Prof. Agron F. Fico
Manhattan New York
20 korrik 2003
IDENTITETI KULTUROR I SHQIPTARËVE NË AMERIKË
Fytyra e emigracionit shqiptar,në Amerikë, ka ndryshuar dhe po ndryshon në
tri dimensione : në cilësi, në pamje dhe sasi pas viteve 1990,në Shqipëri,
periudhës së lindjes së sitemit të ri politik-shoqëror, sistemit demokratik dhe,
gjithashtu pas vitit 1999 në Kosovë, e çliruar nga pushtimi ushtarak serb..
Të ardhurit janë nga e gjithë Shqipëria, madje, në ndryshim nga emigracioni
tradicional, shumica janë nga pjesa veriore e vendit dhe nga shqiptarët e Malit
të Zi, të Kosovës dhe të Maqedonisë. Ata vijnë nga shtresat më të ndryshme të
shoqërisë: fshatarë të fushës dhe malësorë, qytetarë dhe provincialë, janë të
rinj dhe të moshuar, në formimin e tyre kulturor-arsimor ka shumë të shkolluar,
studentë, intelektualë të fushave të ndryshme, si aktorë, studjues, mjekë,
inxhinierë, agronomë, gazetarë, etj. Ndër ta vihet re një njohje e pakët e
kulturës fetare, kushtëzuar nga ai qëndrim tepër negativ i sistemit totalitar, që
iu nënshtruam të gjithë.
Kjo etapë e re e emigracionit shqiptar përkoi me vite ndryshimesh të
theksuara në shoqërinë amerikane. Ajo në vitet '90-2000, që kishte si president Bill
Klinton, u karakterizua nga një ngritje e madhe e ekonomisë dhe rritje e
mirëqënies qytetare, edhe sot, pavarësisht nga një farë ngecjeje relative e
prodhimit, SHBA është bërë një superfuqi ekonomike-politike-ushtarake.
Sot amerikanët fitojnë dy herë më shumë se në vitet '50 dhe punojnë më shumë.
Shoqëria amerikane, si shoqëri konsumi, përdor gjerësisht arritjet e fundit
të shkencës bashkëkohore; pothuajse secili ka makinën e vet, DVD, kompjuterin
familjar, fëmijtë luajnë me "game boy" etj. Globalizmi dhe makdonalizmi, aq të
diskutuara jashtë Amerikës, formojnë tiparin e shoqërisë dhe jetës amerikane.
Në këtë mjedis shoqëror, politik e kulturor e filluan jetën e tyre këto
kontigjente të reja emigrantësh shqiptarë, të cilët kanë ardhur nga Shqipëria me
rrugë të ndryshme (me anë të llotarisë, me anë të rishtetëzimit, marrjes së
nënshtetësisë nga prindërit, sponsorizimeve të punës, azilit politik, por
fatkeqësisht mjaft edhe në rrugë të paligjshme).
Shqiptarët, të gjendur përballë kësaj sfide të fuqishme
ekonomike-sociale-politike dhe kulturore dhe të ardhur nga një vend tepër i varfër ekonomikisht,
por më të varfër nga kultura politike, shoqërore,fetare dhe nga mosnjohje të
shtetit ligjor etj. u përpoqën, secili sipas mënyrës së vet, të adoptoheshin në
këtë realitet të ri ekonomik-shoqëror. Paradoksi është se ndërsa komunitetet e
tjera, me organizim dhe mendim të qartë, kanë krijuar për bashkëvendasit e
vet mjedise të mirëfillta gjuhësore, kulturore dhe etnike, ne shqiptarët jemi
ende larg këtyre arritjeve.
