[Gazeta Shqiptare, 29.02.2008 nga Bashkim Kopliku]
Kosova tashmë ka disa ditë e pavarur e njohur, e njohur praktikisht nga e gjithë bota përparimtare. Një gëzim i madh për shqiptarët kudo ku janë. Ditët kalojnë, dhe vendin e gëzimit po e zë meraku për të ardhmen. E pra, për të ardhmen duhet të nxjerrim mësim nga e kaluara. Pjesa më e errët e së kaluarës, rezulton periudha e komunizmit. Ai dhe sot përpiqet të na bëjë keq, pavarësisht se duket se ka vdekur. Komunizmi mundohet të jetë në tavë, sidomos në Kosovë. Shihen falsifikimet e historisë, në futjen me "lezet" të idesë së çmendur se për pavarësinë e Kosovës, qenkan përpjekur prej vitesh edhe ata, enveristët.
E pra Kosova, gjatë 100 vjetëve, i është kthyer dy herë shqiptarëve, nga antikomunistë të betuar, dhe një herë i është dhënë serbëve, nga komunistët. Kosova nën serbët gjatë viteve 1913-1941 Gjatë fundit të shekullit të XIX, serbët arritën të bëjnë një kufizim të territorit të Kosovës, duke zhdukur popullsinë shqiptare nga pjesë të tëra të saj. Kështu p.sh., në zonën e Nishit, Leskovacit e Kurshumlisë, në vitin 1879 (fill pas Kongresit të Berlinit) kishte afër një milion shqiptarë, dhe në prag të luftës së dytë botërore, nuk kishin mbetur veçse disa mijëra shqiptarë. Kjo zonë sot nuk është më brenda kufijve të Kosovës.
Absurdi i historisë qe se pikërisht kosovarët, që kishin kontribuar aq shumë në krijimin e shtetit shqiptar të pavarur, sidomos që nga 1878 e deri në vitin 1912, u lanë jashtë Shqipërisë, nën zgjedhën e serbëve. Territori që ka sot Kosova, hyri nën varësinë e serbëve nga viti 1913. Kosova kaloi praktikisht në duar të shqiptarëve, nga antikomunistët (pavarësisht se ishin fashistë, pra një e keqe tjetër!), në prill të vitit 1941. Kosova kishte parë tmerr nga serbët, gjatë 28 vjetëve para vitit 1941: vrasje; grabitje të pronës, të qindra mijëra hektarëve tokë, dhe ndarje e tyre në mbi 60 mijë familjeve kolonësh jo shqiptarë, serbë etj.; shpërngulje e mbi 300 mijë vetave shqiptarë, jashtë Kosovës e jashtë Maqedonisë perëndimore etj.
Edhe në prillin e vitit 1941, para se të dorëzoheshin tek gjermanët dhe italianët, ushtria serbe vrau me qindra ushtarë shqiptarë të mobilizuar në atë ushtri. Kosova e pavarur nga serbet, gjatë viteve 1941-44 Për Kosovën ishin vite të pavarësisë nga serbët, vitet 1941-44. Për kosovarët, Italia fashiste, apo Gjermania naziste, ishin një e keqe kalimtare, sepse me mbarimin e luftës, ato do të shkonin në shtëpi të vet, dhe Kosova do të mbetesh krejt e shqiptarëve.
Nuk ka vend në këtë shkrim, për të analizuar Kosovën e periudhës 1941-44. Vetëm po kujtojmë dy-tri fakte, që pastaj politikanët të thellohen më tej.
Në atë kohë u rihapën shkolla shqipe kudo në Kosovë (serbët i kishin mbyllur pothuaj të gjitha), u vendos administrata shqiptare me gjuhën shqipe, shkuan arsimtarë e zyrtarë nga Shqipëria në Kosovë etj. Kosova prapë nën serbët, gjatë viteve 1945-1999 Kosova iu dha serbëve, sepse kështu i leverdiste Enver Hoxhës me gjithë lukuninë e tij, në vitin 1945. E jo vetëm kaq, por gjatë viteve 1945-6, në Kosovë u vranë me dhjetëra mijëra shqiptarë nga serbët, me ndihmën e ngushtë të komunistëve nga Shqipëria.
Brigadat partizane nga Shqipëria, çarmatosën në mirëbesim patriotët kosovarë, që serbët nuk i mposhtnin dot. Pastaj po këto brigada partizane nga Shqipëria, patriotët kosovarë që çarmatosën, ua lanë në dorë serbëve, që t'i vrisnin dhe t'i masakronin sipas qejfit.
Partizanët nga Shqipëria, e dinin mirë se po i tradhtonin kosovarët: është përrallë ai shpjegimi me "naivitetin idiot" të partizanëve, se gjoja nuk ua paska marrë mendja se "miqtë e tyre serbë", do t'i vrisnin e masakronin bashkëkombësit e tyre që ata ua çarmatosën. Jo, nuk ishin "naivë" partizanët tanë: bile dihet se një pjesë e kosovarëve që u pushkatuan nga serbët, ishin dërguar të lidhur që nga Shqipëria, me urdhër direkt të "baca" Enverit dhe të tijve.
Që të kuptohet se "shitja e Kosovës" ishte e vetëdijshme, dhe se çdo gjë bëhej me urdhër të Enver Hoxhës, mjaftojnë të kujtohen ca qëndrime konkrete të tij. Kështu, në Konferencën e Paqes në Paris (gusht 1946), Enveri deklaronte: "Ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë, Jugosllavisë" (le ta mbajnë Kosovën-sh.i.). Në dhjetor të vitit 1946, në plenumin e jashtëzakonshëm të KQP (Komiteti Qendror i Partisë), po ai: "A është në interesin tonë që ne ta kërkojmë Kosovën?! [...] Kjo nuk është punë progresive për t'u bërë [...] përkundrazi ne duhet të bëjmë që të sigurojmë që kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët".
