MARKSIZMI - I VDEKUR OSE I GJALLË?
Në tekstet që vijojnë unë nuk do të diskutoj shumë për mendimet e mia personale por do të prek disa mendime rreth ideologjive të vjetëra, të cilat kishin rëndësi të madhe për zhvillimet në shekullin XX.
"Marksizmi është i plotëfuqishëm sepse ai është i vërtetë". Këto fjalë të Leninit janë të diskutueshme. Në vitet e fundit disa studiues kanë vënë në dukje se shumë nga tekstet e Marksit nuk u botuan vetëm në mes të shekullit të kaluar. Studiuesi suedez Sven-Eric Liedman bën përfundimin: "Marksizmi është plotësisht jo-aktual sot, ndërsa Marksi vetë ka më shumë për të na thënë se sa për një kohë të gjatë."
Ish-kryetari i Partisë majtiste të Suedisë (ish-Partia komuniste) CH Hermansson po përdor një metodë marksiste në një projekt të iniciuar që në vitin 1943 me librin "Suedia - shtet i kapitalit monopolist". Libri i tij i fundit ka titullin "Pushteti i ndërmarrjeve - dhe pushteti mbi ndërmarrjet." C H Hermansson bën analiza të hollësishme të strukturës së pushtetit kapitalist suedez; ai ka krijuar shprehjen "të pesëmbëdhjetë familjet".
Kapitalizmi suedez është historia e koncentrimit të pushtetit. Nuk ka asnjë vend në Evropë ku pushteti ekonomik është aq i koncentruar sa në Suedi - dhe kjo do të thotë edhe pushteti mbi shoqërinë - dhe në asnjë vend tjetër ka një familje me një pozitë aq të fortë ekonomike sa familja Wallenberg. Dhe ky koncentrim është gjithmonë në rritje.
Sipas Hermanssonit mjeti i vetëm për të shkatërruar pushetin e kapitalit monopolist është demokratizimi i ekonomisë. Dhe në plan të parë ai flet për demokracinë industriale - punëtorët duhet të marrin prodhimin në duart e tyre.
CH Hermansson nuk shkruan shumë për një strategji që mund të realizonte këto plane nga ana e klasës punëtore. Duke qenë se as majtistët as partitë e tjera suedeze nuk janë në favor të një revolucioni të dhunshëm, problemi i strategisë mbetet jetike për të kryer këtë transformim. Dhe kush mendon se Suedia - në kushtet e sotme ndërkombëtare - mund të bënte dicka të tillë?
GLOBALIZIMI
Intelektuali gjerman Thilo Bode ka shkruar një libër mbi globalizmin "Die Demokratie verrät ihre Kinder", me interes edhe jashtë Gjermanisë, duke qenë se Bode ka punuar në Bankën Botërore, ka qenë administrues i ndihmës për vendet në zhvillim dhe Sekretar i përgjithshëm i organizatës Greenpeace.
Bode në fillim vizaton një pamje të zymtë: Globalizimi në hijën e luftës kundër terrorizmit ka shtuar pasigurinë në botë, luftërat dhe uria po përhapen në vendet më të varfëra dhe shkatërrimi ekologjik vazhdon me shpejtësi të madhe.
Disa flasin ose për më shumë ndikim politik ose për një treg më të gjerë për të përballuar problemet e globalizimit. Bode flet për të dy: Ai mendon se rruga e vetme drejt globalizimit të shëndoshë duhet të jetë përmes një ekonomie të tregut nën kontrollin e pushtetit politik. Politikanët duhet të përfaqësojnë interesat publike, duke i dhënë tregut porosi për të kryer këto.
Një shembull: Taksa e karburantit duhet të jetë jashtëzakonisht e lartë, dhe kështu tregu do të stimulohet të furnizojë blerësit me automjete të cilat nuk e dëmtojnë ambientin aq shumë përmes efektit të serrës ("the greenhouse effect").
Mendimet e Bodes prapë mund të konsiderohen si mjaft naive. Ai pohon se firma Mercedes bën marrëzi duke prodhuar veturën e klasës S, dhe kjo për arsye se ky automobil shpenzon tepër shumë karburant. Bode gabon, sepse tregu vepron vetëm në mënyrë racionale. Vetura Mercedes të klasës S ekziston për arësye se ajo mund të shitet. Në këtë rast nuk është me rëndësi se kjo veturë është e paarsyeshme nga pikëpamja ekologjike, se prodhimi i saj është në kundërshtim me interesat e majorancës. Në botën e tregut nuk sundon demokracia por fitimi ekonomik. Dhe Bode nuk merr parasysh se klientet e Mercedesit mund të transformojnë pushtetin e tyre ekonomik në një pushtet politik - duke përdorur metoda të ndryshme mjaft të rafinuara.
Kështu, mbetet pyetja: Si mund të krijohet globalizimi i drejtë, i shëndoshë? Dhe më këtë pyetje ende pa përgjigje përfundoj këtë diskutim.
Krijoni Kontakt