Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    Shqiptarët nën pesë përmbytje Biblike

    Kujtese

    Nga Qemal Sakajeva

    Këtu kutërbon era e Mashtrimit.

    Nuk është gjë ajo e Gënjeshtrës.

    Ndryshimin mes tyre e ka përcaktuar me kohë një ideolog francez duke thënë se " Populli i fal ata që e gënjejnë,por nuk fal ata që e mashtrojnë".

    Filozofi, kur ka menduar të përkufizojë kështu, ka pasë parasysh francezët. Po të kishte gjykuar mbi shqiptarët e sotëm, mbase do të shkruante që, populli i fal të tri palët: Edhe ata që e gënjejnë. Edhe ata që e mashtrojnë. Edhe ata që gënjejnëmashtrojnë.

    Dëshmi për këtë janë pesë përmbytjet biblike. Nën të pesta, gjithmonë, është gjendur populli. Llumi i trashë i vështirësive, për popullin ka qenë varr balte. Për qeverisjet e socialistëve- koshere mjalte.

    Përmbytja e parë: Fajdet

    Kjo histori tashmë dihet. Socialistët, atëherë në opozitë, i krijuan piramidat. Demokratët, për nga padija, për nga interesat për të mbajtur pushtetin, gabuan dhe disa herë e kanë njohur publikisht gabimin. Ata edhe paguan. Gabimin e paguan me çmimin e humbjes së pushtetit, dobësimin e partisë së tyre dhe ardhjen në pushtet të arkitektëve të fajdeve: Nomenklatura e Partisë së Punës, që nga Komiteti Qendror deri tek organizata bazë. Nomenklatura e sigurimit të shtetit që nga ministria e Brendëshme deri te informatori vullnetar i lagjes së fshatit të humbur.

    Struktura luftarake e bashkuar për marrjen e pushtetit, fabrikoi dinakërisht, gjysëm fshehur dhe krejt hapur Fajdet. Si një eksploziv financiar,bëri kamikaze financat e popullit,që i vendosi në themelet e pushtetit. Vendi u përmbyt nga humbja.

    Politika socialiste, pasi ua shkatërroi ekonominë njerëzve të mjerë, fajdet i keqpërdori për të rrëzuar shtetin. Pasi, pushteti u mor prej tyre, i duhej thënë popullit se, çdo të bëhej me kërkesën "Duam paratë tona". Do t'i merrni qind për qind, u premtoi Fatos Nano në Vlorë pak ditë para zgjedhjeve 1997. Dhe ja ku jemi, shumë vite pas Përmbytjes Fajde: Huadhënësit të varrosur thellë nën llum. Kthimi i parave diku në harresën e mashtrimit të madh. Premtuesi për kthimin e tyre Kryeministër.

    Kush mban përgjegjësinë e Përmbytjes dhe Mosdaljes prej saj?

    Përmbytja e dytë:Armët

    Edhe kjo histori gjendet në dritë të diellit. Cilët u sollën me armë për të filluar terrorizmin për pushtet? Kush i futi ata mes popullit protestues? Cilët bënë thirrje për t'u armatosur? Çfarë gazetash dhe autorësh kërkuan luftë? Si u bë goditja e parë dhe si u vranë njerëzit e shtetit? Çfarë do të ishin ata që pinë gjak njeriu?

    Shteti demokratik humbi kontrollin nga kjo goditje frontale terroriste. Viktimat thellë në varr. Vrasësit s'kanë për t'u burgosur kurrë për krimin terrorist të kryer ftohtësisht.Politikanët në pushtet.

    Por,Përmbytja e Armëve mbuloi çdo individ, thuajse pa përjashtim, gati pa mosdalje nga ky shtresim vdekjeprurës.

    Dhe ja ku jemi. Pas Përmbytjes Armë: Armëmbajtësit e gjallë me vete kanë qefin. Armërrëmbyesit s'dihet se ku gjenden. Urdhërdhënësit në pushtet.

