07/02/2010
Gjergj Erebara
Gazeta Shqip
Financat: Do të shpenzohen 683 milionë euro për pagesat e borxhit dhe interesat
Ministria e Financave ka parashikuar se Shqipëria mund të përballet me probleme serioze në shlyerjen e interesave dhe të borxhit publik të brendshëm e të jashtëm në vitin 2012. Sipas programit ekonomik e financiar të Shqipërisë për vitet e ardhshme, shlyerja e kredisë së marrë gjatë krizës së vitit 2009, si dhe interesave të zakonshme të borxheve ekzistuese, do të kërkojë një shumë të përgjithshme parash prej 90.4 miliardë lekësh, ose rreth 700 milionë euro, sipas kursit ekzistues. Nga këto, 32.7 miliardë lekë ose 250 milionë euro, do të duhet të paguhen si principal dhe interesa për kredinë e shtrenjtë të marrë në maj të vitit të kaluar, për të paguar rrugën Durrës-Kukës.
“Portofoli i borxhit të qeverisë ka një përbërje me risk të lartë. Huamarrja e brendshme afatshkurtër dhe huamarrja në monedhë të huaj përbën një pjesë të rëndësishme të borxhit. Simulimet kosto/risk tregojnë rëndësinë e reduktimit të borxhit, veçanërisht të riskut të rifinancimit të brendshëm. Përndryshe, efekti i shok-eve financiare do të ishte i lartë, duke shkaktuar jo vetëm pagesa borxhi të larta. Një risk rifinancimi i lartë mund të shkaktojë dhe/ose të zmadhojë një krizë të përgjithshme financiare”, shkruhet në Programin Ekonomik e Financiar të qeverisë.
“Meqenëse pjesa më e madhe e borxhit konsiston në borxhin afatshkurtër të brendshëm i ekspozuar ndaj ndryshimeve të normave të interesit, ose nga borxhi i jashtëm i ekspozuar ndaj ndryshimeve të kursit të këmbimit, risqet ekzistuese të borxhit janë të mëdha. Kjo pritet që të çojë në luhatje të mëdha në shërbimet e borxhit”, thuhet në programin ekonomik që u miratua nga qeveria në janar.
Rreziku i falimentit në vitin 2012 u shkaktua nga kriza e vitit 2009. Qeveria mori përsipër të shpenzonte rreth 300 milionë euro (mbi 15 për qind të të ardhurave të veta), për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, ndërsa nuk hoqi dorë as nga rritja e pagave dhe pensioneve para zgjedhjeve. Në këto kushte, qeveria iu drejtua bankave ndërkombëtare për të marrë borxh. Kriza e buxhetit u kalua për momentin, por problemi është se borxhi duhet të shlyhet së bashku me interesat dhe afati i kredisë qe vetëm tre vjet.
Skenarët e shpëtimit
Shuma prej 700 milionë eurosh është praktikisht e papërballueshme për buxhetin e shtetit dhe për këtë arsye Ministria e Financave ka menduar të emetojë eurobonde, një borxh i ri për të shlyer atë të vjetrin, në mënyrë që të shtyhet në kohë pagesa e principalit. Por rreziqet janë të shumta dhe Banka e Shqipërisë nuk duket shumë e bindur se plani i qeverisë mund të funksionojë. Rreziku i parë është që qeveria ndoshta nuk arrin të tërheqë blerës për eurobondet që synon të emetojë në maj 2010, ndërsa rreziku i dytë është zhvlerësimi i mëtejshëm i lekut kundrejt euros.
“Ky skenar tregon sesa i ndjeshëm është raporti borxh/PBB kundrejt zhvillimeve makroekonomike dhe fiskale të vendit.
Sipas vlerësimeve të deritanishme, në fund të vitit 2009, raporti i borxhit në total parashikohet 59,5% kundrejt PBB (rritja reale 3%) krahasuar me 54,9% në fund të vitit 2008,” thuhet në programin e qeverisë.
Në rast se qeveria nuk do të ketë para për të shlyer borxhin më 2012, sipas kontratës, interesat do t’i shtohen dhe afati do t’i zgjatet edhe për dy vjet. Rrugëzgjidhja e zakonshme në një rast të tillë quhet “programi i rregullimeve strukturore”. Qeveria shqiptare ka të drejtë t’i drejtohet Fondit Monetar Ndërkombëtar për ndihmë dhe të zbatojë një program stabilizimi që mund të kërkojë disa vite kursim kombëtar dhe vuajtje, i ngjashëm me atë që Shqipëria vuajti gjatë viteve ‘90-‘2000.
Banka e Shqipërisë, nga ana e saj, i ka kërkuar qeverisë të përgatisë një “PLAN B” për të paguar borxhin e vitit 2009, por deri më sot, së paku zyrtarisht, asgjë nuk është bërë. Qeveria mund të detyrohet të kursejë shumë gjatë dy viteve që mbeten, me qëllim që të bëhet më e besueshme përballë kreditorëve ndërkombëtarë.
Borxhet e Shqipërisë
Borxhi i brendshëm dhe i jashtëm i Shqipërisë, sipas asaj që zyrtarisht klasifikohet si borxh, është aktualisht rreth 60 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në Programin Ekonomik, qeveria pranon për herë të parë se gjatë vitit 2009 stoku i borxhit u rrit me 4.6 pikë përqindjeje të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pavarësisht kësaj, struktura e borxhit të jashtëm tregon se në pamje të parë situata nuk është kaq dramatike. Me përjashtim të kredisë së marrë në vitin 2009, e gjithë pjesa tjetër e borxhit është lehtësisht e pagueshme, pasi shumica janë kredi të dhëna nga Banka Botërore me interesa të ulëta. Por sipas ekspertëve, problemi qëndron në faktin se qeveria shqiptare nuk i klasifikon detyrimet që janë krijuar dhe vijojnë të krijohen nga skema publike e sigurimeve shoqërore.
Çdo shqiptar që paguan sigurime shoqërore e shëndetësore sot, i “jep borxh” brezit pasardhës, por ky borxh nuk llogaritet dhe as nuk klasifikohet si borxh publik, duke krijuar një panoramë të rreme dhe të paqartë për të ardhmen.
Krijoni Kontakt