- Rikthimi i Dushan Mugoshës në Vlorë, një shenjë ogurzezë që tregon se nga po e çojnë socialistët Shqipërinë
- Ç'porosi lanë serbët, në bazat e vjetra të Dushan Mugoshës?
- Pse heshti shtypi rreth vizitës së deputetëve në Vlorë?
Nga Neki DRAGOTI
Këto ditë, një delegacion deputetësh nga Serbia, bëri një vizitë në qytetin e Vlorës, i ftuar prej socialistëve të këtij qyteti. Kjo vizitë e papritur, tërhoqi vëmendjen e popullit, por veçanërisht të intelektualëve dhe nacionalistëve vlonjatë.
Përse serbët zgjodhën Vlorën për ta vizituar dhe nuk preferuan Shkodrën, Kuksin pse një qytet tjetër në veri të Shqipërisë?
Përse socialistët e Vlorës u hodhën aq larg dhe ju lutën serbëve për vizitëm, duke harruar fqinjët më të afërt?
Kush e organizoi dhe e realizoi vizitën e serbëve në Vlorë?
Këto qenë pyetjet që vlonjatët i shtronin, ndërsa shihnin të habitur se si putheshin e përqafoheshin pushtetarët vlonjatë me serbët? Duke parë këto skena tragjiko-komike, vetvetiu të lind pyetja: Se kur i harruan pushtetarët vlonjatë, plagët e vëllezërve tanë kosovarë, që ende kullojnë gjak? A nuk ishin këta "trimat" e Millosheviçit që therën gra e fëmijë të rracës sonë?
Për të shpaguar atë çka ndodhi me socialistët e Vlorës dhe miqtë e tyre serbë, le të kthehemi pak prapa në histori, jo që nga 1912, por që nga 1943-shi kur baballarët e Niko Veizit e Neki Dredhës, të Bashkim Habilit e Sazan Alikos, të Shpëtim Gjikës e Agim Alimemës çelnikosnin miqësinë me dy nga armiqtë më të rrezikshëm të Shqipërisë: Dushan Mugoshën dhe Miladin Popoviçin.
Dushan Mugosha, erdhi në Shqipëri si komunist internacionalist dhe gjeti shtrat të ngrohtë vetëm në Vlorë, as në Shkodër dhe as në Kukës. Tani, pas 60 vjetëve, bijtë e Dushanit preferojnë përsëri Vlorën.
Dushan Mugosha nuk u prit më 1941 në veri të Shqipërisë nga paria e vendit e Mirditës apo Peshkopisë, sepse atyre u kullonin gjak plagët e hapura nga serbët që nga 1912, por ai u prit me dashuri nga komunistët e Vlorës Hysni Kapua e Kadri Hazbiu, Manush Myftiu e Spiro Koleka, Qemal Veizi e Asim Aliko.
Pas 60 vjetëve, serbët refuzohen nga shqiptarët, neokomunistët e Vlorës përsëritnin aktin amoral të baballarëve, bijtë e Hysniut, të Kadriut, i biri i Qemalit, Nikua, i biri Asimit Sazani, presin bijtë e Dushan Mugoshës me të njëjtën dashuri si baballarët.
Dushan Mugosha, me 1943, kishte si qëllim që të çante në mes shqiptarët në dy grupe armiqësore dhe për këtë gjeti shërbëtorë të denjë antishqiptarë si Hysni Kapua e Qemal Veizi, Manush Myftiu e Asim Aliko, Kadri Hazbiu e Rrapo Dervishi, komunistë internaconalistë.
Pas 60 vjetëve, bijtë e Dushanit ose të Dushmanit, gjetën të njëjtën gadishmëri në Vlorë tek Niko Veizi, Neki Dredha tek Sazan Aliko e Shpëtim Gjika, të cilët e kanë ndarë dhe përçarë Vlorën dhe po thellojnë çdo ditë luftën e klasave.
Një nga rrugët përr të mbetur përjetë shqiptarët të armiqësuar me njëri-tjetrin, Dushan Mugosha kishte zgjedhur dhe ekzekutuar vrasjet pas shpine.
