Kriza ekonomike, grekët dynden për pazar në Korçë
KORCË- Kriza e thellë ekonomike, si dhe rritja marramendëse e çmimeve në Greqi ka bërë që banorë të vendit fqinj të dynden në qytetin e Korçës për të bërë pazar. Jo vetëm gjatë fundjavës, por edhe në ditë të zakonshme, në tregun e shumicës së fruta-perimeve në qytetin juglindor dynden blerës grekë me automjetet e tyre. Shumica e tyre blejnë fruta e perime për nevojat familjare, por nuk mungojnë edhe ata që kanë filluar të marrin me shumicë dhe të bëjnë tregti me pakicë në vendin e tyre. Sipas tregtarëve dhe fermerëve vendas, dy janë arsyet që i sjellin deri në Korçë blerësit grekë. Së pari çmimet e fruta-perimeve, të cilat janë 4–5 herë më të ulëta se në Greqi. Por, edhe se prodhimet që tregtohen në pazarin e Korçës janë bio dhe pa kimikate të rrezikshme. “Kriza sa vjen dhe thellohet në Greqi. Rritja e çmimeve është e papërballueshme nga shtetasit grekë, disa prej të cilëve (kryesisht ata që banojnë në zonat kufitare me vendin tonë) kanë kohë që vijnë dhe bëjnë pazar këtu në Korçë.
Tek ne 1 kg domate blihet 40–50 lek, në Greqi ajo blihet 2–3 Euro. Për më tepër që domatja e Korçës është e pjekur në mënyrë natyrale, ndërsa në Greqi shiten edhe domate të skuqura me kimikate të ndryshme”, - thotë për “Gazeta Shqiptare”, tregtari Syrja Pulaha. Sipas tij, pothuajse i gjithë prodhimi që ai ka nxjerrë në tregun e qytetit që prej disa ditësh është blerë nga shtetas grekë. Ndërkohë, tregtarë të tjerë korçarë deklarojnë se më të kërkuarat prej blerësve grekë janë perimet e dimrit: Si fasulet, patatet, lakrat, por nuk mungojnë edhe frutat. Fermerët shqiptarë shprehen se prodhimet e tyre janë bio dhe më të lira se sa në tregjet greke, ndaj edhe ka dyndje të familjarëve e tregtarëve grekë. Bërja e pazarit në tregun e Korçës apo kudo ku tregtojnë fermerët, është një zgjidhje praktike për të zbutur sado pak krizën ekonomike që ka përfshirë shtetin grek. Në fillim ishin emigrantët shqiptarë blerës të perimeve, frutave, mjaltit, etj., por këtë vjeshtë ka ardhur në rritje edhe numri i blerësve grekë.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt