SHKUP, PRISHTINË, 30 MAJ - Ishudhëheqësi i UÇK-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, nga mbrëmja e së enjtes nuk figuron më në “listën e zezë” të kryetarit amerikan George W. Bush, ndërsa vendin e tij tani e tutje do ta zërë ish-ministri maqedonas i Punëve të Brendshme, tashti deputet aktual i VMRODPMNE- së, Lube Boshkovski.
Boshkovski gjendet në përbërjen më të re të listës së zezë edhe me 170 persona të tjerë nga hapësirat e ish-Jugosllavisë për të cilët njeriu i parë i SHBA-së është i bindur se paraqesin kërcënim për stabilitetin e Ballkanit.
Emër i ri në listën e Bushit është edhe shqiptari nga Kosova, Fatmir Limaj, ish-komandant në UÇK, zyrtar i lartë i PDK-së dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, që muaj më parë është marrë nga Tribunali i Hagës si i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Shqiptari tjetër nga Kosova, Maliq Ndrecaj, ish-pjesëtar i UÇK-së, po ashtu është për herë të parë i futur në listë. Megjithatë, Kosova nuk mbetet e përfaqësuar në këtë listë vetëm më shqiptarë.
Serbët prej veriut të Kosovës, Marko Jakshiq dhe Milan Ivanoviq janë risi e kësaj letreje dhe persona që presidenti amerikan George W. Bush i konsideron të rrezikshëm për paqen dhe sigurinë në rajon. Slobodan Milosheviqi, i biri Marko, bija Marija, i vëllai Borislavi, e reja dhe kunata të ish-kryetarit jugosllav janë në këtë listë të re, të ripërpunuar të presidentit amerikan.
Ish-kryetari serb, Milan Milutinoviqi është po ashtu në këtë listë, ndërsa që nuk kanë mbetur anash as kryeradikalisti serb Vojislav Shesheli, dhe gjeneralët e UJ-së, Dragolub Ojdaniqi e Nebojsha Pavkoviqi. Bilana Plavshiqi, Radovan Karaxhiqi nga Bosnja, Sefer Haliloviqi e Hasan Çengiqi janë më të mëdhenjtë e Bosnjës në listë, përderisa Ante Gotovina, shqiptari Rrahim Ademi e Ante Jelaviqi janë në mesin e atyre që kërcënojnë paqen nga Kroacia.
I ri në listë është edhe emri i ushtarakut shqiptar Spiro Butka, deri vonë epror i TMK-së, tashmë i larguar.
Kësaj radhe nuk është kursyer as Idajet Beqiri, alias Alban Vjosa, i konsideruar si lider i Armatës Kombëtare Shqiptare. AKSH-ja, FBSHK-ja, UÇK(kombëtare)-ja, Armata e Republikës së Iliridës, Lëvizja Çetnike e Ravnagorës, UÇPMB-ja, LKÇK-ja, LPK-ja, KKÇMTSH-ja janë organizata të papëlqyeshme për presidentin Bush dhe SHBAnë.
Sipas Departamentit të shtetit amerikan, për Boshkovskin dhe të rinjtë në listë, bashkë me Milosheviqët dhe të tjerët, ishanëtarët e vjetër të listës, tani janë në fuqi sanksionet të cilat parashohin ndalim të hyrjes në SHBA dhe për ta janë ngrirë të gjitha fondet e institucioneve financiare amerikane.
Zëdhënësi Richard Boucher ka deklaruar të enjten mbrëma se në listën e zezë është futur edhe një person - njeriu i identifikuar si zotëri Boshkovski, emri i të cilit është shtuar në bazë të vlerësimeve se ai e varros stabilitetin në Maqedoni.
Ata që gjenden në listë janë ekstremistë të cilët tentojnë që ta destabilizojnë Ballkanin. Dënimet për personat në listën e zezë përfshijnë “refuzim që t’u lejohet hyrje në SHBA, si dhe ngrirje të fondeve të institucioneve financiare amerikane”, ka deklaruar Boucher.
Më 27 qershor të vitit 2001 presidenti amerikan George W. Bush ka proklamuar se suspendon hyrjen në SHBA të një grupi të njerëzve dhe entiteteve nga Maqedonia, Kosova dhe Lugina e Preshevës të cilët janë cilësuar si “ekstremistë të cilët dëshirojnë që me dhunë t’i ndërrojnë kufijtë ose të sabotojnë proceset demokratike”.
Tashti lista është zgjeruar edhe me persona dhe entitete nga Bosnja, Serbia dhe Kroacia. Shtëpia e Bardhë pat bërë të ditur atëherë se Bushi ka lëshuar një proklamatë me të cilën u kufizon hyrjen në SHBA atyre individëve që aktivisht e pengojnë jetësimin e Marrëveshjes së paqes së Daytonit për Bosnjë ose Rezolutës 1244 të KS të OKB-së për Kosovë, dhe atyre të cilët në mënyra të tjera dëshirojnë të minojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Përveç kësaj, shpallja ua kufizon hyrjen në SHBA atyre që janë përgjegjës për krimet e bëra në rajon gjatë kohës së luftës që nga viti 1991.
Bëhet e ditur aipas faqes së internetit të Ministrisë së Financave amerikane, se në listën e zezë më të re, të titulluar si “nacionalitete të caktuara dhe persona të bllokuar”, Lube Boshkovski është i evidencuar si: Boshkovski, Lube. DOB,(datëlindja) 28 tetor 1960, individual, Balkans. Në këtë listë nga Maqedonia janë edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Kombëtare, Xhevat Ademi, kryetari i parë i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili dhe disa persona të tjerë.
Për shkak të radhitjes sipas alfabetit, Boshkovski është shumë afër në listën e zezë me Bin Ladenin, udhëheqësin e organizatës terroriste “Al-Qaeda”.
“Unë s’kam asgjë me këtë”, ka deklaruar shkurtimisht Boshkovski për agjencinë e lajmeve Makfak, dhe ka refuzuar të komentojë, duke lënë megjithatë mundësinë që më vonë të japë deklaratë.
President i SHBA-ve, njëkohësisht, ka pezulluar sanksionet për 45 persona nga ish-Jugosllavia të cilët ndonjëherë mund të paraqesin rrezik për demokracinë dhe i nxisnin keqpërdorimet e të drejtave të njeriut.
Koha
Krijoni Kontakt