Korrieri
Nga Fatos Lubonja/ Para disa ditesh ne Shqiperi rane perseri kembana alarmi. Ndodhi nje ngjarje e rende, tejet e rende, qe, sipas meje, i shtohet sokellimave te kembanave te alarmit qe po i bijen shoqerise shqiptare thuajse perdite dhe qe, megjithate, ajo nuk po do t'i degjoje. E kam fjalen per rastin e atij 15 vjecarit nga Vlora, i cili, sebashku me 4 shoke te tij, sendergjoi nje pengmarrje per t'i rrembyer te atit nje shume te konsiderueshme parash, duke demostruar nje shkalle siperore te krizes se institucionit qe tradicionalisht eshte konsideruar si institucioni me i qendrueshem ne shoqerine shqiptare: familja. Shtypi me shume e analizoi si nje ngjarje te bujshme, dhe pastaj kaperceu ne ngjarjet e tjera te bujshme te rradhes, nderkohe qe, sipas meje, kjo ngjarje duhet te prekte menjehere kordat me te ndjeshme te shoqerise e te provokonte reflektimin dhe debatin e njerezve te fushave te politikes, sociologjise, psikologjise, arsimit, fese etj, me temen: ku po shkon familja shqiptare e ne pergjithesi ku po shkon shoqeria shqiptare.
Kam shume aresye te mendoj se kjo ngjarje nuk duhet kapercyer si nje nga ato te jashtezakonshmet, qe nuk perbejne ligjesi por, perkundrazi, duhet pare si dicka simptomatike. Para disa javesh ne nje artikull te titulluar "Miri i Xhikes dhe kultura e vjedhjes" midis te tjerash kam hedhur idene se shqiptaret duhet te ndergjegjesohen nje ore e me pare se eshte iluzion ajo ide aq e gjithperhapur se vjedhja eshte nje fenomen i perkohshem i tranzicionit, se brezi i dyte i atyre qe i kane bere parate me pune te dyshimta apo edhe te pista do te shkollohen, do te edukohen, fisnikerohen dhe do ta ndryshojne per mire Shqiperine. Pikerisht kjo ide mu rikthye nepermend duke pare fytyren e djalit vlonjat sa te njome aq edhe te paturpshme ne lehtesine me te cilen jepte deklarata te genjeshterta perpara publikut. Thashe me vete se ky rast ishte shembulli tipik qe ilustronte shqetesimin per te ardhmen e ketij vendi dhe nevojen qe ka kjo shoqeri per tu ndergjegjesuar nje ore e me pare se asgje nuk shkon vetvetiu per mire kur nuk drejtohet dhe inspirohet per mire.
Nuk dua ketu as te akuzoj dhe as te lendoj familjaret e atij djali, madje, duke u shkeputur nga rasti i tij konkret, po e pergjithesoj problemin duke thene se kam shume aresye te mendoj se rasti i tij na flet per nje produkt te shoqerise dhe ngjarja e tij vjen per te na paralajmeruar per rrezikshmerine e ketij produkti po aq sa c'paralajmerojne edhe ngjarjet e vrasjes se biznesmeneve, apo zhvillimet e atyre "miqesive" te sotme qe perfundojne me vrasje, sic ndodhi para disa ditesh me njeren syresh, madje ndoshta edhe me shume se ato.
Kodi i parase
Shoqeria shqiptare konsiderohet se tradicionalisht ka qene nga ato shoqeri qe jane udhehequr nga kodi i nderit te familjes, i cili ka pasur mjaft te mira, por edhe mjaft aspekte negative, nder te cilat edhe principin sipas te cilit mund te besh cdo te keqe ndaj te tjereve, mjafton t'i sherbesh klanit. Ketij kodi, pas ardhjes se komunizmit, iu mbivendos kodi i moralit komunist i cili nderin e individit dhe familjes e vuri ne shume aspekte ne funksion te interesit te socializmit dhe te partise, ne fakt te diktatures, duke e shkaterruar shpesh individin dhe familjen. Nuk dua te zgjatem ne analizen e ketyre dy kodeve qe kane pasur te keqijat, te mirat, por edhe kundershtite e tyre me njeri tjetrin. As te them se kjo qe po ndodh sot eshte pa lidhje me ate qe ka ndodhur dje, madje ne disa aspekte e konsideroj si vazhdimesi e problematikes se nje shoqerie qe nuk ka pasur asnjehere norma te shendosha morale. Per kete mjafton te kesh prasysh ngritjen e spiunllekut ne sistem mbijetese ne kohen e Hoxhes.
