Qershori është kufiri i caktuar nga Ministria e Kulturës, për fillimin e procesit që shndërron Alba Film Studion në shoqëri aksionere. Tryezat e bisedimeve të kortezisë ndërmjet Ministres së Kulturës, Arta Dade, dhe kineastëve, më tepër u keqkuptuan, dhe keqinformuan, se sqaruan opinionin publik se çfarë është në vërtetë ky proces i parashikuar në Ligjin “Për Kinematografinë”, miratuar në vitin ’96, i cili lejon interpretimet sipas akteve nënligjore përkatëse, mungesa e të cilave iu hap rrugë alarmeve. Shqetësimi i njerëzve të kinemasë përballë reformës që rri në prag të derës së ish- Kinostudios lidhet me mospasjen e një strategjie dhe garancie nga ana e qeverisë apo Ministria e Kulturës se këtij institucioni 50- vjeçar, me histori të vjetër dhe të re kinemaje, nuk po i ndërroka destinacioni, tani që duhet të fillojë një jetë tjetër, i administruar ndryshe, nga shoqëri aksionere. Dhe fjala është për një ish- ndërmarrje të prodhimit të filmit, ish- Kinostudio, Alba Filmi i sotëm, që dikur prodhonte deri 14 filma artistikë në vit, me dhjetëra dokumentarë e filma të animuar, deri në vitin ’90. Dhe pas kësaj ndodhi rrëzimi me shpejtësi marramendëse, saqë pati vite që nuk u prodhua fare film, dhe për fat të mirë, me krijimin e Qendrës Kombëtare Kinematografike, sipas Ligjit “Për Kinematografinë”, kinemaja shqiptare, jo vetëm u ngrit nga pika e vdekjes, por bashkëprodhimet me të huajt, një formë zgjidhjeje kjo për vendet e Lindjes, rezultuan me sukses. Alba Filmi sot është një ndërmarrje ku bëhet servisi kinematografik, i cili është i amortizuar. Gjendja e laboratorit është e tillë që nuk konkurron asnjë lloj standardi dhe për ta kthyer në punë duhen me qindra dollarë. Studio e zërit, studio e montazhit janë jashtë funksionit të prodhimit modern të filmit. Ka ambiente e kthina pa fund ku ruhet një pjesë e rekuizitës, e kostumografisë në vite, të gjitha pronë e prodhimit kinematografik. Në këtë intervistë, producenti dhe regjisori Fatmir Koçi, i ndodhur përballë shndërimit të madh si një pjesë tjetër producentësh shpjegon se ekziston vetëm një rrugë e vërtetë dhe e mundishme që Alba Filmi të vazhdojë, ose të fillojë të jetë sërish qendër e prodhimit të filmit shqiptar.
Kinemaja shqiptare, simbol në rrezik
Rruga e vetme për tek Alba Filmi
Kthimi i ish- Kinostudios në shoqëri aksionere, çfarë sfide përfaqëson për ju si producent dhe kineast kjo reformë e ndërmarrë me ligj në vitin 1996? Eshtë e natyrshme të ketë një konflikt në lidhje me AlbaFilm Studion ose për ish- Kinostudion “Shqipëria e Re”, një konflikt si për çdo shndërrim tjetër që po ndodh në kushtet e ekonomisë së re të tregut tek ne. Forma në tërësi që e prek domosdoshmërinë e mbështetur në Ligjin “Për Kinematografinë”, që presupozon shndërrimin e AlbaFilmit në shoqëri aksionere është që shteti shqiptar, i cili aktualisht ka 100% në pronësi të vet, të ruajë 51% të aksioneve dhe 49% t’i nxjerrë në ankand, për t’ua shitur atyre që janë të interesuar në ato pjesë që ka AlbaFilmi. Nuk ju duket se po bëhet një zhurmë e panatyrshme për këtë kthim? Në fakt, është një zhurmë disi e panatyrshme, në kuptimin e mosnjohjes së Alba Film Studios. Sepse ajo pjesë aksionesh për të cilën shteti duhet të zbatojë ligjin për shoqëritë aksionere, në kuadrin e reformave ekonomike kapitaliste, është shumë delikate.