    Kush mban përgjegjësi për Përmbytjen Armë dhe mosdaljen prej saj?

    Përmbytja e tretë: Krimi

    Specialistët, me siguri, e kanë tërësinë e katalogut të llojeve të krimit. Në diktaturë, monopolin e krimit e kishte shteti. Sot krimi ka marrë pushtet dhe shoqëria shqiptare është nën Përmbytjen e Krimit të gjithëfarllojshëm: Ekzekutime të mëdha politike nga zyrat e shtetit, siç akuzon opozita, vrasje të fëlliqura brenda familjes, marrje jete vetëm për pak para,vrasje të paguara për hiçgjë, mbytje veç e veç dhe kolektivisht dhe lloj- lloj të tjerash deri ku nuk mbërrin as mendja e artit.

    Kjo është përmbytja makabre në gjak, të cilën pushteti nuk e ndalon, sepse edhe krimi pjell para. Populli nuk e frenon, sepse tulatja, gjykon ai, është "jeleku antiplumb" më i sigurtë. Eshte thënë në shtyp se numri i viktimave të krimit ka arritur disa mijëra. Sa është tani nuk ka statistikë të re . Por, ata janë aq shumë, sa do të kishin mjaftuar për të fituar një luftë çlirimtare.

    Viktimat gjenden në varrezë.Vrasësit ose të pakapur, ose të padënuar, ose edhe në burg.Kurse pushtetarët paguhen mirë si në vendin e sigurisë.

    Po kush mban përgjegjësinë e Përmbytjes së Gjakut dhe mosdaljen prej atje?

    Përmbytja e katërt: Vjedhja

    Vesi, për të cilin s'mbahet mend qyshkur, të thuhet se e përbuzin brenda burgut dhe e dënon rëndë ferri, është vjedhja. Por, në Shqipëri, Vjedhja Zyrtare, është më shumë se Përmbytje Kusarimi. Në libra të shenjtë, thuhet se ka qenë dikur Koha e Ujqërve. Atëhere pra, kur kishte pak njerëz e të varfër,por shumë ujqër, këta, njerëzit s'kishin veçse ca thasë me bukë, si shpëtim, për të përballuar rrugëtimin e rrezikshëm për diku. Kur sulmoheshin nga ujqërit, u hidhnin bukë lukunive dhe, mrekullia ndodhte atëhere: kur buka sosej, edhe ujqërit largoheshin.

    Vjedhja Zyrtare këtu i përngjan Kohës së Ujqërve. Kur shqiptarët të mos kenë më asgjë, edhe në zyrat e shtetit do të ndalojë vjedhja që, ndërkombëtarët e kanë quajtur korrupsion.

    Dhe ja ku jemi pas Përmbytjes Vjedhje Zyrtare: Populli ikën nga vendi për bukën e gojës. Kusarët pasurohen. Qeveria asnjë nuk e ka çuar në gjyq.

    Kush mban përgjegjësinë e Përmbytjes së Vjedhjes Zyrtare dhe mosdaljen prej atje?

    Përmbytja e pestë: Uji

    Shqipëria, po thuhet në media, gjendet nën ujë.

    Jo, populli është i varrosur nën llum.

    Qeveritë ateiste fajësojnë Zotin dhe parardhësit, ose sajojnë njeri të dehur, për t'u shfajësuar mbi përmbytjen e kryeqytetit. Por paraardhësit janë po ata vetë, ardhësit qysh gjashtë vite e ca më parë, qeverisës dhe ende në pushtet.

    Makuteria për fitime e ka lënë të gjithë popullin përballë e të pambrojtur nga Përmbytja Ujore: Kanale të prishur, ledhe të dëmtuar, lumenj të masakruar, urdhërdhënës të papërgjegjshëm. Humbjet nga fajdet s'janë gjë përpara dëmeve të mëdha nga Përmbytja e Ujit. Gati gjashtë vjet të qeverisjes socialiste, të ardhur në pushtet me fitore plebishitare, siç kanë thënë, i kanë lënë shqiptarët, në mënyrë plebishtare, të vuajnë të gjitha vështirësitë që u erdhën nga përmbytjet: Jetët e tyre, shtëpitë, tokën, bagëtitë deri te veshjet e trupit.

