(Koha Jonë, 17 shtator 2003)
Përkthimet kishtare të Nolit - periudha e parë: 1908-1914
At Foti Cici
Pjesa më e madhe e krijimtarisë së botuar të Fan S. Nolit i përket lëmit kishtar. Me përkthimet e teksteve liturgjikë, Noli jo vetëm hapi udhën në një fushë të re të shqipes, duke shtënë një hije imponuese edhe mbas një shekulli nga konceptimi e lërimi i këtyre teksteve, por ai bëri të afrueshme tek bashkëkohësit e tij synimet paraekzistuese për një kishë shqiptare me tipare të plota kombëtare. Themelimi dhe kanonizimi i famullisë së parë shqipe në ShBA, kishte si kusht, nga kisha ruse, shtypjen e një libri shërbesash në shqip. Pa këto përkthime dhe pa këtë kishë të parë, nuk mund të fillonte lufta për një kishë autoqefale shqiptare.
Frymëzimi përkthimor i Fan Nolit në këtë fushë nxitej edhe nga zemërimi ndaj sloganit fluturak, “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Noli predikonte me nerv e pragmatizëm se besimet ekzistuese të shqiptarëve, janë ato që duhen shqiptarizuar. Por në rastin e kishës ortodokse, duheshin më parë librat. Duke parë se ishte një fushë shumë e vështirë, e parrahur më parë në shqip, dhe e pafund për nga sasia e teksteve origjinalë, Noli i ri ngurronte. Madje dhe Kristoforidhi, siç shkruan peshkop Evllogji Kurilla, pati premtuar t’i futej kësaj pune, por nuk e provoi. Në rastin e Nolit ekzistonin edhe vështirësi praktike; projektet përkthimore kishtare ishin vetëm pjesë e jetës së tij shumëpërmasore.
Fillimisht Noli e hodhi idenë në shtyp, duke u bërë thirrje filologëve e teologëve shqiptarë të bashkëpunojnë për një përkthim të përbashkët. Sepse vetëm një punë e tillë do të jepte përkthime më të sakta dhe më jetëgjata në gjuhën tonë. Dyzimi i Nolit justifikohej në dy mungesa. Së pari, ai nuk kishte studjuar teologji, e as kishte ndërmend ta kryente; ai po përgatitej të fillonte studimet për letërsi në Harvard. Së dyti, Noli nuk kishte përvojë të madhe me të shkruarit shqip. Madje studjuesit e gjuhës së tij me të drejtë kanë vërejtur se Noli po mësonte për herë të parë ato vite të shkruante shqip, kështu që dhe dramat e tij të para nuk është e sigurt nëse u parëshkruan shqip. Këtyre dy mungesave i shtohej dhe fakti se ai nuk kishte studjuar filologji, megjithëse ishte përpjekur dikur në Athinë.
Por Fan Noli posedonte shumicën e armëve të duhura për përkthimet kishtare në gjuhën shqipe. Përkthimi i një teksti liturgjik kushtëzon, veç shqipes, greqishten bizantine, në të cilën është shkruar origjinali. Noli njihte më mirë greqishten e re, por kishte studjuar në gjimnaz mjaft tekste nga greqishtja klasike, dhe duke qenë qysh i vogël në kishë, pranë të atit psalt, ai u familjarizua me greqishten biblike e bizantine, të cilat urëzojnë greqishten e vjetër me atë të re. Krahas gjuhëve, Fan Noli njihte mirë muzikën kishtare bizantine. Ai eci shumë në këtë fushë gjatë studimeve në gjimnazin e Adrianopojës dhe, siç dëshmon vetë ai tek shënimet autobiografike, e përkreu këtë disiplinë të çuditshme në Egjipt, me mësues një murg grek. Përderisa gjithë himnet kishtare janë thurur në një muzikë, në shumicën e rasteve të bashkëcaktuar me vargjet, mund të themi se njohja e mirë e muzikës bizantine ishte ajo që e trimëroi përkthyesin emigrant.
