga Çekosllovakia ka qenë e drejtë dhe e pakthyeshme".
    Problemi kryesor mbeteshin marrëdhëniet me RF Gjermane, që ndikoheshin në mënyrë të dukshme nga problemi i gjermanëve sudetë, pasi deri në fillim të viteve ‘70, shumica e partive gjermane dilnin në mbrojtje të kërkesave të tyre. Për ndryshim të politikës shtetërore gjermane, ndaj këtij problemi mund të flitet vetëm mbas ardhjes në pushtet të social-demokratëve e politikës së re (Ostpolitikës) ndaj Lindjes së V. Brandit. Njohja e kufirit të Oder Najse me Poloninë i hapi rrugë edhe përmirësimit të marrëdhënieve me Çekosllovakinë, çka solli dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
    Që nga ajo kohë e deri më sot, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë ecur me ngritje e ulje, ku ndër problemet kryesore ka qenë ai i gjermanëve sudetë. Me përmbysjen e sistemit komunist në Çekosllovaki u ringjallën shpresat se problemi i tyre do të rregullohej dhe dekretet e Beneshit do të anuloheshin, duke lënë të hapur mundësinë e kthimit të tyre në Çekosllovaki e ç‘është më kryesorja, kthimin e pronave. Megjithatë, që me ardhjen në pushtet të forcave të reja demokratike, ato e bënë të qartë se problemi i gjermanëve sudetë "është mbyllur një herë e përgjithmonë".
    Megjithëse në vitin 1992 u nënshkrua Deklarata e Miqësisë e Bashkëpunimit, për shumëkënd në RF Gjermane problemi i gjermanëve sudetë mbetej i hapur. Më 1995, Presidenti V. Havel, duke iu përgjigjur pretendimeve të shumë politikanëve gjermanë, u shpreh se "gjermanët mund të vijnë si miq që respektojnë krahinat ku kanë jetuar brezat e paraardhësve të tyre…". Kjo deklaratë shkaktoi reagime të ashpra në Gjermani, madje ministri i Jashtëm, Kinkel, u shpreh për pavlefshmërinë e vendimeve të Konferencës së Podzdamit.
    Meqë ky problem i kaloi caqet e marrëdhënieve midis dy vendeve, duke vënë në diskutim vendimet e Konferencave të Fuqive të Mëdha, përfaqësuesit e tyre mbajtën qëndrim dhe u shprehën zyrtarisht për vendimet e marra lidhur me gjermanët sudetë si më poshtë:
    SHBA - "Vendimet e marra në Podzdam nga qeveritë e SHBA, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik të asaj kohe, kanë qenë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare… Konkluzionet e Konferencës së Podzdamit janë një realitet historik dhe ShBA janë të sigurta se asnjë shtet nuk i vë në diskutim ato".
    Britania e Madhe - "Për sa i takon Mbretërisë së Bashkuar, konkluzionet janë mbështetur fort në të drejtën ndërkombëtare. Konferenca e Podzdamit pranoi se shpërngulja e popullsisë gjermane që jetonte në tokën çekosllovake është e nevojshme dhe se duhet të bëhet në mënyrë të rregullt dhe njerëzore".
    Federata Ruse - "Realizimi i marrëveshjes së Podzdamit është një fakt historik real dhe kuptimin e saj nuk mund ta dobësojnë as ta prishin, çfarëdolloj përpjekjesh për interpretimin e kësaj marrëveshjeje, pa marrë parasysh se nga bëhen".
    Pavarësisht nga deklaratat e shumta të personaliteteve më të larta politike të RF Gjermane e Republikës Çeke, e marrëdhëniet tepër të ngushta në fushën ekonomike, problemi i gjermanëve sudetë vazhdon të mbetet problemi më i mprehtë në marrëdhëniet midis tyre.
    Kështu ndodhi edhe gjatë punës përgatitore për pranimin e Republikës Çeke në BE, ku këtij problemi iu kushtua vëmendje e posaçme në Bruksel e sidomos në RF Gjermane, mbasi ithtarët e zgjidhjes së këtij problemi mendonin se kishte ardhur momenti i përshtatshëm. Meqenëse u bënë shumë diskutime e debate, në pranverë të vitit 2002 u vendos krijimi i një komisioni ndërkombëtar me ekspertë asnjanës për të studiuar nga të gjitha pikëpamjet problemin e gjermanëve sudetë të përzënë nga Çekosllovakia dhe në se ky problem mund të krijojë pengesa për pranimin e saj në BE. Mbas një pune disamujore, ky grup ekspertësh paraqiti materialin përkatës në Bruksel.