    Populli i ujërave gjendet nën llum. Të kamurit janë thatë, ngrohtë e ngopur.Qeveria ateiste fajëson Zotin dhe paraardhësit, kur paraardhësi është vetvehtja- në të njëjtin kabinet qeveritar.

    Kush mban përgjegjësi për Përmbytjen Ujë dhe ngecjen e shqiptarëve nën të?

    Përmbytja e gjashtë: Mos ardhtë!

    Populli thotë "Ç'ka thotë goja, nuk bëhet"

    Nuk ka mbetur tjetër e keqe, veç edhe Lëkundja e Dheut. Zoti qoftë me ne. Por, secila nga të pesë përmbytjet e ndodhura në pesë vjet, do t'i mjaftonte e tepronte çdo populli tjetër të madh. E jo më neve, të paktë e të varfër.
    --------------------------------------------------------------------------------
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Ne lidhje me temen lart po postoj kte shkrim interesant.


    Shkruan: Dr. Krist MALOKI

    Orjentalizma shqipëtare asht pa dyshim një system mendimesh, ndjenjash dhe instiktesh - si çdo sistem tjetër jeteset - me një botë kuptim dhe filozofië të tijen. Dhe si dallohet dhe veçansohet secila filozofië dhe secili botëkuptim nëpër disa principe karakteristike, po njashtu dallohet dhe karakterizohet edhe orjenjtalizma shqiptare nëpër disa shprehje symtomatike dhe jetëfilozofike.

    Si ma të paren karakteristikë t’ujkut orjental shqiptar duhet t’a e marrim proverbin e çdo çelerpirxhiu të pashpirt:

    Haja qenit, pija qenit

    Edhe bjer’karadyzenit:

    një bonmot, mjerisht, që asht bam bilem fjalë popullore:

    Orientali shqiptar i pret të gjitha të mirat - per vehte! - çelepir nga të tjerët; bota rreth e perçark asht per te një burim i pashterrun mjetesh, qejfesh dhe lezetesh, të cilët aj i shfrytëzon me çdo mëndyrë dhe methodë, pa pyetë se ku nget dhe ku vret. Detyrë të ndershme apor sakrifica vetmohuese karshi botës peranë s’njef kurr jo, orjentali shqiptar. Perkundrazi ushujza orjentale, gjithmonë e pangishme, i ngjitet trupit kolektiv dhe shoqnor dhe ja thithë gjakun pa asnjë droje a skrupullë. Dhe në vend që t’u turpnonte per veprën shkatrimtare të vetën, orjentali shqiptar bahet edhe ma kryenalt, ma kapadaji, ma qejfli... dhe i bje karadyzenit....

    Orjentali s’njef turp a mare, a ma mirë: aj s’ka cipë që t’i nxihet a faqe që t’i skuqet. Prandaj karakterizohet edhe nga thanja pothue popullore:

    Atje posht, nër ata ripa,

    Her’ m’a hipe, her’ t’a hipa!

    Orjentali shqiptar asht i zoti per të gjitha... turpet. Shet bab’ e nanë, din e iman, per mos me thanë: shpirtin dhe trupin e vet; vetëm e pervetëm që t’i shkoj kungulli mbi uj, vetëm që mos t’i prishen telat e karadyzenit.

    Idealet e orjentalit shqiptar jan kulltuku dhe llokma. Per të ja sigurue vehtes këto të mira perdor aj çdo mjet: bahet, kur e do nevoja, edhe patriot dhe tradhëtor, monarkist dhe bolshevik, perparimtar dhe reakcjanor.... dhe bilem edhe shok i fort me të tjerë. Porse në shpirtin e tij, orjentali shqiptar asht kryekëput renimtar, asht destruktiv.... dhe bashkohet me të tjerët si njata ujqt që vehen së bashku në preë.... porse edhe si njata ujqt që e shkyjn shokun e vet kur dobsohet apor plagoset udhës.