Nga kahu i ndërsjelltë i debatit, mund ta mbrojmë mirë Nolin e ri dhe të vjetër, po të themi se asnjë përkthyes që ka studjuar teologji e filologji, por që nuk njeh muzikën bizantine, nuk mund të përkthejë as edhe një himn në gjuhën shqipe, pa e përshtatur më parë me sukses në muzikë. Shërbesat dhe himnet janë parathurur për t’u kënduar dhe jo për t’u recituar. Dhe për të arrirë një përshtatje muzikore mesatare, ndoshta nuk duhet me domosdo njohja e simiografisë (notacionit) bizantine, por të paktën nuk bëhet pa mësuar e kënduar “me vesh” meloditë e tetë tingujve përkatës. Theofan Noli ishte një njohës i mirëfilltë i muzikës bizantine.
* * *
Janë gjashtë libra të botuar gjatë periudhës së parë përkthimore, shumica prej tyre kushtuar kryepeshkopit rus të Nju Jorkut, Platon. Libri i parë është përkthimi i shërbesave dhe himneve të javës së madhe, i cili u krye me nxitim për ta përdorur për pashkët e atij viti (Shërbes’ e Javës së Madhe, 1908). Tek ky libër vërejmë se si autori, duke përkthyer me ngut, nuk del dot nga trajtat nëndialektore të gjuhës së tij të folur të trashëguar, në përdorim të një gjuhe dialektore të shkruar. Stili gjuhësor tek ky përkthim nuk është njëtrajtësisht i qëndrueshëm, ndërsa këndimet biblike janë cituar nga Kristoforidhi. Në librat e mëvonshëm Noli do t’i merrte pasazhet e Kristoforidhit vetëm si truall për t’i ripërpunuar e për të bërë ato të njëgjuhëshëm me stilin e himneve të tij.
Mbas përkthimit të librit të dytë, Librë e Shërbesave të Shënta të Kishës Orthodoxe (1909), ai e qartësoi qëllimin dhe natyrën e projektit të tij. At Fan Noli me sinqeritet iu premtoi sivëllezërve të tij shqiptarë ortodoksë se do ti pajiste ata me tekstet më të përdorshëm në gjuhën shqipe, si një mjet i domosdoshëm për adhurim në gjuhën amtare. Por autori prift, student e gazetar, nuk kishte ndërmend të ndërmerrte përkthimin e plotë të gjithë literaturës adhuruese ortodokse (Bibla dhe tekstet liturgjikë), një punë që as sot nuk ekziston. Në shënimet e Nolit tek këto botime, ai bën thirrje për ndihmë ekonomike nga shqiptarët kudo që janë, për të përfunduar projektin e tij sa kombëtar aq dhe fetar.
Vendimi i Nolit për të botuar këto përkthime, ngriti pyetjen e kanonit të teksteve liturgjikë në shqip. Çfarë do të përkthehej e çfarë do të lihej për më vonë e për të tjerë. Në qoftë se Noli kishte një motivim plotësisht kishtar, krahas kohës së nevojitur, ai do kishte përkthyer gjithashtu himnet e adhurimit të përditshëm nga vepra në dymbëdhjetë vëllime Mineon, dhe gjithashtu do të jepte një përkthim të plotë të veprës Triodion dhe Pentikostarion. Por nga të tre këto vepra joshteruese ai na dha në shqip vetëm tre vëllime përzgjedhëse. Për festat e përditëshme nga Mineon Noli përmblodhi dhe botoi një vëllim: Libre e të Kremteve të Mëdha të Kishës Orthodoxe (1911). Me të njëjtën frymë ai botoi Triodin e Vogël (1913), duke përkthyer shërbesat e së shtunës në darkë dhe të së dielave, si dhe Pesëdhjetoren e Vogël (1914), me të njëjtën metodë. Tek Triodi ai ripërktheu gjithë shërbesat dhe himnet e javës së madhe, të cilat ishin përkthyer tek libri i parështypur kishtar.