    Sipas ekspertëve, pranimi i Republikës Çeke ishte plotësisht i mundshëm dhe nuk kërkohej shfuqizimi i dekreteve të Beneshit. Në konkluzionin e grupit të ekspertëve, ndërmjet të tjerave thuhej: "Për hyrjen në BE nuk ekziston ndonjë kusht që duhet marrë parasysh e kaluara" dhe se "rregullat e BE-së do të zbatohen që nga dita e hyrjes". Që atëherë, ndërmjetësi i Republikës Çeke pranë BE-së u shpreh se megjithëse materiali ishte përgatitur nga specialistë asnjanës, që gëzojnë besim edhe në Gjermani, ai kërkon vëmendje e trajtim të veçantë, veçanërisht mbas pranimit të Republikës Çeke në BE, deklaratë që atëherë nuk u vlerësua shumë...
    Pas zgjedhjes së Vacllav Klausit në postin e Presidentit, ndër vendet e para ai vizitoi RF Gjermane. Për të krijuar atmosferën e duhur, në prag të vizitës ai dënoi terrorin nazist, si dhe dëbimin e gjermanëve sudetë nga Çekosllovakia, si të papranueshëm për kohën e sotme. Gjatë takimeve me shumë politikanë gjermanë, të dyja palët iu shmangën problemit të gjermanëve sudetë, megjithëse pak kohë para kësaj, gjatë votimit në Parlamentin Europian, deputetët gjermanë të CSU-së kishin votuar kundër pranimit të Republikës Çeke në BE. Duke gjetur momentin, Klausi u shpreh se "ata kanë të drejtë të votojnë si të dëshirojnë". Ndërsa në një intervistë dhënë shtypit gjerman, ai tha se "marrëdhëniet midis dy vendeve nuk duhen parë me gjyzlykët e së kaluarës", sepse, siç u shpreh ai, "problemi i sudetëve sjell gjithmonë tension". Ai tha se "kjo është një temë për studim" dhe shtoi: "Më çudisin disa politikanë gjermanë, që duan të ndryshojnë të kaluarën".
    Menjëherë pas zgjedhjes së Klaus në postin e Presidentit në pranverë e verë të vitit 2003, ky problem u rindez. Gjermanët sudetë në RF Gjermane organizuan një fushatë për kthimin ose kompensimin e pronave të mbetura mbas përzënies së tyre nga Çekosllovakia. Ndaj kësaj reagoi Praga, nëpërmjet zv/kryeministrit Svoboda, i cili u shpreh se "duhet ta përsëris edhe një herë se gjermanëve sudetë nuk do t‘u kthehet asnjë pasuri, dhe nuk do t‘u jepet asnjë dëmshpërblim", ndërsa Kryeministri Shpidlla deklaroi në Forumin Europian në Gotveig (Austri) se "dekretet e Beneshit, të pasluftës, nuk kanë për t‘u shfuqizuar".
    Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm gjerman, J. Fisher, kishte thënë se disa gjermanë sudetë duhen kompensuar, ndërsa Kryeministri çek përsëri u përgjigj se "për ne, ky problem është i mbyllur".
    Pavarësisht nga deklarimet e prera të politikanëve më të lartë çekë, në Pragë ndjehej një lloj pasigurie e frike për zhvillimet mbas pranimit në BE. Madje për t‘i paraprirë çdo të papriture, Kryeministri Shpidlla u shpreh për ndryshimin e Kushtetutës, në mënyrë që ajo të garantojë që shteti të mos kthejë pasuritë e konfiskuara menjëherë mbas lufte, mbi bazën e dekreteve të Beneshit. Ndërsa Presidenti Klaus u shpreh se "duhet që specialistët më të mirë të ligjshmërisë të thonë fjalën e tyre".
    Futja e Republikës Çeke në BE ringjalli shpresat e gjermanëve sudetë dhe përkrahësve të tyre. Pa mbaruar mirë festimet në Pragë për pranimin e Republikës Çeke në BE, gjatë festimeve për ditën e gjermanëve sudetë, kryetari i CSU-së dhe Kryeministri i Bavarisë, E. Shtoiber, deklaroi se "tani fillon lufta e vërtetë për problemin e gjermanëve sudetë" dhe se "ne do ta ngrejmë kudo këtë çështje" dhe më poshtë vazhdoi: "Nëse çekët mendojnë se do të kenë qetësi, atëherë do të fillojë diskutimi i ri në shtëpinë europiane".