    Sepse orjentali shqiptar i ka instiktet e ujkut monoambulant, t’ujkut tek. Dhe deviza e tijë karakteristike - që e percjellë nër shtegtime të jetës - asht një thanëje - pothue prap popullore:

    Kudo rafsha, mos u vrafsha!

    me kuptimin: Ubi bene, ibi patria! Vendi, ku yshqehet dhe majet orjentali shqiptar asht atdhe, asht vatan per te. Jo sepse e don, por sepse e shfrytëzon. Dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje dhe skrupullë. “Sepse po shprishet Shteti, sepse po shkatërrohet Kombi, sepse po rënohet një botë e tërë.... çë ka?.... Après moi le déluge!”

    Dhe e kerkon e verteta të deklarojm me kambëngulëja që: kësi farë orjentalash gjinden si ner pleq si edhe ner të rinj shqiptarë....

    Porse e verteta na detyron edhe per një konstatim tjetër per kah orjentalizma shqiptare!

    Asht gabim i trashë kur thohet shumë herë që orjentalizma na ka ardhë sefte nga Azija apor nepër religjonin muhamedan apor edhe nga populli tyrk. Jo, kurrsesi, orjentalizma e jonë asht kryekëput një dhantië (darovë) fatale e kristjanizmit, me gjithë që e një kristjanizmi të degjeneruem euro-aziatik.

    Po spjegohemi! -Në të VIII-in shekull mbas Krishtit, - aty kah vjeti 740, - d.m.th. 600 vjet para se me shkelë Tyrku në Vendin t’onë, u ba Shqipnija provincë e Byzancës nën Leonin III., të quejtun Isaurios. Dhe nga ky dhespo i mnerrshëm u ngushtuen gjithë shqiptarët me u ndae nga kisha okcidentale (romake) e me u fundosë nër labyrinthet e errëta të kishës byzantine (orientale) s’atëherëshme. Por s’ishte aqë fort ndamja (skizma) kishëtare se sa njaj shpirt i administratës byzantine, plot ankth e myk, që u plakos si një shpirtër e zezë, si një hieje murtaje pothue mbi mbarë Kombin Shqiptar.

    Se shka don me thanë spiritë byzantine e di pothue seicili që ka këndue ndopak nër fletët e historiës së kulturës dhe në literaturën kulturë filozofike. Na këtu po mjaftohemi vetëm tuj permendë që byzantinizma kulturë historike asht po njëlloji me orjentalizmën shqiptare që u pershkrue ma nalt. Shqiptari i shkretë ja ka thithë langun njasaj bime dehëse dhe helmatuese mrenda 12 shekujve të kaluemë - qysh nga vjeti 740 - dhe asht kalbë dalëngadalë në trup e në shpirt të vet tuj i u shprishë kësodore fuqiët e tij ma të thjeshtat dhe ma fisniket kolektive-kombëtare. Po Shqiptari dikur ka qenë kolektivist e universalist; ka pasë një dashunië të pervëlueshme dhe një besim të pa fundt ndaj Zotat e qiellit e të Tokës, ndaj vendit dhe trashigimisë të parëve të vetë dhe ndaj vëllaznit e vetë shqiptarë. Vala e nxehtë kolektiviste aristokratike dhe drita e flakët politike-filozofike që derdhen edhe sot nër amanetet e cungueme të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe nër sa e sa tradita malësore-shqiptare na lanë me kuptue naltësiën shpirtnore dhe heroizmën vetflijuese të të Parëve t’onë dikur.

