(Koha Jonë, 18 gusht 2003)
Dritëhijet e nacionalizmit në statute
At Foti Cici
Duke pasur si fill tëhuajtjen e traditës ortodokse shqiptare, për shkak të imponimit me motive tejortodokse të një versioni të parëshfaqur grek në vendin tonë, u shpreha në një cikël artikujsh këtë verë mbi disa nga çështjet e Kishës Ortodokse në Shqipëri, siç është ajo e tjetërsimit të terminologjisë së dhënë kishtare, simbolika e emërshkrimeve greqisht tek ikonat e reja, shpërnjohja e emigrantëve ortodoksë jashtë Shqipërisë, gjë që shkel statutin ekzistues të KOASh-it, etj. I kam trajtuar këto tema nga këndvështrimi shqiptar ortodoks, por me përgjegjësinë se shkruaj në vitin 2003, dhe jo 1923, kur u krijua sinodi i parë i kishës ortodokse në Shqipëri, dhe ku duan të na kthejnë me pahir autoqefalistat.
Në këtë debat është e pamundur t’i shmangemi gjykimeve rreth statutit të KOASh-it. Ata të cilët kanë gjetur tek e kaluara, ashtu siç iu është servirur ajo, përikjen e një gjendjeje të dëshëruar, janë lënduar nga gjykimet e mia çvlerësuese kundrejt statutit të vitit 1929. Por kthimi tek ky legjislacion kishtar i perënduar përbën një perspektivë të errët për ortodoksinë në Shqipëri. Dritëhijet e kombësisë dhe të gjuhës ushqejnë atje një nacionalizëm anakronik, të pashmangshëm për vitet 20-të, por shumë të dëmshëm për Shqipërinë e sotme.
Ndërsa statuti i vitit 1950 ka disa përparësi, të cilat ai i vitit 1929 nuk i parashikon. Kjo nuk do të thotë se nuk ekziston nevoja e një statuti të ri, por për të zbutur situatën e sotme mund të mbështetemi tek ky që kemi, dhe mund të arrijmë shumë gjëra, pavarësisht se ky u fuqizua gjatë regjimit komunist. Mëkatëria dhe mospërmbushja është pjesë e çdo regjimi qeverisës, edhe i atij monarkal, sepse është pjesë e natyrës sonë, pavarësisht nga gjykimet përpjestuese të brezit të sotëm.
Të mos harrojmë se shumica e atyre që mbajtën kishën gjallë dhe e drejtuan deri në vitin 1967, dhanë shpirt në burgje e në veçim, pavarësisht nga vdekja e paqësore e kryepeshkopit Paisi Vodica-Pashko, i cili ishte primat në vitin 1950, kur u kanonizua statuti në fuqi. Por sistemi qeverisës i kishave autoqefale është sinodik dhe jo personal, prandaj dhe nuk mund të gjykohet historia nga një njeri, pavarësisht se ai ka merita, të paktën, për trashëgimin e këtij statuti tek ne.
* * *
Tre janë pikat më të errëta të statutit mbretëror të vitit 1929:
Së pari, kontrolli i shtetit në zgjedhjen e peshkopëve dhe të kryepeshkopit, për të cilët kërkohet “bekimi” i mbretit, dhe në qoftë se ai nuk e jep, duhen gjetur kandidatë të tjerë. Këto ndodhnin në mesjetë, por ne nuk kemi ndërmend t’i pranojmë në Shqipërinë e sotme, duke zëvendësuar mbretin me presidentin në statutin kishtar. Përzgjedhjet dhe zgjedhjet e klerit të lartë bëhen me procedura kishtare-kanonike dhe jo qeveritare-legalistike.
Së dyti, shpallja e shqipes si e vetmja gjuhë në përdorim, sjell diskriminimin e pakicave etnike, përderisa ky fakt përjashton përdorimin e gjuhëve të tyre në adhurim. Kjo nuk është në frymën e Kishës Ortodokse dhe as nuk vijon në hullinë e demokratizimit të shoqërisë shqiptare. Gjuha e lutjes është gjuha amtare, tek e cila njeriu shpreh emocionet, me ose pa vetëdije kur artikulon. Pjesëtarët e pakicave kanë të drejtë të grupohen në kisha të tyre, në gjuhët e tyre, me priftërinjtë e tyre, pse jo me peshkopin e tyre në të ardhmen, nën përkujdesjen e kishës mëmë autoqefale shqiptare, i cila, në qoftë se i trajton anëtarët e saj njësoj, nuk ka përse të ketë frikë nga fëmijtë e saj.
