Close
Faqja 18 prej 20 FillimFillim ... 81617181920 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 171 deri 180 prej 194
  1. #171
    patriot Maska e shoku_tanku
    Anëtarësuar
    18-09-2006
    Vendndodhja
    Tiranë
    Postime
    3,395
    Ekonomia po ecën me moton: "Për nesër, ka Perëndia..." (!)



    Mora shkak që të shkruaj nga një njoftim në shtyp se qeveria ka nxjerrë në shitje një Bond 400 milionë euro. Kjo nuk përbën ndonjë gjë të madhe si metodë, pasi edhe shumë shtete të botës e praktikojnë si mënyrë për të gjetur burim parash.


    Mirëpo më bëri përshtypje që qeveria dhe mazhoranca në parlament ka bërë fshehtas ndryshimin e ligjit që i jep të drejtë qeverisë me sekserët e saj, të rrisë ofertën për përqindjen e Bondit, nga 7.5% në 8.5%... Vetëm kjo rritje e "vogël" i kushton për 5 vjet taksapaguesve shqiptarë 20 milionë euro e më shumë...


    Por, prapë nuk do të përbente ndonjë lajm kjo gjë, po të mos shikonim se vende të tjera si Kroacia, Çekia apo Polonia që kanë ekonomi më të konsoliduar dhe më të qëndrueshme se ne, e kanë shtyrë shitjen e Bondit financiar për më vonë, kur tregu të stabilizohet. Por Shqipëria bën insistim në tregjet europiane dhe botërore të financës që ta shesë sa më shpejt bondin e saj 400 milionësh ...!!


    Pra, këtu qëndron puna. Kemi nevojë imediate për para. Arka e shtetit është bosh ose të paktën nuk ka mjaftueshëm para të likuidojë. Prandaj, Kuvendi dhe qeveria, fshehtas dhe me një shpejtësi marramendëse, kur e panë që bondi nuk po shitej dhe paratë duhen urgjent, e rritën tavanin me një për qind, me qëllim që të joshë blerësit t'i japin borxh Shqipërisë, me këtë përqindje më të lartë.


    Si duket kjo ka ardhur edhe si kërkesë e dy sekserëve të qeverisë: Deutsch Bank dhe J.P.Morgan (ju kujtoj që kjo e dyta paraqet shumë frikë për tregjet botërore, pasi ka probleme likuidimi )..!


    Po pse qeveria kërkon me insistim, borxhe kaq të mëdha dhe kaq të shtrenjta, kur deklaron se ia kemi hedhur krizës dhe se kemi një rritje dhe zhvillim ekonomik të lartë?! Insistimi i qeverisë, për ata që kuptojnë qoftë edhe pak nga ekonomia, ka vetëm një emër:


    Dështim! Dhe qeveria e z. Berisha po përdor rëndshëm variantin e njohur: "merr nga njeri për të likuiduar tjetrin..."!!
    Le të vemi me logjiken e qeverisë sonë dhe të themi, se në fund të fundit paratë janë përdorur për të rritur dhe zhvilluar ekonominë dhe mirëqenien e vendit.


    Atëherë më lind e drejta të përdor këtu shprehjen shqiptare: "Mos i shtri këmbët, më shumë nga ç'ke të gjatë jorganin". Ekonomikisht, ky shtet këtë gjë ka bërë dhe po bën: Kemi hapur aq punë dhe kantiere sa nuk kemi mundësi t'i investojmë apo qoftë edhe t'i japim tek të tjerët t'i investojnë. Kjo situatë ka vetëm një emër:


    Keqqeverisje! Kjo metodë duke hapur kantiere dhe duke i lënë përgjysmë është jo thjesht e gabuar dhe e papranueshme, por veç të tjerave është burim i pashtershëm i korrupsionit dhe pragu i parë i falimentimit të një vendi.


    Me sa duket, për kryeministrin, më e rëndësishme se vetë përfundimi i veprave, ka qenë efekti që do të bënte propaganda mbi to, tek njerëzit. Por sot, këto vështirësi për investimet janë kthyer në makth për qeverinë.


    Është gjetur rruga e shkurtër, bile dritëshkurtër: të merret borxh nga kushdo që mund të japë, me çfarëdo përqindje! Me këto para do të likuidojë borxhet e mara më parë dhe kështu vazhdon deri sa ta lejojnë apo t'i lejohet.


    Për shumë ekonomistë, "loja" është e kuptueshme dhe nuk ia vjen që të zgjatemi, por varianti që ka zgjedhur ose më saktë që është detyruar të zgjedhë tani Berisha dhe ministri i tij i Financave, R. Bode, është "piramidizimi" i ekonomisë shqiptare, pa më të voglin dyshim...


    Të gjitha sa thonë për rritje dhe për zhvillim, janë me një bazë prej rëre, që do të shemben, në momentin e parë që nuk do gjenden paratë në kohë. Për qeverinë e Shqipërisë me sa duket tashmë vlen shprehja: "Ta shtyjmë sot... Për nesër... ka Perëndia (!!)"

    Leter e nenshkruar,Partizan Cene/Shekulli

  2. #172
    patriot Maska e shoku_tanku
    Anëtarësuar
    18-09-2006
    Vendndodhja
    Tiranë
    Postime
    3,395
    Borxhi publik arrin 60 %, Bode: Nuk është problem


    TIRANË- Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Financave, Ridvan Bode, kanë shfrytëzuar një takim të organizuar nga selia e Bankës Botërore në Tiranë për të siguruar donatorët por edhe investitorët e huaj për stabilitetin e treguesve të borxhit të vendit.


    Deklaratat e kreut të ekzekutivit dhe shefit të financave vijnë në një kohë kur procesi i shitjes së eurobondit shqiptar ka ngecur për mungesë të investitorëve duke lënë të hapur mundësinë e kërkimit të burimeve të reja të financimeve.


    Fillimisht Bode është kujdesur të sqarojë se edhe niveli prej rreth 60 për qind i borxhit publik nuk përbën rrezik për financat shqiptare ndërsa më pas theksoi se vendi ka kapacitete të shlyerjes së tij nisur edhe nga afati i gjatë dhe financuesit. "Ne kemi një borxh publik prej 60 për qind dhe nëqoftëse kush e dëgjon shifrën mund të thotë është i lartë apo i ulët krahasuar me vendet e tjera.


    Ajo që doja të thoja unë se niveli prej 59 për qind i borxhit publik të vendit nuk e bën atë problematik në disa aspekte", - tha Bode duke shpjeguar edhe arsyet se përse qeveria nuk e konsideron problematik nivelin aktual të borxhit publik, i cili brenda vitit 2009 u rrit me 5 për qind.


    Në total, borxhi publik i Shqipërisë deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti arriti në rreth 635 miliardë lekë. Sipas Bodes, fakti që pjesa më e madhe e borxhit publik rreth dy të tretat janë borxh i brendshëm i shërbyer në monedhën vendase si dhe afati i gjatë me të cilën është marrë pjesa tjetër e huasë nga financuesit e jashtëm bëjnë që niveli prej 60 për qind e borxhit publik të vendit të mos shfaqë rrezikshmëri për financat shqiptare.


    Momentalisht, shlyerja e interesave të borxhit publik i kushton Shqipërisë sa 3 për qind e Prodhimit të Brëndshëm Bruto.


    "Ne nuk i themi këto për të kërkuar rritjen e mëtjejshme të borxhit dhe mbajtjen e një deficiti buxhetor të lartë por për të hequr çdo merak për kapacitetin që kanë financat publike në shërbimnin e borxhit", - vijoi Bode duke dashur të ofrojë siguri edhe për investitorët e huaj për të blerë eurobondin shqiptar, i cili edhe pse ofrohet me interesa relativisht të larta në raport me vendet e tjera duket se është një produkt i papreferuar në treg.
    Ndërkohë.


    Kryeministri Berisha pranoi zyrtarisht se shitja e eurobondit shqiptar ka ngecur për momentin duke ia hedhur fajin për këtë krizës që ka përfshirë fqinjin tonë jugor Greqinë. "Qeveria dhe Ministria e Financave vendosën të paraqiten në tregun financiar evropian.


    Koha është e pamëshirë. Statusi 'junk' i shpallur për borxhin grek ka krijuar një konfuzion të madh në tregjet evropiane. Ne nuk jemi tërhequr, nuk kemi gjetur asnjë arsye që të tërhiqemi.


    Ne e kemi shtyrë, natyrisht, por kemi besim të plotë se investitorët kanë shumë arsye për të shprehur besimin e tyre tek eurobondet e Shqipërisë", -u shpreh Berisha.


    Më pas në kuadrin e sigurimit të donatorëve Berisha përmendi me radhë të gjitha nevojat për financime që kanë sektorët e ekonomisë shqiptare, siç janë energjetika, shëndetësia, arsimi, biznesi, etj.

    Emirjon Senja\Shekulli

  3. #173
    patriot Maska e shoku_tanku
    Anëtarësuar
    18-09-2006
    Vendndodhja
    Tiranë
    Postime
    3,395
    Keta ose na mbajne ne me anestezi,ose kane zgjeruar plantacionet e ashashit se nuk ka mundesi...!

  4. #174
    patriot Maska e shoku_tanku
    Anëtarësuar
    18-09-2006
    Vendndodhja
    Tiranë
    Postime
    3,395
    Të gënjesh ndërkombëtarisht


    Të martën, Kryeministri, Ministri i Financave dhe Ministri i Ekonomisë nxituan t'i kundërvihen ekspertëve të Bankës Botërore dhe të shpallin edhe një herë bëmat dhe arritjet e lavdishme të fanarit ndriçues të ekonomisë botërore të quajtur Shqipëri.


    Kësaj radhe u tha që Shqipëria zë vendin e parë në Europë - madje në botë - për rritjen dyfish të eksporteve, kur të gjitha vendet janë në krizë. Ndonëse sa herë bëj analiza ekonomike mbi deklaratat e bujshme të qeverisë pendohem për humbjen e kohës, sepse rezultojnë tërësisht të pavërteta, edhe kësaj here nuk i rezistova dot tundimit.


    Së pari, është e rëndësishme të qartësohet principi bazë se nuk mund të bëhen deklarata vetëm për eksportet në vakum, pa parë edhe anën tjetër të medaljes, pra importet dhe si rrjedhojë balancën tregtare.


    Sipas INSTAT, shifrat e tremujorit të parë të vitit 2010, tregojnë se deficiti tregtar është thelluar. Ne, si zakonisht, kemi importuar shumë më tepër se sa kemi eksportuar dhe vlera absolute e eksporteve është në nivele mjerane.


    Së dyti, përpara se të duartrokasim për pseudo-arritjet qeveritare, ia vlen të kuptojmë se nga burojnë këto eksporte. Për këtë, i referohem serish të dhënave të INSTAT. Bie në sy që vlera e energjisë elektrike të eksportuar është rreth 60% më e madhe se ajo e të njëjtit tremujor të vitit 2009.


    Duke qenë se qeveria është pronari më i madh energjisë se prodhuar në Shqipëri, këto të ardhura duhet të kishin shkuar në buxhetin e shtetit. Si shpjegohet që ky buxhet nuk reflekton të tilla të ardhura?


    Përgjigja është e thjeshtë, sepse nuk ka pasur eksporte në të tilla nivele. Po të kishte qenë ndryshe, e marrë thjesht në nivelin human, qeveria minimalisht do të duhej të kishte të ardhurat për të dëmshpërblyer banorët e zonave që shtrihen nga Shkodra e Lezha deri në Miliskaje të Komunës së Thumanës për përmbytjet që iu shkaktuan.


    Për të mos ju referuar më tej këngës që duhet të kishim dëgjuar për Shqipërinë si superfuqi energjetike.


    Për të qenë korrekte, mundohem të verifikoj se kujt i është shitur kjo energji elektrike me shpresën për të kuptuar diçka më shumë.


    Nga të dhënat e INSTAT-it rezulton se Italia dhe Greqia, të cilat për çdo kategori tjetër absorbojnë më shumë se 50% të eksporteve të vendit, për energjinë elektrike në total kanë blerë më pak se 20% të vlerës së shitur.