Atij dhe të tijve u leverdiste t'ia jepnin Kosovën Titos me të tijtë, sepse kështu siguronin kolltukët e pushtetit. Bile do ta jepnin të gjithë Shqipërinë, nëse do t'u duhej për të ruajtur pushtetin e tyre. Ishin luftërat klanore brenda komunisteve (Stalin-Tito), që e shpëtuan Shqipërinë nga serbët, që nuk u bë pjesë e Jugosllavisë, si "republika e shtatë" e saj.
Serbët komunistë bënë përpjekje për vrasjen e shqiptarizmës, që është pastrimi etnik më i rrezikshëm. Kjo vrasje e shpirtit dhe mendjes shqiptare, u bë e stërholluar dhe e vazhdueshme, deri nga 1980 (35 vjet me radhë). Kosovarëve iu bë një lavazh truri që nuk është se ishte pa rezultat. Në shtëpitë e tyre filluan të vendosen fotografitë e Titos, e kryekomunistit të serbëve. Në Shqipëri bëhej një lavazh truri për të zhdukur Kosovën nga tradita kombëtare. Komunizmi filloi të mbjellë urrejtje në Shqipëri kundër kosovarëve, saqë rinia e viteve 50-60, shihte tek kosovarët "kriminelët bashkëpunëtorë të nazistëve".
Deri dhe figurat kosovare të rilindjes kombëtare, si Hasan Prishtina etj., u mbajtën fshehur nga historiografia komuniste, deri nga fillimi i viteve '60. Pastaj, kosovarët u shfrytëzuan si mish për top për të ruajtur kolltukët e enveristëve, nga "brenda tokës jugosllave". Filloi të futet përdhunisht edhe fotografia e Enverit në shtëpitë e kosovarëve. Dhuna ishte psikike. Vërshuan nga Tirana për në Prishtinë, skalione të tëra shkrimtarësh, artistësh, profesorësh etj. Pas fasadës së kulturës, universitetit, bëhej futja "klandestine" e veprave të Enverit, e literaturës komuniste, që shërbente për të krijuar idenë se "Enveri vdes për Kosovën".
E gjithë një makinë propagandistike gjigante i shërbente mbjelljes së kësaj gënjeshtre. Ndërkohë bëheshin edhe krime direkt: funksiononte marrëveshja Shqipëri-Jugosllavi, e kthimit të të arratisurve. Titistët i kthenin në Shqipëri shqiptarët, dhe enveristët i pushkatonin; enveristët i kthenin në Jugosllavi, kosovarë e serbë, e titistët i rrasnin në burgje. E pastaj, të dy palët e hapnin lajmin, qëllimisht që të mbillej frikë.
Titon e zëvendësoi një i çmendur, Millosheviçi, i cili me egërsinë e tij, i zgjoi kosovarët nga dremitja titiste. Pas vitit 1980, rifilloi përpjekja e tyre e madhe, për t'u shkëputur nga serbët. Dolën udhëheqësit legjendarë të Kosovës, si Rugova me të tijtë, Thaçi e të tjerët e UÇK-së, që e udhëhoqën popullin në një rezistencë e luftë legjendare për liri, për pavarësi. Ishte pikërisht shtypja dhe genocidi i Millosheviçit me komunistët e tjerë të tij, që përcaktoi shkatërrimin e tij, duke e bërë Kosovën të pavarur. Kosova prapë e pavarur nga Serbët, vit 1999 e prapa Kosova u çlirua nga amerikanët në veçanti, dhe nga Perëndimi në përgjithësi. Ishin amerikanët, italianët, anglezët, gjermanët, francezët etj., të gjithë antikomunistë të betuar, që bombarduan e shkatërruan ushtrinë dhe shtetin e Millosheviçit. Kosovën ia kthyen shqiptarëve antikomunistët. Uria enveriste për protagonizëm në pavarësinë e Kosovës, u shfaq deri në pështirosje, këto ditë të festimeve të pavarësisë.
Masmedia u thye nga një shumicë shqiptarësh që kanë damkën e pashlyer të hierarkëve të komunizmit. Shumë nga ata, sot janë kamufluar si antikomunistë. Nuk e kemi fjalën vetëm për të bijtë dhe nipat e hierarkëve komunistë shqiptarë, që këto 17 vjet nuk kanë reshtur rrezatimin e enverizmit, sidomos në Kosovë; nuk e kemi fjalën as vetëm për anëtarët e dikurshëm të hierarkisë komuniste, që sot mbajnë fjalime e japin intervista për Kosovën, kur kanë vepra, të shkruara vetëm pak vite para, ku himnizojnë tradhtarin e Kosovës; nuk e kemi fjalën as vetëm për ata kosovarë që qenkan përshkuar nëpër shtëpinë e tradhtarit (Enverit), para se të shkonin në UÇK-në (Ushtria Çlirimtare e Kosovës) që luftonte për Kosovën.
E kemi fjalën për të gjithë këta së bashku, që përfaqësojnë "velin tonë komunist të sotëm".
Çdo kosovar duhet tashmë ta dijë mirë, se nuk mund të rrinë bashkë Kosova e pavarur, me enverizmin, aq më tepër tani që miqtë tanë të deklaruar, janë të gjithë antikomunistë.
Edhe serbët duhet të kuptojnë se zgjidhja më e mirë për bashkëjetesën e tyre me të tjerët në këtë botë, është kjo që "u kry": pakicat serbe në Kosovë, të ecin së bashku me shqiptarët drejt lirisë që vjen nga Perëndimi. E kaluara nuk duhet harruar, që gabimet mos të përsëriten
Krijoni Kontakt