Panik tek agjensitë e spedicionit në Port
Policia ka injoruar denoncimin e pronarëve të anijes dhe vetëm në mesditë është paraqitur për verifikim
Një anije ukrainase është bërë gjahu i fundit i disa personave në Portin e Durrësit. Lajmi është bërë i ditur nga policia e Durrësit, e cila ka njoftuar për ngjarjen në mesditën e djeshme, ndërsa vjedhja duket se ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Sipas burimeve jo vetëm policore, ka qenë ora rreth 03.45 e mëngjesit të djeshëm kur pranë anijes ukrainase "Volomir Procente" janë afruar 5-6 persona të cilët kanë filluar të vidhnin deri në momentin kur janë diktuar nga marinarët. Këta të fundit janë ndeshur me hajdutët, të cilët janë larguar më pas me një ****ën, i cili kishte qenë edhe mjeti me të cilin ata ishin afruar pranë anijes nga deti. Menjëherë pas kësaj marinarët kanë konstatuar se janë hapur disa kontenierë, të cilët kanë pasur kryesisht shampo, sapun, pllaka. Fillimisht marinarët janë përpjekur të lidhen me Kapitenerinë e Portit por përpjekjet e tyre kanë shkuar kot pasi nga kjo e fundit nuk është marrë asnjë përgjigje për një kohë të gjatë. Më pas marinarët kanë mbërritur në polici ku iu është dashur një kohë e gjatë të merren vesh me policët, të cilët nuk dinin asnjëri gjuhë të huaj. Tentativat e tyre për t'i sqaruar policisë se çfarë iu kishte ndodhur, kanë marrë fund me kërkesën e policëve për një denoncim. "Ku e keni denoncimin? - mësohet t'u kenë thënë policët marinarëve, të cilët kanë mundur të sqarojnë më në fund atë që iu ka ndodhur. Gjithsesi vetëm në mesditë policët kanë shkuar në anije ku kanë konstatuar se kontenierë janë hapur dhe se aty është vjedhur. Por sipas kësaj të fundit nuk është bërë akoma e ditur se sa është sasia që është vjedhur. Ndërkohë mësohet se ngjrja shqetësuese e cila ka përfunduar me notë proteste të ekuipazhit pranë kapitenerisë dhe agjensisë Pelikan. Ngjarja bëhet e ditur se është mësuar edhe nga ministrat Rama dhe Poçi, të cilët kanë urdhëruar mbledhjen e strukturave përkatëse për të nxjerrë përgjegjësitë. Anija në fjalë e cila ishte nisur nga porti Kasteljan i Spanjës kishte të ngarkuar kontenier, ngarkesa e të cilëve shkonte deri në 2800 ton dhe se kishte destinacion Shqipërinë. Mallrat të cilin ishin brenda saj ishin porosi e firmave të ndryshme shqiptare. Ajo ishte nisur nga porti spanjoll në datën 24 qershor dhe kishte mbërritur në Durrës në datën 28 qershor. Ankorimi i saj ishte bërë në kalatën 7 dhe priste momentin për të filluar përpunimin. Rasti në fjalë i cili ka vënë në lëvizje strukturat e policisë dhe të Portit është një tjetër dëshmi që në portin e Durrësit edhe pse janë deklaruar masa të marra përsëri nuk ka asnjë garanci në këtë drejtim. Kjo bëhet edhe më shqetësuese kur flitet që Durrësi do të kthehet në një port të korridorit të 8 ku do të jetë mjaft i dukshëm transporti i kontenierëve jo vetëm me destinacion Shqipërinë, por edhe vendet e tjera të Lindjes. Gjithsesi masat e marra duket se janë ende jo efiçente dhe se ka shumë për të bërë në këtë drejtim edhe pse në fakt imazhi i këtij porti për hir të së vërtetës është mjaft i keq, duke e kompensuar këtë me rëndësinë që ka ky port por që aktualisht ai është kthyer në një nyje të trafikut të drogës dhe atij klandestin. Rasti në fjalë edhe pse nuk është vlerësuar fillimisht nga policët më pas ai ka marrë shqetësimin e ministrit, të cilit i duhet të ndërhyjë për të gjetur në port të paktën një polic që di të merret vesh në një gjuhë të huaj dhe për të hequr policët që kanë ardhur aty për kritere militantësh apo edhe shuma të paguara në dorë.
Artur Llana
Krijoni Kontakt