Në vend të librit të tetë tingujve, Paraklitiki, ose siç quhet në terminologjinë e muzikologjisë perëndime, Oktaihos, ai na dha një Lutjesore të Vogël (1914), duke përkthyer vetëm shërbesat e fundjavës; mbrëmësoren e së shtunës dhe mëngjezoren e së dielës, të konceptuara këto si një seri e vetme, pa i shkurtuar shërbesat dhe himnet. Qëllimi i tij ishte t’iu jepte shqiptarëve mundësinë të kenë të plota shërbesat e së dielës dhe të kremteve më të festuara të vitit liturgjik ortodoks, në pamundësi për t’i përkthyer të gjitha.
Tek këto përkthime Noli e pasuroi gjuhën tonë me terma të huaj dhe krijoi stilin e tij të veçantë në letrat shqipe. Është për të vënë re e për të respektuar se, pavarësisht nga futja e termave të huaj, shumica e titujve të librave greqisht u shqipëzuan dhe mbetën në gjuhën tone të tillë, ndryshe nga përkthime të tjera liturgjike në gjuhë të tjera, pikërisht se natyra e shqipes është krejt ndryshe, për shembull, nga anglishtja. Synimi i Nolit ishte të përdorte një shqipe letrare që bazohej tek autorët pararendës por dhe që i tejkalonte ata, përderisa gjuha duhet te shprehte terminologjinë bashkëkohore të gjuhëve evropiane.
Filozofia e këtyre përkthimeve të Nolit shkoi kundër vullnetit dhe talentit të tij krijues. Atij i duhej të prodhonte përkthime të fjalëpërfjalëshme, në një kohë që gjithë e puna e tij përkthimore e mëvonshme në letërsi dhe në lëmin kishtar dëftoi të kundërtën. Noli ishte i prirë për përkthime-rikrijime, përkthime të lira, “muzikale”. Në periudhën e parë përkthimore Noli u përpoq të jepte një “kuptim të saktë” të origjinalit në greqisht. Mirëpo kjo solli sakrifikimin e përshtatjes muzikore të këtyre teksteve. Vetëm një psalt i mirë dhe me përvojë mund të këndojë lehtë këto libra të para të Nolit. Githësesi, flasim këtu për vështirësi në të kënduarit e teksteve të përkthyer, duke pasur parasysh përkthimet e periudhës së dytë në vitet 40-të, por është fakt se në çdo gjuhë është e vështirë të balancohet gjuha e përkthyer me muzikën e tingullit dhe të melodisë përkatëse, gjë që është vështirë të shmanget, për shembull, tek “të përshembëlltat”, siç i quajti Noli himnet e ndryshëm që këndohen me të njëjtat melodi të paradhëna.
Kjo ideologji përkthimore shpreh motivimin politik të Nolit. Ai përktheu në një frymë që mund të lehtësonte Kishën Ortodokse të pranonte dhe të njihte këto përkthime, si libra kishtarë në shqip, ndërsa një qëndrim tjetër në përkthim do të ngrinte pengesa të tjera në lëvizjen për pavarësinë e kishës shqiptare. Me këtë strategji Noli shpresonte se çdo reagim negativ ndaj përkthimeve të tij do të ishte i kufizuar.
* * *
Ndërsa po botonte librin e shërbesave, Noli filloi të informojë dhe organizojë shqiptarët ortodoksë brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke iu kërkuar të dërgojnë peticione në Patrikanën Ekumenike për pavarësinë e kishës ortodokse në Shqipëri. Noli sugjeronte që një nga të dhënat e këtyre ndërmarrjve, të ishte dhe fakti se “mesha është përkthyer nga një prift shqiptar ortodoks”. Nga ana tjetër ai kërkoi në disa raste të shkruheshin letra tek kryepeshkopi rus Platon, për të thënë se përkthimet e tij ishin të sakta, pavarësisht se shkruesit dinin apo jo greqisht. Edhe ky fakt tregon se sa vuante Noli për të sendërtuar projektin e përkthimeve kishtare, si pjesë e një lëvizjeje kombëtare.
