Kadare: Mjaft racizmit ndaj shqiptarëve
“Shqipëria duhet ta bëjë problem të madh këtë në të gjitha instancat europiane”
Z.Kadare, si mendoni pse ndodh pikërisht ky incident kur është viti i shenjtërimit të Nënë Terezës, shqiptares së madhe?
- Kjo që po ndodh për mua është shumë shqetësuese. Është shumë shqetësuese jo vetëm për faktin se lidhet për Nënë Terezën, por merr një kuptim dhe më të gjerë. Kjo është një gjë që nuk ardhur nga mungesa e informacionit, apo nga padija, është gjë që është bërë me lloj cinizmi, sepse botërisht dihet se Nënë Tereza quhet shqiptare kudo. Zyrtarisht, botërisht nuk ka keqkuptim me këtë gjë, për shkak se ka shumë vite, me këmbënguljen e saj, ajo është deklaruar si shqiptare dhe pranohet kudo, në të gjitha gjuhët e botës si Nënë Tereza me origjinë shqiptare, që ka lindur nga prindër shqiptarë. Pra ajo njihet si murgesha, shenjtorja shqiptare. Prandaj këtu nuk ka punë mungesë informacioni, këtu duket është kureshtje shqetësuese si dukuri, lidh një dukuri më të gjërë. Europa ka kulturën e saj, por për fat keq ditët e fundit vihet re qartë një racizëm antishqiptar. Ato janë shenja shumë të këqija për botën, për kontinentet, për rajonin ku lindin. Për fat të keq kjo është një gjë nuk mund të na pëlqejë, por është e vërtetë. Shqiptarët, Shqipëria krijon nervozizëm jo vetëm në rrethe të caktuara, në ato që quhen antishqiptare, jo, por për fat të keq krijon nervozizëm shumë vende edhe në rrethe të gjëra në opinionin publik. Dhe këtu nuk është fjala që ne të hiqemi si viktima, siç e kemi patur zakon dhe të ankohemi se të gjithë janë të këqinj dhe vetëm ne jemi të mirë. Jo! Natyrisht në këtë gjë populli ka mungesat e veta, ka përgjegjësitë e veta, ka atë gjë që ka nervozuar botën, e nervozon. Megjithatë në këtë realitet të errët që kanë provuar disa herë njerëzit e këtij populli, unë vë re që populli shqiptar nuk meriton një racizëm të tillë, të kësaj përmase. Asnjë popull nuk e meriton, kjo padyshim. Racizmi është një shenjë shumë e keqe kur shfaqet dhe ne duhet të jemi shumë të shqetësuar të gjithë si Shqipëri, popull, opinion publik, si shtet, si kulturë, si institucion. Nuk duhet të rrimë duarkryq, në qoftë se bindemi nëse ka një racizëm antishqiptar. Shteti shqiptar, shoqëria dhe opinioni publik shqiptar nuk duhet të rrijë duarkryq. Është shumë i rrezikshëm racizmi, paralajmëron gjëra shumë të këqija në të gjitha format. Ai është i drejtpërdrejtë dhe i tërthotë. Racizmin e drejtpërdrejtë e vuajnë një milion refugjatët shqiptarë të shpërndarë nëpër Europë. E dinë ata që vuajnë, është një tragjedi e tmerrshme, e padukshme që është e shpërndarë në mijëra e mijëra familje. E vuajnë që nga njerëzit që ndeshen drejtpëdrejt me të, fëmijët shqiptarë që shkojnë në shkollë, nënat u thonë të mos deklarohen si shqiptarë. Duke përgatitur kështu njerëz të gjymtuar, që janë të huaj për ato nëna vetë, për vendin që i ka pjellë, të huaj për vendin ku jetojnë, të huaj për të gjithë botën. Për fat keq Shqipëria nuk flet për këto gjëra, sociologët dhe psikologët tanë nuk flasin për këto gjëra, është një temë tabu, sepse nuk duan të shikojnë të vërtetën në sy. Pra ky është rasti i drejtpërdrejtë që vuan një pjesë e madhe e popullit shqiptar. Racizmi i tërthortë në Shqipëri, është rasti i Nënë Terezës, ku duan ta heqin popullin shqiptar nga çdo kujtim i tij i vyer, që është Nënë Tereza, që tregon një simbol, një dëshirë e popullit shqiptar për të patur një kontakt me botën, për t’u lidhur me familjen e popujve, nëpërmjet dashurisë dhe jo nëpërmjet mllefeve, urrejtjes, disa herë siç paraqitet, egërsisë. Por ja që tashti ka disa mendje që mendojnë se si ta neutralizojmë së paku, si t’ua heqim shqiptarëve.
