Tungjatjeta të gjithëve!
Kjo temë mund të ngjallë pakënaqësi tek shumë prej jush, por do të dëshiroja t'ju kujtoj se vitet e luftrave dhe përpjekjeve tona kombëtare përbëjnë periudhat më të lavdishme të popullit shqiptar, ku i madh e i vogël, mysliman e i krishter, qytetar e fshatar, burrë e grua, u ngritën sëbashku për të goditur rëndë dhe për t'i dhënë goditjen e fundit pushtuesve të ndryshëm.
Me këtë besim dhe me shpresën se do të më mirëkuptoni, po hap një temë të re ku çdo anëtar është i ftuar të vendosë këngë partizane dhe/ose patriotike që ai/ajo ka mësuar në shkollë, familje, apo kudo.
Kërkoj që ju të gjithë të viheni në kontroll të parimeve tuaja politike dhe të mbani për vehte fjalët fyese që mund të shprehni qoftë për Partinë Komuniste, qoftë për Ballin Kombëtar, monarkistë e revolucionarë, etj., etj.... Kjo temë nuk do të ketë aspak ndikime politike, por thjesht artistike.
Ju faleminderit!
Shënim: Nëqoftëse njihni autorin/autoren e këngëve me bindje të plotë, ju lutem ta bëni të ditur.
*****
BETIMI MI FLAMUR
Hymn patriotik
Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir'e një qëllim,
Të gjith' atij duk' iu betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t'i mbajmë
Të mprojmë atdhenë më çdo kënt,
Të drejtat tona ne s'i ndajmë;
Këtu armiqtë s'kanë vënt.
Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!
O flamur, flamur, shenj' e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin' atdhen' e shtrenjtë,
Për nder' edhe lavdimn' e tu.
Trim, burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë therror;
Për jet' ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhet si një shenjtor!
- ASDRENI,
vëllimi "Ëndrra e lotë"
*****
NËNAVE SHQIPTARE
Nënave shqiptare
dua t’iu këndoj
një këngë plot dashuri,
që s’njeh kufi.
Nëna bujare,
jetën, gëzimin
ne tek ju e gjejmë,
pranë jush e ndiejmë.
Ju jeni si një fllad
kur puthni lehtë femijën,
por ktheheni në tallaz
kur dikush ju prek lirinë.
Ju jeni si një fllad
kur puthni lehtë femijën,
ju i jepni vendit tonë krenarinë.
Nëna shqiptare,
ju në çdo stuhi
e mbajtët kokën larg
plot krenari.
Kur dikush nga ju
prej t’vetmit bir u nda
askush në këtë botë
lotët s’ju thau.
Ju jeni si një fllad
kur puthni lehtë femijën,
por ktheheni në tallaz
kur dikush ju prek lirinë.
Ju jeni si një fllad
kur puthni lehtë fëmijën.
Ju i jepni vendit tonë krenari.
Zemrat tona qeshin,
qeshin pa pushim.
Krenare ato janë
për ju gjithmonë.
Ju jeni si një fllad
kur puthni lehtë femijën,
por ktheheni në tallaz
kur dikush ju prek lirinë.
Ju jeni si një fllad
kur puthni lehtë fëmijën.
Le të ziejë kjo këngë pa mbarim.
(kënduar nga Vaçe Zela)
*****
KUJTIMET E NJË VETERANI
Kjo këngë, ja më zgjoi sonte një kujtim,
zgjoi një ndjenjë në shpirtin tim,
një mall që s’shuhet kurrë.
Për vitet kur luftonim mbi shkëmb e gur,
kur me gjak mbrojtëm një flamur,
e jetën falnim ne.
Mbi gërxhe e maja u ngjitëm,
me zjarr porsi shqipe luftuam.
Varur krahut një dyfek,
ngjeshur brezit një gjerdan,
për këtë vend, për liri, këtë vatan.
Kujtoj trimëritë partizane.
Kam mall dhe për shokët që ranë.
Atje mbetën një nga një
dhe s’u ngritën kurrë më;
i kujtoj, i kujtoj me kaq mall.
U nisëm, mbeti nëna dhe një shtëpi,
punë e foshnjën e lamë në gji,
****** lëshoi kushtrim.
U thinjëm, ja po shkojnë vitet një nga një,
por kujtimet nuk shuhen dot,
Atdheu na thërret një zë.
Kujtoni, o shokë, amanetin,
dhe ju brez pas brezi tregoni
se ne s’deshëm robëri,
nuk duruam skllavëri,
për këtë vend, për liri, për vatan.
I shtrenjte ish për ne ideali,
e shtrenjte ish për ne Shqipëria.
Ne dhamë jetën për një shok,
ne kafshatën e ndamë tok,
për Atdhe, për liri... ideal.
(kënduar nga Anita Take; ****** Kjo fjalë është "Partia". Shumë mund të thonë që mund ta kisha lënë fare këtë këngë, por më duket shumë e fuqishme dhe nuk desha ta sakrifikoja për një fjalë. Më falni.)
*****
HAKMARRJE
Po ngrihet një zë nga fundi i varrit,
si dielli kur shkrep e hapet mbi dhe.
Hakmarrje! Hakmarrje, në grykë të barbarit!
Përpara, o Popull, mbi të si rrufe!
