Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 18
  1. #1
    Peja o qytet i bekuar
    Anëtarësuar
    28-03-2002
    Postime
    310

    Me Qenë a Mos Me Qenë.

    Se kongresi i gjuhes ka deshtue, Kosova asht Argument

    I

    E gjitha filloi me një shaka, mu njashtu si te Kundera, i cili nuk do të vijë në Shqipëri. Desha që t'i animoj e argëtoj familiarët e mikut tim në drekën e mirëseardhjes. Përdora gjithë mjeshtrinë time të shtirjes, u theva e përtheva, u drodha e përdrodha, u kënaqa së qeshuri vet më vete dhe vetëm në fund po kuptoja se miqtë e mi nuk qeshnin fare...E kuptoni...amerikani, gjermani dhe shqiptari...ha, ha... Nuk po kuptonin gjë prej gjëje. Unë isha koshient për dallimet në të folur andaj edhe e kisha rrëfyer, për mendimin tim, me një gjuhë mjaft të hekurosur. Nuk e besoni se sa i bukur dhe i qëlluar është ky vic. Vic?! më shikuan habitshëm. Shaka apo barcoletë, si i thuani ju. Aha... Ylli, miku im i dashur, qeshi sa për kurtoazi, e ngriti dollinë dhe deshi t'i japë dalje kësaj situate. Shumë e bukur, më pëlqeu. Ja që, i biri dymbëdhjetëvjeçar i tij, duke dashur që të kuptojë me patjetër, insistonte...Ç'thotë xhaxhi, më thuaj, ç'thotë? Ylli atëherë mori t'ua përkthente shakanë familiarëve të cilët, vetëm pasi ua përktheu Ylli qeshën, jo më me kurtoazi, por me shpirt. Iu kthyem piatave. Cingërima e escajgut më bëri të zhytem në mendime dhe po më ikte humori, disponimi. Të jetë e mundur. Këta nuk më kuptojnë fare. Cila gjuhë është shqipe në këtë tavolinë? Ne paskemi nevojë për përkthyes mes vedi. A është e mundur se alienimi ynë ka këso përmasa. Ylli, duke e parë çehren e ngrysur timen, mori dhe na e tregoi atë vicin e njohur për gjirokastritin. I tha gjirokastriti gruas t'i ziej dy vezë për drekë dhe hipi në çati për ta rregulluar antenën...Plasa gazit, aq më parë se unë përmes Yllit nuk e kisha të huaj përgjithësimin për kopracllëkun e gjirokastritëve që ma kujtonte atë të gjakovarëve tek ne. Dollia dhe sërish piatat. E zura veten duke menduar sesi unë e kap humorin e thënë përmes të folmes së tyre e s'kam nevojë për përkthyes. Ç'paska ndodhur kështu mes nesh ? Muri! Okej, këtë e di. E di, gjithashtu, nga një teptisje krenarie e shikimi prej vizionari të tim et e të gjithë gjeneratës së tij se këta në atë mision historik të vetin sikur i kanë bërë lak Murit dhe armikut, duke e bërë të mundur që përmes një Kongresi të krijojnë Gjuhën e Unisuar. Ata lavdëroheshin se ia kanë dalë që ta hudhin litarin matanë Murit, matanë Letës (Lumit të harrimit), duke u lidhur njëherë e përgjithmonë së bashku, "për të mos na zgjidhur më kurrë". Delegacioni i intelektualëve nga Kosova e kishte edhe maksimën e vet: "Një popull, një gjuhë". Por, për këtë më vonë.

    Pas dreke, nisa një konverzim të zakonshëm me bijën nëntëmbëdhjetë vjeçe të Yllit e cila më tregonte për një shoqe të saj nga Tetova e cila sa herë e hap gojën i bën me gaz atë e shoqërinë e saj. Ne e duam por e folmja…ha,ha,ha…Duke qenë se unë ua kisha fituar besimin gocës dhe çunit të Yllit dhe kisha një konfidencë me ta falë dokës sime që atyre u dukej prej italiani, të kaluarës sime prej rokeri, nga fakti se i njihja idhujt e RAI-it, se në garderobën time kishte gjëra edhe nga Benettoni, ne ishim shokë. Unë kalova në anën e çunave dhe gocave nga Shqipëria dhe filluam t’i shohim e komentojmë, t’i shpotisim e përçudnojmë - kosovarët. Stereotipet për një kosovar. Fëmijët e Yllit artikulonin me një sinqeritet gjenuin një opinion që unë do e has kudo, në të gjitha qarqet, por për të cilin sikur ekzistonte një komplot i heshtjes: askush nuk ta thoshte. Po cili është ai opinion të cilin e ka gjithë Shqipëria, por të cilin sinqerisht e mora vesh vetëm nga fëmijtë e Yllit. Çfarë më thanë ata: se janë të trashë në kokë e në të folur; se gjuha jonë, d.m.th. e atyre nga Kosova (unë u bëra njëri syresh) u duket qesharake, njashtu siç u duket qesharake doka dhe veshja e tyre; se në të folur tingëllon germa Ç e përdorur pa vend (çito, çatje, çitu, ç’a ka, çoje, ç’a bone, qysh je…dëgjoje të lutem: kape çito çoje çatje!); habiten me përdorimin e gabuar të fjalëve si: bjeshkatar për alpinist; vozitës (qeshin) për shofer; tollovi për rrëmujë; banesë për apartament; i habiste përshëndetja TUNG; fjalën sajues e përdorin (imagjinoje të lutem!) në kuptimin krijues\autor e jo në kuptimin që në të vërtetë e ka: rrenacak!; kur flasin në telefon (gjithnjë ata, jo unë) pyesin: a është kjo banesa e filanit?, në vend se të thonë: a është familja e filanit? Le të mbetemi te telefoni. Më e bukura - qeshnim të gjithë së toku, edhe unë si njëri prej tyre - kur të thonë në telefon: po të paraqitem nga… pesë minuta qeshje e shqepur. Unë edhe pse qeshja isha i habitur dhe nuk e dija se ç’formë përdornin, ndaj shtiresha ..në vend se të thonin…dhe prita që ta thonë…po të marr nga…etj,etj. Ueeee, më shpërtheu një pasthirrmë kosovare mbyturazi! U desh një kohë gjersa u mbushëm frymë dhe erdhëm në vete nga ato karikatura për kosovarët. Mua më së shumti më dhimbnin ato për gjuhën. Përgjithësimet e stereotipet tjera edhe nuk ishin pa ndonjë mbështetje. I gjeje në të dyja anët. Por, gjuha…Duke qenë njeri prej tyre, unë fillova me ngadalë, duke mos dashur që t’i ofendoj ngase i doja shumë, t’ua fus krimbin e dyshimit përgjithësisht për gjuhën. Fillova, me kujdes, t’u flisja atë që unë dija për gjuhën, për gjithë honin që qëndron mes fjalëve dhe sendeve…fjalët nuk janë sende…“sido që ta quajmë trëndafilin ai do të erëmojë ëmbël si gjithmonë” [1]…fjalët përgjithësisht janë shumë dredharake…Ato shpeshherë për njerëz të ndryshëm kanë kuptim të ndryshëm. Askush nuk mund ta kuptojë fjalën gjer në fund. Mirëpo, njeriu nuk mund shkëputet e shikohet veçan fjalëve. Pa to, ai është i pakapshëm. “Ato janë realiteti jonë i vetëm, ose më të paktën, e vetmja dëshmi e realitetit tonë”. Ne gjindemi në gjuhë si në trupin tonë. Ajo është edhe koracë jona edhe antenë jona. Për më tepër, njeriu nga fjalët krijon një klime verbale, një mjedis të tanë semantik, një semantic environmental. Botë të veten. Ta zëmë, sado qersharakë që duken këta kosovarët, tok me të folmen e tyre, ata në të vërtetë komunikojnë dhe merren vesh mes vete, ngase çdo e folme, çdo dialekt, qoftë ai edhe i kosovarëve, është në të vërtetë një gjuhë. Pastaj, nuk ekziston ndonjë e folme në botë e cila nuk do të mund të kodohej e të quhet gjuhë. Po kjo gjë ndodh edhe me të folmen e këtyre kosovarëve. Ajo nuk është se nuk mund të kodohet e të ngritet në standard. Fakti që ju e flisni këtë gjuhë e jo këtë timen, desha të them të këtyre kosovarëve qesharakë, është vetëm nga shkaku që gjuha juaj ka pasur ushtri e marinë! Gjuha juaj është dialekti që fitue e ka luftën. U thosha me humor se, po të ishte “xhaxhi” Enver nga Peja e jo nga Gjirokastra ju sot do të flisnit si unë. Por, mbi të gjitha, duhet pasur gjithmonë kujdes kur përqesh dhe urren të folmen e dikujt, ngase shumë lehtë urrejtja ndaj të folmes mund të shndërrohet në urrejtje ndaj folësit. Sepse, po them, “fjala është njeriu. Ne jemi të sajuar nga fjalët”. Prandaj, t’i lëmë fjalët që të çojnë dashni, të duhen mes vete, e jo të përqeshen e të zihen.

    Për t’ju dëshmuar se fjalët duhen mes vete e ne jemi ata që i bëjmë të zihen, u kërkova Fjalorin. Në muhabet u fut edhe Ylli. Ma sollën Fjalorin që e kishte mbulue pluhuri. Më vonë e pranoi edhe Ylli se në shtëpinë e tyre rrallë e kurrë përdoret e mbështetet Fjalori. Nuk ka nevojë. Gjuha jonë është e pastër. Le ta nisim nga këto fjalë të rastit që përmendëm, u thashë. Aty dëshmohej se një nga sinonimet e fjalës rrëmujë ishte fjala tollovi, e kishte Fjalori. E shihni, në Fjalor këto fjalë duhen. Les mots font l’amour e citova një thënie të cilën e pëlqeja dhe e kisha mbajtur mend. Natyrisht, edhe si një lloj delikatese të demonstrimit tim. U habitën që të gjithë. Në bisedë hyri edhe e shoqja e Yllit, mësuese. Biseda po i kalonte sinorët e një qesëndisjeje të zakonshme. Fjalori po i vërtetonte që të gjitha. Se shpjegimi i parë për fjalën sajim është ndërtim\krijim. Vetëm nën 4 fjala merrte shpjegimin trillim. Se, është e vërtetë që ne, dua të them ata në Kosovë, të gjetur në një kontekst antikombëtar, e të shituar me një vetëdije kombëtare të vonuar, janë bâ viktima të një purizmi gjuhësor rigid dhe po t’i pyesësh lingvistët kosovarë, gjithçka do të shqipëronin, madje edhe emrat e përveçëm. Që këtej vozitës për shofer, bjeshkatar për alpinist, doracak për manual, etj.etj. Mirëpo, edhe shoqëritë me një kulturë të dëshmuar e të lashtë, siç është ajo franceze, kanë nisur një kampanjë të këtillë puriste në mbrojtje të gjuhës franceze nga ndikimet e anglishtes, apo jo. Ma jep ta shoh njëherë Fjalorin, më tha Ylli. Të gjithë u gjetëm të përkulur mbi Fjalorin që po na i zbulonte gjithë përmasat magmatike të gjuhës. Honin mes fjalëve dhe sendeve, fjalëve dhe kuptimeve të vërteta. Fjalori bënte që gjuha në të cilën jo vetëm familja e Yllit, por çdo familje shqiptare që e ndjente veten në shtëpi, e ku cilido kosovar dukej mysafir, të dëshmonte të kundërtën: se gjuha shqipe qenka gjuhë e të gjithë shqiptarëve e jo vetëm e një dore njerëzish të zgjedhur të përkufizuar me një vijë kufiri; se çdo ton e tingëllimë, klithmë e pasthirrmë, çdo e folme e argo, vernakular, dialekt e sociolekt, standard gjuhësor e normë janë ato që përcaktojnë Atdheun shpirtëror e tingullor siç do ta quante Kafka - gjuhën; se ajo nuk përkufizohet me kufij administrativë e gjeografikë; se gjuhën nuk e bën e as do ta bëjë një Komisi Letrare, një Konferencë Gjuhësore, një diktator, një parti; se standardi i përcaktuem është dhe do të jetë vetëm një moment në gjithëkohësinë e kësaj gjuhe; se Gjuha e ashtuquajtur Standarde paraqet vetëm një suva të papërfunduar të njasaj Katedraleje të Gjuhës Shqipe; se “gjuha është kusht i ekzistencës njerëzore e jo farë sendi, organizmi apo një sistem konvencional shenjash të cilin do ta pranojmë ose do ta hudhim poshtë.”