    Porse të gjitha njato vetijë - të nalta e ndertuese-kolektiviste shkuen dam dhe hurq nepër helmin shkatrues të byzantinizmës. Sepse shi në mbarështimin shoqnor e politik, d.m.th. nër marrëdhanje të shqiptarit me shtetin dhe eprorët e tijë bunoj dhe u perhapë spirita byzantine si një epidemië renimtare dhe e deformoj karakterin e shqiptarit në një bollë amorfe dhe sy-sfingore. Genjusi i popullit ja ka gjetë mandej formulën karakteristike, tuj e kristalizue të gjithë filozofiën e sajë - perfide dhe simahore - në shanjën shekullore:

    bu gjun jarën!

    Si i tha nënprefekti djalit të ri që po hynte rishtas kryetar komuneje?

    -”Biro, ato që ka mësuarë nër kurse dhe nër libra hidhi më nj’anë. Po deshte të jesh një nënpunës i mirë, të lavdërohesh dhe të nderohesh, mbaje popullin me premtime. Sjelle vërdallë nga njëra ditë më tjatrën, gjër sa të merzitet, dhe mos i kryej asnjë punë....”

    Qé pra byzantinizma, mikrobi i demoralizimit dhe i bastardhimit të Kombit t’onë.... dhe qé edhe murtaja shpirtnore e sa e sa kombeve tjerë. Dhe në qoft që Muhamedanizma heroike e dikurshme, në qoft që kombi zhenjal arab dhe turmat hovplote dhe ngadhnimtare të Tyrkmenëve u shprishën shpirtnisht dhe ranë posht qysh para se me e pushtue Byzanzin (Stambollin) më 1453, kuptohet vetëm e pervetëm nga fakti që njaj mikrob shkatrimtar u infiltrue qysh nga lufta byzantine-arabe (720 e tëhu!) - nër zemrat të tyne. Tyrqija e pastajme s’ka qenë tjetër veç se trashigimtarja dhe kujdestarja e miraz-it byzantin, dhe fesi i kuq - një krijesë greko-byzantine u pranue si symbol i njatij trashigimi....

    Dhe s’asht çudië që Atatyrku zhenjal - me një gjest prap symolik e flaki fesin mb’atë anë dhe e shkëputi zemrën e kombit tyrk - kryegjytetin - nga pellgu i miazmave të Stambollit....

    Kaqë sot sa per stambollinjt e sotshëm shqiptarë - pleq apor të rij!....

    (Marrë nga www.stublla.com)

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    S h p e l l a r ë t p ë r b a l l ë q y t e t ë r i m i t

    mexhit prençi

    E vrau me thikë. Pastaj ia ndau kokën nga trupi. Pastaj tha:"Shumë mirë bëra. Më tradhëtoi." Pastaj përsëri tha: "Nuk pendohem. Prapë të njejtën gjë bëj."

    Kështu u shfaq njeriu‑kriminel i kohës sonë të çmendur, brenda të cilit jeton njeriu i shpellave: i egër, primitiv, gjakatar që ia merr jetën tjetrit me vetëgjyqësi duke sfiduar qytetërimin.

    Tragjedia dimensionohet dhe alarmi uluret kur edhe shpellarë të tjerë mjeranë, thonë të njejtën gjë...Kështu do të vepronim dhe ne në raste të ngjajshme... duke sfiduar qytetërimin, fenë, ligjin, shtetin dhe të drejtën universale të njeriut për të jetuar.

    Ndërsa shoqëria jonë hesht. Merret, apo s'merret me gërr‑mërret e politkës dhe të sajat; merret apo s'merret me punë të pista dhe të ndyra, dhe në çdo rrethanë a gjendje kritike, pa e vrarë mendjen, i fut një: " Q'i q.. tëmën..." shqiptarçe!

    1.

    Amoraltiteti krimininal i shpellarëve përballë qytetërimit të kohës sonë, shfaqet sot në mes të ditës me diell, me guximin e marrëzisë dhe të injorancës: si moral i pastër, si virtyt; si e drejtë e individit mbi individin për t'i marrë dhe jetën!

