Suljotët nuk pranonin të huaj në krahinën e tyre. Edhe dhëndruët që donin të banonin në Sul duhet të ishin çamër dhe trima, thonë studiuesit. Ata ishin të mësuar që në fëmini me vështirësitë e jetës dhe si djemtë dhe vajzat aftësoheshin në përdorimin e armëve për të qenë të gatshëm të mbronin lirinë dhe pavarësinë në malet e tyre të egra "tërë shmëbenj e dhëmbë", siç thoshin Suljotët. Turqit ua kishin frikën Suljotëve dhe i luftuan egërsisht, por ata rezistuan dhe treguan akte heroizmi pëor mbrojtjen e lirisë, duke patur kurdoherë ndihmën e pakursyer të fshatrave të Çamërisë, me të cilët lidhjet e tyre ishin vllazërore, pavarësisht nga ndryshimi i fesë i një pjese të çamëve. Suljoti i dëgjuar Foto Xhavella ishte bërë vllam me kapetanin e njohur dhe luftëtarin e shquar kundër Osmanëve Islam Pronjon nga Paramithia.
Suljotët nuk dinin fare greqisht - "Gjuha që ata përdornin- thotë studiuesi Ciampolini- ishte ajo e Shqipërisë, e dialektit të Çamërisë ku përdoret gl e kl". Marko Boçari filloi të mësonte greqisht në Korfuz ku hartoi dhe një fjalor më 1494 fjalë shqip dhe 1701 fjalë greqisht. Këtë fjalor Markua e hartoi në 1809 në praninë e Konsullit të Përgjithshëm Francez në Janinë, Pukevilit, i cili këtë fjalor ia dhuroi Bibliotekës Kombëtare të Parisit po atë vit. Sipas Bukevilit fjalori u shkrua tërësisht nga dora e të riut 19 vjeçar, Marko Boçarit, nën diktimin e babait, Ki#o Boçarit (1764-1813), Noti Boçarit (1759-1841) dhe vjehrit, Kristo Kallogjeri nga Preveza. Fjalori përbëhet nga 119 faqe. Fjalori u hartua për të ndihmuar Suljotët, që jetonin në Shtatë Ishujt e Jonit, pas shpërnguljes nga Suli, në marrëdhëniet e tyre me grekët si dhe një mjet politik për afrimin e grekëve me shqiptarët. Fjalori i Marko Boçarit ka rëndësi të veçantë për gjuhësinë shqiptare se shpreh shumë elementë të çamërishtes arkaike që ishte gjuha e Sulit. Mbi bazën e fjalorit të Markos Pukevili hartoi një glosar frëngjisht-shqip.
Por Marko Boçari u shqua si udhëheqës i lavdishëm në luftën e parreshtur kundër Osmanëve dhe pas vdekjes së Ali Pashës në oborrin e të cilit ai ishte edukuar për përvetësimin e artit ushtarak bashkë me Odise Andrucin e Gjergj Karaiskaqin. "Pashai i Janinës, ishte pararendësi i revolucionit grek" thotë U. Miler. Kurse S. Aravantinu shkruan "Ideja e rimëkëmbjes kombëtare nuk do të zhvillohej dhe as do përparonte me të tillë shpejtësi, në qoftë se nuk do të gjente truall veprimi kaq të begatë dhe të përgatitur nga duart e Aliut".
Tek Marko Boçari gërshetoheshin fisnikëria dhe heroizmi. Ishte i matur, i guximshëm dhe fjalëpak. Ali Pasha i çmonte cilësitë e Markos. Eshtë thënë se në një rast që ngrinin lart Kostën, vëllanë e Markos, Aliu u tha: Jo, jo, ai atje që nuk flet do të hajë shumë turq dhe tregoi Markon. Karaiskaqi ka thënë: "Markua është zemërluan, rrallë nëna lind si ai"- A. Guda thotë se fjalët e Markos të mbushnin me besim dhe sjellja e tij me simpathi.
Marko Boçari është njëri nga udhëheqësit heroikë të kryengritjes grekë të cilës ai brenda një kohë të shkurtër i solli shërbime të mëdha. Krahas Suljotëve, në ndihmë të kryengritjes greke, ku një pjesë e madhe e kryengritësve dhe e udhëheqësve ishin Arvanitë (Shqiptarë), shkuan mijëra luftëtarë nga Çamëria si dhe Himarjotë, Delvinjotë, Gjirokastritë, Tepelenas, Përmetarë dhe nga vise të tjera të Shqipërisë. Ndihmë të madhe dhanë edhe ushtarët shqiptarë të mobilizuar në ushtrinë Osmane, të cilët u vllazëruan dhe ndihmuan në çdo rast kryengritësit.
"Karakteri i shqiptarëve- thotë K. Vamvas-ka diçka të lartë fisnike. Kurse K. Biri thekson:"Të kujtojmë se fara e tyre dhe figurat më të shquara në kryengritjen greke... një Xhavellë, një Mjaul, një Marko Boçar, një Bubulinë, një Ali Pashë". Dhe më tej shton:"Përsa i takon trimërisë, kryelartësisë karakterit, këto janë cilësi të njohura për shqiptarët, të njohura edhe nga ata, të cilët nuk ushqenin simpathi për ta".
Marko Boçari ishte udhëheqësi i lavdishëm i mbrojtjes së Mesolongjit. Pas heqjes së rrethimit Marko u caktua komandant ushtarak i Greqisë perëndimore dhe njëkohësisht Qeveria i dërgoi dhe diplomën e Komandantit të Përgjithshëm. Me këtë rast Marko mbajti një fjalim në gjuhën shqipe.
Por trimi dhe udhëheqësi i lavdishëm ra në luftë në 9 gusht 1923 në Karpenis, në mbrojtje të Mesolongjit.
Krijoni Kontakt