    E pashë se fjalët po më bëhen flamboyante dhe muhabeti po merr tingëllimë serioze në këtë ambient të dashur timin ku më së paku do doja që gjuha dhe keqkuptimet tona rreth saj të na e prishin atmosferën. U ktheva tek barcoleta e gjirokastritit…Ylli, pa na thuaj edhe njëherë se ç’i tha gjirokastriti që po rrëzohej nga kulmi i shtëpisë gruas që kishte vënë dy vezë për t’u zier:

    - Hiqe grua njërën vezë nga xhezvja se unë vate e shkova…!



    [1] “Zbatimi i GLN (Gjuhës Letrare të Njësuar) nga kosovarët ka dalë një dështim total. Kosovarët duhej të kishin përpunuar dialektin e tyre brenda traditës së pasur të gegërishtes letrare. Ata duhej të ndiqnin shembullin e shkëlqyer të Pjetër Bogdanit, krijuesit të prozës letrare gege, ashtu siç është Manzoni krijues i prozës tregimtare italiane…Gjëja më logjike që duhej të kishin bërë kosovarët, do të ishte të ndiqnin gjurmët e përfaqësuesve të tyre të shquar, aq më tepër meqë dheu i Shkodrës ka nxjerrë një letërsi të klasit të parë, me poetët si Fishta e Mjeda, me tregimtarë si Nikaj e Koliqi dhe madje një shkrimtar socialist pionier si Migjeni…Vështrimi i mësipërm historik na tregon me forcë se qendra e gravitetit të kombit shqiptar, që nga koha e Skënderbeut e deri në shpalljen e pavarësisë duhet kërkuar në Shqipërinë e Veriut” - citue sipas “BOTA SOT”, nr. 5-6,’91, art. i Xh. LLoshit

    vijon
    no respect whatsoever for authority - Richard Feynman.

  2. #2
    Peja o qytet i bekuar
    Anëtarësuar
    28-03-2002
    Postime
    310
    KEQKUPTIMET TONA GJUHËSORE humbnin çdo gjurmë humori në konverzimin e zakonshëm të ditës (ç’thotë më!!!…nga Kosova është?), ambientet letrare, në zyrat e TV-së, në Lidhjen e Shkrimtarëve, në kafenetë e shumta ku me të njohur të mi poetë e shkrimtarë e hapnim çështjen e standardit të gjuhës... Të thuash janë gadi të palexueshme tekstet e juaja diskurzive…pastaj, përkthimet e juaja të letërsisë botërore sa s’duhen bërë sërishmi...E pabesueshme, keni akademik që flet me aq vështirësi e trash sa…nuk mund të përdoret fjala “shituar”, m’vje keq, sepse këtë fjalë mund ta kuptojnë vetëm disa katunde të rrethit të Tropojës… çka do të thotë “Të shituar Utopie”…sintaksa juaj është e tëra e përçudnuar, sllave…nuk e besoni por pikërishtë ajo sintaksë e përçudnuar nga sllavishtja më duket se i jep një tingëllimë interesante shqipes…duhet transliteruar Fishtën sepse për pjesën më të madhe është i pakuptueshëm…kam frikë se e gjithë letërsia e shkruar andej do të mbetet jointeresante dhe pa atraktivitet për lexuesin e rëndomtë shkaku i gjuhës…shiko, ndoshta do duhej që të flijohen dy-tri gjenerata andej nga ju në mënyrë që një ditë të gjithë ta flasim gjuhën bukur…Rreth gjithçkaje mund të sillej biseda, biles edhe andej sa të flijohen disa gjenerata, por kurrsesi dhe në asnjë moment me të gjithë ata që kam bisedue për këtë çështje nuk e vinin në dyshim Gjuhën e Unisuar, normën. Ata ishin pa dilema. Nuk i mundonte e brente asgjë për sa i përket gjuhës dhe normës. Gjithmonë dhe në çdo situatë biseda zhvillohej mes Qendrës (atyre) dhe Periferisë (neve), mes Metropolës dhe Katundit, mes Atyre gjuhësisht të civilizuar dhe Neve gjuhësisht të prapambetur, mes Normës dhe Devijimit, të Bukurës dhe të Shëmtuarës. Vetëm atëherë dhe atje, në Shqipëri, u bëra koshient për gjithë përmasat e tabusë së standardit gjuhësor. Vetëkënaqja dhe mungesa totale e dyshimit më çonte sërish tek ai përkufizim diagnostik imi: Të shituar Utopie! (Si nuk e kam kuptue menjëherë?!) Kjo shoqëri shitue Utopie,e bindur se mbërri ka në komunizëm dhe po jeton komunizmin, njëlloj ka jetue e aplikue një komunizëm gjuhësor. Mungesa totale e dyshimit në normë m’i zbulonte si shoqëri që po e jetojnë dhe gëzojnë një Utopi gjuhësore. Dhe, arsyetimi kryesor i tyre ishte ky: nëse e paskemi huqur sistemin, të paktën na mbetet një punë kolosale, Unifikimi i gjuhës. Në e paqim humbur rrugën për në Komunizëm, të paktën Komunizmin gjuhësor e kemi gjetur. Mund të na shajnë për shumëçka, por një gjë do të mbetet - Gjuha e Unifikuar! Ata e kishin mendjen e fjetur. Pikë dileme s’kishin. Kjo tashmë është një punë e mbaruar, sot e njëqind vjet. Jo po, sot e një mijë vjet. Duhet vetëm të presim që kosovarët t’i flijojnë nja dy-tri gjenerata dhe të gjithë së toku do e shijojmë këtë - komunizëm gjuhësor. Këtë parajsë gjuhësore.

    Dhe, përsa i gjithë ky problem (që për shumicën ishte i paqenë, i shpifur) mbetej vetëm në suaza të një konverzimi të përditshëm, nuk e përjetoja aq rëndë. Por, kur ky problem (i paqenë, sic!) përthehej konkretisht, duke vënë në dyshim gjithë ç’është krijue në Kosovë, duke zbulue muret e pakalueshme të gjuhës kuptue si Kështjellë, duke shkaktue asi lloj paragjykimesh e përgjithësimesh për kosovarët sa të vjen turp t’i përmendësh, këtë problem tashti e përjetoja si germ të një shqetësimi të madh. (Notë: trajtat gege në këtë shkrim janë të qëllimta.)







    SAPO U KTHEVA NË SHTËPI, mora t’i tregoj tim et për këto opinione të tmerrshme për gjuhën dhe kulturën e ngjizur në Kosovë, në “gjuhën e kosovarëve”. Për asgjë nuk më kishte folur me aq krenari e pompozitet mësa për Gjuhën e Unisuar, si njëfarë Napoleoni lingual. Në të vërtetë, e gjithë gjenerata e tij e mbanin dorën në atë mënyrë triumfale të Napoleonit sa herë binte fjala e Gjuhës së Unifikuar. “Ne ia dolëm që ta hudhim litarin matanë Letës, matanë Lumit të Harrimit, duke u lidhur njëherë e përgjithmonë mes vedi, për të mos na zgjidhur më kurrë.”

    Gjuha e Unisuar qe përgjigjja e tyre ndaj përpjekjeve të armiqve që t’i mbajnë të ndarë. Ata e kishin edhe maksimën e vet: Një komb, një gjuhë! “Ne ndoshta nuk ia dolëm ta bëjmë të gjithën. Por, ja, të paktën, po ua lëmë gjuhën. Juve ju mbetet tashti vetëm të bashkoheni.”

    E kur unë u nisa “që të bashkohem për të mos u ndarë më kurrë”, gjëja e parë në të cilën mora n’thua qe pikërisht - gjuha. Unë askund s’e gjeta atë Atdhe tingullor të Kafkës për të cilin bënte bé im at e gjenerata e tij. Përkundrazi, në çdo hap, në çdo situatë, në çdo bisedë, “ata me të cilët isha nisur të bashkohem për të mos u ndarë më kurrë”, ma bënin me dije se unë e kam huqur plotësisht rrugën. (Unë gjeta jo Atdhe tingullor, por një oborr me disa njerëz të vetëkënaqur me të folmen e me oborrin e tyre, që ma bënin me dije se ai mision imi “që të lidhemi për të mos u ndarë më kurrë” lëre që s’e ka momentin e disponimin e përgjithshëm por, mbi të gjitha, mua më mungonte argumenti kryesor - gjuha! Dokën disi edhe mund ta pranonin, biles e quanin të favorshme për mua, por gjuhën, assesi.) Vetëm atëherë unë kuptova se qenkam i pagjuhë, se gjuha nuk më shkoka me dokën, se unë s’paskam gjuhë për Qabe, dua të them për atë Komunizëm gjuhësor siç e kishin kuptue ata një çast në gjithëkohësinë e shqipes, vitin ’72 dhe një Kongres. Vetëm atëherë u bëra koshient se unë qenkam njëri nga ato dy-tri gjenerata që u dashkan flijue për të arritur atje, në Komunizmin gjuhësor. Vetëm atëherë nisa t’i shquaj doganierët e policët e gjuhës, bilez një ushtri të tanë me reparte pushkatimi që ishin të gatshëm të të pushkatonin në vend po guxove të dyshoje se diçka është e kalbur në këtë Danimarkë linguale. Vetëm atëherë po bëhesha koshient se ai Atdhe prej Gjuhe të Unisuar edhe s’qenka më i madh se një Danimarkë e vogël, që le jashtë një Evropë shqiptare të cilësuar si të pagjuhë, me të folmen e tyre të shenjuar për therje.

    SA SHUMË I GËZOHESHIM SHQIPES SË UNISUAR. E tërë Kosova. E kishim përqafue pa kurrfarë rezerve e hezitimi. Si gjithçka tjetër nga Shqipëria, nga ai vend mitik që kishte kuptimin e Atdheut të Munguar, të Itakës. Mbi të gjithë, im at. Ai ishte i obsesionuar me “letrarçen”. E kishte humbur të thuash kënaqësinë e të lexuarit, ngase lexonte si lektor, si roje e devotshme e standardit, si njëri nga ata që është i gatshëm ta jap edhe jetën për këtë Itakë gjuhësore. E mbi të gjitha, ajo që ia kishte pirë mendjen, ishte ideja e bashkimit. (“Një komb, një gjuhë!”, briste që ta dëgjonin fqinjtë serbë. Ia lëshonte zërin gramofonit në kupë të qiellit, nga vinte zëri i bukur i Luçie Milotit. Për inat.) Ndaj, njashtu siç ushtari mbron kufirin dhe territorin, njashtu edhe im at, si njeri i penës, hynte në fushëbetejen e gjuhës si një komandant me ushtri, i armatosur gjer në dhëmbë me drejtshkrimin dhe normat, me penat e mprefta të vendosura si bajonete (e çuditshme, luftonte gjithmonë me pena të kuqe që rrjedhnin, pikonin, si gjaku!), duke e spastruar territorin e saj nga çfarëdo penetrimi të gjuhëve tjera, sidomos serbishtes; i zbulonte dhe kapte thua ti janë diverzantë e hafije fjalët dredharake e meskine, kalket sllave që ishin përzier e kamufluar në radhën e korpusit shqip; ndukte me dana turcizmat që si rrënjë dhëmballash të panxjerrura i dhimbnin në nofullën e shqipes; rrënonte me topa strukturat sintaksore sllave që dukeshin ashiqare dhe i zbulonte si CIA rrjetat e spiunazhit sintaksor sllav, duke ua thyer kodet e fshehta të tyre; vinte para repartit të pushkatimit të gjithë tradhtarët nga rradhët e veta që guxonin të përdornin farë dialektalizmi a krahinarizmi, larg qoftë!; e kishte shpallur fletarrestin përmes Interpolit për armikun No.1 të shqipes së unisuar - Arshi Pipën; gjithmonë në krye të detyrës dhe ushtar i përbetuar i Atdheut gjuhësor, i kufirit dhe sovranitetit të tij. Sepse, mbrojtja e Gjuhës së Unisuar për tim at e gjithë gjeneratën e tij ishte shumë më shumë - ishte ideja e një Shqipërie të Unisuar. Ai që ishte kundër Gjuhës së Unisuar ishte kundër Shqipërisë së Unisuar. E shoh njashtu të harlisur e të kreshpëruar si një Odise lingual, se si duke i zënë veshët fort me duar u përballon zërave ëmblak e joshës të Scilave e Haribdave të gjuhëve tjera; e shoh me atë shikimin e tij të humbur andej nga i bie Shqipëria, me një buzëqeshje lumturake në buzë si kur sheh diçka të dashur, si në çastet e lume të një semiofanie; e shoh si farë protagonisti spilbergian që ka përjetue close encounter of lingual and patriotic kind, i nisur fatalisht e pakthyeshëm drejt Itakës gjuhësore të tij; e dëgjoj se si këlthet në kupë të qiellit tok me gjeneratën e tij, për inat të serbëve:

    “Shqipëri të qofsha falë, të kam nënë më ke djalë!”

    Nuk ishte vetëm Shqipëria e shitueme. Ishim edhe ne, Kosova, të shituem me Komunizëm. Vetëm sa tashti komunizmi ynë e kishte emrin Shqipëri. Ose thënë më butë, Utopia jonë quhej Shqipëri. E keqja është se ne, përkundër Shqipërisë, ishim shumë joautentikë. Ndërkohë që Enveri me Shqipërinë e vet komuniste ishte i shituem të paktën nga një donkishotizëm global dhe përpiqej të ishte i veçantë në komunizmin e tij, ne të Kosovës mjaftoheshim vetëm me Shqipërinë e Enverit, me komunizmin e tij. I këndonim këngët e tij (Enver Hoxha o tungatjeta, …); ishim të mërzitur kur ai dukej i vrenjtur, bëheshim shend e verë kur ai buzëqeshte; i përjetonim betejat e tij me mullinj dhe na bëhej vetja e madhe mu si Enveri në pikturat soc-realiste kur e vizatonin dy herë më të madh se Hrushqovi, si farë Supermeni komunist, i cili përkundër germës Snë kostum mbante germën K si Komunizmi, e ne nga Kosova e mendonim atë germë K, si Kosova (e na doli K si k…!); e mbanim qiririn kur çonte dashni; dilnim si dëshmitarë kur ishte në çmendi gjatë proceseve të montuara; u bëmë bashkëfajtorë kur u desh vra një idiomë gjuhësore. Ne ishim shumë joautentikë. Ne ishim vetëm Sanço Pança.

    GjithÇka ishim në gjendje të bëjmë për idenë e bashkimit, madje të bëhemi edhe Sanço Pança. Të dalim lolo, budallenj, qesharakë, të bindur se kemi të drejtë njashtu sic thoshte Sartri (duhet këmbëngulur në qëllimin për të cilin mendon se është i drejtë sikur edhe të dalësh qesharak.) Ne të gjitha i bëmë, biles edhe më shumë nga ç’pritej - flijuam edhe idiomën tonë, gjuhën tonë - dhe ashtu cullak, të pagjuhë, kur më në fund u shemb Komunizmi dhe menduam se erdhi dita e shumëpritur, ne ashtu lakuriq e të veshur vetëm me idealin e bashkimit e bëmë Shqipërinë me gaz: njashtu siç qeshet me njeriun cullak. Rast flagrant i personazheve brehtiane që, sic thoshte Brehti, si të shituem shkojnë mbrapa daullexhiut duke e dhënë lëkurën e vet për ta veshur daullen.



    --------------------------------------------------------------------------------

    NJë shtet, njË gjuhË britnin këta të delegacionit tonë në Kongres. Ishin më se të bindur se kanë bërë një nga hapat më konkretë drejt kësaj ideje. Sot, njëzet e pesë vjet me vonë, duke parë se si neglizhohet e përçmohet çkado është bërë në Kosovë, në gjuhën e “kosovarëve”, duke parë stereotipet që janë krijue për kosovarët në Shqipëri pikërisht në sajë gjuhe që flasin, mendoj se një nga muret më të larta të idesë së bashkimit është pikërisht - Gjuha e Unisuar, kështu siç është kodifikue në vitin 1972. Norma sot është një fre i fuqishëm jo vetëm i zhvillimit të gjuhës por edhe i komunikimit dinjitoz mes nesh, e në konsekuencë të fundit, norma paraqitet edhe si pengesë e idesë së bashkimit. Nuk mund të bashkohemi brenda kësaj gjuhe të unisueme ku një pjesë e vogël e ndien veten “në shtëpi”, e pjesa më e madhe është “mysafire”; ku njëra pjesë konsiderohet e qytetërueme e tjetra e prapambetur, ku njëra pjesë është normale e tjetra deviante, njëra e bukur e tjetra e shëmtueme. Nuk mund të jemi të barabartë brenda kësaj gjuhe ku një plakë e pashkollueme nga jugu tingëllon e duket më afër normës se sa një akademik nga Prishtina. Me patjetër duhet ndryshue normën, duhet fitue elasticitetin e saj, në mënyrë që standardi të jetë strehë për të gjithë e jo vetëm për “fituesit”. Nuk guxon të ketë të humbur e të fituar në gjuhë.

    Duhet ndryshue normën sepse gjuha kurrë nuk arrin në farë stadi ideal, të përkryer pas të cilit nuk do të mund të pësonte ndryshime. Diçka e këtillë është një nonsens, sepse siç thotë linguisti i shquar Bugarski, në një stad të tillë nuk arrin as bota ku flitet gjuha. Ta marrësh atë vit dhe atë Kongres si diçka të kryeme është sikur ke thënë se ke arritur komunizmin gjuhësor! Parajsën. Çdo gjeneratë duhet ta mësojë gjuhën sërishmi, sepse kurrë dy gjenerata nuk e mësojnë një gjuhë plotësisht identike: ajo në ndërkohë me patjetër ka pësue ndryshime, të mëdha ose të vogla. Gjuha e Unisueme, kjo e vitit 1972, jo vetëm favorizoi një dialekt në disfavor të tjetrit duke lënë një vrragë të madhe në lëkurën e gjuhës, në mbamendjen e saj, por kjo kohë e kalueme dëshmon se ajo nuk u familiarizue me pjesën më të madhe të atyre që shqipen e quajnë gjuhë amtare. A ka argument më të fuqishëm se vet Kosova me “kosovarishten” e saj, siç e quajnë në mënyrë të popullarizueme në Shqipëri gjuhën e folur në Kosovë. Për fat të keq, ndodhi pikërisht ajo nga ç’u frigua profesor Çabeji, diglosia: ne kemi një shqipe për vete, e një për Shqipërinë! Ne sot të bëhemi si ata “kosovarët” që si duket profesori Pipa nga mllefi i pajtimit të tyre me standardin e imponuem i përshkroi aq vrazhdë sa ç’është e vrazhdë nganjëherë e vërteta[1]. Mirëpo, kjo nuk është e gjithë e vërteta, sepse profesor Pipa e la pa thanë se, çfarëdo që të jetë ajo e folme e kosovarëve ajo mund të quhet njëkohësisht edhe një gjuhë. Duhet sqarue njëherë e përgjithmonë një nga keqkuptimet dhe keqinterpretimet më të mëdha sot në Shqipëri: nuk ka gjuhë të dorës së parë e të dorës së dytë. Dialekt superior e inferior. Këto janë vetëm disa stereotipe gjuhësore që zakonisht shoqërohen me paragjykime për njerëzit dhe prejardhjen e tyre, për krahinat e vendet e caktueme, shoqërohen pra nga hartat mendore të njerëzve. Gjuha e unisueme nuk është në raport superioriteti me cilindo dialekt. (Ajo në të vërtetë është vetëm një dialekt që iu imponue politikisht popullit. Gjuha është dialekti që fitue e ka luftën - Kalve). Ndoshta kjo është arritja më e madhe e linguistikës, ngase luftoi shkencëtarisht këtë paragjykim të madh. Në natyrën, karakterin e të folurit përgjithësisht është i përfshirë edhe normativiteti i tij. Ndaj, nuk ka asnjë të folme sot në botë e cila nuk do të mund të normohet e të ngritet në standard. Jo ndonjë dialekt, por edhe një e folme e getove të paralagjeve, si thotë Çomski, është një gjuhë e tanë. Normën e posedojnë jo vetëm idiomet e standardizueme, por edhe të gjitha idiomat tjera, duke përfshirë edhe dialektet e pashkrueme dhe të folmet, madje edhe format e kreolizueme të gjuhës (Bugarski).

    Pse duhet ndryshue normën?

    Ndoshta nga shkaku i vetëm se gjuha për nga natyra nuk është kjo që e dimë, por ajo që do duhet të jetë e ta dimë!

    MË PENGONTE IDEJA E KOMPETENCËS. Sado isha më se i ndërgjegjshëm që shkrimtari është njëri nga ata që bën gjuhën, thyen normat, ndërton normën e vet, pasuron fondin e fjalëve të saj, shkund pemën me fjalët e kalbura e të stërpërdorura, me fjalët e hangërme, të shlyeme e shkyeme si Leku i Shqipërisë komuniste. Gjuha e letërsisë është ajo që ndikon në gjuhën e standardizueme dhe gjithmonë ka qenë dhe është burim i pashtershëm i konstituimit të standardit. “Poetët”, thotë Shelley, “janë legjislatorët e padukshëm të botës”. Norma kurrë nuk mund as do duhej që ta rrok e përfshijë duke petrifikue gjithë nduarshmërinë e kreativitetin e përdorimit të gjuhës. Ndërkaq, unë kisha ndjenjën se kjo është çështje linguistësh. Ata e kanë bërë, ata le ta zhbëjnë. Ja që, literatura, historia e standardizimeve të gjuhëve botërore më thoshte të kundërtën se, gjithmonë është më e arsyeshme për statusin shoqëror të një gjuhë të kesh mendimin e sociologëve, etnologëve, shkrimtarëve e politikanëve, se sa të linguistëve. Nuk është me rëndësi se ç’na thonë linguistët për gjuhën, por çfarë kemi të themi ne për gjuhën, ç’konsiderojmë e ndjejmë ne si gjuhë tonë.

    vijon
    no respect whatsoever for authority - Richard Feynman.

  3. #3
    Peja o qytet i bekuar
    Anëtarësuar
    28-03-2002
    Postime
    310
    Rrethana jashtëlingustike siç janë ato sociokulturore, sociopsikologjike, etnopsikologjike e mbi të gjitha politike e pushtetmbajtëse kanë përcaktue fatin e gjuhës. Të thuash gjithmonë në një shtet është folur gjuha e atyre që u valonte flamuri në kështjellën e qytetit. Kështu ka ndodhë me të gjitha gjuhët e standardizueme, kështu ndodhi edhe me shqipen. Le ta rikonstruktojmë të paktën literarisht kontekstin historik, politik e kulturor të Shqipërisë së kohës së Kongresit.