Kush na e jep ne të drejtën të ndërhyjmë dhe të diktojmë gjuhën tonë si gjuhë e shprehjes private të pakicave jo shqipfolëse? Me këtë mendësi të autoqefalistave, qeveria amerikane dhe ajo kanadeze duhet të mbyllin kishat ortodokse e katolike që përdorin shqip në vendet përkatëse, dhe qeveritë e vendeve evropiane nuk duhet të lejojnë hapjen e asnjë kishe shqipadhuruese në të ardhmen. Është e vërtetë se bota e qytetëruar duhet të na kuptojë dhe të na vërë veshin, por është më shumë e vërtetë se edhe ne duhet të rrokim dhe të pajtohemi me të.
Së treti, kombësia e kryepeshkopit, e peshkopëve dhe e gjithë drejtuesve të tjerë kishtarë, neni më debatues i këtij dhjetëvjeçari. Statuti i vitit 1929 kërkon që këta të gjithë të jenë shqiptarë prej gjaku e gjuhe. Kjo vjen ndesh me krishtërimin, i cili pretendon se është mbi gjuhë e kombe, vjen në konflikt me statutet e sotme të kishave simotra autoqefale, si dhe me demografinë e Shqipërisë, e cila ka pranuar me kohë pakicat etnike si pjesë e saj përbërëse, qysh kur s’mbahet mend. Përse në Amerikë, për shembull, kemi sot dy peshkopë shqiptaro-amerikanë? Ajo që rrjedh nga tradita ortodokse është që barinjtë e grigjës të jenë vendas, dhe në këtë perspektivë duhet punuar.
Përderisa një minoritar mund të bëhet deputet, ministër dhe kryeministër i Shqipërisë, përse të mos ketë të drejtë të bëhet dhe prift, peshkop, a kryepeshkop? Atëherë me çfarë të drejte krenohemi ne për ata ortodoksë shqiptarë që arritën të bëhen patrikë, kryepeshkopë e mitropolitë jashtë Shqipërisë? Po të pranojmë mendësinë e autoqefalistave, as Fan Noli nuk i plotëson kushtet e atyre, përderisa ai nuk lindi në Shqipëri dhe kur shkoi atje, me zor iu lejua hyrja sepse edhe kombësia e tij trajtohej asokohe si hipotezë.
Për sa i përket cilësive që duhet të ketë primati i ortodoksisë në Shqipëri, projektformulimi i mesviteve 90-të, ku thuhet se krerët fetarë duhet të kenë jetuar për njëzetë vjet në Shqipëri, nuk vjen ndesh me traditën kanunore të kishës ortodokse, sepse një njeri që jeton njëzetë vjet diku, është vendas, për aq sa kërkon natyra e misionit kishtar ortodoks. Për më tepër kjo nuk krijon konflikt me të drejtat e njeriut në Shqipëri, sepse nuk përjashton ata që nuk kanë kombësi shqiptare. Po ta shoshitësh mirë, në një çast kritik një qytetar shqiptar me kombësi tjetër, mund të kenë më shumë të na ofrojë sesa një kandidat me të vetmen cilësi gjakun shqiptar dhe mbështetjen politike të dikujt. Pra, në statutin e ardhshëm duhen gjetur formulime të ngjashme me këtë që përmendëm, ose dhe të ndryshme, por që të jenë në pajtim me traditën ortodokse dhe me frymën dhe ligjet e atyre shteteve ku mbretëron arsyeja.
Autoqefalistat e përforcojnë tezën e tyre me pretekstin se autoqefalia e KOASh-it u njoh nga Patrikana Ekumenike me statutin e vitit 1929, prandaj dhe ky statut nuk duhet prekur. Kjo pikë e tyre është oksimore, sepse nacionalistat përpiqen të mbështeten tek institucioni më i sharë prej tyre. Statutet hartohen dhe fuqizohen nga sinodet e shenjta të kishave autoqefale dhe jo nga Patrikana. Po të ishte për Patrikanën, nuk do të ekzistonte asnjë statut, sepse sistemi i kishave autoqefale dhe dhënia e tomosit konsiderohet nga fanariotët si kompromis, si “mbyllja e një plage”, dhe jo si e vetmja alternativë ortodokse, siç është në të vërtetë. Praktika e Patrikanës ndaj statuteve dhe raporteve me autoqefalinë si fenomen, u duk më së miri në Shqipëri, në vitin 1992, kur Patrikana i ngriti peshkopatat shqiptare në mitropolira, pa pritur zgjedhjen dhe fuqizimin e sinodit të ri.
