Pasha Kuranin po vika koha e te gjitha te keqiat po dilkan vet ne ledin,por edhe rrena edhe dallaverja edhe te gjitha nuk mbahen msheft se vjen dita e shperthejne.Se thote ajo popullorja "Muzdraku ne thes nuk rri"
Për lirimin e Limajt nuk ekziston asnjë arsye bindëse, thotë prokuroria e Hagës
Cilat janë arsyet që shtyen prokurorinë të kundërshtojë mbrojtjen në liri të Fatmir Limajt
BLERIM XHEMAJLI
HAGË, 10 KORRIK - Nuk është vetëm deklarata e dhënë mediave kosovare se gjendet në Austri, derisa gjendej në Slloveni, arsyeja që ka shtyrë prokurorinë e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi të quajë si jo të besueshëm Fatmir Limajn dhe të kundërshtojë kërkesën e tij që të mbrohet në liri. Në një përgjigje që përmban rreth 120 faqe sqarime e dokumente, që të mërkurën ia ka dorëzuar trupit gjykues të treshes kosovare prokurori Andrew Cayley, ka dhënë edhe shumë arsye në të cilat mbështetet sugjerimi që Limaj të mbahet në paraburgim në Scheveningen. Ai konsiderohet si i akuzuar që nëse lirohet do të arratiset dhe do të kërcënojë viktimat dhe dëshmitarët potencialë. Limaj ka paraqitur kërkesën për lirim të përkohshëm më 23 qershor të këtij viti. Bazuar në rregullën 65(B) të punës së Tribunalit, një i paraburgosur mund të lirohet vetëm pasi të merret mendimi i vendit ku ai është i paraburgosur si dhe vendit i cili kërkon lirimin e tij, dhe nëse merr garancitë se i akuzuari do të paraqitet në gjyq dhe se gjatë mbrojtjes në liri nuk do të paraqesë rrezik për asnjë viktimë, dëshmitar ose person tjetër.Kjo rregull, sipas prokurorisë, nuk është plotësuar, pasi që Limaj në kërkesën e vet, siç thuhet, ka kërkuar që vendi që kërkon lirimin e tij (Kosova) të konsultohet pasi të merret vendimi për lirimin e tij. “Sidoqoftë, opinioni i autoriteteve të Holandës nuk është aq relevant në marrjen e vendimit për lirimin ose jo të të akuzurit, por garancitë e ofruara nga vendi që kërkon lirimin janë më të rëndësishmet, pra nëse i akuzuari derisa të jetë i lirë nuk do të paraqesë rrezik për viktimat, dëshmitarët apo dikë tjetër. Prokuroria vlerëson se këto garanci nuk janë siguruar dhe se kërkesa për lirim të përkohshëm duhet të refuzohet”, thuhet në raportin e prokurorisë. Sipas prokurorit Cayley, Limaj në kërkesën e vet për lirim thotë se rrethanat e arrestimit të tij duhet të trajtohen njëjtë sikur të ishte dorëzuar vullnetarisht, mirëpo Cayley e mohon këtë.
I akuzuari nuk ia ka dalë të bindë se nuk do të shfrytëzojë lirimin për t’u arratisur
“Ky është shtrembërim i fakteve. I akuzuari ka mësuar për aktakuzën rreth orës 14:30 të datës 18 shkurt 2003. Ai e ka thirrur kryeministrin e Kosovës rreth orës 16. Ai nuk është dorëzuar, por është arrestuar nga policia sllovene në orën 17:30. Gjatë këtyre orëve kur ai dinte për aktakuzën kundër tij, i akuzuari ka mundur të kontaktojë zyrën e Tribunalit në Prishtinë ose në Hagë për të aranzhuar dorëzimin e vet. Ai nuk e ka bërë asnjë nga këto kontakte. Fakti se i akuzuari u ka deklaruar mediave si dhe kryeministrit se ka planifikuar të kthehet në Kosovë te zyrtarët e Tribunalit, nuk do të thotë se arrestimi i bërë është ndaj një personi që donte të dorëzohej vullnetarisht. Ai nuk mund të thotë se ‘do të’ dorëzohej, kur faktet materiale dëshmojnë se ai nuk ka ndërmarrë asnjë hap në drejtim të realizimit të këtij plani për të cilin kishte kohë. I akuzuari nuk mund të trajtohet si i dorëzuar vullnetarisht, kur ai nuk është dorëzuar. Për më tepër, kur i akuzuari mësoi për aktakuzën, ishte pak i besueshëm lidhur me veprimet dhe vendndodhjen e tij. Ai ka deklaruar në një intervistë pasi ka dëgjuar për aktakuzën dhe para se të arrestohej se gjendej ‘në Austri për vizitë private’”, thotë prokuroria në përgjigjen e vet kthyer trupit gjykues, për të sugjeruar se “dështimi i të akuzuarit që të jetë i besueshëm duhet të shtyjë trupin gjykyes që të shqyrtojë mirë rrethanat e arrestimit të të akuzuarit në përcaktimin nëse ai do të paraqitet para gjyqit, po qe se lirohet”.
