Zv/Kryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Konferencës Europiane të Ministrave të Transportit, Jack Short.

Duke e konsideruar këtë organizatë si mjaft të rendësishme në drejtim të zhvillimit të transportit europian dhe atij ndërkombëtar, zoti Meta u shpreh në takim se zhvillimi i transportit është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, pasi transporti dhe infrastruktura janë elemente kryesore të zhvillimit të vendit. Për këtë qëllim, ai tha se qeveria shqiptare është përpjekur të mobilizojë në këtë drejtim të gjitha burimet e brendshme si dhe të sigurojë burime financiare nga donatorë të huaj për zhvillimin e transportit dhe infrastruktures në vend.

Zoti Meta theksoi se qeveria shqiptare është mjaft e interesuar për nxitjen sa më shpejt të projekteve për ndërtimin e Korridorit 8.

Në vijim të bisedës zoti Meta theksoi rendësine e zhvillimit të korridoreve të shumëllojshme rajonale të transportit jo vetëm të atij rrugor por dhe hekurudhor, detar e ajror.

Nga ana e tij Zoti Jack Short vlerësoi pëpjekjet e bëra nga qeveria shqiptare në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës dhe sistemeve të transportit. Ai tha se Konferenca Europiane e Ministrave të Transportit është një organizatë mjaft aktive në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në fushën e transportit. Në këtë kuadër, ai u shpreh se Konferenca Europiane e Ministrave të Transportit (CEMT) është e gatshme të japë kontributin e saj nëpërmjet ekspertëve për lehtësimin e realizimit të projekteve në fushën e transportit.