QUHET ETHE HEMORAGJIKE. VDES NJE
--------------------------------------------------------------------------------
Odeta Halili
TIRANE
Panik në spitalin Infektiv të Qendrës Spitalore. Një grua nga Hasi, 35 vjeç ka vdekur nga ethet hemoragjike, ndërkohë dyshohet se virusi ka prekur dhe të afërmit e saj. I shoqi dhe vëllai i tij, 45 dhe 50 vjeç prej tri ditësh janë nën kujdesin e mjekëve të Infektivit. Këta të fundit pohojnë për Gazetën se analizat laboratorike nuk janë konfirmuar ende, megjithatë simptomat janë të qarta dhe të ngjashme me ato që kish shfaqur gruaja para se të mbërrinte me urgjencë në spitalet "Nënë Tereza".
Shkaku
E kanë shkaktuar minjtë apo riqnat(lloj insekti)? Mjekët janë në dilemë për të dhënë një përgjigje të saktë. Vetëm pas analizave gjërat do të jenë më të qarta, sigurojnë ata, ndërsa sqarojnë se virusi transmetohet nga kafshët te njeriu, dhe është specifik në ato zona ku mbarështohen kafshë shtëpiake. Para dy vjetësh u izolua një fshat i tërë në rrethinat e Hasit, ndërsa specialistët e Institutit të Shëndetit Publik rendën të dizifektonin shtëpitë. Që prej asaj kohe kjo sëmundje nuk shkruhej në diagnozat e doktorëve të Infektivit, me përjashtim të një rasti të 2001-it, që vinte po nga Hasi, por që ia hodhi vdekjes. Ditën e dytë të qershorit të sivjetshëm virusi mbërriti prapë në Infektiv, këtë herë mbolli vdekjen. "Eshtë sezoni i sëmundjes, shfaqet kryesisht në verë", thotë prof.dr Elmas Eltari. Sipas tij në Ballkan, sidomos në Kosovë, qarkullojnë dy tipe të etheve hemoragjike.
Rrëfimi
Më datë 2 qershor 35 vjeçarja vuri këmbë në spitalin Infektiv të QSUT-së. Vinte me urgjencë nga spitali Hasit, disa kilometra larg fshatit ku banonte, me një letër përcjellëse nga mjekët e atyshëm. Infermieret dhe specialistët e Infektivit janë shokuar nga gjendja e rënduar e gruas së re. "Kishte hemoragji të tmerrshme. Temperatura dhe ethet nuk e lëshuan për asnjë çast derisa dha shpirt", tregojnë infermieret e spitalit. Pas dy ditësh vdiq. Të afërmit morën rrugën e kthimit për të kryer ceremoninë e përmortshme. "Dy ditë më vonë u dukën prapë në derë të spitalit", vijojnë punonjëset e shërbimit, këtë herë për t'u dorëzuar ata vetë specialistëve, kishin të njëjtat simptoma, ethe dhe temperaturë të lartë. Janë kryer me urgjencë analizat paraprake, ndërkohë një grup inspektorësh nga Instituti i Higjienës kanë marrë përsipër konfirmimin e tyre. "Nuk mund të them asgjë. Përgjigja e analizave del të premten", tha dje shefi i pavionit, Kozma Tavanxhi. Ai siguroi se pacientët janë jashtë rrezikut për jetën edhe nëse laboratori konfirmon për ethe hemoragjike, "prapë, në këtë fazë them se infeksioni nuk rrezikon jetën", tha më tej doktori.
Atmosfera
Maskat dhe dorezat në gojët dhe duart e infermiereve rikthejnë jehonën e SARS-it të, që mbërtheu spitalin Infektiv, para pak javësh, kur drejtoria e QSUT-së "shpërndau" për punonjësit e shërbimit masat anti-SARS. Pacientëve, që të dy në një nga dhomat e katit të parë të Infektivit, u shërben përveç infermiereve dhe një e afërme e tyre, edhe ajo me një palë doreza në duar. Pa maskë. "Virusi nuk transmetohet me anë të frymëmarrjes, megjithatë ne i përdorim", thanë infermieret. Pacientët refuzuan të flisnin. Gjithë ç'ka ndodhur, shfaqjen e simptomave te gruaja, e më pas në organizmat e tyre, temperaturën, ethet, të gjitha detajet e sëmundjes dhe shqe tësimet ua kanë përcjellë doktorëve në rrëfimin e tyre. "Do të ikim prej këndej", thonë, ndërsa për momentin numërojnë orët e vapës në Infektivin e QSUT-së.
Ç'janë ethet hemoragjike
"Duke u nisur nga vetë emri, ethe hemoragjike merren me mend shenjat e sëmundjes, ethe dhe hemoragji", tha prof.dr. Elmas Eltari. Ka patur vdekshmëri të lartë në fillimet e saj, është zbuluar si sëmundje në 1988-ën, sot nuk është më vdekjeprurëse, "megji-thëse për të si për të gjitha viruset nuk ka ndonjë mjekim specifik. Njihen disa lloje të etheve hemoragjike, në Ballkan qarkullojnë dy", tha Eltari. Përcillet nga kafshët te njeriu, por atë mund ta përcjellë dhe një i sëmurë. Transmetimi bëhet me kontakt të ngushtë.
Flet shefi i reanimacionit
Pilaca: "Virusi vjen nga Kosova"
"Virusi mund të vijë nga Kosova", tha dje doktor. Arben Pilaca, shef i reanimacionit në Spitalin Infektiv. Sipas tij përsëritja e tij në të njëjtën zonë, në rrethinat e Hasit, nuk është koeçidencë.
Eshtë përcaktuar se pacientët janë prekur nga ethet hemoragjike?
Jo nuk mund të flasim ende për diagnozë përfundimtare. Për rastin e gruas që vdiq po, simptomat ishin të qarta.
Kur është shënuar rasti i fundit në Infektiv?
Dy vjet më parë, pacienti i prekur vinte nga Hasi dhe u shërua plotësisht.
Si e shpjegoni përsëritjen e sëmundjes në të njëjtën zonë?
Për mendimin tim shfaqja e sëmundjes në fshatrat e Hasit lidhet me afërsinë që ka kjo zonë me Kosovën. Unë kam qenë në Kosovë dhe kam parë hartën e etheve hemoragjike, vatra të tëra të sëmundjes. Atje ky virus është shumë i përhapur.
Nga se shkaktohet?
Për rastin konkret mund të them se është shkaktuar ose nga një lloj miu, që njihet si miu me shirit të verdhë, (jashtëqitjet e tij mund të kenë infektuar ushqimin, nuk përjashtohet dhe mundësia e ndonjë kafshimi). Por virusin mund ta përcjellë dhe një lloj insekti, riqna.
KARAKTERISTIKAT E SEMUNDJES
- SHENJAT E SEMUNDJES JANE TEMPERATURE, ETHE DHE HEMORAGJI
- NUMEROHEN 10 LLOJE TE ETHEVE HEMORAGJIKE
- DY QARKULLOJNE NE BALLKAN
- PREK MOSHAT E REJA MBI 18 VJEÇ
- SHFAQET NE FSHATRAT E ZONAVE TE THELLA
- BURIM INFEKSIONI JANE KAFSHET, KRYESISHT MIU DHE INSEKTET
- TRANSMETOHET DHE NDERMJET NJEREZVE ME KONTAKT TE NGUSHTE
- NUK KA MJEKIM SPECIFIK
- SHKAKTON VDEKJEN NE FAZEN E SAJ AKUTE
Krijoni Kontakt