Lufta e Bosnjës dhe ajo e Kosovës në fjalorin e politikës ndërkombëtare kanë futur një term të ri në trajtë togfjalëshi: spastrimi etnik. Çdo luftë në mënyrën vet e bënte fatkeqe popullatën në terrenin e së cilës zhvillohej, pavarësisht në merrte aktivisht pjesë në të apo pjesëtarët e saj ishin vetëm sehirxhinj.
1. Lufta në tokën e tjetrit
Mirëqenia e një vendi jo rastësisht matet me vitet e kaluara në paqe. Zvicra nuk e mban epitetin e parajsës së kësaj bote vetëm për bukuritë e saj rrallë, të përsëritshme gjetiu, por edhe për faktin se atje paqja dhe refuzimi i luftës është bërë më shumë se traditë, përkatësisht, një mënyrë e të jetuarit, edhe pse si vend shpesh u ndodh pranë vorbullës së shumë luftërave të përgjakshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithashtu, janë një dëshmi e pakontestueshme në favor të kësaj teze. Në të dyja luftërat botërore, që i kushtuan njerëzimit shkatërrime marramendëse, SHBA-ja shpëtoi në saje të faktit se pak ose aspak mori pjesë në to, njëkohësisht që e kurseu maksimalisht territorin e saj nga lufta, duke luftuar atëherë kur ishte e shtrënguar dhe kryesisht në tokën e huaj. Edhe pse gjatë Luftës së Dytë Botërore, vetëm në operacionin e zbarkimit të aleatëve në Normandi kishin mbetur të vrarë mijëra amerikanë, gjë që megjithatë dëshmon se SHBA-ja e kishte paguar çmimin e luftës në njëfarë mënyre, përparësia më e madhe qëndron në faktin se infrastruktura dhe popullsia e saj civile kishin mbetur pothuajse të paprekura. Lufta e Vietnamit është një argument tjetër që sforcon doktrinën moderne të luftës, sipas së cilës, edhe në rast se je në ndonjë mënyrë i detyruar të luftosh, luftën bëje në tokën e tjetrit. Me një fjalë, edhe kur popullata nuk e pësonte drejtpërdrejt nga përfshirja në luftime, pasojat që i shkaktonin ato në të shumtën e rasteve ishin të kobshme: uria dhe sëmundjet ishin dhuratat më të shpeshta që ia sillte lufta.
2. Spastrimi etnik - gjeneza e një ideologjie
Spastrimi etnik, kuptohet në përmasa më të vogla dhe në rend të parë si një ideologji, ka si origjinë vendin prej nga e kanë edhe zbatuesit e tij në Ballkan, pra Rusinë. Në njërën nga veprat më të rëndësishme të shkrimtarit të famshëm rus, Leon Tolstoi, të titulluar “Haxhi Murati”, shkruar më se njëqind vjet më parë, gjejmë një lloj definimi të asaj që sot diplomacia ndërkombëtare u detyrua ta quajë me emrin e vërtetë. Duke bërë fjalë për luftën e rusëve (edhe atëbotë për mbizotërim territorial) në njërën anë dhe për luftën për liri të popujve të Kaukazit, së pari të çeçenëve, nga ana tjetër, Tolstoi i vë në gojën e ministrit të ushtrisë, princit Çernishov, këto fjalë: “Mendoj se, sikur qëmoti ta kishin vënë në jetë planin e lartmadhërisë suaj (ministri po i drejtohej carit Nikolaj, vër. H.M.), në mënyrë që, qoftë edhe gradualisht e dalëngadalë, të përparonim, duke prerë malet dhe duke shkatërruar ushqimet, Kaukazi tashmë do të ishte i nënshtruar”. Lexuesi, më tej, në këtë roman do të gjejë shembuj të përshkrimeve që ofron Tolstoi, lidhur me mizoritë ruse mbi popullatën “armike” dhe pronat e saj, veprime të cilat shumë më vonë do të emërtohen me togfjalëshin “tokë e djegur” dhe që nuk ishte gjë tjetër përpos faza e parë dhe vendimtare e strategjisë së quajtur “spastrim etnik”. Pra, në qoftë se Rusia cariste plot 150 vjet më parë e kishte konceptuar teorikisht spastrimin etnik dhe kishte nisur me zbatimin e tij, pse u desh të kalonin hiç më pak se 150 vjet që dikush të merrte guxim ta denonconte atë? Një spastrim i shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, i cili madje edhe i kalon përmasat tragjike të këtij të fundit, ka ndodhur pas Kongresit të Berlinit dhe, madje, edhe me dijeninë e fuqive të asokohshme. Mëse 600 vendbanime etnike shqiptare u zhbënë brenda pak muajsh.
