Njeriu që bën drurin "të flasë"
Ziso Musha, mjeshtri që gdhend shtëpitë e kishat
Aurora Damini
Karolina Risto
FIER
Zgjohet në mëngjes herët me një plan të paracaktuar për punët e shumta dhe porositë gjithnjë e në rritje të klentëve të shumtë në punishten e tij të drurit. Ziso Musha dhe është një ndër njerëzit me dhuntinë e rrallë që edhe "drurin e bën të flasë". 47-vjeçar, me një pamje fisnike dhe me duar të arta, ai ka krijuar artin e vet, të papërsëritshem dhe me unin artistik. Ka ardhur shumë vjet më parë në Portëz të qytetit të Fierit. Ziso që në moshë të vogël ka kultivuar dashurinë e madhe për gdhendjet në dru. Dhe këtë siç thotë ai vetë e ka trashëgiminë e fisit. "Mburrja dhe krenaria e fisit tim - thotë Ziso me të qeshur është dashuria për artin e gdhendjes së drurit. Këtë e ka pasur xhaxhai im, këtë e kanë pasur edhe njerëzit e afërt të gjakut tim. Dhe kjo nuk ëhstë rastësi. Unë vendlindjen e kam nga Erseka, vendi ku është i kultivuar arti i gdhendjes së drurit, etnografia dhe kultura popullore dhe tabani i saj".
Arti i trashëguar
Nuk është rastësi që kjo traditë tashmë po kultivohet edhe tek 2 djemtë e tij, Kostandini dhe Mario. Dashuria e djemve për artin e gdhendjes së drurit ka prejardhjen nga dashuria që etërit e gdhendësit të vjetër i kanë kultivuar atij qysh në moshë të vogël.
Tashmë Ziso ka një vilë të bukur dhe njihet nga të gjithë si gdhendësi i drurit. Në shtëpi çdo gjë është rrethuar me drurin e lisit, apo të arrrës. Shtëpia e tij duket se është një muze etnografik, ku çdo gjë rrezaton me kulturën popullore, që nga oxhaku, veshjet tradicionale të zonës së Voskopojës, këngët, ritet e zakonet e mirëseardhjes. Gdhendësi 47-vjeçar ka në gjak jo vetëm drurin dhe artin e gdhendjes, një art që ka veç unin e tij, por edhe etnografinë, zdrukthtarinë, këngët e lashta voskopojare, apo gjuhën e vjetër vllehe. Ziso në gdhendjet e tij ruan gjallë artin origjinal, pa zbukurime, pa ndikimet e askujt si ajo bleta që mbledh e mbledh nektarin e luleve dhe ai mbledh "nektarin" e krahinë ssë tij, për t'i sjellë në formë lulesh dhe fluturash tek fustani i bukur popullor që kanë qëndisur qëndistaret e vjetra për fustanin popullor të së bijës në konkurimin tradicional etnografik. "Për të ardhur deri këtu-thotë Ziso me modesti, më kanë ndihmuar mjaft 2 miqtë e mi skulptorë, Kristaq Valeria dhe Haxhi Kalluci. Tashmë çdo klient kryesisht pronar vilash vjen e më kërkon për të zbukuruar në dru vilat e tyre. E kam pasion, që nga shkallët spirale e deri tek gdhendjet artistike. Vila edhe mund të vjetërohet e të prishet, por një gjë mbetet. Arti i duarve njerëzore. Ai nuk vdes kurrë".
Pjesëmarrës në ekspozita
Ziso, si u jep tiparet shenjtorëve
FIER - Veç etnografisë, Ziso njihet dhe si ikonostas dhe restaurues i kishave të vjetra. Ikonat e tij i ka punuar me shumë dashuri duke i dhënë tiparet individuale të shenjtorëve të lashtë. Njihet si restaurues dhe punues gjithnjë në dru të 7 kishave, atë të Fierit, ndër më të bukurat në Ballkan, Lushnjës, Pogradecit, Ardenicës, Agimit, Semait dhe kishës së vjetër të Kolkondazit, ose kishën e "Shën Kozmait". Pjesëmarrës në të gjithë ekspozitat e arteve figurative që nga viti 1982 e më pas, për të vijuar në rritje me artin e tij në ekspozitën e Gjirokastrës, në maj të këtij viti, një ekspozitë vetjake e gjitha me gdhendjet në dru, ekspozitë që u përfol gjatë nga media e shkruar dhe vizive.
(marrë nga gazeta Balkanweb)
Krijoni Kontakt