    Presidenti Klaus iu përgjigj flakë për flakë pretendimeve të Shtoiberit, duke thënë: "Unë jam me të vërtetë i inatosur dhe i indinjuar. Unë i konsideroj fjalët e tij tepër të papranueshme", etj. Në një intervistë dhënë gazetës çeke, "Pravo", ai foli haptas për publikun çek, për vështirësitë me të cilat do të ndeshet Republika Çeke në të ardhmen për këtë problem, ku ndërmjet të tjerave tha se "publiku ynë nuk duhet qetësuar, duke i thënë se në BE kërkesat e gjermanëve sudetë ndaj Republikës Çeke nuk kanë shanse. Përkundrazi, është e nevojshme ta themi atë menjëherë, me seriozitet dhe pa histerizëm". Duke përsëritur fjalët e Shtoiberit që kishte thënë se "nëse çekët mendojnë se tani, mbas hyrjes në BE do të jenë të qetë, ata gabohen rëndë", tha se "fjalët e tij nuk janë patetike, ato janë vetëm shprehje e realitetit, për të cilin duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe për të cilin ju kam paralajmëruar disa herë para hyrjes tonë në BE".
    Duhet vënë në dukje se të gjitha partitë politike çeke kanë të njëjtin qëndrim ndaj dekreteve të Beneshit. Pavarësisht se gjatë këtyre 20 vjetëve kanë ndërruar shumë herë qeveritë, e ku në pushtet kanë qenë të djathtë e të majtë, e bashkë me ta edhe parti të qendrës apo të ekstremeve, askush deri më sot nuk ka kërkuar ndryshimin e këtyre dekreteve. Përkundrazi, të gjithë janë shprehur unanimë për mbrojtjen e tyre, dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së tyre.
    Problemi sot shtrohet në rrafshin praktik, sepse sipas Traktatit të Lisbonës, askush nuk merr përsipër të sigurojë çekët se nesër nuk do të kthehen pasardhësit e gjermanëve sudetë për të marrë pronat e tyre, apo nuk do të kërkojë kompensim për to, e që mund të vlerësohen në dhjetëra miliarda euro. Fjalët dhe premtimet që dëgjohen nga Brukseli, nuk japin garanci. Prandaj dhe Presidenti Klaus kërkoi garanci nëpërmjet kushteve që vuri.
    A do t‘i plotësojë Europa këto kushte? Përgjigjja është e vështirë, sepse dihet roli e pesha e Gjermanisë në BE. A do të tërhiqet Klausi? Kjo është edhe më e vështirë. Qëndrimi i prerë i tij ditët e fundit ka bërë efekt të madh në radhët e popullit çek, i cili sipas sondazheve të ditëve të fundit, e përkrah atë në 66% të tij.

    shqip.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    heretic Crusoe Maska e darwin
    Anëtarësuar
    25-08-2004
    Vendndodhja
    under the microscope
    Postime
    1,918
    Dekreti i Beneshit. Pak a shumë si çështja e çamëve, por vetëm nëse gjermanët e Sudeteve kishin mbështetjen e shtetit gjerman, çamët e gjorë i futi enver plehrë hoxha në burg dhe nuk e kishin të thjeshtë të deklaronin që ishin të dëbuar nga Çamëria, sepse operativët dhe spiunët e lagjeve i shikonin si elementë me kushedi ç'mision për llogari të kushedi kujt agjenture (ka patur raste çamësh "poli-agjentë" se nuk e di?).

    Mirë dëbimet masive dhe terrori haptas mbi popullsinë civile, por partizanët çekosllovakë i futën edhe në kampe përqëndrimi këta - sudetendeutsche, me miratimin e plotë edhe të demokracive dërdëllitëse perëndimore. Sudetet kanë qenë pjesë e Gjermanisë dhe francezët ua dhanë si llokëm çekëve, kur u qepën shtetin. Qindarkën mbrapsh t'ua shkulin çekëve, se këta kujtojnë se do ia hedhin. Këta edhe grekët.
    Prektora

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •