Si tentova vetvrasjen kur oficeri më tha 'jevg"
--------------------------------------------------------------------------------
Ilir Bushi
Tani në Shqipëri nuk ka shumë dallime raciale, por dikur unë plagosa veten me karabinë sepse oficeri më shau 'jevg". Kështu është shprehur dje, 43 vjeçari nga Kombinati, Merko Mamaj, i cili para 20 vjetësh ka tentuar t'i japë fund jetës së tij duke mos e duruar dot fyerjen dhe poshtërimin që i bëhej nga eprorët, për shkak të dallimeve raciale. "Me njerëzit e thjeshtë shkoja shumë mirë, ndërsa me drejtuesit shkoja keq sepse ata shtireshin si parimorë dhe në fakt na ofendonin vend e pa vend me fjalë cinike", vijon ai.
A mendoni se në Shqipëri aktualisht ekzistojnë dallime raciale?
Mund të them gjendja ka ndryshuar për mirë. Njerëzit e thjeshtë e dinë se të gjithë jemi vëllezër, qofshin të bardhë apo të zinj. Tani shoqëria ka përparuar dhe njerëzit janë qytetëruar deri në atë masë sa ta kuptojnë që racat janë përcaktuar nga zoti. Por dua të them se edhe shumë vite më parë njerëzit e thjeshtë ishin më të kompletuar nga kultura se sa drejtuesit apo eprorët. Këta shtireshin si parimorë, por në fakt ishin cinikë dhe racistë. Unë vetë njëherë e kam ndjerë veten shumë të fyer nga një oficer ushtrie, saqë mora karabinën dhe tentova të vrasë veten. Por fati më ndihmoi dhe siç e shihni jetoj akoma.
Si ndodhi konkretisht kjo gjë?
Atëherë isha ushtar dhe para shërbimit oficeri më ofendoi rëndë për një gjë tepër të vogël duke më thënë "jevg". Kështu kur vajta në shërbim ndjehesha tepër i prekur dhe vendosa t'i japë fund jetës. Kjo ishte pasojë e një dëshpërimi tepër të madh dhe të mbledhur ditë pas dite.
Çfarë pasojash keni nga plumbi që keni marrë në bark?
Tani jetoj me gjysëm stomaku dhe me një veshkë. Kjo gjë pati pasoja të rënda për shëndetin tim, por në fillim unë nuk e dhashë veten dhe nuk pranova të paguhem si invalid. Prandaj punova në Kombinatin e Tekstileve si transportues në një punë të rëndë. Por tani gjendja më është rënduar dhe nuk mundem më. Jetoj vetëm me pensionin e invaliditetit që është 31 mijë lekë të vjetra të cilat nuk dalin as për cigare. Kushtet e mia janë tepër të vështira prandaj kërkoj ndihmë dhe drejtësi nga shteti. Jetoj vetëm me nënën time e cila ka sakrifikuar shumë, por ka mbetur e varfër.
Si kanë qenë sipas jush, raportet midis racave në Tiranë?
Unë vetë kam pasur gjithmonë raporte shumë të mira me të gjithë. Por tani punët kanë ndryshuar, sepse dikur kishte një lloj diskriminimi. Të bardhët kërkonin punë të zgjedhura ndërsa të zinjtë punonin kudo. Ndërsa tani nuk ka fare ndryshime të tilla, ndërsa në lidhjet midis vajzave dhe djemve nuk vihen re fare këto gjëra.
"Kam qenë talent për futbollin por më penguan ngaqë isha i zi"
"Dikur ëndëroja të bëhesha futbollist, por megjithëse isha i talentuar përsëri në dy-tre ekipe nuk më pranuan ngaqë nuk kisha mik dhe thjesht ngaqë nuk isha i bardhë". Kështu shprehet 43 vjeçari Merko Mamaj, i cili në moshën e rinisë së tij mbahet mend vërtet si një talent i spikatur për futbollin. Por në atë kohë shumë trajnerë joprofesionalë bënin skualifikimin e lojtarëve qysh të vegjël, duke përdorur edhe kriterin racial. Përveç Merkos këto pengesa i kanë pasur edhe shumë futbollistë të tjerë, ndërkohë që vetëm Braho i Gjirokastrës dhe Kovaçi i Beratit arritën t'i kapërcenin ato me sukses. "Tani doja të isha 20 vjeç në mënyrë që ta filloja gjithçka nga e para, për t'ia shpërblyer nënës time sakrificat e saj të panumërta", përfundon ai.
Krijoni Kontakt