Duke marrë shkas nga rasti i Nënë Terezës, si mendoni zoti Kadare, kujt i shërben manipulimi i historisë së shqiptarëve?
- Unë nuk mendoj se ka ndonjë vendim që është marrë në zyrë për të fituar në kurriz të shqiptarëve. Kjo është një rrjedhojë e nervozizmit të shqiptarëve, e një psikoze të rrezikshme, të hapur në Europë ndaj shqiptarëve. Nuk duan që populli shqiptar të çmohet për diçka, që për këtë shkak është qortuar gjithmonë se është shkatërruar, nuk është i aftë të krijojë shtet dhe të ndërtojë. Kjo figurë, Nënë Tereza, papritur e kundërshton këtë gjë, duke treguar se është një popull që ka nxjerrë simbole të mëdha të dashurisë në shkallë planetare dhe të tillë nuk i pëlqen. Kësaj lloj psikoze nuk mund t’i pëlqejë ky kundërshtim, ashtu siç nuk mund t’i pëlqejë për fat keq edhe rretheve shqiptare dhe antishqiptare që janë sot, siç ka një fushatë të heshtur në Shqipëri ndaj Skënderbeut, figura më e madhe e Ballkanit dhe vendit tonë, figurë e ndritur për Europën politike, që mishëron zhvillon krejt Ballkanin drejt Europës, prandaj ka propagandë kundër tij. Vlera të tilla duan ta privojnë popullin shqiptar, ta ndajnë prej tyre, në mënyrë që të triumfojë kjo psikozë negative, ky racizëm. Prandaj ndaj racizmit nuk duhet qëndruar duarkryq. Shqipëria duhet ta bëjë problem të madh këtë në të gjitha instancat europiane, qoftë në planin kulturor, etik, edhe në atë politik. Kur ajo konstaton racizëm flagrant, Shqipëria duhet të ankohet qoftë edhe në Këshillin e Europës, sepse racizmi është i dënuar nga Europa. Ajo i ka larë duart nga racizmi, i ka mbyllur hesapet me të, nuk duhet të ringjallet. Është njëlloj si të ringjallet nazizmi, sepse racizmi është vëlla i nazizmit, bën pjesë në kuzhinat fashiste. Prandaj të gjitha institucionet shqiptare dhe opinioni publik duhet të mobilizohet kundër kësaj gjëje.
Pavarësisht iniciativës të ndërmarrë nga intelektualët shqiptarë, si mendoni ç’rol duhet të ketë shteti shqiptar për këtë incident të ndodhur me shqiptaren e madhe Nënë Tereza?
-Unë nuk jam specialst i diplomacisë, por mendoj se duhen bërë të gjitha demarshet. E para, ko është një falsifikim shumë i rëndë, një mashtrim përpara gjithë opinionit botëror. Është e çuditshme se kjo ndodh në Itali. Në Romë, vendin kur njerëzit e kulturës dhe dijes e dinë se kush është Nënë Tereza, nga vjen dhe si është cilësuar ajo zyrtarisht që nga Vatikani dhe nga Papa vetë, nga vetë kështjella e katolicizmit. Atëherë si shpjegohet, pse në Romë ndodh kjo sfidë, ky përçudnim, ky mashtrim. Prandaj këtu duhen bërë të gjitha lëvizjet, ndërhyrjet që nga diplomacia shqiptare, organizmat, institucionet shqiptare kudo që janë, të kërkojnë se përse bëhet kjo gjë, ku është qëllimi, pasi kjo është një gënjeshtër kaq e trashë që të lejohet përpara opinionit botëror, në qendër, në Romë, nuk është në një qytet jo të rëndësishëm të Europës. Dhe Roma në këtë rast lidhet me emrin e Nënë Terezës, sikurse lidhet Shqipëria. Prandaj nuk duhet të rrimë duarkryq dhe nuk mjafton ky peticion që kemi bërë ne, ky është vetëm fillimi, të paktën ndonjë reagim duhet bërë. Sigurisht ky është incident. Nuk e di se kryetari i Bashkisë së Romës, kujt bindjeje politike i përket, sa lidhje ka me qeverinë italiane ose jo, me luftën politike-kulturore në Itali. Por është një incident, madje unë do të thosha është më kot t’i themi një incident, sidoqoftë mbetet në rrethe të kufizuara diplomatike, shtetërore dhe zyrtare, kjo është një fyerje, një lloj shuplake që i bëhet një populli të tërë. Ajo çka fshihet prapa është edhe më e shëmtuar. Përse bëhet kur dihet se këtu nuk ka mungesë informacioni, është një lloj sfide, përçmimi që bëhet publikisht përpara gjithë botës një populli.