3. Përvoja e re, një përvojë e hidhur
Luftërat në ish-Jugosllavi (Kroaci, Bosnjë - Hercegovinë dhe Kosovë) sollën mjaft ndryshime, përsa u përket qëllimeve dhe mjeteve të luftës. Është një gjë e ditur se raporti i viktimave ndërmjet ushtarëve dhe civilëve gjatë shekullit të kaluar e në vazhdimësi ka ndryshuar në dëm të të dytëve, mirëpo kjo luftë nuk ka shënuar një “përparim” të mëtejmë vetëm lidhur me shifrat, ngase rrënjësisht ka ndryshuar konceptimi i qëllimit themelor të luftës. Ajo më nuk bëhet për ta mposhtuar kundërshtarin, përkatësisht forcën ushtarake rivale dhe për të marrë kontrollin mbi një territor dhe mbi një popullatë të caktuar, sikundër konceptohej pak a shumë qëllimi i luftës më parë. Serbia po i synonte territoret në të cilat bënte luftë, por tani me një kërkesë pothuajse të paparë në histori. I dëshironte territoret pa popullsinë që jetonte në to, ndërsa metoda që do të jepte rezultate në këtë drejtim, gjithsesi, ishte spastrim etnik. E bindur se lufta për liri ishte rrënjosur thellë në shpirtin e shqiptarëve dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte rezultat i këtyre aspiratave, Serbia u përcaktua që, më parë se ta luftojë rezultatin (UÇK-në), ta zhbënte terrenin në të cilin kurrë nuk pushuan përpjekjet kundër saj. Këtu në rend të parë edhe duhet kërkuar përgjigjja se pse forcat pushtuese serbe në Kosovë bënin ofensiva kryesisht në territoret jashtë kontrollit të UÇK-së dhe pse raporti i të vrarëve civilë - ushtarë nga radhët e shqiptarëve është përafërsisht 10:1. Deportimi me dhunë i gati një milion shqiptarëve gjatë kohës së luftës dhe i më shumë se gjysmë milioni gjatë shtypjes dhjetëvjeçare, djegia e qindra vendbanimeve etnike e të mirave materiale dhe shpirtërore, vrasja e mijëra civilëve, dhunimet e mijëra femrave shqiptare etj., nuk mund të konsiderohen si shfrenim i grupeve paramilitare dhe hakmarrje të forcave serbe për humbjet që kishin realisht në Kosovë, sepse e tërë kjo ishte pjesë e strategjie, e cila synim përfundimtar kishte tokën e Kosovës, por pa popullatën e saj autoktone; pra, pa shqiptarët.
4. Ndërgjegjësimi i pjesshëm
Administrimi i Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, që pasoi luftën nga e cila Serbia u largua kokulur, ishte një rast i mirë që edhe bota ta mësonte jo vetëm atë që dinin shqiptarët, që ata po e përjetonin prej një shekulli me radhë: dëbimin nga vatrat e tyre stërgjyshore apo spastrimin etnik. Në këtë pikëpamje, mund të thuhet se një numër i madh vendesh demokratike tani e pranojnë faktin se në Kosovë dhe në Bosnjë - Hercegovinë është zbatuar një strategji e këtillë ushtarake dhe se spastrimi etnik, tok me holokaustin, lirisht mund të konsiderohen si tmerret më të mëdha që përjetuan civilët gjatë shekullit të kaluar. Mirëpo, ky ndërgjegjësim nuk është shtrirë edhe në shumë pjesë të tjera të botës. Madje, mund të thuhet, se nuk shtrihet sidomos në ato vende në të cilat mund të hetohet elemente të veprimeve të ngjashme me ato që ndodhën në këto treva. Bie fjala, po ta dënonte Rusia spastrimin etnik në trevat e ish-Jugosllavisë, ajo përnjëherë, me logjikën e automatizmit, do t’i dënonte edhe veprimet e saj të sotme mbi popullatën civile çeçene. Ndërgjegjësimi lidhur me pasojat që ka shkaktuar spastrimi etnik nuk ka lëshuar rrënjë pothuajse fare te serbët, shteti i të cilëve, përmes politikës dhe ideologjisë, i bëri shumë prej tyre autorë në këto veprime makabre. Dikur, në Serbi, më parë mund të gjeje arinj polarë sesa mbrojtës të të drejtave të shqiptarëve dhe të boshnjakëve. Por edhe sot, fatkeqësisht, gjendja nuk ka ndërruar shumë. Pas gjithë atij spastrimi etnik të bërë në Bosnjë - Hercegovinë, shumica e serbëve flasin me krenari për rezultatin e gjenocidit, krenohen me Serbska Republikën e ngritur mbi shkrumbin e hirin e fshatrave dhe të qyteteve të djegura boshnjake, sikundër që, pas gjithë atyre tmerreve, pa menduar fare se ekziston integriteti moral i njeriut, krenohen se e kanë ruajtur integritetin territorial mbi Kosovën. Shumë luftëra dhe shumë tmerre, fatmirësisht, janë zëvendësuar me paqen dhe kjo u ka sjellë të mira edhe atyre që luftonin për të zaptuar më shumë territore, edhe atyre që mbronin vatrat e veta; shumë popuj janë pajtuar pas dekadave të përgjakshme dhe tani ato kujtohen vetëm si një ëndërr e keqe. Mirëpo kjo s’ka mundur të arrihej dhe as që mund të arrihet ndonjëherë pa një ndërgjegjësim të mirëfilltë lidhur me tërë atë që ka ndodhur.
Krijoni Kontakt