Autoritetet e OKB-së nuk kanë dhënë garanci, por edhe ato mbase do të ishin pa vlerë
Prokuroria e Tribunalit në këtë përgjigje ka vlerësuar se edhe garancitë e UNMIK-ut, të cilat ende nuk janë siguruar, nuk do të jenë motiv plotësues për të miratuar lirimin. Aty misioni i OKB-së në Kosovë cilësohet me “mundësi të kufizuara”. “I akuzuari më tej pohon se Kosova është nën kontrollin e OKB-së. Para marrjes së një vendimi të tillë, trupi gjykues duhet të kontaktojë me autoritetet e OKB-së atje. Nuk ka dyshim se këto autoritete do të bëjnë ç’është e mundur që të mbështesin çdo vendim të trupit gjykues, por problemi është se mundësitë e OKB-së në Kosovë për të penguar të akuzuarin nga arratisja ose nga kontakti me dëshmitarët janë të kufizuara. Kufijtë e Kosovës kanë një kontroll të dobët, dhe është e pamundur të pengohet i akuzuari që të braktisë provincën. Për më tepër, autoritetet e OKB-së nuk kanë qenë në gjendje të pengojnë kërcënimin dhe frikësimin e dëshmitarëve në Kosovë. Lidhur me nevojën e marrjes së vlerësimit të misionit të OKB-së, qëndrimi i prokurorisë është se mungesa e kontrollit të OKB-së në Kosovë lidhur me këto çështje dëshmon të kundërtën e lirimit”, thotë prokuroria. Në sugjerim, prokuroria pranon se gjatë bastisjes së shtëpisë së Limajt me rastin e arrestimit të tij, të jetë gjetur kopja e një pasaporte falso të Shqipërisë, me emër të tij. “I akuzuari thotë se nuk ka vend ku ai do të mund të shkonte për t’i ikur gjykimit. Ky është falsifikim i planifikuar. I akuzuari ka jetuar në Zvicër para vitit 1998, dhe ka udhëtuar disa herë jashtë vendit, pasi është kthyer të jetojë në Kosovë (që është vërtetuar gjatë udhëtimit të tij në Slloveni, dhe vizave në pasaportën e tij të vitit 2002 për Zvicër dhe shtetet e Schengenit). Ai ka përvojë së jetuari jashtë vendit dhe mundet lehtë të ikën në Shqipëri, ose te njëri nga komunitetet më të mëdha shqiptare në Evropë (si Gjermani ose Zvicër). Nga disa pjesë të caktuara të Shqipërisë, arrestimi dhe ekstradimi i të akuzuarit do të jetë i pamundur edhe po qe se lokalizohet. Për më tepër, ai mund të ndërrojë identitetin, nëse vendos të fshihet. Gjatë një kontrolli në banesën e tij me rastin e arrestimit, është gjetur një kopje e pasaportës së Shqipërisë me emrin dhe fotografinë e të akuzuarit, ndërsa me datë dhe vend fals të lindjes. Fakti se ai posedonte një pasaportë false, ngrit çështjen rreth aktiviteteve të tij momentale, dhe është vështirë të besohet në ndonjë motiv legal për posedimin e pasaportës false. Këto fakte shkojnë kundër lirimit të të akuzuarit”, përsërit prokuroria e Tribunalit të Hagës. “I akuzuari më pas thotë se familja e tij jeton në Kosovë, dhe se nuk do të ikën askund. Natyra e lidhjeve familjare të tij jep pasqyrë të kundërt. Vlen të përmendet se familja e tij nuk ishte me të kur ai gjendej në pushime në Slloveni. Shumica e të akuzuarve që gjenden në arrati, kanë familjet e veta në vendlindje. Ekzistimi i bazës familjare, megjithatë nuk i ka penguar ata që t’i shmangen arrestimit dhe ‘të bëjnë jetë prej izolanti dhe të arratisuri’. Pra fakti se i akuzuari ka familjen në Kosovë, megjithatë nuk është aq bindës për lirimin e tij”.