Receptimi i këtyre botimeve ishte i ngrohtë nga figurat e letrave shqipe të asaj kohe, me Faik Konicën në krye. “Në tërë jetën time, tha Fan Noli në fjalën funerale të Konicës, s’kam njohur njeri që interesohej për Kishën tonë kombëtare aqë sa Faik Konitza. Ay na e shtypi Librën e Meshës më 1908 në Bryksel; ay i ndreqi korektimat pas abecesë së vjetër një herë; pastaj i ndreqi vetvetiu për së dyti pas abecesë së re, që posa u-vendos prej Kongresit të Manastirit. Ay e ka zgjedhur pikturën e Shën Joan Gojartit që figuron në mes t’asaj libre. Dhe këtë pikturë e ka kërkuar nat’ e ditë, me javë e me muaj, gjer sa e zbuloj në librat e vjetëra kishëtare. Siç më shkruante, piktura duhej ta tregonte Shën Joanin jo të bukur dhe të pashëm, siç e kanë imagjinuar disa piktorë, pot të mvojtur dhe të shëmtuar, ashtu siç ka qenë me të vërtetë”. Për fat të keq nuk shikojmë sot ndonjë joortodoks, nga ata që ndërhyjnë në çështjet tona kishtare, të ketë frymë të tillë bashkëpunuese e fedashjeje, si Faik Konica.
Por veç vlerësimit nga ana politike e letrare, përmes një vendosjeje kulturore të përkthimeve të periudhës së parë, kishte dhe reagime negative. Në pjesën më të madhe këto vinin nga kisha greke. Patrikana i konsideronte përkthimet e Nolit me “gabime dogmatike”, dhe si rrjedhojë të papranueshme për adhurim. Por cila ishte alternativa e Kishës së Madhe për shqiptarët, për mbarëvajtjen shpirtërore të të cilëve ishte përgjegjëse karshi Zotit? Greqishtja bizantine në kishë, e mësimi i detyruar në shkollat greke?
Këtu duhet të përpiqemi ta rilexojmë historinë, me parabindjen se ngarkesa emocionale që vjen nga opinionet e gjithë burimeve greke, dhe nga shumë vlerësime të burimeve shqiptare, është njësoj e pranishme. Pyetjet se, përse Patrikana Ekumenike dha lejen për përkthimin e Dhjatës së Re shqip në vitet 1820, dhe më pas e ndaloi këtë përkthim, dhe se përse qeveria greke sponsorizoi botimin e fjalorit të parë të mirëfilltë të gjuhës shqipe në vitet 1900, mbas vdekjes së autorit, Kostandin Kristoforidhit, janë të domosdoshme për të filluar një debat të ri. Përkthimet e Nolit janë pjesë e kësaj polemike, dhe ndoshta pika më e skajshme. Duke i thirrur arsyes, nga njëra anë duhet kuptuar fryma e Kishës Ortodokse, tek raportet e tekstualitetit në adhurim, por nga ana tjetër duhet pranuar se ekziston nevoja e një rivlerësimi të marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Për sa i përket reagimeve nga pala shqiptare, këtu mund të përmendim filologun patriot Aleksandër Xhuvani, i cili kishte një epërsi ndaj Nolit sepse ai kishte përfunduar studimet në Athinë për filologji, ndërsa Noli ishte ende student në Harvard, dhe me boshllëqe disiplinore në shqip dhe në greqisht. Në disa pika kritika e Xhuvanit ishte me vend, në të tjera ishte pjesë e mbetjeve puritane, por që atëhere mbizotëronte letrat shqipe.
Shfaqja dhe mirëpritja e këtyre përkthimeve kishte rëndësi historike sepse ishin përkthimet e para liturgjike në gjuhën shqipe dhe me to u arrit organizimi i kishave shqiptare në ShBA dhe pavarësia e kishës në Shqipëri nga Patrikana greke e Kostandinopojës. Gjithësesi, ndërsa stili mjeshtëror i Nolit mahniti njerëzit e letrave shqipe, nuancat teologjike i rrëshqitën vëmendjes së tyre.