    Viti 1972. Bota është e ndarë me perde të hekurt në dy tabore të mëdha: atë kapitalist e komunist. Askund nuk shihej rënia e komunizmit. Përkundrazi. Të gjithë prisnin që “Amerika i Engleska bice zemlja proleterska” [2]. Askush s’ishte më i bindur në këtë mësa Shqipëria - Fanari i komunizmit. Shqipëria tashmë kishte arritur komunizmin, priste vetëm që edhe restoja e botës ta arrinte atë stad lumturie kur “të gjithë do të kenë sa të donë të hanë e të veshën” (tingëllon sot si një ideal fukarenjsh). Ajo biles edhe me miqtë e idealit prishte çdo marrëdhënie sapo lexonte në ta farë dyshimi të çastit a hezitimi, e sidomos me ata që tradhtonin si Jugosllavia e revizionistit Tito, Bashkimi Sovjetik i Hrushqovit, Kina Popullore e Dengut. Në planin e brendshëm tashmë ishin bërë disa “çistka” (fjalë ruse, e ashpër dhe e flliqtë si vetë fenomeni i spastrimeve); përgatitej Kongresi i 13-të ku do të kritikohej ashpër, siç dinte “xhaxhi”, Festivali i 11-të i këngës; po ngjizte ideja e bunkerizimit të Shqipërisë; mizerabiliteti dhe frika kishte pushtue jetën e popullit; spiunimi, josinqeriteti në të folur e në të sjellur, homo duplexi e falciteti ishte stad i natyrshëm i njerëzve dhe marrëdhënieve mes tyre; doktrina soc-realiste bënte kërdi në art; burgjet ishin përplot skllevër që jetonin në kushte të tmerrshme sa do t’i bëjnë që në burgun e Spaqit, po atë vit, të ngriten në revoltë…janë këto vetëm disa penelata të hapësirshme që ravijëzojnë në kohë momentin dhe kontekstet politiko-historike kur “Ata që kishin dalë fitimtarë nga lufta” vlerësuan se janë pjekur të gjitha kushtet që si një standard civilizues të bëhet unifikimi i gjuhës. Exellent! Të gjitha tjerat tashmë i kishin bërë, u kishte mbetur vetëm kjo punë. Dhe, njashtu siç ka ndodhur ç’prej se ka lindur ideja e standardizimit të gjuhës, për model u mor gjuha e atij që ta kishte vënë alltinë në kokë (“…më lejoni të falënderoj udhëheqësit e Partisë e të Shtetit, me shokun Enver Hoxha në krye, për nderin që na bëjnë me pjesmarrjen e tyre në këtë Kongres…” - fjala hyrëse në Kongres nga Thoma Deliana) Do të fitonte dialekti i aradhave partizane që si fitimtare do të hyjnë në Tiranën e çlirueme e do të humbte në atë përplasje dialektesh e folmja e Mbretërisë dhe “veriorëve” që si të deklasuar (ç’termin prej boksierësh!) kishin humbur gjithçka. Prandaj, u kishte ardhur radha ta humbnin edhe të folmen. Asgjë e re. Kjo është historia e standardizimit të frengjishtes që kishte fillue që më 1539 kur mbreti Fransoa I e shpalli gjuhën e oborrit të vetmen gjuhë zyrtare të Francës duke britur “Një komb, një gjuhë” (sikur e kam ndëgjue diku këtë moto)…tre shekuj me metoda represive u farkua standardi francez…po kësi absolutizmi tregoi edhe standardizimi i anglishtes, gjermanishtes, spanjishtes, etj…kjo është historia e të gjitha standardizimeve të derisotme. “Gjuha zyrtare kryesisht është një e folme regjionale e cila falë pushtetit i është imponue kombit në tërësi” (Todorov dhe Dikro). Dialekti është një gjuhë që humbë e ka luftën, e gjuha është dialekti që politikisht ka fitue, siç thotë Kalve. Dhe, sërish, asgjë e re. Mirëpo, çfarë do ndodh. Këta nuk do të kënaqen me kaq. Kjo biles, e thënë kështu, duket shumë e vrazhdë. I ngjet krimit. Mirëpo, jemi ne kriminelë, hë më, thuamëni (shihet “xhaxhi” duke rrotullue në gisht e luejt me njëfarë zinxhiri). Pa le ta lexojmë dokumentin: “Vetëm pas ngadhnjimit të revolucionit popullor e të vendosjes së rendit socialist, kur zhvillimi ekonomik dhe kulturor-arsimor i vendit tonë mori përmasa të papara për historinë tonë, u krijuan kushte dhe mundësi shumë më të favorshme për krijimin e gjuhës letrare kombëtare të përbashkët.” (Fjala e hapjes në Kongres - Th.Deliana) Po pra, jo pse ne duam që ta imponojmë dialektin tonë për bazë të gjuhës, po sepse ne jemi ata që si thuhet në dokumentin e Delianës tonë (e njeh kush këtë më?!!): “…që e nxorën vendin nga prapambetja shekullore dhe e vunë përkrah vendeve më të përparuara…” (ibidem). Partisë së Punës me Enver Hoxhën në krye nuk i nevojitej vetëm idioma e standardizueme, por edhe arsyetimi shkencor, përligjja, backroundi civilizues. Nuk u mor dialekti toskë për bazë nga shkaku se është dialekti i oborrit të Hoxhës, gjuha e tij, po thjeshtë, ngaqë është më i përparuari, më afër natyrës së idealizueme të shqipes, apo jo, hë më, folni ju shkencëtarë, ç’prisni…Dhe, ata folën.

    Nga të gjitha ato dokumente, duke ditur mendimin e profesorit të nderruar Çabej nga viti 1939 [3] unë sot, pas kaq vjetësh, i lexova, ose thënë më mirë i dekodova si shqetësime apo ndoshta edhe hezitime të profesor Çabejit këto mendime nga kumtesa e tij në Kongres: “…Gjuha popullore përbënë rrënjën që ushqen në mënyrë të pareshtur gjuhën e shkrimit. Kur kjo largohet nga ligjërimi popullor, largohet njëkohësisht dhe nga masat popullore, dhe rrezikon të bëhet një gjuhë letre, një gjuhë artificiale. Në qoftë se gjuha e shkrimit mbyllet në vetvete dhe largimi i saj nga të folët popullor theksohet edhe më tepër, me kohë paraqitet mundësia e një diglosie, një dygjuhësie, gjë që ka ndodhur në disa gjuhë të botës, edhe të Evropës. Për disa arsye sociolinguistike, të cilat nuk është vendi të shtjellohen këtu, edhe kalimi nga dialektet territoriale në gjuhën e shkrimit duhet të jetë i ngadalshëm e i harmonishëm. Gjuha e shkrimit nuk duhet të jetë dialektofobe…” Si dhe mendimi përmbyllës i kumtesës së tij: “…hartuesit e tij do të udhëhiqen nga një ndjenjë e lartë përgjegjësie. Në formulim të çdo rregulle do të jetë e pranishme vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijë vetë, po për katër milion njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare.” [4] Sa shumë tingëllojnë këto fjalë sot, pas kaq vjetësh, kur të gjitha shqetësimet e profesorit për fat të keq dolën të mbështetura, duke ma zbulue atë si një Ketman të madh të Shqipërisë komuniste. Cilat janë ato arsye sociolingustike për të cilat nuk është vendi aty të shtjellohen? Ç’e bëri profesorin që të ndërrojë mendjen e të përcaktohet për këtë standard të imponuem e të panatyrshëm që për bazë mori vetëm një dialekt. E vetmja arsye, mendoj unë, është ajo “alltia” e mbështetur në kokë, ajo prezencë e autoritetit “fitimtar” që ishte prezent edhe në sallë, survejimi i Enverit revolucionar që po dëgjonte me vëmendje Kostallarin duke lexuar kumtesën: “Siç thotë shoku Enver Hoxha - Shqipëria nuk është më ajo e para, - as ekonomia e saj, as kultura, as arësimi, as gjuha, as regjimi, as politika, as ideologjia” (ibidem).

    Këputja e kontinuitetit, rikurdisja e orës së historisë, novogovori oruelian, ja ideali i çdo revolucionari. Në shtetin e ri me gjuhë të re!


    [2] “Amerika dhe Anglia do të jenë vende proletarësh” - slogan i njohur komunistësh rusë e
    [3] “Atje në Shqipëri të Mesme, ku gegërishtja e toskërishtja duke u përpjekur zbutin veçorit’ e tyre dalluëse, ku ka dialekte gjysmë gege e gjysmë toske, atje duhet kërkuar djepi i gjuhës së përbashkët që do vijë.” Tiranë, 1939
    [4] Citue sipas revistës “Studime filologjike”, 1973, Ti ranë - nënvizimet M.K.

    vijon
    no respect whatsoever for authority - Richard Feynman.

  4. #4
    Peja o qytet i bekuar
    Anëtarësuar
    28-03-2002
    Postime
    310
    II

    STEREOTIPI. Muri më i madh mes nesh. Do të thoshit stereotipi nuk është argument. Përkundrazi. “Stereotipi shoqëror është një argument i tanë shoqëror, një pjesë e dijes së përgjithshme të anëtarëve të rritur të shoqërisë; dhe kjo është një e vërtetë sado që stereotipi i përmendur nuk përputhet me çfarëdo argumentimi objektiv” (Llabov).

    Se ç’tajon e folmja e kosovarëve në Shqipëri askush më mirë se fëmijët e mikut tim Ylli nuk e artikuloi. Por, pokështu, për gjithçka që është përkthye e shkrue në Kosovë më folën edhe të njohur e miq të mi poetë, shkrimtarë, gazetarë. “Duhet ta pranosh, nuk mund të merrej për bazë dialekti i pjesës më të prapambetur të Shqipërisë”, më tha një mik imi poet (i ri). Seç ka diçka të rëndë në atë të shqiptuar tuajin. Tingëllojnë vrazhdë hundoret tek ju. Përkthimet e juaja të letërsisë botërore duhet bërë sërishmi. Letërsia kam frikë se nuk do të jetë atraktive shkaku i gjuhës tuaj të kontraktueme as standard as idiomë…bla, bla, bla…Jo po, ua ktheja unë, herë me stereotipe të mia e herë me stereotipe të miqve të mi në Prishtinë se, dallimi mes shqiptimit tuaj dhe këtij tanit është dallimi mes shqiptimit anglez e amerikan.(Natyrisht, amerikanët jemi ne!) Ajo që juve ju duket e rëndë është në të vërtetë njëfarë shqiptimi maskulin, burrnor, tenor ose bas, që ka diçka teatrale në vete, që tingëllon si zëri i spikerit oficiel të radios Voice of America. E folmja juaj, njashtu në këngë, neve na tingëllon si e folme grash. Dhe, këtë e pranoj, vajzat dhe gratë me shqiptimin tuaj duken më femine, më seksi. Pastaj, ndjej në të folmen tuaj një klishetizim të tmerrshëm, një vokabular burokratësh që e ndot gjuhën keq. Aq më parë, kur ke parasysh kohën e ndalur tek ju për një gjysëm shekulli. Secili nesh që vijmë nga Kosova konstatojmë një inflacion fjalësh, një Niagarë verbale, diçka që qysh Orueli e kishte konstatuar si një fenomen mentaliteti burokratik. (“Armik i përbetuem i gjuhës së qartë është josinqeriteti….”) E stad i natyrshëm i marrëdhënieve ndërnjerëzore qe bërë siç e dini ju më mirë se unë, falciteti, josinqeriteti, përzemërsia e rreme. Ndoshta edhe mund të pajtohem me ju se përkthimet e letërsisë botërore nuk janë të ndonjë cilësie, por ju harroni se me to nëse ne nuk kemi shijue gjuhën, përkthimin, ne të paktën kemi pasur informacionin, kemi ditur rrjedhat e letërsisë, të kohës. Ndërkaq juve që nga avioni u shihet bira në informacion e shije të letërsisë, mu si ajo bira nga heqja e yllit në flamur (ky stereotip është imi). Pastaj, mungesa e slengut që dëshmon sërish se ju si shoqëri ende nuk ia keni dalë të liroheni nga autoritetet (babai, përgjegjësi i shkallës, përgjegjësi i lagjes, mësuesi, norma, Partia, Enveri…); shoqëri që keni apstenue nga shumë fenomene shoqërore që përcaktojnë këtë shekull (rok end rolli, revolucioni seksual, lëvizja feministe, rebelimi djaloshar me rastin e luftës në Vietnam, flokët e jeansi, dalja e babyboomers-ave, Clintoni është njëri syresh, Woodstocku, leximi i stripave, kinemania hollivudiane, aterimi i Apollos në hënë ku u pa se nuk ka foto të “xhaxhit” Enver atje) Andaj aparenca juaj sot për cilindo të ri në Prishtinë është e habitshme të mos them qesharake, me ato zullufe e flokë të gjatë e paformë, me modele jeansash që s’i gjenë askund më, me me ato përzierje ngjyrash si të papagallit, me vonesën prej pesëdhjetë vjetësh. Ndërkaq, më e bukura, sa herë marr dhe e tregoj fjalën me të cilën ju emëroni emocionin më të fuqishëm, momentin më të këndshëm (ekstazën, kulminimin), e gjithë Prishtina shtrihet për toke nga gazi. Jo ore, jo, nuk mund të emërohet me fjalën u p r i s h a një nga momentet më “ndreqëse”, emocioni më i fuqishëm që ndjen njeriu, kulminacioni, derdhja. Njeriu “ndreqet” në ato çaste, nuk prishet!