Manush Myftiu një antishqiptar, një shërbëtor besnik i Dushanit, ka deklaruar se ne kishim në plan të vrisnim në Vlorë 43 veta!
Bijtë e Manushit dhe të Hysniut, pushtetarët socialistë të Vlorës duhet t'u jenë mburrur eprorëve të tyre serbë se edhe ata si baballarët besnikë të Dushanit, kishin dënuar me vdekje, kishin burgosur, internuar e persekutuar pa mëshirë, armiqtë e klasës që nga 1943, po kështu më 1997, kishin vrarë e masakruar njësoj si baballarët, kundërshtarët e tyre politikë.
Ftesa dhe pritja e përzemërt, ju rezervua serbëve në Vlorë prej socialistëve të këtij qyteti, nuk është as e papritur dhe as e shkëputur prej politikës antishqiptare të socialistëve.
Le të kujtojmë takimin e Fatos Nanos me Millosheviçin në Kretë, takim i cili nuk u bë transparent asnjëherë. Le të kujtojmë se ndërsa vëllezërit tanë kosovarë digjeshin e vriteshin për liri, kundër barbarëve serbe, Fatos Nano deklaroi se kosovarët kanë kryeqytet Beogradin.
Kush pra, megjithëse vizita e serbëve në Vlorë, në dukje si rast i shkëputur, ai vlen të vlerësohet e analizohet si vijë antishqiptare e antikosovare e socialistëve të Fatos Nanos.
Kjo udhë nga po e çojnë socialistët Shqipërinë, tashmë nuk ka mbetur në teori. Në Vlorë, ajo është shfaqur në dy drejtimet e saj të njohura.
1. Mashtrimi dhe Dushani
Dushani më 1943 u bëri thirrje vlonjatëve, vrisni njëri-tjetrin që të arrijmë komunizmin e të hamë me lugë floriri. Serbët që erdhën në Vlorë 60 vjet pas mashtrimeve të Dushanit, ju thanë pushtetarëve vlonjatë Nikos e Bashkim Habilit, gënjeni sa më shumë që të mbani pushtetin. Dhe shoku Bashkim nga dita në ditë po përsoset në mashtrime ndaj popullit. Po atë ditë që pushtetarët socialistë putheshin me serbët, banorët e Babicës kishin dalë në një protestë masive, gra e fëmijë për ujë. Ja ç'thanë ata:
- Na mashtroi Bashkim Habili, duke na thënë se uji do të vijë më 4 qershor!
- Më ra të fikët në rradhën e ujit.
- Zenepe Luka ka shkruar se ka ardhur uji. Ku e ka ujët, në sytë e saj!
- Duhen vetëm masa administrative dhe nuk duhen fonde për t'u furnizuar me ujë.
Përse na gënjejnë? Kryetari komunës Qëndër Agron Likaj, vetëm merr rrogën, gënjen e mashtron...
Po atë ditë që populli demostronte dhe kërkonte vetëm ujë, Bashkim Habili me shaminë e kuqe në qafë, mbante fjalim në Gumenicë për një çetë komuniste të formuar nga Dushan Mugosha. Kjo ishte shfaqja e miqësisë ndaj miqve serbë!
Vrasjet dhe Dushani
Pushtetarët socialistë të Vlorës, padyshim që do të kenë biseduar me serbët e Dushan Mugoshës dhe do t'u kenë kujtuar atyre heroizmat e Dushanit, të Hysni Kapos e Rrapo Dervishit, të Manush Myftiut e Luftar Bolenës, të Asim Alikos e Vebi Hoxha, Arif Hasko e njësiteve terroriste komuniste.
Ata do u kenë thënë miqve serbë, se si e therën me thika Rrapo Meton në Brataj, si e vranë pabesisht pas shpine Neki Imerin dhe Xhafer Dalanin, Shaskë Rustemaj e Haki Xhelon, Veledin Kocaqi e Namik Numani e vazhdon lista...
