Johann Wolfgang Goethe (Gëte)
"Te porta jashtë ç'bëhet ashtu,
Ç'është ajo këngë, vallë!
Pa shkoni vrap - e dua këtu,
Le ta dëgjojmë në sallë!"
Kështu tha mbreti - e pazhi doli,
U kthye sakaq - prapë mbreti foli:
"Ma futni plakun brenda!"
"Ju përshëndes të gjithë sa jeni,
Fisnikë e dama, mbushur me inxhi!
Si yje qenki, por më ndjeni
Që emrat s'ua di!
Në këtë vend që s'ka të dytë
Do bëj më mirë t'i mbyll sytë,
Se sa t'i zgurdulloj."
Dhe këngëtari sytë i fiku,
Me harpë këngën e filloi;
I ndriti syri çdo fisniku
E damat malli i pushtoi.
Dhe mbretit vetë zemra iu shkri,
E një gjerdan safi flori
Desh plakut t'ia blatonte.
"Ah, mos ma jep mua gjerdanin,
Por jepjua trimave që ke!
Ata tmerr janë për dushmanin,
Kur sulen si rrufe!
Ose ta marrë kancelari,
Ta mbajë si një barrë ari.
Tok me të tjera barrë.
Se unë jam si zog i lirë
Dhe si ai këndoj.
Me këngën që më del e dlirë
Tjetër shpërblim s'lakmoj!...
Por ti, në daç, më shtjer sapak
Nga vera jote kuq si gjak
Në kupë prej floriri!"
Dhe plaku kupën çoi në buzë
Dhe ëndjeplot e zbrazi,
Dhe piu zjarr e flakë e shpuzë
Me shpirtin afsh nga gazi! -
"Ju përshëndes - dhe më kujtoni!
Ju falenderoj - dhe, po të doni,
Mbajeni mend ç'ju thashë!"
Përktheu: Robert Shvarc
Krijoni Kontakt