    ...O prapësi, o dreq, do të thoshte Hamleti, që unë paskam lindur të të ndreq!

    2.

    A nuk është tragjike kjo? ... Më shumë se tragjike ?!...

    Gjashtëdhjetë vjeçarë, mezoburra, të rinj, me të njejtën frymë: amorale, primitive dhe të egër; me të njejtën gjuhë, me të njejtën idiotësi, me të njejtën gjakftohtësi kriminale, recitojnë para kamerave: " Edhe unë të njejtën gjë do të bëja.", " Edhe unë.", 'Edhe unë.", " Edhe unë."...

    Heshtja mbuloi fushat, malet, Korçën dhe gjithë Shqipërinë.

    Heshtje idiote!

    3.

    Lajmi në media jepet jo si gjëmë, jo si klithmë e vjetër e shpellave që sfidon ligjet e kohës, por me dramacitet të butë, të zakoshëm, ndoshta sepse i zakonshëm është bërë edhe tragjizmi i jetës sonë. E jashtzakonshmja është tjetërsuar në të zakonshmen. Megjithëse kjo e vërtetë, është veçse relative dhe e përkohëshme. E jashzakonshmja tragjike fshihet nëpër labirinthet e shpirit të keq, të lig, të egjër, i sendërtuar në njeriun‑shpellar, i cili duke shitur amoralitetin kriminal makabër si virtyt, fyen kohët moderne, fyen qytetërimin.

    Ndërsa qetësia jonë është akullnajë!

    4.

    Kambanat e alarmit mediatik nuk bien me forcë. Po sado që të jepet lajmi i thatë, brenda vetes e ka ulirimën, Veç, ama, parlamenti ynë i nderuar nuk e dëgjon: është i zënë i gjori, me maskaradat komiko‑tragjike, me gërr‑mërret e deputetëve si përfaqsues të rritjes së mirëqenies së tyre personale, duke miratuar ligje favorizuese për vete; me sajimin e konflikteve të pseudokonflikteve dhe të britmave, fyerjeve, e ulurimave: shumë zhurmë për asgjë, duke lozur lojën e kungulleshkave për hajdutërinë, mafian, korrupsionin dhe për do punë të pista dhe të ndyra, protagonistë dhe aktorë të të cilave janë vetë, ata, aventurierët dhe gangsterët e kupolës të partisë ‑shtet.

    * * *

    Ata, parlamentarët e nderuar, vërtiten brenda rrathëve të mbyllur të interesave të partive të tyre dhe s'kanë kohë, ndoshta as kokë, as vizion, as moral, të merren me shpellarët që po demonstrojnë injorancën dhe moralin e egërsisë primitive, duke mbrojtur kriminelin dhe duke apeluar për ta kthyer rrotën e historisë prapa.

    Drejtësia, si gjithnjë, thotë se e filluam hetimin, pastaj si gjithnjë, do ta zgjasë dhe stërzgjasë nga një shkallë gjyqësie në tjetrën, e, prapë te e para, gjersa në fund të vendos paraja, apo një telefonatë nga kupola.

    Urtaku thotë se kur gjykon i pamoralshmi, morali është në zgrip të humnerës, shoqëria në rrokullisje vetëdegjeneruese.

    * * *

    Ndërsa intelektualët, ca të trullosur, ca të heshtur si gjithnjë, ca e ngrenë zërin në kafe, ca shkruajnë përrallat kujtime, ca e kanë hallin te emri i tyre që po i bie boja, e, flasin veç për përvete duke i parë të tjerët si miza, çka nuk kanë kohë ta përceptojnë dhe analizojnë fenomenin tragjik, i cili po kalon ashtu, si një lajm që nuk sensibilizon askend, përveç fëmijët e viktimimës, që akuzojnë të jatin si kriminel dhe kërkojnë ndëshkimin më të rëndë.