    Po 80% të eksportit energjetik kujt i është shitur? INSTAT ia faturon këtë balancë gjigante kategorisë së papërcaktuar "vende të tjera".


    Pra, të ardhurat nga shitjet e energjisë nuk figurojnë asgjëkund, partnerët me të cilat bëjmë shumicën e tregtisë nuk kanë blerë energji më shumë se zakonisht, ndërsa ne duhet të besojmë se mrekullisht eksporti i energjisë ka lulëzuar pafund.


    Analiza e zërave të tjerë të eksportit tregon se duhet të jetë rritur eksporti i metaleve, materialeve të ndërtimit apo prodhimi i tekstileve dhe këpucëve. Ia vlen të ndalem për një çast tek eksporti i tekstileve dhe këpucëve se metale të përpunuara dhe materiale ndërtimi ne nuk jemi të zotët të prodhojmë për eksport.


    Blerësit kryesorë në këtë kategori janë sërish Italia dhe Greqia, falë bizneseve të fasoneve të ngritura në Shqipëri. Dy ditë më parë, këto vende dhe bashkanëtarët e tjerë të eurozonës deklaruan se niveli i papunësisë ishte më i larti për 12 vitet e fundit, ndërsa rënia e harxhimeve nga ana e konsumatorëve mbetet akute, pasi flet për një periudhë të përzgjatur recesioni.


    Si është e mundur që europianët të jenë duke harxhuar më pak para, duke blerë me pak produkte, ndërsa kërkesat e sipërmarrësve europianë për tekstilet dhe këpucët e fasonëve tona të jenë në rritje?


    E nëse është kështu, si shpjegohet që biznesi i fasonëve është në krizë, duke hedhur në rrugë mijëra punëtorë, kur me këto eksporte në rritje ai duhet të ishte duke lulëzuar? Përgjigja sigurisht është që këto shifra janë të pavërteta.


    Është e njëjta logjikë që u përdor kur u deklarua rritja e madhe e të ardhurave nga poste-telekomunikacionet ndonëse, për të justifikuar deklaratat e qeverisë, të ardhurat e kompanive celulare duhet të ishin rritur 4-5 fish në një tremujor të vetëm.


    Apo logjika që të ardhurat nga turizmi ishin më të larta në muajt e ftohtë të dimrit se sa gjatë sezonin turistik të verës. Qeveria qartazi i falsifikon shifrat dhe në rastin e eksporteve gënjen me lehtë, sepse s'ka asnjë evidencë të publikuar.


    Sidoqoftë, këtë radhë gënjeshtra ka një ndryshim të madh. Ajo bëhet ndërkombëtarisht në prani të eksperteve të ekonomisë së Bankës Botërore, pra ballazi apo komunistshe. Kryekonomisti i Bankës Botërore paralajmëron me mirësjellje rrezikun e borxhit si një rrezik shumë të madh për ekonominë e brishtë shqiptare, me një rritje galopante të viteve të fundit, mbi dy herë, falë shpenzimeve qeveritare dhe veçanërisht rrugës Rrëshen - Kalimash.


    Ministri ynë i Financave, i shkolluar për ekonomi bujqësore, i jep atij leksionin e radhës, pas leksionit të piramidave, dhe ia përplas në fytyrë duke e quajtur borxhin jo problematik. Ekspertet e Bankës tërheqin vëmendjen për parashikime jorealiste të gjendjes së ekonomisë.


    Ministri ynë i Ekonomisë, i shkolluar për gjuhë të huaj, ia përplas në fytyrë duke thënë se me këto ritme të zhvillimit ekonomik, në vitin 2015, Shqipëria e ka të sigurt që anëtarësohet në Bashkimin Europian, duke injoruar se edhe me ritme reale më të larta se këto që deklarohen, të ardhurat tona për frymë nuk konvergojnë aspak me ato të BE-së.


    Por, kulmi arrin kur Kryeministri ynë, kryeministri i vendit më të varfër të Europës dhe më të mbytur në borxhe, i shkolluar për mjek, kritikon ashpër politikat ekonomike të financimit të sektorit privat për të shmangur falimentimet, politika të cilat janë ndjekur nga SHBA, Franca, Anglia, Gjermania dhe nga vetë Bashkimi Europian.


    Kryeministri ofron receta ekonomike për këto vende dhe për të gjithë botën, madje "ia fut të dy këmbët në një këpucë" Organizatës Botërore të Tregtisë me mjekimin e radhës për çfarë duhet bërë e çfarë nuk duhet bërë për të shmangur krizën.


    Përballë kësaj megalomanie enveriane, u pendova sërish që humba kohën për të analizuar gënjeshtrat e radhës që u serviren shqiptarëve nga qeveria që nuk i qeveris, por vetëm i gënjen, këtë radhë duke na turpëruar edhe ndërkombëtarisht.

    Rudina Seferi\Shekulli

  5. #175
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,969
    Postimet në Bllog
    22
    Problemi me Eurobondet dhe zgjidhja e mundshme

    Artan Gjergji*

    Së fundmi në terminologjinë financiare të përdorur nga media dhe publiku i gjerë ka zënë vend një koncept i ri, i cili jo për pak shqiptarë mbetet ende një term i panjohur mirë, kryesisht për shkak të specifikës shumë teknike që mbart. Eurobondet (media shqipton gabim emrin e tyre, duke i quajtur Eurobono) janë letra me vlerë të borxhit afatgjatë të quajtura ndryshe edhe obligacione, por kësaj radhe jo të emetuara në monedhën kombëtare, por të nominuara në monedhë të huaj (në rastin tonë në euro). Një karakteristikë e Eurobondeve është se ato emetohen jashtë kufijve të vendit, i cili i hedh në treg. Me anë të këtyre instrumenteve financiare, vendet e ndryshme tentojnë të marrin hua afatgjata në tregjet e zhvilluara. Një transaksion i tillë ndërmerret jo vetëm për të siguruar likuiditete afatgjata, por edhe shërben si një lloj hapjeje e sistemit financiar kombëtar ndaj tregjeve ndërkombëtare, si një prestigj për shkak të besimit që kanë investitorët e huaj mbi letrat e borxhit të një vendi, dhe së fundmi shërben edhe në mënyrë indirekte si promovim i vendit emetues. Një tjetër anë pozitive që konsiderohet shumë e rëndësishme nga analistët financiarë është se emetimi i Eurobondeve krijon në afatmesëm dhe në afatgjatë një presion pozitiv mbi qeveritë e vendeve përkatëse, pasi i detyron ato të jenë shumë më të kujdesshme në drejtim të përdorimit të financave publike. Dhe e fundit, këto obligacione në valutë të huaj marrin emërtimin nga tregu ku hidhen për shitje që d.m.th, duke qenë se tregu i synuar është BE, quhen Eurobonde, nëse do ishin emetuar në SHBA do quheshin Yankee Bonds, nëse do ishin emetuar në Japoni do quheshin Samurai Bonds e kështu me radhë.
    Përtej retorikës politike, e cila akuzon për blasfemira të tipit huamarrje biblike në kurriz të shqiptarëve, procesi i hapjes së ndaj tregjeve ndërkombëtare është një fenomen krejtësisht normal dhe ndodh atëherë kur financat e një vendi të caktuar kanë filluar të konsolidohen. Gjithashtu, një fenomen i tillë ndodh atëherë kur burimet e financimit të vendeve të caktuara fillojnë e pakësohen, por edhe kur vendi del nga klasifikimi i vendeve që përfitojnë fonde me terma të butë nga donatorët si dhe atëherë kur “ombrella” e institucioneve financiare ndërkombëtare si FMN konsiderohet e panevojshme. Ajo që dua të them është pikërisht që Shqipëria kishte vite që punonte në këtë drejtim. Edhe pse duket e çuditshme (kur dëgjon politikanët që s’janë ekspertë), Ministria e Financave e ka pasur të parashikuar që në Strategjinë e Borxhit 2007-2009, emetimin e Eurobondeve, si një mjet efikas edhe për të diversifikuar mjetet e borxhit shtetëror (në lloj dhe në valutë), edhe për të rritur kohëzgjatjen e tyre (afatin e maturimit). Mirëpo, në mes të vitit 2008 e në vijim tregjet financiare ndërkombëtare pësuan një rënie të jashtëzakonshme, për shkak të krizës që lindi në tregjet e pasurive të paluajtshme në SHBA dhe u përhap me shpejtësi në të gjitha tregjet e tjera ndërkombëtare të letrave me vlerë. E gjetur në këto kushte, kur tregjet financiare vuanin nga mungesa e likuiditetit dhe kur kostoja e dhënies hua (norma e interesit) ishte shumë e lartë, Qeveria shqiptare, e cila kishte bërë një planifikim të shpenzimeve në varësi të strategjisë së borxhit, u detyrua të bënte një zgjedhje. Ose do të emetonte Eurobonde me një normë interesi të lartë për një periudhë afatgjatë (çka do i rëndonte shumë financat publike), ose të gjente një zgjidhje afatshkurtër. U zgjodh rruga e dytë, nëpërmjet huamarrjes ndaj një grupi bankash tregtare greke, me një normë, që për hir të së vërtetës ishte relativisht e lartë me kushtet e tregut. Megjithatë, ekspertët e Ministrisë së Financave hartuan një kontratë opsionale “të zgjuar”, e cila i jepte mundësinë Qeverisë shqiptare të mbyllte para kohe një kredi të tillë kaq të shtrenjtë. Dhe në fakt ashtu po ndodh. Qëllimi ishte që të fitohej kohë deri sa tregjet financiare të qetësoheshin dhe kostoja e huamarrjes të binte, në mënyrë që Shqipëria t’i drejtohej edhe një herë tregut financiar ndërkombëtar.
    Tashmë të gjithë jemi në dijeni që prej disa muajsh Ministria e Financave po përpiqet të hedhë në treg Eurobondet e para shqiptare, dhe për këtë janë angazhuar të gjitha instancat më të larta të shtetit shqiptar, përfshi edhe Kryeministrin (siç ndodh rëndom në kësi rastesh), për të promovuar një eveniment të tillë. Gjithashtu, sipas detyrimeve teknike që ka një proces i tillë, janë përzgjedhur edhe bankat investuese, ndër më seriozet në botë JP Morgan dhe Deutche Bank, të cilat do realizojnë të gjithë procesin për llogari të shtetit shqiptar. Kjo përgatitje përfshin fazat që nga hartimi i të gjithë paketës së nevojshme për njohjen e këtyre instrumenteve nga investitorët e huaj, promovimin dhe shitjen e tyre tek të interesuarit, listimin e Eurobondeve shqiptare për t’u tregtuar në bursat evropiane më në zë (Londër, Frankfurt dhe Vjenë), si dhe arkëtimin e vlerave monetare për llogari të shtetit shqiptar. Në anën tjetër, Parlamenti shqiptar ka miratuar një ligj, ku u jep të drejtën këtyre bankave që të mos i shesin këto instrumente me një normë interesi më të lartë se 7.5%. Personalisht jam shprehur edhe në media skeptik në drejtim të arritjes së një niveli të tillë huamarrjeje, megjithatë në mungesë të një informacioni të detajuar, kam menduar se Ministria e Financave së bashku me ndërmjetësit financiarë e ka peshuar mirë këtë punë.
    Deri këtu çdo gjë duket sikur është perfekte dhe nuk ekziston asnjë problem. Mirëpo, ajo që nuk ishte parashikuar, ishte kriza që pushtoi financat publike të fqinjit tonë jugor, Greqisë, duke e bërë të pamundur financimin e saj në tregjet ndërkombëtare. Edhe pse në pamje të parë pa asnjë lloj lidhjeje direkte për financat e Shqipërisë, nevoja shumë e madhe e këtij vendi për likuiditete, si dhe mosbesimi i investitorëve ndërkombëtarë ndaj Greqisë, solli një rritje të normave të interesit në tregjet ndërkombëtare. Kjo vuri në rrezik edhe realizimin me sukses të shitjes (ofertës publike) të letrave me vlerë të borxhit jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera të rajonit si Çekia apo Mali i Zi.
