Kuvendi i Shqipërisë dhe Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropian do të zhvillojnë një tryezë të rrumbullakët për ligjin e ri të Buxhetit të Shtetit. Pjesëmarrësit e një tryeze të rrumbullakët, që do të organizohet ditën e hënë në Tiranë, do të diskutojnë mbi ligjin e ri për buxhetin.
Tryeza e rrumbullakët, e titulluar “Procedurat Parlamentare dhe Financat Publike: Një ligj i ri për Buxhetin e Shtetit”, do të fokusohet në ndryshimet e mundshme në ligjin organik të buxhetit, duke përfshirë shqyrtimin e afateve të përgatitjes së buxhetit vjetor për t’i dhënë Kuvendit një rol më të madh në këtë proces dhe për të rishikuar propozimet e qeverisë. Kjo tryezë e rrumbullakët është vazhdim i një sërë diskutimesh mbi buxhetin të zhvilluara më parë nga komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat mbi Buxhetin e Shtetit për vitin 2003, Programin Buxhetor Afatmesëm dhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin Ekonomik dhe Social (SKZHES). Tryeza e rrumbullakët organizohet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në kuadrin e projektit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për modernizimin e aftësisë së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Pjesëmarrësit në tryezën e rrumbullakët do të përfshijnë anëtarë të komisionit për Ekonominë dhe Financat, si dhe përfaqësues nga komisionet e tjera parlamentare.