    Kuptimësia e sentencës: "Heshtja flet", ka humbur kuptimin. Ajo ka ngrirë si një pikë&uditëse akulli.

    5.

    A nuk është tragjike për shoqërinë tonë kjo heshtje, ashtu siç është tragjike vetë ngjarja makabre?

    Vetëgjyqësia në të katër anët e vendit, e ka përdhosur edhe ligjin edhe shtetin. Ajo shfaqet si një dëshmi e ekzistencës të botës së egër të njeriut primitiv të shpellave, që për ironi të qytetërimit, jeton e vepon midis nesh, duke mosnjohur madje as Zot, as fe, as drejtësi, as moral, përkundrazi vetë bën ligjin, vetë afirmon moralin e pamoralshëm, duke i kënduar këngë trimërie amoralitetit kriminal të vetvetes.

    6.

    Mbi qytetërimin bie baltë dhe blozë. Blozë dhe baltë.

    7.

    Tre breza "qytetarësh" të kohës sonë të ç'akorduar, sikur të mos mjaftonte çmenduria dhe amoralteti i klasës politike karrieriste dhe kuletiste, sofistikuese e mistifikuese, vetëafirmojnë moralin e njeriut‑shpellar që: "të drejtën" për t'i marrë jetën tjetrit, e quajnë moral i kulluar.

    Deklarata e tyre, siç theksova më lart, se do të vepronin dhe ata si krimineli nëse u ndodhte një gjë e e tillë, duhej të ngrinte më këmbë një popull të tërë, një opinion të tërë, gjithçka dhe të gjithë:

    Shkolla, e para, duhet të ngrejë zërin për gjithçka ka investuar për moralin e shëndoshë, që po i bën sfidë morali i shpellarëve; fetarët që mbrojnë moralin se jetën ta jep Zoti dhe vetëm Zoti ta merr, duhet me forcën e besimit të dënojnë moralin e shpellarëve; familja, së cilës i mohohet barazia, madje gruas edhe jeta, nga patriarkalizmi që rrebelohet në kohët moderne dhe instalon me gjak moralin e shpellave, duhet të ulurijë në kupë të qiellit; ligjet, shteti, institucionet, forumet e të drejtave të njeriut, duhet të bucasin bashkë me median, kur parimet universale të të drejtës për të jetuar, po i sfidojnë barbarët..

    8.

    E gjithë shoqëria jonë duhet të sensibilizohet, se nuk është fjala për disa apo dhjetra e qindra vetë që përfasojnë moralin e shpellave, me të cilin duan të zëvëndësojnë moralin e shëndoshë; është një opinion i tërë i botës së vjetër që nuk zbaton ligjet e kohës, të shtetit ligjor, por vetëgjyqësinë; është një pjesë e madhe e Shqipërisë që gjakmarja ka ngujuar edhe fëmijët e shkollave.

    Njerëzit e shpellave të veshur me rrobën e gangsterit dhe të kriminelit të kohës, ditën për diell e shkrehin armën gjakatare duke i marrë jetën e njeriut.

    Realitet tragjik, absurd, anarkik, mafioz është dëshmia më e prekshme e shtetit të degjeneruar, çka kërkon impenjimin e gjithë shoqërisë, për të mbrojtur qytetërimin.
    Marre nga 55
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

Tema të Ngjashme

  1. Gjergj Kastriot Skënderbeu
    Nga Arbushi në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 434
    Postimi i Fundit: 18-09-2022, 06:57
  2. Esse dhe artikuj të muslimanëve
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 09-12-2010, 09:31
  3. Lidhja Shqiptare e Prizrenit
    Nga dodoni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 01-06-2009, 00:29
  4. Paketa e propozuar nga Ahtisari për statusin final të Kosovës
    Nga Nice_Boy në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 451
    Postimi i Fundit: 21-10-2007, 12:59
  5. Kënga e Gjergj Elez Alisë
    Nga Ullmar Qvick në forumin Folklori shqiptar
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 07-09-2006, 05:29

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •