Krimet e Rënda: S’pranohet dëshmia e Loshajt
TIRANE - Vihet në “pikëpyetje” dëshmia e Avdyl Loshajt, të cilësuarit si dëshmitari “kyç” i Prokurorisë në dosjen “Remzi Hoxha” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Dëshmia e shumëkërkuar, e dhënë nga Loshaj në Kosovë, për llogari të gjykimit të tre ish-SHIK-save tek Krimet e Rënda, kishte mbërritur në gjykatë, por ajo nuk u administrua si provë. Shkak për mosbërjen pjesë të dosjes së gjykimit, të dëshmisë të cilësuar “kyç” për çështjen, ishte mungesa e firmës së gjyqtarit kosovar që ka ekzekutuar letërporosinë në gjykatën e Pejës dhe të sekretares gjyqësore të tij. Sipas gjykatës, çdo faqe të procesverbalit të dëshmisë ishte e nënshkruar nga dëshmitari Avdyl Loshaj, por askund nuk ishte nënshkrimi i gjyqtarit të seancës dhe të sekretares gjyqësore. Mungesa e firmës, por edhe probleme të tjera procedurale të vëna re në letërporosi, shkaktuan debat dje mes palëve, pasi mbrojtësit ligjorë pretenduan papërdorshmëri të dëshmisë. Në të tilla kushte, gjykata vendosi dërgimin e një tjetër letërporosie drejt Kosovës. Në letërporosinë e re, sipas vendimit të djeshëm të Gjykatës, autoritetet kosovare do të pyeten nëse mosfirmosja e dëshmisë, është lapsus, gabim njerëzor, apo procedurë ligjore në gjykatat e Kosovës. Burime tepër të rezeruara pohuan se në dëshminë ende të paadministruar Loshaj ka konfirmuar faktet e thëna prej tij mbi rrëmbimin dhe torturimin nga SHIK, në një takimin me Nebi Hoxhën, vëllanë e Remzi Hoxhës në Hollandë vite më parë. ar.ba
Panorama
Krijoni Kontakt