«Hakmarrje, Rini!» – dëshmori thërret,
se ra për liri mbi truallin e vet.
«Hakmarje!» – thërrasin martirët nga varri,
«se gjaku i derdhur sot gjak po kërkon!»
Është popull i tërë me besë shqiptari,
me armë në dorë fashizmin lufton!
*****
ATO MAJA RRIPA-RRIPA
Ato maja rripa-rripa seç gjëmojnë.
Ndizet lufta për liri e derdhet gjak.
Janë trimat partizanë që luftojnë,
janë bijtë e Shqipërise që marrin hak!
[Ref.]
Sot po dridhet tirania anembanë!
Sot po digjet e po bëhet shkrumb e hi,
se u mbushën malet plot me partizanë,
se u ngrit sot gjithë rinia për liri!
Me përpara një flamur të kuq në dorë!
Me një torbë me fishekë e një dyfek!
Të cfilitur prej fashizmit të copëtuar
turren trimat dhe luftojnë shteg më shteg.
[Ref.]
*****
(nuk e njoh titullin)
Kapiten i ri,
më thuaj nga po vjen.
Unë vij prej ushtrie,
në luftë për Atdhe.
Po ti pse më pyet,
moj e bukur vejushë,
se ty diçka t’ka tretur,
që ke dalë në këtë fushë.
Kapiten i ri,
po vejushë unë jam.
E kam pasë në ushtri,
emrin ia thonë Jovan.
Me mua ka luftuar,
por ka shkuar n’atë jetë.
Tani ti më merr mua,
Jovani yt ka vdek.
Kapiten i ri,
porsi dëbora në mal,
s’e ndërroj unë dashurinë
as me një gjeneral.
Të kam, moj vejushë,
mbi ty kurgjë nuk kam.
Të puth faqe dhe gushë,
Jovani yt unë jam.
*****
RRJEDH NË KËNGË E LIGJËRIME
E i fortë po shndrit ai qiell
dhe burimi këngët lugjeve i përcjell.
E i fortë po ngroh ky diell
edhe trimat nëpër mend m’i sjell,
m’i përkëdhel.
Nga ky diell i kohës sime
shndrisin shekujt në agime
dhe naganti i shqiptarit zjarr flakëron!
Po ku ka si ti, o Shqipëria ime,
o fisnikja përmbi gur?
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur!
E i fortë po bie ai tel
dhe lahuta tingujt m’i çon larg,
i përcjell.
E një flakë po nxjerr ai tel,
partizanët nëpër mend m’i sjell,
po m’i sjell.
Nga ky zë i tokës sime
flasin shekujt me gjëmime,
edhe krisma e shqiptarit rrjedh
brez më brez.
Po ku ka si ti, o Shqipëria ime,
o fisnikja përmbi gur?
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur!
(kënduar nga Vaçe Zela)
*****
NGA FILMI «UDHËTIM NË PRANVERË»
Po ecja që me natë
mes shkrepave pa udhë,
takova tek burimi
një vajzë duke mbush’ ujë.
I thashë se m’u dogj xhani,
moj vajzë me kaçurrela,
pak ujë i jep partizanit,
të lutem, nga bucela!
Ajo nuk tha një fjalë
dhe uji i freskët rrodhi;
shikimin valë-valë
m’u duk se vajza m’hodhi.
Në sytë e mi, në faqe
kur ngriti dy bucelat,
m’ra një tufë manushaqe
dhe të verdhat kaçurrela.
Këmbyem buzëqeshje
dhe djersa krejt m’u ter;
u shkrinë tërë malet
dhe udha m’u bë det!
Dhe ika nëpër pyje
e pritave me tela,
s’më hiqeshin prej syve
të verdhat kaçurrela.
(kënduar nga Avni Mula)
*****
POET I MALEVE
Kish poeti ëndrra shumë,
thurrte këngë mbas betejash,
këngë për lirinë, për shokët e tij.
Hej, erdhi lajmi që nga mali:
"ra poeti, partizani,
kënga fluturoi nga buzët e tij".
Ti re poet i maleve!
Me pushkë e këngë luftove ti!
Këngën tënde kurrë s'do ta harrojmë,
atë këngë do ta këndojmë
gjithmonë me dashuri!
Nisen shokët ndër marshime,
përmes këngës dhe mes borës;
bashkë me ta në këngë poeti partizan.
Hej, nisen këngët nëpër çeta,
nisen çetat nëpër male,
malet këto këngë i këndojnë!
Ti re poet i maleve!
Me pushkë e këngë luftove ti!
E fuqishme kënga jote kthen,
ajo ka ëndrra shumë për liri!
Ti re poet i maleve!
Me pushkë e këngë luftove ti!
Këngën tënde kurrë s’do ta harrojmë,
atë këngë do ta këndojmë
gjithmonë me dashuri!
(kënduar nga Gaqo Çako)
********************************
Me kaq po e përfundoj. Ndoshta di dhe të tjera, por s'po më kujtohen. Tekstet e disa prej këtyre këngëve i kam shkruajtur me të dëgjuar këngën, prandaj nëqoftëse e kam dëgjuar një ose dy fjalë gabim, më thoni.
Ju faleminderit!
Gjithë të mirat!
Krijoni Kontakt