    Por, të gjitha këto janë vetëm stereotipe. Mos i merrni seriozisht.
    FONDACIONI “VELIJA”. ÇMIMI LETRAR “KADARE”. Ja një nga çelësat që do të çndryejë dyert e Evropës. Ja një come back me stil i Shqipërisë në rrjedhat letrare evropiane e botërore. E di, e di…na get neve…ambicieve e dëshirave tona të mëdha e mundësive tona të vocërra...E kam parasysh…përpjekje e kontraktuar, e shkalafendur, me e shënue Shqipërinë në hartën e madhe të Republikës së Letrave…Po si s’e ditkam ….nuk do mend, Kadare është shkrimtari jonë më i afirmuem por, ta them sinqerisht, unë kam mendue se ai do të reagojë dhe s’do t’i lâ ta emrojnë këtë çmim në gjallje të tij. Unë nuk di një shembull të dytë në mbarë letërsinë botërore…

    Dhe, e gjithë kjo trupë teatrore ia doli ta luajë vetëm një shfaqje, ose thënë më mirë, një dramë të rigjetjes së Atdheut me shkrimtarin Sabato, dramë që në solemnitetin e ndarjes së çmimit do të shndërrohet në një vodvil degutant patriotik: me gjakun e shprishur letrar tonin, Sabaton e hutuem e të trandur nga ballafaqimi me Shqipërinë, realitetin e saj; nga fanfaret e Odës së Gëzimit që ia dhanë një stres të dytë plakut nëntëdhjetë vjeç që po hynte në sallën e Hotel “Tirana”; me poetin, mikun tim, që qe nisur drejt tij me një dorë në xhep sikur mban një revole të fshehur, prej nga do të nxjerrë një grusht dhé, një Atdhe në pëllëmbë dore, nga Italia e arbëreshëve tanë; me fjalimet larmoayante; dhe kovertën me $20.000! (Nga e gjithë ajo megalomani e come back-ut në kulturën evropiane, në hartën e Republikës së Letrave, do të mbetet si “evropiane”, “botërore”, vetëm kjo shumë dollarësh që nuk shkonte asfare me Shqipërinë.)

    E di, e di…këta jemi ne…unë biles ia pata qëllue se edhe ato pesë mijë që i kishin ndarë për shkrimtarët që janë vetëm shqiptarë (ua kishin bërë analizën spektrale të gjakut, të tillë kishin dalë, “zero”, si ilirët!), që janë vetëm nga Shqipëria e jo nga Argentina ja farë vendi tjetër me emër të bukur egzotik, do ta ndajnë në disa pjesë. Janë shumë të mëdha pesë mijë dollarë për një shkrimtar që është vetëm nga Shqipëria, vetëm një shqiptar i thjeshtë pa asgjë metafizike, siç është metafizik ta zëmë një italian a grek a amerikan sot në Shqipëri. Është dozë e madhe “pesëmijëshi”, mund ta pësojnë keq: t’u bie vilani nga gëzimi!

    Dhe, e gjithë kjo shpurë e gëzueme prej Fondacioni ia doli ta luajë vetëm një shfaqje. Kur u desh ta luajnë edhe një tjetër, gjithçka u shemb. U shndukën perdet, u plandosën kulisat prapa të cilave u pa një grua simpatike me opt prej fëmije dhe një biznismen me stil që numronte para. Milan Kundera, laureati i dytë i këtij çmimi, nuk do të vijë në Shqipëri. Qe puna se në analizën spektrale të gjakut të tij ai nuk kishte gjetur asnjë rruzë të kuqe shqiptari, apo ndoshta ai dinte diçka më shumë se ne, diçka që ne nuk shihnim, nuk vonoi dhe u kuptue. Mosardhja e tij jo vetëm shembi çadrën e këtij farë cirku prej çmimi letrar, por sikur ndjelli e parandjeu diçka shumë më të madhe, diçka të paparë - shembjen e një shteti.

    Shqipëria ishte kallpe. Mu si ky farë çmimi letrar! Këtë si duket kishte pa e parandie Kundera.





    MIRA MEKSI. Ishte një emër që filloi të na shfaqet në leximet tona pasionante të gjithçkaje që vinte nga Shqipëria. Përkthimet e saj ishin të tilla sa unë dhe im at e vendosnim Mirën (kështu e quanim, dihej për kë është fjala, ngase ajo përmes përkthimeve qe familiarizue në shtëpinë tonë ku përkthimi është një nga zanatet e shtëpisë) tok me Aurel Plasarin në vazhdën e përkthyesve me nam që niste me Petro Zhejin. Në një nga qëndrimet e mia të shpeshta në Tiranë do ta takoj rastësisht Mirën dhe, njashtu me gëzimin e atij që takon dikë punën e të cilit pëlqen, përpiqesha që të jem i përmbajtur e i pakët në fjalë e komplimente, për të mos u pa entuziazmi. I fola për uzinën e përkthimit të tim et, për kryeveprat botërore që ka përkthye, në mesin e tyre i bindur se do e animoj përmenda edhe veprën e Sabatos, ndërkohë që ajo me shumë kulturë vetëm ma bënte me dije se në përgjithësi përkthimet tona në Kosovë s’mbajnë, se gjuha…bla,bla,bla…opinion tashmë i njohur. Dhe, do ti, një vit më vonë, pikërisht kjo grua që më mbet në mbamendje me optin e saj prej fëmije, me fragjilitetin dhe dashamirësinë e saj, do të bëhet drejtoreshë e Fondacionit “Velija”, duke marr përsipër e bartur mbi supet e thyeshme të saj barrën e come back-ut të Shqipërisë në Republikën e Letrave Evropiane. Prezenca e saj në krye të këtij Fondacioni dhe fakti se ishte përkthyese e Markesit dhe Borhesit do të ma krijojë një besim (të marrë) dhe ngrohtësi (të gabueme) që më bënë ta dorëzoj romanin tim (“të parë”) në konkurs!!!…E di, e di, por duhet të më falni dhe të gjeni mirëkuptim për një shkrimtar me vepër të parë…Pastaj, kijeni parasysh çadrën e madhe të atij cirku dhe llampionët gjithfarëngjyrash, muzikën nga altoparlantet që ndiheshin larg, defin dhe lojën e arushave letrare…kini mirëbesim për një shkrimtar me vepër të parë që donte me e lëshue sihariqin e shkrimit…dhe, kështu, siç jam duke u kallëzue, me fajin tim mora n’thue në këtë konkurs duke u bindur përfundimisht se pa rishqyrtimin e normës së shqipes ne do mbetemi fatalisht të alienuar. Norma e cila sipas tim at e gjeneratës së tij, do të na bënte të mundur bashkimin është pikërisht ajo që po na mban e do të na mbajë të ndarë! Këtë bindje time vetëm sa e përforcoi deklarimi i Mirës në ceremonialin e ndarjes së çmimit Sabatos, duke i thënë shkrimtarit se në gjuhën shqipe nuk e ka asnjë vepër të përkthyeme!!! Dhe, ajo kishte të drejtë: Shqipëria vërtet s’e kishte Sabaton e përkthyem. Por, gjuha shqipe, jo ajo e normës, po shqipja e gjithmonshme, magma e saj, e njihte Sabaton. Askush në atë solemnitet që e ndiqnim përmes televizionit satelitor, nuk do t’i përmend të paktën në kontekstin negativ përkthimet që qenë bërë shumë vjet më parë në Prishtinë (“Tuneli” - Jak Mita\ “Mbi heronjtë dhe varrezat” - Ramiz Kelmendi). Uaaaaaaaaa e tim et, e përkthyesve tjerë, e redaktorëve, nuk u dëgjua në Tiranë. Nuk e dëgjoi Sabato. Mua më bëheshin si britmat e mia e të shokëve që kur s’kishim të holla që ta shikonim ndeshjen në stadium, atëherë nga lisat përreth stadiumit i britnim referit serbisht: “Uaaaa, sudija nema gace!” Ja që, referi nuk dëgjonte. Kujtova edhe njëherë tim at, shokët e tij, gjithë përkthyesit e shkrimtarët në Kosovë, të gjithë ata që bënin bé në Gjuhën e Unisuar. Po aq sa më dhimbseshin, po aq kjo mosnjohje e injorim i punës së tyre, i Gjuhës së tyre, më dukej një ndëshkim i merituar për lehtësinë e padurueshme me të cilën ishin pajtue me Standardin e imponuem, duke e lënë veten majë lisash.







    E KISHA SHUMË TË VËSHTIRË NISJEN E LETRËS. Mirëpo, çështja po i kalonte sinorët e raporteve miqësore, duke na çue drejt e në thelbin e keqkuptimeve tona gjuhësore. Po e sjell, ngase ajo qe hera e parë që unë kisha nisë me e artikulue shqetësimin tim që më nuk mbante. Që kishte shpërthye.

    (…)

    Duke jetuar një kohë të gjatë në Shqipëri (gjashtë muaj gjatë vitit 92\93, në përgatitje e sipër të një dokumentari televiziv për TVSH-në), realiteti për mua nuk ishte i panjohur, aq më parë ai letrar, që e kisha të njohur ose nga leximi, ose nga përvoja dhe miqësitë e tim et, ose nga miqësitë që kisha dhe krijova gjatë atij qëndrimi me shkrimtarët. Unë isha më se i ndërgjegjshëm edhe për gjithë peshën e çmimit (5000$) për një krijues nga Shqipëria, si dhe për gjithë çuditërinë dhe tëhuajësimin që shkakton prezenca e prozës së krijuar në Kosovë në opinionin letrar të Shqipërisë ("gjuha, stili, vokabulari, forma dhe përvoja letrare aq e ndryshme dhe e panjohur"). Dhe, po i shtove kësaj një animozitet të çuditshëm dhe një "antikosovarizëm" tashmë të petrifikuar (dëshmitar i të cilit jam vetë), ambiciet dhe shpresat e mia nuk ishin kushedi se çfarë. I gjithë vaniteti dhe sedra ime prej shkrimtari (që, si duket, u aktivizuakan që me "vepër të parë"), do të mjaftoheshin e do të shteronin kryesisht me anë të leximit nga Juria dhe, më të shumtën, me ndonjë debat a polemikë eventuale rreth sensibilitetit, risisë, stilit dhe formës së romanit (gjë që nuk u arrit, ndaj dhe po jua nis këtë letër. Por, për këtë më vonë.) Kisha edhe një arsye më shumë, diçka personale dhe intime, që më bëri të marr vendimin për të konkurruar: besimi im (doli i verbër e i marrë) dhe konsiderata që kisha për Ju, si një grua e tëra e zhytur në letërsi, e një moshe dhe sensibiliteti (siç mendoja) me mua dhe, për më tepër, si përkthyesja e dy shkrimtarëve të mi të preferuar (Markesit dhe veçanërisht - Borhesit!). Mendoja se përmes shpalljes së këtij konkursi nga ana e Fondacionit, drejtoreshë e të cilit jeni, keni për qëllim dhe për ambicie hapjen e shtigjeve për depërtimin e një fryme dhe sensibiliteti të ri në letërsinë shqipe, aplikimin e formave, trendeve dhe modeleve të reja të të shkruarit shqip. Si pjesëtare e gjeneratës sime nuk do të më çudiste një ambicie e tillë. Përkundrazi, do të çuditesha (siç mbeta i çuditur) po të mos ishte kështu. Por, le të mbetet kjo zhgënjim imi, ndërkaq kjo letër dhe ky konkurrim çmimi e haraçi që po ia paguaj lajthitjes e ngutjes.



    Përkthyesja e Borhesit. Himera dhe shitimi im i madh ishit Ju si - përkthyesja e Borhesit ! Tek e kisha parasysh se, gjeneralisht, romani im i takon asaj fryme që në letërsi e solli Borhesi (sado që në konsekuencat e tij të skajme romani im është polemizues në raport me Borhesin), unë isha i bindur se do t'ju kem Ju, me hijazmën përkthyese e Borhesit , ndoshta ithtaren më të flakët dhe përkrahësen e atij botëkuptimi dhe asaj estetike, kushtimisht "borhesiane", që unë jam përpjekur të sjell në roman. Dhe, po Ju pranoj çiltas, se do të më mjaftonte sikur vetëm Ju, përkthyesja e Borhesit, nga e gjithë Juria, të më kishit mbajtur krahun.

    Trandja nga ai shitim dhe ballëpërballja me faktin se kam të bëj vetëm me një himerë, qe leximi i tregimit Tuaj "Tlöni i dashurisë". Sapo e lexova u alarmova! Proza që po lexoja s'kishte të bënte fare as me Borhesin as me frymën që solli ai në letërsi. Mora dhe e shfletova librin Tuaj me
    tregime që më kishit dhuruar (të cilin nuk kisha gjetur kohë për ta lexuar gjer atë çast), dhe tashti me ankth po kaloja nëpër të, duke shpresuar se ai tregim i botuar në gazetën AKS ishte vetëm një rastësi, një përjashtim. O Zot, ç'lajthitje! Ç'gabim që kisha bërë! Në ç'duar të pasigurta e kisha lëshuar romanin tim ("të parë")!

    Po lexoja në "Tlöni i dashurisë" një prozë të shkruar në vetën e parë, një prozë të shkruar symbylltas, një teknikë introspektive të të rrëfyerit, prozë "moriakane" psikologjizimesh e eksplorimesh shpirtërore, e cila e tëra i takonte asaj tradite të letërsisë që shkrimtari Danillo Kish e quajti gjer tek Borhesi. Kjo grua, që më kish lënë aq mbresa dhe kish fituar besimin tim a priori, shkruaka sikur në historinë e letërsisë të mos kishte ekzistuar kurrë vepra (e sidomos fryma) e atij argjentinasi "të verbër", që rrëfimin e nxori nga fataliteti dhe klaustrofobia e vetes së parë; që imagjinatën e shndërroi në erudicion; që e përmbysi parimin e të rrëfyerit të gjeratëhershëm nga induksioni në deduksion; që në vend të psikologjizimeve të lira e klisheve psikologjike, solli në dritë "një makrokozmos të tërë sendesh e gjërash"; që letërsinë e liroi nga ambiciet për të gjetur përgjegjet e pyetjeve të gjithmonshme duke e kthyer sërish tek ajo thënia e njohur e del poeta il fin la meraviglia; që metodën e introspekcionit e zëvendësoi me metodën faction-fiction; që rolin prej demiurgu të shkrimtarit e zëvendësoi me rolin e një Kryearkivisti (shkrimtari tashti na bëhet sikur ka në dispozicion të gjitha arkivet, ditarët, memoaret, letrat e protagonistëve, shkrimtari tashti sikur ka çelësin e atij arkivi hyjnor, ku gjithçka tashmë është e shkruar dhe e ditur, ai më nuk krijon si Zoti nga e para, por dëshmon, lexon, citon e rrëfen); që na dëshmonte se "gjithçka tashmë është e thënë dhe e shkruar, unë vetëmsa po shtoj diçka"; që letërsinë, të cilën Xhojsi e çoi gjer tek honet e theqafjet marramendëse gjuhësore, kuptimore e shpirtërore duke na e shpallur të vdekur, e ngjalli me një veprim prej magjistari duke i dhënë arsye për të ekzistuar edhe për shumë kohë.

    Përkthyesja e Borhesit nuk e kishte kuptuar fare Borhesin!?

    Natyrisht, është e drejtë Juaja, afinitet e sensibilitet Juaji, që të shkruani prozë paraborhesiane, që të jeni e prirur nga veta e parë e psikologjizimet, por Juve ju tradhtonte dhe Ju zbulonte ambicien për të shkruar prozë me frymë borhesiane e për të krijuar një interakcion me estetikën e tij, ai term krejtësisht borhesian - "Tlön", ai vend i imagjinuar, ai "stad mental", siç do ta vlerësoja. Kjo fjalë tinëzisht zbulon ambicien interaktive e intertekstuale të tregimit (paraborhesian) Tuaj. E po ta kishit kuptuar Borhesin, sa pak do t'Ju duhej që atë vetë të parë, atë metodë introspektive, e ato psikologjizime (aq të huaja për frymën borhesiane) t'i shndërronit në traditë borhesiane. Vetëm një shenjë interpunkcioni: - thonjëzat!!!

    [vijon]
    no respect whatsoever for authority - Richard Feynman.

  5. #5
    Peja o qytet i bekuar
    Anëtarësuar
    28-03-2002
    Postime
    310
    Sikur ta kishit vënë tregimin Tuaj në thonjëza, Ju do t'ia kishit dalë që ta arrini synimin Tuaj - interakcionin me frymën borhesiane. Sikur ta kishit vënë tregimin Tuaj në thonjëza, ne nuk do të lexonim më klishe psikologjike të një gruaje "të vrarë bukurie", eksplorime shpirtërore të një gruaje të dashuruar, por, si me magji, gjithë atij rrëfimi në veten e parë thonjëzat do t'ia humbnin referencat, autorësinë: do të mund të ishte rrëfim që Ju e kini shkruar dikur (si vajzë); rrëfim që na e citoni si të tillë; diçka që kini lexuar në një gazetë, libër, ose ndoshta një letër që jua ka dërguar një shoqe Juaja; një letër dashurie që ia ka dërguar një tjetër grua të dashurit të saj; një pjesë drame dashurie që e dëgjoni në radio; diçka e shkruar nga vetë Borhesi; e kështu me radhë, vazhdoni me imagjinatën Tuaj. Ja, ky është Borhesi që s'e kini kuptuar. Shembull eklatant i revolucionaritetit të Borhesit i cili, edhe një kësi rrëfimi klishe, me vetëm një shenjë interpunkcioni (thonjëza), ia del ta lirojë nga klaustrofobia e fataliteti i vetës së parë, duke bërë që gjithë ato psikologjizime (të cilat pa thonjëza do të ishin të vdekura) me thonjëza të fitojnë aq shumë referenca për aq sa mban imagjinata e lexuesit dhe, njëkohësisht, duke e shndërruar edhe atë nga një pjesëmarrës pasiv në lexim në një pjesëmarrës aktiv.

    Kështu, lajthitja ime e parë që më dëshmoi e më bindi se kam gabuar shumë me këtë konkurrim, u bëtë Ju (natyrisht, me fajin tim!). Doja që ta tërhiqja romanin qysh gjatë gushtit të këtij viti, por sërish bindjet e miqve të mi (V.Zhiti e Sh.Maliqi), "mos kij shumë pretendime, por mjaftohu sikur vetëm të ta lexojnë", më bëri t'i nënshtrohem sërish këtij argumentimi, si një "shkrimtar me vepër të parë": të kënaqem me leximin!

    Mirëpo, a u lexua vepra!?





    "MË VJEN KEQ, POR ROMANIN S'E KAM LEXUAR". Ditën kur Ju dorëzova vetëm dy ekzemplarë të romanit (nga 15 sa duheshin) për konkurs, unë Ju bëra të ditur se sa e rrezikshme dhe gati e pamundur është që një numër të tillë librash t'i marrësh me vete dhe të rrezikosh nëpër kufij. Ju premtova se po pata ndonjë mundësi, do t'Ju sjell edhe ekzemplarë të tjerë, por edhe Ju luta që, po s'Jua solla, ta merrni përsipër që ata dy ekzemplarë (njërin nga të cilët jua dhurova Juve, me gjithë respektin për punën Tuaj si përkthyese) t'ua mundësoni t'i lexojnë anëtarët e Jurisë. Kishit kohë të mjaftueshme në dispozicion, kishit sekretareshën, e cila, duke pasur parasysh gjendjen Tuaj shëndetësore, do të mund ta merrte përsipër që, sapo ta ketë lexuar njëri nga anëtarët romanin (146 fq.), t'ia përcjellte tjetrit, apo, në fund të fundit, kishit aparatin për foto-kopjim në zyrën Tuaj, me të cilin mund ta kishit multiplikuar romanin edhe në ndonjë kopje, sa për t'i dalë mbanë lutjes sime dhe pamundësisë objektive, duke pasur parasysh gjendjen e përgjithshme në Kosovë, që ta plotësoj me përpikmëri këtë kusht të konkursit. Nga zyra Juaj dola me premtimin Tuaj.

    Nuk kisha ide s'e ç'kish ndodhur dhe ç'fat kish pësuar romani. Mikun tim Ali Podrimja, që kish marrë pjesë në tubimin tuaj të fundit (në nëntor), nuk e takova në Tiranë. Gjithçka do të mirrja vesh me t'u kthyer në Prishtinë. Por, ajo që më ndjellte se ç'kish ndodhur, ishin tri takime të rastit. Në Lidhjen e Shkrimtarëve takova dhe njoha Betim Muçon (anëtar Jurie), i cili, sapo u njohëm, si me ndonjë ndjenjë faji, më tha: "Më vjen keq, por unë nuk jua lexova romanin, ngase nuk e kisha". I bindur se nuk është marrë ndonjë vendim, i thashë se ndoshta ka kohë dhe do t'ia jepnin për ta lexuar. "Por, ne tashmë kemi vendosur", më tha, duke më lënë të hutuar e pa gojë.Të njëjtën gjë ma thanë edhe Lazër Stani dhe Vath Koreshi. Ky i fundit, gjatë kafesë së mëngjesit, me ç'rast këmbyem librat, më tregoi se si ka rrjedhur votimi në nëntor. Për veçantitë, mësova vetëm kur u ktheva në Prishtinë. Në bisedë me Aliun (Podrimjën), kuptova se, në të vërtetë, Ju jo vetëm nuk ua kishit bërë të mundur gjithë anëtarëve të Jurisë ta lexojnë veprën, por, gati-gati, e paskët lexuar vetë në vend të tyre, duke bërë që mendimi Juaj të ndikojë në ta, duke shkelur kështu rëndë procedurën dhe duke mos i dalë mbanë obligimit dhe detyrimit të marë publikisht me të shpallur të konkursit: veprat që konkurrojnë - të lexohen nga të gjithë!(…)





    "Ç'ËSHTË KJO GJUHË TLÖNIANE?". Unë jam nga ata shkrimtarë që, siç do të thoshte Shkllovski, mësohen duke shkruar. Të njëjtin parim ndjek edhe ndaj gjuhës, e cila në shkrim e sipër gjithnjë m'i zbulon përmasat e saj magmatike e të pakapshme. Andaj nuk them kurrë se e zotëroj plotësisht dhe se e kam "kapur".

    Ja që, unë kam jetuar mjaft gjatë në Shqipëri sa për ta pasur të njohur përgjithësisht atë opinion "e famshëm" në Tiranë, për gjuhën nga e cila ngjizet letërsia në Kosovë ("vokabular i panjohur, sintaksë e përçudnuar me sllavishte, gjuhë e "zhlyer" me krahinarizma, trajta e fjalë gege, përdorim i argove dhe idiomave të panjohura "kosovare", etj.etj. Kam përshtypjen se Kosova, për një dorë intelektualësh si Ju në në Shqipëri, paraqet një - TLÖN, bashkë me gjuhën dhe letërsinë e saj).

    Gjithmonë i parashoh veprës një margjinë të madhe, në të cilën pranoj sugjerimet leksikore, sintaksore e ortografike. Por, assesi nuk e pranoj vlerësimin Tuaj kuturu për gjuhën e përdorur në romanin tim. Biles, ai reagim Juaji i tillë për gjuhën e romanit, mua më flet më shumë për Ju sesa për romanin.

    E kam të vështirë ta shpjegoj nga e keni gjithë këtë komfor Tuaj për vlerësim dhe këte bindje Tuaj se jeni barikaduar mirë brenda normës dhe gjuhës letrare.

    Më ikën mendja se Juve ju kanë penguar ato fjalë të vjetra gege, ato krahinarizma e trajta gegërishteje, që unë i përdor si stilema, si relikte, si ornamente, duke pasur parasysh porosinë lasgushiane të gjenden fjalët e vjetra që si margaritarë fshihen nën pluhurin e trivialitetit të gjuhës së përdorur dhe, duke qenë i prirur nga këshilla e Shkllovskit, se fjalët nga përdorimi bjeren, hahen, shlyhen dhe jo vetëm fjalët por edhe lëvizjet, kujtimet, mobiljet, gruaja, sendet e frika nga lufta, bëhen të "padukshme" nga përsëritja, koha, kalimësia - automatizohen - duke na bërë që të na tretet e ikën edhe jeta, ndjesia për të. Që këtej arti, që këtej nevoja e riemërtimit, e çrëndomësisë së fjalëve, përpjekja që gjërat, ndjesitë e jeta të na kthehen, të na bëhen "të dukshme".

    Fakti se për bazë të gjuhës dhe normës letrare është marrë dialekti toskë, si duket, Juve gabimisht ju krijon ndjenjën e komforit se jeni "në shtëpi Tuaj", duke Ju ushqyer njëkohësisht një ndjenjë (të paqenë) superioriteti e të drejte për të gjykuar e vlerësuar. Madje, do të thosha, Jua ngashnjen edhe glotofaginë (gëlltitjen e gjuhëve, dialekteve), duke dashur që gjuha ku e ndjeni veten si në shtëpi, t'i gëlltasë e t'i tretë të gjitha argotë, dialektet e të folmet tjera shqipe. Unë nuk e shoh bukurinë në unifikimin, por në pluralitetin dhe diversitetin e letërsisë së krijuar shqip, duke nënkuptuar këtu edhe gjuhën. E Pluribus Unum. (Kujtojeni Çabejin, mos harroni se dialektet janë gjithmonë këndellje e gjuhës e pasurim i saj).

    Kam përshtypjen (dhashtë Zoti të gabuar) se Ju gjeografikisht e konceptoni jo vetëm gjuhën, por edhe letërsinë - me kufij administrativë. Çfarë do të bënit Ju sikur unë të kisha konkurruar me romanin e shkruar të tërin në dialektin gegë? Do ta kishit diskualifikuar?! Ose sikur ta kisha shkruar në gjuhën e De Radës, apo edhe të Bogdanit?

    Mund t'Ju numëroj shumë shembuj, por po ndalem vetëm në atë më eklatantin: në shembullin e shkrimtarit hebreit Isak Beshevis Singer. Gjithë veprën e tij ky shkrimtar e ka të shkruar në një - gjuhë të vdekur! Në jidish. Por, gjuha nga e cila ky shkrimtar ngjizte letërsinë e tij nuk e pengoi jo vetëm të lexohet, të kuptohet e përkthehet, por edhe të marrë shpërblimin më të madh për letërsi sot, Çmimin Nobel!

    Prandaj, them se vlerësimi Juaj ashtu kuturu e neglizhues më tepër flet për Ju sesa për gjuhën e romanit.





    FATI I SALMANIT. E kam parasysh, mbetet lajthitje dhe gabim imi ky konkurrim, dhe jam i gatshëm që ta bart këtë kryq, por, apeloj tek Ju, meqë verën e njohjes tanë tashmë e pimë dhe gotat na mbetën të thyera në dorë (e nuk mund të ngjiten më), që të paktën t'ua mundësoni kështu, post festum, anëtarëve të Jurisë që veprën ta lexojnë në mënyrë që, gjatë ardhjeve të mia të mëpastajme në Shqipëri, të kem mundësinë të flasim e polemizojmë për letërsinë e gjërat e bukura.

    Dhe, jini e qetë, vaniteti dhe sedra ime prej shkrimtari "me vepër të parë" mbetet plotësisht e pacënuar nga ky konkurrim.

    E di, do të thuani, prapëseprapë në Shqipëri! Por, s'ke ç'i bën, ky është fati im prej salmani, atij peshku të çuditshëm që, përkundër gjithë peshqve tjerë, i ngjitet rrjedhës së lumit përpjetë, për të arrirë atje, në atë humbëtirë që e ka të shënuar në gen.(Ndoshta për këtë e ka fajin im at!?). Është diç më e fuqishme se unë, një forcë që më shtyn nga pas. Vis a tergo !

    Ju kërkoj falje për gjuhën, prejardhjen dhe fjalorin tlönian timin, por bëjani si unë me përkthimet Tuaja, me letërsinë e krijuar në Shqipëri - përpiquni ta mësoni, ta kini të afërt. Hapni fjalorët, mbështeteni literaturën dhe, sidomos, lexoni, lexoni, lexoni, lexoni...



    Prishtinë, 20 nëntor 1995




    DOMINIMI ME GJUHË E PËRMES GJUHËS është i vjetër po aq sa është i vjetër edhe dominimi me fuqinë e armëve. Por, të përpiqesh të dominosh e deklasosh dikë përmes gjuhës në letërsi, kjo ja është farë injorance ekstreme, ja një keqkuptim i madh. Sepse, “nuk shkruhet vetëm me fjalë, por edhe me qenie, me etos e mitos, me mbamendje, traditë, kulturë, me vrullin e asociacioneve gjuhësore…” (D.Kish) Të insistosh e të këmbëngulësh standardin në letërsi do të thotë të mos jesh i ndërgjegjshëm për qenien e gjuhës, sugjestivitetin e absolutizmin e saj, shenjtërinë e pamposhtmërinë e saj.

    Gjuha është një nga fshehtësitë e qenies përgjithësisht. Gjuha nuk e zbulon kuptim, ajo gjendet aty në vend të kuptimit (Lakan). Po e zumë natyrën e fshehtësinë e gjuhës ne kemi kapur fshehtësinë e njeriut.

    Prandaj, them se ta luftosh gjuhën e folur e të shkrueme në Kosovë, do të thotë të tretësh substancën nga e cila është e sajueme kujtesa jonë kolektive. Më duket shumë më e natyrshme që Shqipëria ta fitojë Kosovën duke flijue një Kongres të dhunshëm, sesa ta flijojë Kosovën duke këmbëngulur në një dorë parimesh të tejkalueme.

    Është një e vërtetë e madhe se imponimi i standardit ka shkaktue në Kosovë një kompleks që Llabov e kishte vërejtur edhe ndër gjuhë tjera, që e quajti “pasiguri gjuhësore”, ose edhe më zi, “veturrejtje gjuhësore”. Njëzet e pesë vjet insistimi në një normë aq të panatyrshme me idiomën e folur ia imponuen kosovarit një ndenjë të paqenë inferioriteti dhe bënë që ai ta ndjejë veten para një tiranasi si francezi nga Kuebeku para një parisieni. Po them, një plakë e pashkollueme atje diku nga fshatrat e jugut sot tingëllon më afër normës se sa një akademik yni nga Prishtina. Ky pozicion është i panatyrshëm, zhvleftësues, jonjerëzor, që këtej i palejueshëm. Është e palejueshme që njeriu brenda gjuhës së vet amtare ta ndjejë veten keq, si i huaj. Ky nuk është faj i tij, por i atyre që përcaktuen këtë normë që i poshtëron. Nëse njëzet e pesë vjet nuk mjaftuan që të gjithë shqiptarët ta ndjejmë veten mirë brenda Gjuhës së Unisueme, atëherë duhet ndryshue norma, e jo njeriu (që do të thotë kosovari). Gjuha është një hapësirë konkrete, ndaj duhet kujdesur e kultivuar atë njashtu siç kujdeset njeriu për kualitetin e jetesës. E nëse norma nuk shkon me kulitetin e jetës dhe dinjitetin e njeriut, atëherë, po pra, duhet ndryshue normën e jo njeriun.

    E di, formula më e thjeshtë do të ishte ajo e njohura - një gjuhë - një alfabet - një etnikum - një komb - një fe - një shtet - etj. etj. Por, kjo vetiu tingëllon si diçka shumë e rastësishme. Ne duhet të mësohemi që të jetojmë me dallime, edhe gjuhësore. Ne bilez jetojmë me këto dallime, por jo gjithmonë jemi koshientë për to, pos kur na rastis të udhëtojmë ose në raste të veçanta (si imi, kur merr pjesë në një konkurs të budallaftë!). E kujtoj nganjëherë idenë e profesor Arshi Pipës për dy dialektet e shqipes si dy krenat e shqiponjës. Ndoshta ka qenë dashur që njashtu natyrshëm, si një zgjidhje e drejtë, siç udhëzonte edhe profesor Çabej, të lihen dy gjuhët letrare në konvivencë paqësore. E Pluribus Unum. Por, nuk duhet kjâ m’i tamlin e derdhun.

    Duhet bâ me patjetër rishqyrtimi i normës e fitue elasticiteti i saj në mos për tjetër të paktën për të eksplikue dhe ridëshmue përcaktimin tonë për të arritura demokratike, duke shndërrue absolutizmin dhe imponimin e vitit ’72, në një kongres humanizmi e mirëkuptimi, në një kongres ekpertësh të vërtetë (ku s’do të ketë politikaj e “fitues” në sallë), ku me konsenzus do të vendosej për normën e nesërme e cila do t’i plotësonte nevojat e gjithkujt e të mos zhvleftësonte e ofendonte ndjenjat e askujt.

    E di, një çështje aspak e lehtë dhe e lakmueme, por ndoshta një mënyrë më pak e dhembshme që mallkimin e pështjellimin babilonik ta shndërrojmë në një mirëqenie e mirëkuptim të përgjithshëm.



    P.S. Duhet pranue se vetëm gegënisht tingëllon e përkthehet një ndër vargjet më të famshme në historinë e letërsisë:

    “Me qenë a mos me qenë, kjo asht pyetja”



    Prishtinë, korrik “97
    no respect whatsoever for authority - Richard Feynman.

  6. #6
    SUPER [INC] Maska e SUPERSTAR_N1
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    475
    o IlovePeja si sperto mer lal me shkruajtur kaq!

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e bursa33
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Postime
    64

    Gjuha shqipe

    I LovePejaa,zakonisht futem ne forum dhe me teper lexoj tema te ndryshme,kjo nuk vjen vec nga faktori kohe -por dhe nga natyra ime si individ.Pasi me duket sikur ja bej vetes me hile nese do diskutoj ne nje subjekt perciptazi a thjesht per hir te argumentit.

    Sot erdha me nje qellim te tille,te shkruaj mbi nje subjekt qe me pelqen,pasi pata mjaft kohe ne dispozicion,perpara se te shkruaj u futa ne kete teme dhe ngela brenda.
    Lexova te gjithe temen dhe me pelqeu pa mase,aq sa i jam rikthyer dhe e kam rilexuar persedyti,pasi problemi qe ngrihet duhet te na SHQETESOJE te gjihte ne..Ne se ke harruar te vesh emrin e autorit do te lutesha ta beje nje gje te tille,ne te kundert (ne se e ke shkruar vete ) megjithese del emri ne cdo postim,do ishte me e qarte per kedo (qe i intereson) qe ta dije se me ke po flet,ne cdo sens.

    Ndoshta une nuk jam personi me i kualifikuar per tu prononcuar ne lidhje me kete problem per disa arsye; qenia jashte vendit per nje kohe te gjate,edukimi ne nje vend te huaj,mosha dhe tema jashte profesionit tim - Prape kam mendimin se dicka me ben qe te ndihem e brendshme ne kete DEBAT ,e jo te qenit thjesht shqipetare a e shkruajtura shqip.

    Prinderit e mi jane nga dy skaje te Shqiperise,e ne diskutimet me to shoh qe bartin nje fare bagazhi nga e kaluara Standarte (sic theksohet me mjeshteri ne artikull) por dhe nga nje e kaluar arbitrare me origjine gjeografike.Per babane tim nga Shkodra ( qe ndonese ka jetuar qe 2 vjec ne Tirane ) ky artikuj do ishte mese i drejte duke vene theksin te gegerishtja e kryeveprat e saj,e shkuara e gjuhes tone e bazat themelore,ndersa per mamane ky shkrim do linte nje shije "kritike". Ajo si studiuese e gjuhes tone, ka bere qe ne familjen tone emfazia te vihej te gjuha Standarte Shqipe,dicka qe ne (per kushtet tona) e ne mungese te diversitetit e kemi ndjekur rreptesisht-bile deri ne ate pike sa krenohemi me vete duke thene : se per moshen ne te cilen kemi ikur e per periudhen e gjate jashte vendit -perdorim e shkruajme nje shqipe niveli,krahasuar kjo me individe te cilet kane pasur mundesite me optimale per ta studiuar ate.


    Nuk mund te kritikohet nje familje ( sigurisht qe po ! ) ashtu sic nuk mund te kritikojme nje shtet per gjuhen qe perdor,apo jo .

    Sa gabim mendojme!

    Ky individ qe ka bere shkrimin e mesiperm ka treguar nje guxim ,i cili duhet te sherbeje per te thyer barriera te tilla.AUTOKRATE.

    Duket qarte se nje individ i tille ka njohuri erudite ne fushen e letrave,e pika te cilen ai prek eshte shume delikate,por jo aq sa te mos flase kush per te.

    Njesimi arbitrar i gjuhes (saqe autori diku shprehet se ka konflikte me te jatin e tij- studiues te gjuhes -nga Kosova ) ka bere qe te krijohet nje MUR -ndermjet shqipetareve ,nuk mund te mos shpreh ketu se citati i tij marre nga Kalve eshte THJESHT ,BRILANT !

    "Dialekti eshte nje gjuhe qe e ka humbe luften, e gjuha eshte dialekti qe politikisht ka fitue " -Kalve .

    Komunismi shtetezoi,unifikoi e bashkoi gjithshka ne interes te tij,sot u rrezua por nje nga pasojat e tij ( ne mes shume te tjerash) eshte gjuha qe e unifikuan.

    Ashtu si autori i shkrimit kosovar qe e ndjente veten te cuditur qe nuk kuptohej nga shqiptaret,ashtu e njej une veten shpesh kur vizitoj te afermit e mij nga babai ne Shkoder.Vertete jo deri ne ate pike,por shpesh fjale e shprehje te tyre me cudisin ( e vertet me pelqejne) sa shpesh me duket sikur nuk flasim te njejten gjuhe.Pra eshte ngulitur nje sens tek ne sikur dialektet nuk duhet te ekzistojne, "e rroft unifikimi "-duke harruar se shprehja " poshte diversiteti" jo vetem qe na demton,por tregon dogmatizem ekstrem.

    Per te dale te Stereotipet.
    Te cilat me dhimbje autori i pershkruan si dicka qe fatkeqesisht, plus me hallet e tjera qe kemi pasur gjate gjithe historise, jane pjese e kohes shqiptare "moderne" .Kur mohohet nga gardianet e unifikimit- nje mund i madh i koherave e epokave te tera letrare.

    Nuk mund te harrohet letersia e gjysmes se kombit,nuk mund te harrohen perkthimet e bera ne Kosove e Maqedoni,letersia Shqip nuk filloi pas L2B,e natyrisht nuk nisi ne 1972 (viti i njesimit te gjuhes ) jemi komplet te panjohur me autoret kosovare e te shqiptareve te Mqeonise,e pse? Se ata na folkan ndryshe !

    Sa qe per ne eshte sensacion fakti,kur "zbulohet" ne Europe nje autor (shqiptar ,banues ne Maqedoni) i cili paska sukses e vepra te botuara ne gjuhe te ndryshme.

    Pervec gjuhes eshte bere nje zakon qe letersia jone te matet me kutin Kadare,ky s`eshte si Kadare -themi ne, ky nuk i afrohet Kadares fare - ja pret nje tjeter,duke lene menjane faktin qe letersia shqip eshte shkruar para Kadarese,e do shkruhet dhe kur ai te ike.

    Duke harruar se ne Shqiperi e matane kufijve ka mjaft shkrimtare te cilet AKOMA nuk i njohim.Provincializmi dhe inferioriteti ka arritur deri ne ate pike sa nese dikush nuk qenka Kadare- nuk ekziston.

    Vec nje komb provincial e jo largepames e vlereson veten vec me nje standart,duke auto -vleresuar veten sipas dickaje qe e njeh bota.E njekohesisht duke harruar qe ka shqiptare qe flasin "NDRYSHE" nga Kadare te cilet jane te panjohur krejtesisht prej nesh.


    Ndoshta kjo ne regjimin e kaluar u be me zor,por per inerci vazhdon nje denigrim i shkrimtareve te matane kufinjve nga nje popull,i cili pretendon se flet shqipen unike,si nje aristokrat i cili e sheh kusheririn e tij te palare me neveri.Dikush qe mund te thote kjo ishte e tepet do e pyesja:

    Sa shkrimtare kosovare ka lexuar,sa libra,sa drama apo poezi shqip njeh te vellezerve tane pas kufirit ( une e para nuk i njoh ) .Pasi natyrisht 2.000.000 Kosovare e te tjere shqiptae neper bote -natyrisht nuk jane te gjithe bari .

    Pse te arrihet deri atje qe nga dialekti te presupozojme qe dikush eshte i ditur apo injorant,kujtoj ketu nje shembull te autorit kur thote :
    sipas gjuhes "unike shqip" i bie qe nje plake e pashkolluar nga jugu te jete me e zgjuar se nje akademik nga Prishtina.

    Prekonceptimet ekzistojne kudo,por ne i kemi kthyer ato ne art,sikur bota te beje te njejten gje do ishte ne vend numero.Askush nuk menon se pse nje Skocez flet me trashe se nje anglez eshte me pak i zgjuar,me pak trim apo me i injorant se nje Anglez,ashtu sic kerkush nuk mendon se nje nga Teksasi eshte me i ulet se nje nga Kalifornia -te tille qe mendojne keshtu shprehin mungese njohurie e jane vete arrogante.


    Vete ligjet e dialektikes e te zhvillimit na ben te mendojme se jashte atdheut ,pjesa e mbetur eshte zhvilluar ,qofte dhe me nje gjuhe "ndryshe" .

    Kush jemi ne te mendojme e te japim gjykim se ata nuk kane nivel -NATYRISHT sipas standarteve tona?!

    Jane kombe me te iluminura se ne,me ze ,potencial e rrezatim -te cilat Shqiperia kur nuk do i arrije, TE CILAT e kane me ligje shteteror te promovojne e nxisin kulturen e tyre ne bote,me organizata,komitete e te gjitha format-nje nga keto eshte Italia.E cila nuk nderon vec individe te shquar ne bote por komunitete te tera.Nje tjeter eshte Franca qe ben nje propogande agresive per gjuhen e kulturen e saj kudo ne bote,e plot te tjere.

    Kjo nuk behet nga komiteti i turizmit (a dicka e tille) por nga i gjithe shteti i cili krijon hapesira qe shqiptaret para se te njohin boten e te sillen konfuze neper te, te njohin vetveten e NJERI -TJETRIN.

    Ky forum ka shume shkrime e postime te bukura,por ky me lart eshte nje nga me brilantet qe kam pare une ketu,natyrisht kushdo mund ta shohe nga pikeveshtrime te kunderta-por keshilla ime eshte ta lexoni me kujdes ta shihni me llogjike dialektiken ne zhvillim.Se komb nuk te bejne vec kufinjte por traditat,e gjithshka qe kemi te perbashket ashtu Dhe diferencat ne mes shqiptareve,te cilat duhen njohur e presevuar nga te gjithe ne.

    bursa33

  8. #8
    Peja o qytet i bekuar
    Anëtarësuar
    28-03-2002
    Postime
    310

    Per bursen33

    Autorin e keti shkrimi nuk e kam ditur deri para 1 jave apo 4-5, pasi edhe disa te tjere me kane kerkuare qe t'ju tregoj autorin por fatekeqesishte nuk e kam ditur dhe keshtu pas disa perpjekjeve dhe kontakteve e mora vesh.

    Autori i vertete i keti shkrimi mendohet te jete Migjen Kelmendi, djali i Ramiz Kelmendit nga Peja. Ramiz Kelmendi eshte shkrimtare (ka shkruar shume vepra mbi Jugosllavin dhe sistemin socialist), tani ka shkollen e gazetarise ne Prishtine. Perseri po them mendohet te jete Migjen Kelmendi.
    Migjen Kelmendi eshte me profesion Juriste. Eshte themeluesi dhe kengetari i pare ne trojet etnike shqiptare i muzikes rock. Ne vitet 1980-a se bashku me grupin e njoftur te asaj kohe "Gjurmet" (qe e ka themeluar ai) kane kenduar dhe komponuar kenge rock ne Kosove qe per ate kohe ka qene nje thyerje per rregjimin komuniste. Pas luftes ka qene drejtor i Radio televizionit te Kosoves dhe tani eshte kryredaktor i revistes javore "Java" qe botohet ne Prishtine.

    p.s. Ju kerkoj te falur qe autorin e shkrimit te me larte nuk e kam ditur ne momentin e postimit te keti shkrimi.
    no respect whatsoever for authority - Richard Feynman.

  9. #9
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    273
    Ilp,

    Ti ke bërë shumë mirë që e ke postuar këtë shkrim. E kam lexuar edhe më parë. Që nuk e ke dhënë emrin e autorit nuk është ndonjë tragjedi, sepse ky shkrim tashmë është botuar dhe nuk e ke dëmtuar asgjë autorin (flas për honorarin në lekë).

    Por, unë nuk pranoj se Kongresi i drejtëshkrimit ka deshtuar, por mendoj se duhet mbajtur një Kongres tjetër dhe të përmoirësohet ajo që duhet përmirësuar.

    Nuk ka dyshim se Migjeni është djalë i zgjuar ashtu si edhe babai i tij, por mendoj se duhet braktisur tradita e prapshtë që atë që e ndërtojmë me vite, duhet prishur për hir të një karagjozllëku, se pasi mua nuk më pëlqen diçka duhet nisur nga fillimi.

    Aq më keq kur thuhet se Kongresi dështoi për shkak të Kosovës!? Vallë ku ishte Ramizi kur u bë Kongresi?


    Durimi është më e madhja trimëri.


  10. #10
    Peja o qytet i bekuar
    Anëtarësuar
    28-03-2002
    Postime
    310

    Per kosovar

    Per cilin Ramiz e ke fjalore ore barut? Mos po mendon per Ramiz Mu..., neqofse po atehere nuk kam deshire te shkruaj shume jo vetem per te por edhe per disa te tjere si Ramizi se po ja fillova nuk dalin 2-3 faqe.

    Kalofsh mire dhe mos te dalim jashte temes, mesazhet private ketu jane per shfrytezim dhe mund te komunikojme.

    Suksese kosovar.
    no respect whatsoever for authority - Richard Feynman.

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •