Nga Donika Çapi

Presidenti i Parlamentit Evropian, Pat Cox, në një intervistë të tij të fundit tha se Parlamenti Evropian është gati t’i ofrojë Ballkanit perëndimor një perspektivë evropiane, nën pretendimin se duhet ndërtuar “një Evropë vlerash”. Por, sipas tij, Ballkanit i duhet të bëjë një hop të konsiderueshëm drejt arritjes së këtij synimi. Radhët që vijojnë, duke mos nënvelftësuar aspak peshën që ka integrimi evropian për shoqërinë shqiptare, nuk do të përqendrohen në këtë premtim të Parlamentit Evropian dhe as në strategjitë e shumëllojshme që mund të përdoren politikisht për të arritur këtë synim. Intervista e Pat Cox u soll këtu si shembull vetëm për të vënë në pah theksin që vihet te shprehja “një Evropë vlerash”. Duke qenë se nga pikëpamja institucionale vendet përbërëse (ose aspiruese) të komunitetit evropian parimisht gëzojnë të drejtën për të qenë plotësisht të barabartë midis njëri-tjetrit, mund të thuhet se shprehja “Evropë vlerash” mund të shndërrohet në “shoqëri vlerash” ose, më saktë, në rastin konkret, në “shoqëri shqiptare vlerash”. Përpara se të shkohet më tej, do të ishte me interes të përballoheshin mendimet e dy prej përfaqësuesve të shquar të mendimit të sotëm filozofik shqiptar, ashtu siç shprehen ata, në librat e tyre të fundit. Njëri prej tyre thotë: “Përpara se një politikë (socialiste) të ketë përmbajtje të spikatur, të fortë dhe të qëndrueshme, ajo duhet të ketë bartës shoqërorë, të organizuar kolektivisht, të ndërgjegjshëm, të interesuar për të çuar më tej alternativën (socialiste). Fjala jonë e fundit, pra, është: përpara përmbajtjes duhet të ketë bartës”. (Artan Fuga: “Majtas jo djathtas”, fq. 255). Ndërkohë, tjetri thotë: “Rrugëdalje nuk ka, sepse, edhe po të dihen rrugët, edhe po të dihet se çka duhet bërë, nuk ka kush t’i bëjë gjërat që duhen bërë, sepse u mungon vullneti t’i bëjnë”. (Hysamedin Ferraj: “Kriza e përkryer e Shqipërisë”, fq. 66). Ferraj beson se faktorët e ndryshimit nuk janë as te politika, as te media, as te shoqëria civile, sepse të gjithëve u mungon vullneti i mirë për të ndryshuar. Për të qenë me të qartë, Ferraj hedh idenë se ndryshimi drejt një shoqërie më të mirë mund të vijë vetëm po të ndërrohet i gjithë populli, por kjo për autorin do të paktën 50 vjet që të ngjasë.
Nëse përfytyrojmë për një moment se të dy autorët kanë të drejtë, situata që krijohet duke ballafaquar mendimet e tyre paraqitet e vështirë: si mund të ketë bartës të ndërgjegjeshëm në kohë krizash të përkryera?
A ka ndonjë mundësi për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje, në mënyrë që ballafaqimi i të dyja teorive të mos shkonte në absurditet? Kur Fuga flet për bartës “të organizuar”, “të ndërgjegjshëm” e “të interesuar”, është shumë e mundur që këto tipare t’i konsiderojë si virtute apo si vlera qytetare, ndërkohë që, kur Ferraj flet për krizë, ka shumë mundësi t’i referohet pikërisht mungesës së këtyre virtuteve. Pra, debati mund të ketë kuptim, nëse shikohet si debat mbi vlerat e shoqërisë shqiptare. Vlerat karakterizojnë në pjesë mjaft të rëndësishme të shoqërisë dhe ndoshta çdo përpjekje për të bërë një analizë të kësaj shoqërie, p.sh. shoqërisë shqiptare, duhet të përfshijë një debat mbi vlerat e kësaj shoqërie. Në kushtet e pluralizmit dhe liberalizmit që mbizotëron sot Përendimin, dhe Shqipërinë po ashtu, përgjithësisht vlerat janë parë si të lidhura me individin, ndërsa politika si e lidhur kryesisht me drejtësinë. Pra, e thënë ndryshe, individi formëson në jetën e tij private lloje të ndryshme vlerash e virtytesh, ndërsa politika ka për synim të mbrojë, duke u kufizuar në parimin e drejtësisë, lulëzimin e këtyre vlerave dhe virtyteve. Përpjekja për stabilitet politik dhe për përmirësimin e gjendjes shoqërore në përgjithësi nuk është gjë tjetër veçse ndërveprimi reciprok i individit me idetë e tij mbi të mirën, me politikën që përpiqet të balancojë konfliktet e mundshme midis këtyre të mirave individuale. Në këtë kuptim, në kushtet e pluralizmit është individi ai që paraqet vlerat në sferën publike, për faktin e thjeshtë se politika, si balancuese, duhet të qëndrojë neutrale ndaj debateve të mundshme mbi vlerat. Nuk është, pra, detyra e politikanit të shprehet mbi ndonjë koncept të caktuar të së mirës (vlera dhe virtute), kjo është detyrë e individit. Le të themi se individi ka monopolin e hedhjes në treg të ideve të së mirës (vlerave) dhe se është pikërisht kjo veçanësi e tij që e kthen në qytetar të përgjegjshëm. Është pikërisht kjo veanësi që legjitimon vetë politikën, në kuptimin që politika parimisht duhet të respektojë atë që qytetari respekton si të vlefshme. Një shoqëri, pra, nuk mund të shpjegohet duke arsyetuar vetëm mbi polin “politikë” apo vetëm mbi polin “individ”. Të përfshish në shpjegimin e situatës shoqërore debatin mbi vlerat, do të thotë të pranosh parimin e reciprocitetit midis të dyja poleve. Ajo që i legjitimon të dyja palët është krijimi i një shoqërie vlerash. Një debat mbi vlerat është i domosdoshëm për shpjegimin e shoqërisë shqiptare. Nuk është mjaft të konstatohet se duhen bartës (individë të organizuar e të përgjegjshëm, që i japin kuptim një alternative të caktuar politike), për sa kohë që nuk shpjegohet cila është rruga që këta bartës duhet të ndjekin për t’u bërë të dëgjueshëm nga politika. Aq më tepër nuk është mjaft të thuhet se shoqëria shqiptare është në krizë të përsosur politike, morale dhe ideore, duke i mohuar gjithsecilit, në të njëjtën masë, së pari, aftësinë për të rikujtuar vlera që, edhe pse s’janë tani, mund të kenë ekzistuar më parë; së dyti, shpresën se këto vlera rindërtohen orë e çast.