Sepse prodhim kinematografik nuk do me thënë fare ngritja e një televizioni, apo organizim spektaklesh dhe që mund të jenë aktivitete që ndodhin aty në krah të AlbaFilmit, ashtu siç ndodh dhe në Cine Cita. Problemi është se po flasim për kinematografinë. Ligji “Për Kinematografinë” e ka qartë të shkruar se Qendra Kombëtare Kinematografike financon prodhimin e filmit artistik, dokumentar e të animuar, duke pasur parasysh rolin e producentit. Pra për herë të parë konceptohet njëlloj si në Perëndim. Nëse nuk ka producent, nuk ka prodhim filmash. Dhe QKK e ka provuar shumë mirë këtë me filmat shqiptarë të cilët janë distribuar nëpër Evropë: “Parullat”, “Tirana Viti Zero”, “Kolonel Bunker”. Pra nuk mendoj se individë të tjerë që nuk kanë lidhje me prodhimin kinematografik t’i hyjnë kësaj sipërmarrjeje. Edhe pse është e vështirë të ekzistosh si shtëpi apo kompani e vogël filmike, producentët janë njerëzit më të interesuar të prodhojnë filma, edhe pse nuk fitojnë ndonjë gjë të madhe, edhe pse humbasin çdo ditë duke ngritur projekte, duke paguar taksa, të drejta autori.
Meqënëse shteti vazhdon ta ketë AlbaFilmin, edhe rreziku do vinte nëse do dilte jashtë kontrollit të tij. Nga se do të vinte ky rrezik? Mund të rrezikonte dhe mund të sillte fundin e prodhimit të filmit, nëse shteti shqiptar, Ministria e Kulturës, do të çlirojë ato 49% të aksioneve nëpërmjet ankandit, atyre që do kishin aktualisht fuqi blerëse. Producentët nuk mund ta kenë këtë fuqi blerëse aktuale, kesh, për t’i blerë këto aksione në formë të drejtpërdrejt të investimit të tyre. Atëherë si mund të jenë producentët palë aksionere në këto kushte? Siç ka ndodhur në Çeki, Bullgari, Poloni, Hungari, Austri, madje dhe në vende perëndimore. Producentët bëhen palë duke marrë atë pjesë të aksioneve që shteti ka nxjerrë në shitje, në ankand. Prodhimi i një filmi shqiptar ka një bazë financimi 30% maksimumi 40% nga QKK, që do të thotë në shifra 100-150 mijë euro. Ashtu siç ka filma që kërkojnë disa herë më shumë nga ç’jep Qëndra. Pjesën tjetër dhe më të madhen, producentët shqiptarë i gjejnë në Francë, Zvicër, Itali, pra në vendet e bashkëprodhimit të filmit. Kështu producenti fut në Shqipëri përmes kapitalit kesh, kapital investues në film. Gjatë dhe pas prodhimit të filmit, duke depozituar në formën e mallit, pra rekuizitë, makineri, kopje të filmit, këta producentë krijojnë një vlerë që është e barabartë në para. Me këtë koment tuajin iu jepni përgjigje zërave që thonë se kineastët i kërkojnë shtetit t’iu falë Kinostudion? Asnjë kineast, sado i çmendur apo gjeni qoftë ai, nuk e ka kërkuar që AlbaFilm Studio të jetë pronë e kineastëve.
AlbaFilm është pronë e kinematografisë, dhe këtë e bëjnë vetëm producentët, regjisorët. Në mënyrë të natyrshme ata nuk bëhen pronarë me blerje, por në kuptimin e prodhimit kinematografik. Kjo siguron vazhdimësinë e AFS-së si qendër e prodhimit të filmit dhe nga ana tjetë, garanton ashtu siç shprehet në ligj, se AlbaFilmit nuk i ndërron destinacioni. Cila do të ishte ajo strategji që garantonte destinacionin si qendër e prodhimit kinematografik të Alba Filmit? Shteti shqiptar, Ministria e Kulturës, nuk duhet të harrojë se ky institucion ka pjesën e tij historike. “Histori” nuk është fjalë në erë, është një nocion që përfaqëson atë çfarë ka qenë deri më sot AlbaFilmi, që përfaqëson kinematografinë e vjetër dhe të re. Nëse shteti nuk mundet të investojë në laboratorët, studiot e zërit dhe për këtë bën nxjerrjen në ankand të një pjese të ish Kinostudios, atëherë duhet pranuar rruga më e mundimshme dhe më e vërtetë. Nga ana tjetër, nuk di çfarë strategjie ka Ministria e Kulturës. Çfarë do t’iu ofronte dhe çfarë propozime do të pranonte nga investitorët, që do marrin pjesë në ankand. Por mendoj dhe se kjo mund të jetë gjithfarësh deri në ndryshimin e plotë të destinacionit të AlbaFilmit.