Vendorët garantojnë atë që nuk mund ta sigurojnë
Prokuria ka vërejtje në premtimet e autoriteteve vendore, e që sipas saj nuk kanë kompetencat adekuate për t’i përmbushur këto premtime. “I akuzuari mbështetet në zotimet dhe dëshmitë e individëve të ndryshëm në Kosovë. Zotimet e autoriteteve lokale të Kosovës për të siguruar paraqitjen e të akuzuarit në gjykatë, janë pa ndonjë vlerë të theksuar. Çështjet e policisë dhe sigurisë janë të rezervuara për OKB-në, dhe kështu autoritetet lokale janë të pakuptueshme kur japin një zotim të tillë. Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, e di këtë fakt. Të vetmet zotime dhe garanci në të cilat trupi gjykues mund të mbështetet janë ato që mund të vijnë nga autoritetet e OKB-së. Por zotime apo garanci të tilla nuk ka në kërkesën për lirim. Për më tepër, dëshmitë e individëve që janë ose aleatë politikë të të akuzuarit, ose që kanë punuar me të në skenën politike të Kosovës, duhet të jenë të peshës së vogël në çështjen e lirimit të tij të përkohshëm si i akuzuar për krime lufte. Dihet se i akuzuari është një figurë politike e pasluftës në Kosovë. As z.Daan Everts e as znj. Carolyn McCool (Everts është ishshef i misionit të OSBE-së në Kosovë, ndërsa McCool zyrtare për demokratizim po ashtu pranë OSBE-së, v.j.) nuk dinë dhe nuk kanë informacione lidhur me veprimet e të akuzuarit gjatë vitit 1998 - kohës bazë në aktakuzën kundër të akuzuarit. Bile asnjëri nga individët që ka dhënë fjalën e vet, nuk ka informacione për akuzat që janë në aktpadi, e as që ka ofruar ndonjë vlerësim që dëshmon të kundërtën e dëshmive se ai i ka kryer këto krime. Vlen të përmendet se shumica e këtyre qëndrimeve u referohen angazhimeve të tij të pasluftës për respektimin e “harmonisë ndëretnike” në Kosovë. Shumica nga viktimat që janë regjistruar në aktakuzën kundër të akuzuarit, janë shqiptarë të Kosovës - bashkëkombas të tij. Pra, këto vlerësime të ofruara nga vendorët nuk mund të sigurojnë trupin gjykues se i akuzuari nuk do të ikën, nëse lirohet. Tek e fundit, i akuzuari ka motiv të veçantë për t’u arratisur. Ai akuzohet të ketë luajtur rol udhëheqës dhe të ketë marrë pjesë drejtpërdrejt në krime shumë serioze, dhe ai për këtë mund të marrë një dënim shumë të lartë nëse del fajtor. Dëshmitarët do të dëshmojnë në gjyq për rolin e tij të drejtpërdrejtë në këto krime. Nëse atij i jepet e drejta e lirimit të përkohshëm, ai ka mundësi të arratiset dhe nuk do të ketë mënyrë për ta penguar ose rikapur, nëse ai ikën. Ai nuk ka ofruar asnjë dëshmi bindëse, se nuk paraqet rrezik të arratisjes, dhe kështu kërkesa e tij për lirimin duhet të refuzohet.
I akuzuari, paraqet rrezik për dëshmitarët
Rreziku për viktimat dhe dëshmitarët, sipas prokurorisë, është i paevitueshëm, nëse Limaj gëzon të drejtën e mbrojtjes në liri. “Nëse lirohet, i akuzuari do të paraqesë rrezik për viktimat dhe dëshmitarët në këtë rast. Kjo është gjithashtu arsye që të refuzohet kërkesa e tij. Dëshmitë në këtë rast, tregojnë se ai ka marrë pjesë drejtpërdrejt në aktet e dhunës. Ai ka udhëhequr si dhe ka qenë i pranishëm në kampin e Llapushnikut, ku të burgosurit ishin maltretuar, rrahur, torturuar, keqtrajtuar dhe vrarë. Duke pasur parasysh këtë fakt, nuk ka arsye që të besohet se i akuzuari nuk do të pordorë dhunën dhe kërcënimet për të mbrojtur veten nga dënimi. Së paku dy dëshmitarë do të dëshmojnë në gjykim se i akuzuari i ka liruar personat nga kampi i Llapushnikut vetëm pasi ata i ka kërcënuar me vdekje, nëse flasin diçka lidhur me atë që ka ndodhur në Llapushnik. Këto kërcënime tregojnë se i akuzuari e dinte në atë kohë se ishte duke bërë diçka të keqe dhe ndërmori hapa, qysh në vitin 1998, që të siguhet se