Këto vrasje, i bënë baballarët e pushtetarëve të Vlorës, sipas urdhrit të Dushan Mugoshës.
Bijtë e baballarëve, kanë të drejt të mburren se janë më barbarë se prindërit, ata kanë vrarë "armiq" të popullit, siç e donin interesat e vëllezërve serbë. Nga faqja kriminale e historisë së tyre, po përmendim vetëm krimet gjatë vitit 1997, vetëm në polici.
"Komiteti i Shpëtimit" i dirixhuar prej Niko Veizit e Neki Dredhës, Bashkim Habilit e Shpëtim Gjikës, mori vendim për të ekzekutuar shumë "armiq" të popullit. Ata vranë e masakruan Besnik Hidrin e Lekë Qokun, Valter Harizin e mirë, Viron Rrapin trim, Gëzim Shabanin e Spiro Toshin të gjithë oficerë e n/oficerë policie.
Major Ilir Kuçit i bënë tre herë atentat dhe ai u detyrua të emigrojë në Angli. Nje fat të tragjik e ndoqi edhe n/oficerin e policisë Asqeri Tofik Myslimaj i datëlindjes 1961 nga Kropishti. Asqeriu vinte nga një familje e persekutuar politike. Me urdhër të Dushan Mugoshës komunistët e Kadri Hazbiut e Rrapo Dervishit më 1943, i kishin pushkatuar gjyshin dhe dy dajat e tij. Asqeri Myslymaj vihet në ballë të lëvizjes demokratike për përmbysjen e komunizmit. Me 1992 ai shërbeu me devotshmëri e përkushtim në polici. Me 1997, në listën e të dënuarve më vdekje nga komunistët e Niko Veizit ishte shënuar edhe emri Asqeri Myslymit. Dy herë i bënë atentat njësitet guerile komunistë të Zan Caushit. Ai shpëtoi falë aftësive dhe fatit të tij.
Dy vjet 1997-1998 u ndoq për t'u ekzekutuar. Dy vjet ilegal deri sa me zemër të vrarë doli në botën e lirë. Sot, ai vuan emigracionin me dëshirë dhe me ëndërr për t'u kthyer pranë vatrës familjare. Por, komunistët vigjilojnë dhe jeta e tij është e humbur po u kthye në Shqipëri.
Ndaj Asqeri Myslymaj vuan, vuan dhe familja e tij për të parë e për të patur pranë birin, por Asqeriu është i dënuar me vdekje dhe nuk mund të kthehet sa kohë që në Shqipëri komandojnë bandat komuniste dhe nuk ka ligj e drejtësi.
Dhe Asqeriu shpreson se do të kthehet një ditë...
Shfaqja e hijes së Dushan Mugoshës në qershor është një shenjë ogurzezë për Vlorën dhë gjithë Shqipërinë dhe një shpresë e humbur për Ilir Kuçin, Asqeri Myslymin, Agron Hoxhën, Moisi Shelilin e shumë djem të tjerë nacionalistë e antikomunistë që kanë marrë udhët e mërgimit për të shpëtuar jetën e tyre.
***
Vizita e delegacionit serb në Vlorë, në një kohë që ata janë të kundërshtuar në Kosovë, në Tiranë, në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë, është domethënia e politikës antikombëtare që po ndjek qeveria e Fatos Nanos.
Vlora u zgjodh prej serbëve më 1943 dhe Shqipëria u shndërrua në një shtet burg, Vlora u zgjodh prej serbëve më 1997 dhe Shqipëria u dogj dhe u shkatërrua, Vlora zgjidhet prej serbëve me 2003 dhe ne po shohim mjerimin ekonomik, mashtrimin, vrasjet dhe krimin.
Eshtë në dorë të vlonjatëve që të zgjedhin horizontin nga do të shkojnë, nga serbët të provuar që nga 1912, apo kah horizontet e kaltra të Europës së bashkuar. Komunistët apo socialistët e kanë thënë fjalën e tyre, tani është radha e vlonjatëve për t'i ndëshkuar me votën e lirë.j
Krijoni Kontakt