Mendoni se Ballkani vazhdon të vuajë ende nga nacionalizmat, ka ende qarqe antishqiptare kur liderët e Europës dhe të vetë rajonit janë angazhuar për integrimin europian të rajonit?
-Ballkani nuk mund të çlirohet lehtë nga psikoza nacionaliste. Sigurisht çdo pastrim i tij çdo vit është një sukses për të gjithë. Unë besoj se Ballkani do shplahet nga kjo damkë. Besoj se ne duhet të gëzohemi për këdo që fillon të shplahet nga Ballkani, nuk duhet të jemi xhelozë. Për fat keq cmira dhe xhelozia janë sporti kombëtar i të gjithë ballkansave, vuajnë të gjithë nga kjo dhe duhet të dimë të shkëputemi nga kjo metodologji, pseudokulturë e keqe. Unë shpresoj se megjithë këtë kaluar të keqe, ballkanasit do e kapërcejnë këtë gjë. Ne shqiptarët, pavarësisht se i bëjnë të tjerët nuk duhet të ushqejmë më urrejtje, duhet të përpiqemi që të emancipohemi, të përpiqemi edhe vetë. Por emancipimi kalon nëpërmjet ndërtimit dhe jo shkatërrimit. Në qoftë se ne ndërtojmë jetën tonë siç duhet, çdo ditë ekonominë, kulturën tonë, gjithçka që përbën jetën tonë njerëzore, vetvetiu mund të emancipohemi. Vetvetiu edhe imazhi i keq që u krijua në botë do të fillojë të retushohet, të pastrohet.
Si e komentoni ndikimin e faktorit shqiptar për integrimin europian?
Faktori shqiptar është shumë i rëndësishëm në Ballkan dhe ka shumë peshë. Por ai peshën e vet do ta fitojë kur ai të shkëputet, të luftojë edhe vetë, të mos kënaqet me atë ç’ka arritur. Është gjë e mirë që populli shqiptar ka një autokritikë sot dhe kjo po vërehet nga shumë njerëz, mendje të ndritura sot në Evropë, domethënë që populli shqiptar ka filluar të shikojë me kritikë veten e vet, të kuptojë se çfarë duhet ndrequr, të mos kënaqet kot me përralla dhe me fantazira të kota. Natyrisht kjo nuk bëhet vetëm, miqësitë nuk ndërtohen vetëm, miqësitë ndërtohen mbi një bazë reciprociteti, miqësitë janë të ndërsjellta, kështu që populli shqiptar nuk mund të ndërtojë vetëm miqësitë duke shpallur atë pa iu përgjigjur të tjerët. Kështu që kthehemi prapë te figura e Nënë Terezës, adhurimi i shqiptarëve për të është një mesazh miqësie që ai i dërgon popujve të tjerë. Kjo është një gjë e madhe, sepse ky mesazh kthehet mbrapsht, si të thuash në rrethe të caktuara, e për fat të keq hidhet një dush i ftohtë mbi këtë prurje të mirë të vlerave të popullit tonë që tregon në këto çaste në Evropën e sotme, në Ballkanin e sotëm.
Marrë nga TV Alsat
Krijoni Kontakt