veprimi i tij nuk do të zbulohet”. Prokuroria pohon se KFOR-i ka zbuluar përgatitjet për vrasjen e njërit nga dëshmitarët potencialë në këtë rast. “Duke pasur parasysh kërcënimet e të akuzuarit, nuk është befasi se shumë dëshmitarë të këtij rasti janë kërcënuar. Kur Rizah Rexhaj kishte filluar të bashkëpunojë me hetuesit në këtë rast, fakte bindëse ishin zbuluar nga KFOR-i që dëshmonin përgatitjen e vrasjes së tij. Si rezultat, Rexhaj është rivendosur në një shtet tjetër. Që nga arrestimi i të akuzuarit në këtë rast, shumë dëshmitarë potencialë janë kërcënuar. Atyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmes porosive ose thirrjeve telefonike, u është thënë se do të pësojnë nëse dëshmojnë në këtë rast. Si rezultat, shumë dëshmitarë potencialë tanimë kanë dhënë shenja se mund të ndodhë që të mos dëshmojnë”. “Së pari, i akzuari vetë ka kërcënuar dëshmitarët potencialë në këtë rast. Së dyti, kërcënimet e përsëritura tregojnë një përpjekje të organizuar për frikësimin e dëshmitarëve. Së treti, që të tre të akuzuarit janë ata që kanë përfitimin më të madh nga frikësimi i dëshmitarëve, dhe kjo nuk mund të besohet se ndodh pa dijen e tyre”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Raporti i OSBE-së dhe storja e dëshmitarit Remzi Shala nga rasti “Drini”
Më pas në përgjigje, për lirimin e mundshëm të Limajt, porkuroria e Hagës i referohet raportit të fundit të OSBE-së për nivelin e sigurisë së dëshmitarëve në Kosovë, si dhe një dëshmie nga procesi gjyqësor në Prizren në rastin “Drini”, ku është përmendur tërthorazi edhe Limaj. “Shumë dëshmitarë potencialë kanë shprehur frikën e tyre të konsiderueshme lidhur me lirimin e mundshëm të të akuzuarit dhe kthimin e tij në Kosovë deri në gjykim. Efekti i lirimit të përkohshëm, në dëshmitarët e këtij rasti duhet të ketë peshë të madhe në marrjen e vendimit nga trupi gjykues. Më tej, dëshmitë nga një rast tjetër tregojnë se i akuzuari mund të pengojë drejtësinë. Në një rast të veçan-të që është gjykuar në Kosovë, vitin e kaluar, një dëshmitar ka dëshmuar se Fatmir Limaj e kishte dërguar dikë që të luste dëshmitarin ta ndërronte deklaratën që e kishte dhënë në polici, por ai kishte refuzuar. Kjo dëshmi, siguron fakte të tjera se i akuzuari do të kontaktojë me dëshmitarët nëse lirohet. Kërcënimet specifike në këtë rast kishin shpënë në një rritje të spirales së kërcënimit dhe frikësimit të dëshmitarëve. Një studim i bërë kohë më parë nga OSBE-ja, i titulluar ‘Mbrojtja e dëshmitarëve në sistemin e drejtësisë penale’, përmban shumë shembuj të kërcënimit të dëshmitarëve. Shumë dëshmitarë nga ky rast kanë deklaruar se këto akte të shqetësimit në rast të profilit të lartë si ky, kanë kontribuar dukshëm në frikën e tyre për të dëshmuar në këtë rast. Studimi i OSBE-së sjell përfundimet se: Incidentet e fundit në Kosovë kanë ngritur brengën se niveli i kërcënimit të dëshmitarëve është në rritje. Më tej, ka shenja se shumica e qytetarëve nuk kanë besim në mundësitë e autoriteteve që të sigurojnë mbrojtje bindëse, nëse ata vendosin të dëshmojë kundër kryrësve të rasteve të ndryshme. Këto fakte tregojnë se në Kosovë frika e dëshmitarëve është mjaft e theksuar. Ato po ashtu tregojnë se autoritetet e OKB-së ende nuk janë në gjendje që në Kosovë të sigurojnë një mbrojtje të vërtetë për dëshmitarët”, citohet raporti i OSBE-së. Krejt në fund, prokuroria ka tërhequr vërejtjen se do t’i referohet rregullores 65(E) të Tribunalit, nëse trupi gjykues megjithatë merr vendim për lirimin e përkohshëm të Limajt. Sipas kësaj rregulloreje, prokuroria mund të kërkojë pezullimin e këtij vendimi të gjyqit, me arsyetimin se planifikon të ankohet kundër këtij vendimi.
mani
Krijoni Kontakt