Ka munguar dhe mungon një synim i qartë gjuhësor dhe kulturor nga ai shtyp i
pakët, madje edhe ndonjë stacion televiziv në gjuhën shqipe, në këtë masmedia
shqiptare mbizotëron tematika politike për gjendjen dhe ngjarjet në Shqipëri,
Kosovë, Maqedoni. Të kuptohemi qartë, kjo është një gjë e mirë, por jo e
mjaftueshme. Madje, edhe mjaft organizata shqiptare, me emëra luftëtarësh dhe
kapedanësh ose ngjarjesh historike etj. që kanë në aktivitetin e tyre edhe punëra
që meritojnë të vlerësohen, dhe në raste të caktuara, edhe të nderohen, u ka
munguar dhe u mungon vëmendja dhe shqetësimi i duhur për aspektet kulturore
dhe, mbi të gjitha, për gjuhën shqipe, si faktori kryesor i vet komunitetit, por
edhe si elementi bazë në bashkimin e vet këtij komuniteti. Ndryshimet
thelbësore në Shqipëri drejt një shoqërie demokratike të tipit perëndimor (edhe me
papjekuritë e njohura të këtij fenomeni kompleks), kanë krijuar raporte të reja
cilësore midis Diasporës dhe vetë Shqipërisë. Kjo ka sjellë rritjen e
përpjekjeve të kësaj Diaspore për të ndihmuar ekonomikisht, por mbi të gjitha për të
përcjellë përvojën demokratike të Amerikës në ngritjen dhe konsolidimin e
institucioneve dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Por vetë kjo Diasporë, në këto
kushte të reja historiko-shoqërore, nuk ka vëmendjen e duhur, madje as shihet
ndonjë përpjekje për të dhënë ose krijuar fonde për problemet e brendshm të saj, që
janë gjuha shqipe, si baza e identitetit kultural dhe etnik, traditat e
pasura kulturore. Duket se politizimi i theksuar i vetë proceseve
politiko-historike, elementet periferikë në drejtimin e disa nga organizmave shqiptarë në
Diasporë, dhe mungesa e një vizioni të qartë e shkencor, ia ka lënë në spontanitet
këto probleme madhore të saj…
Shtrimi i këtyre probleme, në rrethana të reja ndryshimesh pozitive "këtu"
dhe "atje", nuk lë na harresë, ose pakëson ato arritje të deritanishme, por që
sot bëhen të pamjaftueshme. Ajo që u bë në vitet 1996-2000 në Miçigan, në
Kolegjin e Shën Mërisë, që sipas gjykimit të Profesorit të nderuar Petër Priftit
synonte të bëhej "një magnet i fuqishëm për shqiptarë dhe amerikanë, si dhe një
model për lokalitete të tjerë në Shtetet e Bashkuar të Amerikës". (Revista
"ATDHEU"- Fatherland, viti II, nr.2/3, qershor 2000, New York, f. 21), po të
kishte përkrahjen e diasporës, do të mund të kthehej nga një shkëndijë, në një
vatër-mësimi për gjithë komunitetin, një sofër të madhe dhe të përbashkët të
gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Si shqiptar dhe intelektual ke gëzim kur merr pjesë në aktivitetet e
organizuara me aq pasion nga organizata "Motrat Qirjazi", ose kur ndjek një ngrënie
mëngjesi(Breakfast) pas ritualit fetar në kishën ortodokse shqiptare në Queens,
ose dëgjon diskutimet e zjarrta midis një grup studentësh shqiptarë nga Mali i
Zi etj, për hapjen e një kursi elementar për gjuhën shqipe në Wayne State
University (Miçigan) etj, por njëkohësisht ndjen dhimbje shpirtërore dhe shock
kulturor kur dëgjon sa dobët artikullohet gjuha shqipe, sa pak vlerësohet ajo në
të folur dhe në të shkruar në këto tubime thjesht shqiptare, madje në rastin
e studentëve dëgjon edhe vlerësime absurde si ai "flet tri dialekte:
gegënisht, toskënisht edhe shqipen letrare !"
Intelektualet e ardhur nga Shqipëria i ndajnë këto shqetësime midis tyre,
sepse me shpirt dhe mendje ata jetojnë me gjithë fatet e popullit, kulturës dhe
gjuhës shqipe. Shkrimtari, gazetari dhe komentatori njohur i sportit, Skifter
Këlliçi, sa herë bisedoj me të, shqetësimi i tij kryesor është gjuha shqipe.
"Dëgjo, or mik, po prishet gjuha shqipe nga pakujdesia e gazetave... Ngatërrohet
e kryera e thjeshtë me të kryerën... Emrat e huaj nuk shkruhen drejt etj.