* * *
Kjo ishte periudha e parë e përkthimeve të Fan S. Nolit, me shumë dritë e me pak hije. Para përfundimit të kësaj pune në dukje të pamundur, prifti 30-vjeçar iu kishte premtuar bashkatdhetarëve të tij, se do t’iu dhuronte lutjet më të domosdoshme në shqip. Tashmë atë e priste një fushë tjetër, përkthimi i letërsisë botërore, “për të cilën kombi ynë ka kaq nevojë”.
Një pyetje mbetet ende habitore për studjuesit e Nolit: si mundi ai të ishte kaq prodhimtar në periudhën më të ngjeshur të jetës së tij: 1908-1914. Ai ishte student në Harvard për disa vjet, ku po përpiqej të përkryente anglishten, ishte prifti i parë në shërbim të mijëra shqiptarëve ortodoksë, ishte gazetar dhe veprimtar i papushuar gjithë këtë periudhë gjashtëvjeçare. Sikur të mos ishin mjaft gjithë këto, ai duhet të përkthente vazhdimisht shërbesat dhe himnet e vështirë bizantinë. Siç duket, njerëz të tillë shenjohen për të kaluar nga të gjitha tundimet, e për të ardhur tek ne të paprishur e të paplakur. Por ai nuk është trajtuar gjithmonë kështu. Kur përkthimet kishtare të Fan Nolit kishin zënë vend mirë dhe kisha ortodokse në Shqipëri ishte mëvetësuar, mjaft “patriotë” shqiptarë e quanin peshkopin tonë herë “të kuq”, e herë “me mjekër fallco”.
Periudha e parë përkthimore e Nolit në kishë, i dha atij statusin e përhershëm në ortodoksi. Sa profetik ishte Mitrush Kuteli në vitin 1943, kur duke analizuar jetën dhe poezinë e Nolit u shpreh: “Imzot Theofani jo vetëm që krijoj veglën e parë që hapi rrugën drejt Autoqefalisë kishëtare, por edhe farkoj terminologjinë Shqipëtare për Kishën Orthodokse. Këto shqipërime e tija janë edhe sot, e do të jenë për shumë kohë, librat e shërbimit të shenjtë të Kishës s’onë”. Me të vërtetë edhe sot, këto përkthime preferohen si alternativa e parë për përdorim në kishë. Këto libra janë baza nga ku do të nisen një ditë përkthyesit për të përmirësuar e plotësuar përkthimet kishtare në shqip.
Përkthyesit e sotëm të pasazheve himnologjikë duhet të kenë parasysh se përkthimet e periudhës së parë të Nolit janë më të përshtatshëm për të cituar, sepse në këto botime himnet i qëndrojnë shumë më afër origjinalit, siç do të shohim në shkrimin përkatës mbi përkthimet e periudhës së dytë. Është interesant fakti se një shtëpi botuese në Selanik, me fillimin e riorganizimit të jetës fetare të pasdiktaturës në Shqipëri, filloi rishtypjen e librave të periudhës së parë të Nolit, deri sa seria u ndal me botimin e librit të tretë, pikërisht sepse kisha ortodokse në Shqipëri nuk u interesua për marrjen dhe shpërndarjen e këtyre librave.
Por botimet e Selanikut janë një përjashtim, ose të paktën dëshmojnë potencialin e një debati të mundshëm prodhimtar midis dy zonave. Ende sot Greqia zyrtare nuk i ka ndryshuar termat ndaj Fan Nolit. Në të vetmen vepër historie mbi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në greqisht, përpunuar e ribotuar në vitin 1998, Noli kishtar vazhdon të figurojë atje me të njëjtat epitete përdorur nga kisha greke në vitet 20-të: “hyjtallës” e “aventurier”. Ndërsa cilësimi i parë është krejt shpërfolës, i dyti ndoshta qëndron, sepse pa aventura, sidomos kur këto shpirtëzohen e kanalizohen në një qëllim të mbarë kombëtar e fetar, nuk mund të bëhet asgjë e madhe në botën ballkanase.
Krijoni Kontakt