* * *
Nacionalizmi prej mishi e gjaku i autoqefalistave është antonimi i së ardhmes së ortodoksisë në Shqipëri. Ky fenomen, dhe rreziku që ai mbart, është përgjegjës për situatën që historia i diktoi KOASh-it sot. Pa këtë bindje shkrimet e mia nuk do të ishin të ndershme. Të gjithë sa punojmë për të mirën e Shqipërisë, përpiqemi të krijojmë individualitetin tonë, duke u mbështetur edhe tek çka është e shëndoshë nga e kaluara, përderisa jemi bij të një epoke me bjerrje masive vlerash. Kjo do të thotë se gjatë rrugës, shumë nga ne kemi pasur ose kemi çaste që mund të shihen si qëndrime nacionaliste, ose që me të vërtetë kanë qenë a janë të tilla.
Nacionalizmi të josh sepse të çon në vise të pashkelura. Nacionalizmi të gënjen sepse të atribon trimërinë, të cilën nuk ta ofron dot një qëndrim gjakftohtë dhe prodhimtar, pemët e të cilit mund të mos duken sot dhe lipset modesti e virtyt, vuajtje dhe durim ndaj shpifjeve, për të pritur e kremtuar të ardhmen, kundërpeshën e vërtetë të një qëndrimi nacionalist. Por mjerë ata patriotë ortodoksë që ndalen e mbeten dhe nuk ecin përpara! Dua të veçoj një email që mora gjatë këtij debati. Është zëri i një shqiptari ortodoks nga diaspora, lerë e rritur në Stamboll, fjalët e të cilit po i jap të përkthyera:
“... Nacionalizmi është një mallkim. Mbi të gjitha është mallkim i çështjes për të cilën pretendon se lufton. Nacionalizmi gërmon themelet e kombit. Ai që dëshiron të bëjë me të vërtetë diçka të mirë për vendin dhe për atdheun e tij (domethënë për atë vend që e caktoi Zoti të shërbejë), gjëja e parë që duhet të bëjë është të shmangë me çdo kusht nacionalizmin. Nacionalizmi është thjesht budallallëk, dhe budallallëku kurrë nuk sjell dobi. Në qoftë se ekziston diçka që mund të konsiderohet me të vërtetë patriotike, kjo është mendja e hapur, asnjanjëse dhe e drejtë në gjykim, sepse vetëm një mendje e tillë mund të ketë qartësinë për të shquar sendet ashtu siç janë, në mënyrë që të ruhet njeriu prej rrëshqitjes nga realiteti. Si rrjedhojë, nacionalizmi më i mirë është jonacionalizmi [...].
Kisha nuk interesohet për pacënueshmërinë ekzistenciale të një race a të një kombi të vetëm. Ajo interesohet për shpëtimin e njeriut si njeri, në qoftë se dëshiron që të jetë me të vërtetë kishë, dhe jo mësonjëtore e një nazizmi të kamufluar (Dimitri Përmeti, Athinë, 8 gusht 2003).”
Me këto fjalë citmend të zotit Përmeti dua të përçoj dhe frymën tonë, e cila në këtë pikë përkon fatmirësisht dhe me atë që quhet “balancë” në vendet ku zbatohen procedurat njerëzore. Në qoftë se ekziston një fjalë sinonime për ortodoksinë, ajo është balanca. Këtë fe po predikojmë ne sot, që të ruajmë shqiptarët ortodoksë nga qëndrimet e skajshme, të cilido kahu qofshin ato, dhe t’i ndihmojmë ata të bashkohen, pa iu mohuar të drejtën e diferencimit në botën shqiptare. Në fakt, kjo perspektivë balance është dhe e vetmja mënyrë për të negociuar çështjen kombëtare ortodokse në Shqipëri, dhe për të frenuar greqizimin që po i hyn thellë e më thellë trashëgimisë sonë kulturore e fetare.
Krijoni Kontakt