Megjithate kjo situate ka te vecantat e veta. Sipas meje e vecanta qe konstatohet sot eshte se tashme dy kodet e siperpermendura jane vene ne krize te thelle nga presioni i nje kodi tjeter te cilin do ta quaja kodi i venies se parase mbi cdo gje dhe e fitimit te saj me cdo mjet. Jemi nje shoqeri, e cila, sa per shkak te veshtiresise ekstreme te mbijeteses qe solli hapja e Shqiperise ndaj tregut te lire, pa pasur asnje instrument per te garuar me boten, aq edhe per shkak te dobesise se kodeve morale paraardhese per t'iu pergjigjur situatave te reja te krijuara, ka krijuar kultin e parase, te fitimit te saj me cdo mjet dhe mundesisht me pune te lehta dhe te menjehereshme. Ne komunizem flitej shume per punen si virtyt edhe per pasionin dhe etiken e profesionit. Ne fakt, komunizmi ne kete aspekt shprehte nje tipar te qyteterimit perendimor, qe, sipas filozofeve te historise, konsiderohet se e ka burimin mu tek virtyti i punes dhe jetes se perkore, qe u promovuan aq shume nga protestantizmi, dhe jo tek punet e pista te fillimit sic predikojne sot shume pseudointelektuale shqiptare. Sot vetem per punen dhe punen e ndershme nuk u flitet te rinjve ne Shqiperi. Pershtypja eshte se ne kaosin e madh qe ekziston, ku te gjithe rendin vetem per leke, ku edhe te berit politikan, edhe te berit fetar edhe te berit gjyqtar edhe te berit gazetar edhe te berit aktivist i shoqerise civile kuptohen thjeshte dhe vetem si menyra per te bere leke, mungon ndjeshmeria per edukimin moral ne pergjithesi dhe etike profesionale ne vecanti. Ashtu sikurse ne lemin ekonomik i eshte lene gjithshka liberalizimit me idene se ky eshte instrumenti magjik qe do t'i beje njerezit te pasur dhe te lire, duke u kuptuar ky si mundesi per te bere gjithshka, cka ka shkaktuar, ne fakt, nje ekonomi te korruptuar e kriminalizuar, ashtu edhe persa i perket edukimit te individit lenia e njereve te lire ndaj edukimit me principe morale duket sikur konsiderohet si gjeja qe do t'i beje ata te edukuar e te moralshem, duke perftuar, ne fakt, kriminele te rinj. Shoqeria jone nuk eshte ndergjegjesuar se, ashtu sikurse demokracine ne nje vend nuk e sjellin dot vetem kompjuterat as veturat dhe as pasuria, por aftesia e shoqerise per tu ndergjegjesuar per lirine e te drejtat e per ti vene ato ne jete, ashtu edhe individin nuk e ben dot as vetem pasuria madje as vetem dija, por ndergjegja e tij, e cila eshte nje pune e madhe. (Science sans conscience n'est que ruine de l'āme", thote Rabele (dituria pa ndergjegje nuk eshte vecse nje rrenim i shpirtit). Ne keto kushte i biri i pasanikut qe arrin deri tek grabitja e te atit nuk eshte nje fenomen i vecante. Fakti eshte qe ai pati edhe 4 bashkepunetore te cilet, kuptohet, do tu benin te njejten gje prinderve te tyre. Nderkaq, si ne shtyp ashtu edhe neper opinion, qarkullojne shume historira qe flasin per krizen morale te femijeve te njerezve te cileve "fati" u ka prire duke i bere te pushtetshem dhe te parashem. Nderkaq, rastet e shumta te shprishjes se kodit tradicional te familjes, sic jane edhe rastet e shumeperfolura te prinderve qe lejojne qe vajzat e tyre te prostituojne per te sjelle para, apo te burrave qe prostituojne grate, ka kohe qe kane vene alarmin se kulti i parase se fituar me cdo mjet ka vene ne krize deri edhe qelizen e kosideruar si me e shendosha e kesaj shoqerie, familjen.
Modelet e keqija
Duke kerkuar shkaqet e ketyre plagomave te renda dhe menyrat se si mund te sherohen nuk mund te mos mendosh se nje nga menyrat me te mira per te edukuar dhe inspiruar te rinjte eshte promovimi i modeleve. Shembujt e njerezve qe e luftojne te keqen, qe punojne me ndershmeri dhe perkushtim, qe nuk shesin e blejne cdo gje vetem me para, qe sakrifikojne per te tjeret, qe nuk e shesin mikun dhe shokun jane modele qe i ofrohen te rinjve sa nepermjet jetes te gjalle aq edhe nepermjet krijimtarive artistike. Nuk ka shoqeri qe nuk e ben kete pune me femijet e vet duke filluar qe ne moshen me te njome, shpesh edhe ne menyre te theksuar moralizuese. Shoqeria amerikane, te cilen ne kemi shume qejf ta marrim model, e ben ne menyren me konstante kete, nepermjet te gjitha mjeteve qe nga Hollivudi e deri tek promovimet neper shkolla, per te mos harruar rolin e madh qe luajne fete dhe modelet e ofruara prej tyre.
Vetem shoqerise sone i mungojne keto praktika. Modeli qe i ofrohet nje te riu eshte ai qe shohin perdite tek me te rriturit: duhet te jesh i zoti te nxjerresh maksimumin e perfitimit financiar nga situata qe t'u krijua. Shembullin me te tmerrshem te ketyre modeleve e japin shumica e figurave tona publike qe percojne perdite nga ekranet e televizionit idene se mund te shkelesh cdo princip, cdo norme morale, mund te vjedhesh, te genjesh, te tradhetosh, ta dredhesh, sperdredhesh, mjafton te jesh i sukseshem- dhe i sukseshem do te thote te qendrosh ne ato vende qe te sjellin para. Kur ke parasysh keta modele te jetes dhe vepres sone te perditshme, qe mbisundojne mediat shqiptare, ashtu sikurse edhe modelet e te suksesshmeve qe shfaqen te gjalle neper rruge, lokale, restorante e ku di une, nuk mund te presesh qe rinia shqiptare te frymezohet ndryshe.
Mungesa e drejtesise
Dihet se krahas edukimit me norma morale dhe me shembuj morale nje nga faktoret qe ndikon ne moralizimin e nje shoqerie eshte edhe berja drejtesi. Drejtesia ka disa funksione kryesore: ajo nepermjet ndeshkimit te se keqes funksionon ne aspektin e qetesimit te shpirtit te drejtesise tek njeriu, qe e ka burimin tek ndjenja e empatise ndaj viktimes, e qe ekziston ne cdo qenie njerezore. Ajo krijon edhe ndjenjen e drejtesise ne shoqeri, duke i dhene hakun atij qe punon ndershmerisht, perndryshe c'kuptim ka nje shoqeri ku me te suksesshmit nuk jane ata qe kane me shume merita pune te ndershme, por ata qe jane me te afte te bejne poshtersira? Po ashtu, nepermjet ndeshkimit, drejtesia edhe edukon ne nje fare menyre duke bere qe njerezit te ndjehen te kercenuar nga ndeshkimi kur u lindin idera apo impulse per te bere keq. Ne kete vendin tone ka kaq vjet qe e keqja, vecanerisht ajo e lidhur me vjedhjen ne format e korrupsionit e te trafiqeve te droges e te qenieve njerezore, nuk ndeshkohet, perkundrazi shperblehet. Eshte nje vend qe njeh korrupsionin me te larte dhe ku, nga ana tjeter, nuk ka as edhe nje denim per korrupsion, perkundrazi figurat me te korruptuara jane edhe ato me mediatiket. Madje, madje, se fundi, triumfi i ketyre lloj njerezve te hurit e te litarit ka arritur maja, ata jo vetem jane te pandeshkueshem, por sot hedhin ne gjyq kedo qe guxon t'i beje publike bemat e tyre kunder shoqerise.
Nuk ka dyshim se kjo gjendje pandeshkueshmerie ndaj se keqes, qe i jep krahe arrogances dhe paturpesise se krimit, nuk mund te mos lere gjurme tek te rinj si ai vlonjati i cili doli pa iu dridhur fare qerpiku perpara kamerave dhe tregoi qete qete nje histori te sajuar duke mashtruar nje publik te tere.
Mungesa e komunitetit
Para disa ditesh mu dha rasti te shoh intervisten qe i kishte dhene nje gazetari te huaj nje figure e njohur e jetes politiko kulturore shqiptare i cili shprehte pak a shume kete ide: ne Shqiperi individi shqiptar ka qene i sukseshem, kurse politikani shqiptar ka deshtuar. E kishte fjalen se individualisht shume shqiptare kane ditur te mbijetojne, te investojne, te krijojne edhe pasuri, kurse politikanet nuk kane qene te sukseshem ne punen e tyre. Ky eshte nje opinion shume i perhapur me te cilin duket se shume shqiptare me nje ane i bejne qejfin vetes dhe, me anen tjeter, kane gjetur nje valvul shfryrjeje per te keqijat qe i rrethojne. Por, sipas meje, eshte nje gjykim i ceket. Ne fakt dihet se nje turme individesh, sado te sukseshem te jene, nuk perben nje shoqeri, prandaj dhe politika e deshtuar dhe politikanet e deshtuar te kesaj shoqerie nuk jane tjeter vecse shprehje e paaftesise se individeve te kesaj turme per te ndertuar nje shtet dhe nje komunitet. Filozofia e kerkimit te suksesit individual pa perfillur ndjenjen e komunitetit, qe shpesh perkthehet edhe me filozofine qe diku tjeter e kam quajtur: "filozofia merr dhe ik" eshte nje aresye tjeter e ngjarjeve alarmante qe po degjojme perdite. Qelizat e nje trupi nuk mund te jene vec e vec te shendosha kur i gjithe trupi, dhe vecanerish truri, eshte i semure. Nuk mund ta quash veten te suksesshem individualisht kur je i rrethuar nga komshinj vrases dhe hajdute. Vete fakti qe ne nje familje te konsideruar te sukseshme, sepse e pasur, ndodh nje ngjarje si ajo e Vlores, tregon se suksesi individual apo familjar nuk eshte i mjaftueshem per tu quajtur i suksesshem. Prandaj mendoj se ngjarja e djalit te ri vlonjat nuk duhet pare si nje gje e vecuar, as si nje krim qe i perket nje individi te vecante apo nje familjeje te vecante. Ajo eshte nje kembane qe bije per te gjithe ne.
Krijoni Kontakt