etj. Do t'i shkruaj Akademisë së Shkencave që të krijojë një sektor për
pastërtinë e gjuhës shqipe… Madje, mund t'i shkruaj edhe Presidentit të Republikës që
të dekretojë një ligj, si francezët, për të ndëshkuar ato gazeta ose
institucione që lejonë prishjen e gjuhës…" Intelektuali Sezar Kavo, jo vetëm që mban
gjallë këngën polifonike të Jugut, por shpreh dëshirën e bukur që "edhe ne
shqiptarët, ashtu si komunitetet e tjera, të organizojmë ditën e kulturës shqiptare,
me parakalim veshjesh të kostumeve kombëtare, muzikë me instrumente
folklorike, ashtu si bëjnë skocezët, irlandezët, italianët në Aveniunë e pestë, në
Manhataninin e famshëm…" "Sa mirë do të jetë po të organizojmë "sofrën tiranase",
kumtonte specialisti i kulurës dhe i pasionuari pas muzikës folklorike,
Mustafa Basha. "Aty do të parakalonin jo vetëm kostumet e Tiranës, por edhe një
ekspozitë me pamje nga vendet historike të kryeqytetit tonë, gatimet e
karakteristika të tjera." Pra, ky shqetësim intelektual është si ajo lënda e fuqishme
djegëse që merr flakë e kthehet në energji, po të ketë përkrahje dhe financim nga
kjo Diasporë.
Formimi i një integriteti kulturor shqiptar është një proces kompleks, që
është i dyanëshëm, d.m.th. që vetë Diaspora të ndërgjegjësohet dhe të marrë
përgjegjësi të plotë në këtë proces. Rruga tjetër është që Shqipëria, Kosova t'i
kthejnë sytë nga ky shqetësim dhe të japin ndihmën e kualifikuar dhe të
nevojshme. Instucionet kulturore, shkencore private dhe shtetërore, të ndërrmarrin
aksione konkrete për të ndihmuar Diasporën me organizim tubimesh të përbashkëta
për problemet e gjuhës dhe kulturës, të traditave etnike, të nxisin dërgimin e
librave, revistave, kasetave, vidiove, etj. në Diasporë në formë biznesi dhe
shkëmbimi.
Institucionet fetare në Diasporë njëkohësisht të kapërcejnë një farë kufizimi
që kanë në organizimin e aktiviteve kulturore dhe artistike në mjediset e
tyre, duke u kënaqur me elemente të rastit dhe amatore. Ato, duke iu përmbajtur
funksionit të tyre kryesor publik dhe fetar, kanë hapësirë për një bashkëpunim
më të gjerë më specialistë, aktorë, regjisorë, këngëtarë profesionistë,
specialistë të gjuhës dhe të kulturës, të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova.
Shqetësimi ynë për ngjizjen dhe formimin sistematik të këtij identiteti, në
radhë të parë duhet të prekë, qelizën bazë të komunitetit shqiptar, familjen.
Në familje, jo vetëm është mirë të flitet shqip midis anëtarëve të saj, e
veçanërisht me fëmijët, po të flitet aty për Skënderbenë dhe Nënë Terezën, për Naim
Frashërin dhe Gjergj Fishtën, për Rexhep Qosen dhe Ismail Kadarenë. Familja,
në kushtet e mjedisit emigrues, është edhe shkolla dhe radjoja, televizioni
dhe libri në gjuhën shqipe. Natyrisht, ekonomia kapitaliste kërkon punë të fortë
dhe lë pak kohë për këto "aktivitete kulturore", por me pasion dhe me
dëshirën e mirë bëhet mirë dhe bukur. Aktori Leka Bungo, që synon të hapë një program
televiziv në New York, dëshiron që vendin kryesor t'ia kushtojë gjuhës
shqipe, familjes shqiptare e cila me te drejtë, sipas tij, "nuk ka kohën e duhur dhe
ka nevojë për ndihmë nga institucione të specializuara..."
Domosdoshmëria e këtij zgjimi dhe rizgjimi bëhet edhe më e mprehtë po të kemi
parasysh se vetë shoqëria amerikane, një shoqëri tepër e sofistikuar dhe
teknologjike, përpiqet ta përballojë sfidën e indentitetit të vet me faktorë
kulturore dhe shpirtërorë. Në SHBA ka dhjetra e dhjetra qendra të fuqishme
fetaro-propagandistike, ndër to shquhet ajo e Joyce Meyer në Misuri dhe Joel Osteen
në Hjuston të Teksasit, që u mësojnë mijëra e mijëra dëgjuesve dhe shikuesve
se si të kapërcejnë stresin, si të përdorin kohën, si të ndjekin programet
kulturore dhe artistike etj.
Shoqëria amerikane është një shoqëri shumë-etnike, që krijon realisht mundësi
të pakufizuara për zhvillimin e identitetit kulturor, që buron nga liria e
plotë që gëzon individi në gjirin e kësaj shoqërie të demokracisë klasike.
Identiteti kulturor është një proces i përhershëm social-etnik, që ngjizet në
familje dhe zhvillohet në komunitet, por ai kërkon dashuri, përkushtim dhe veprim.
Krijoni Kontakt