Mendoni se zbatimi i ligjit “Për kinematografinë” ka përkeqësuar gjendjen e ish- Kinostudios? Në vitet 2001-2002, sipas revistës së BBC “Kinoeye”, Shqipëria renditet ndër vendet e para në Evropë, për suksesin e flmave duke marrë parasysh, vendet që kanë prodhim të pakët kinematografik. Pra në Shqipëri filmi prodhohet. Ministria e Kulturës ka treguar se është e mençur dhe objektive për të mos e zbatuar ligjin. Dhe ajo vetë në një mënyrë instiktive, duke ndjerë rëndësinë historike të AFS-së, e ka shtyrë këtë proces deri më sot. Si zgjidhje unë propozoj, bashkë me kineastë si Kujtim Çashku, Gjergj Xhuvani, Artan Minarolli, që shteti shqiptar të kontrollojë 100% të aksioneve, duke mbështetur me forcë atë që thotë dhe ligji për shoqëritë aksionere. Dhe t’iu çlirojë atë pjesë në vite, aq për qind në bazë të kontributeve dhe në kohë relativisht të gjatë, producentëve dhe shtëpive të tyre filmike. Kjo nuk do të thotë që ata të jenë pronarë të AlbaFilmit, apo në mënyrë banale që “e morën atë”. Shteti shqiptar shpall falimentimin, nëse 49% të aksioneve i lë të lira t’i marrë kush të dojë, duke ditur se biznesmenët që do të futen në AlbaFilm do të kenë profit nga blerjet e ambienteve apo marrjet me qera. Dhe në qoftë se një ditë të bukur këta producentë do të bëhen të fuqishëm, ashtu siç janë bërë ata që shesin çimenton, miell e tulla, përse të mos pranohet që një producent shqiptar, pas 40-50 vjetësh të jetë i fuqishëm si shumë të tjerë në botë që kanë vënë kapitale duke prodhuar filma.
Ky luks u ka takuar producentëve amerikanë e pak në Evropë. Vendet ish- komuniste të Lindjes sapo e kanë filluar këtë rrugë. Atëherë ose do t’i vëmë kryqin, mos të kemi më film shqiptar dhe siç po shkojnë ngjarjet mund të ndodhë, duk pasur parasysh mediokritetin, por energjinë e disa kineastëve. Ç’do të bëhet me shkollën kinematografike “Marubi”, e menduar të hapej në vjeshtë 2002, në ambientet e Alba Filmit? Shkolla do të zgjidhte të ardhmen e filmit. Duket ndërmarrje e madhe, por është krejt objektive. Të mësosh si të bësh film. Krijimi i shkollës është emegjencë. Janë gati 20 vjet diferencë i këtij brezi të sotëm dhe atë brez kineastësh që njohim. Krijimi shkollës është detyrim i shtetit shqiptar, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit. Dhe është shpëtimi i dytë, por më i madhi i kinematografisë sonë. Eshtë pengesë situata aktuale e ish Kinostudios për projektin tuaj të shtëpisë filmike “K.Koçi Production”? Çdo film i ri fillon nga zero. Producenti bën përpjekje për të vënë në efiçencë projektin e ri. Dhe për këtë duhet të jesh korrekt me taksat, të punosh 1-2 vjet për skenarin, përkthimin. Të gjitha janë shpenzime që shkojnë deri në 50 mijë euro, një shifër jo shumë e madhe për projektin “Një mbret për synetllëk”, mbështetur në romanin e Kadaresë “Vit i mbrapshtë”.
Kërkon një investim që ngjarja të vendoset në sfondin e vet historik 100- vjeçar. Eshtë një ferr më vete të bësh një film të ri. Por ka kineastë të përgatitur që po e tregojnë veten. Mevlan Shanaj ka përfunduar filmin e ri, Artan Minarolli gjithashtu, Xhuvani ka përfunduar xhirimet, Kujtim Çashku nis në gusht. Me një fjalë, nëse 1 vit ka 12 muaj dhe ne shohim çdo natë filma amerikanë dhe ndonjë film evropian në ato pak kinema që ka Shqipëria, nuk duhet të çuditemi aspak dhe të themi ku janë filmat. Sepse atëherë nuk mund të pyesim vetëm ku janë filmat e rinj shqiptarë, por ku janë filmat italianë, francezë, grekë, spanjollë, portugezë. Dhe do doja të bëja një listë me gjithë vendet e Evropës. Pra kinemaja amerikane është dominante. Dominon me plehrat e veta dhe perversitetet e veta, njëkohësisht me kryeveprat e veta. Kjo është fytyra e vërtetë.
Përballë kësaj drame të madhe, kur hyn në kinema dhe do t’i ngjash Nikol Kidman a Brad Pitit, dhe kur del prej andej vret mendjen se ç’po ndodh me mua sot.
Krijoni Kontakt