    Tashmë kemi arritur në një pikë që po diskutohet nëse mundet apo jo Shqipëria të kreditohet nga tregu ndërkombëtar, duke e shitur të gjithë ofertën e Eurobondeve, dhe me çmimin e pritshëm. Shanset duken të pakta dhe për këtë mendoj unë, është bërë një gabim relativisht jo i vogël që në momentet e hartimit të të gjithë paketës nga ana e Ministrisë së Financave. Sipas praktikave ndërkombëtare, kur një subjekt (shtet, kompani apo çdo lloj emetuesi) nxjerr në shitje për herë të parë letrat e tij me vlerë në tregun financiar, zgjedh ndërmjetës financiarë, të cilët janë të gatshëm të nënshkruajnë (underwrite) të gjithë ofertën publike, duke marrë përsipër edhe riskun e mos-shitjes së këtyre letrave me vlerë. Në këtë mënyrë, me të vërtetë ndërmjetësi financiar i blen letrat me vlerë me një çmim relativisht më të favorshëm për të (çmim shumice), për t’i shitur më vonë më shtrenjtë ato tek investitorët, por kjo ia redukton në zero riskun e shitjes emetuesit (në rastin tonë shtetit shqiptar).
    Pavarësisht mungesës së informacionit të bërë publik nga Ministria e Financave, në ofertën e Eurobondeve shqiptare është marrë parasysh një tjetër metodë e ndërmjetësimit, ajo e përpjekjeve më të mira, sipas të cilave ndërmjetësit bëjnë të pamundurën të shesin letrat me vlerë të shtetit shqiptar (dhe për këtë paguhen me një komision të caktuar), por nuk marrin asnjë risk mbi vete. Zakonisht ndërmjetësit financiarë e përdorin këtë lloj metode ose në rastin kur risku i emetuesit është shumë i lartë (ky nuk është rasti i Shqipërisë, pasi kemi marrë nota pozitive vlerësimi nga kompanitë prestigjioze si S&P, Moody’s etj.), ose në rastin kur ka turbulenca në tregjet financiare.
    Prandaj gjykojmë si mjaft të rëndësishëm faktin që Ministria e Financave të rifillojë sa më shpejt rinegocimin me ndërmjetësit financiarë (JP Morgan dhe Deutche Bank), duke përfshirë në kushtet e kontratës edhe metodën e nënshkrimit të ofertës (underwriting). Ndërkohë, Parlamenti duhet të rishohë edhe një herë kushtet e normës maksimale të financimit të miratuar, për të gjetur një normë më të përshtatshme edhe në përputhje me ofertën “underwriting” që do japin ndërmjetësit e kontraktuar. Vetëm në këtë mënyrë nuk do humbin shansin e gjetjes së fondeve të nevojshme në kohë sa më të shkurtër dhe me kosto relativisht më të lirë të mundshme. Në të kundërt, do vazhdojmë të paguajmë kredinë e vjetshme me interesa shumë të larta. Çekia dhe Mali i Zi nuk janë në kushtet tona të nevojës për fonde, prandaj e patën luksin të “shtyjnë” emetimin e Eurobondeve të tyre (siç bëmë ne vitin që shkoi). Ne nuk besoj se e kemi këtë luks.

    Panorama
    *Pedagog, ekspert i financave

  6. #176
    i/e regjistruar Maska e leci
    Anëtarësuar
    14-01-2003
    Vendndodhja
    Goetheanum,Italy
    Postime
    1,742
    Citim Postuar më parë nga shoku_tanku Lexo Postimin
    Borxhi publik arrin 60 %, Bode: Nuk është problem


    TIRANË- Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Financave, Ridvan Bode, kanë shfrytëzuar një takim të organizuar nga selia e Bankës Botërore në Tiranë për të siguruar donatorët por edhe investitorët e huaj për stabilitetin e treguesve të borxhit të vendit.


    Deklaratat e kreut të ekzekutivit dhe shefit të financave vijnë në një kohë kur procesi i shitjes së eurobondit shqiptar ka ngecur për mungesë të investitorëve duke lënë të hapur mundësinë e kërkimit të burimeve të reja të financimeve.


    Fillimisht Bode është kujdesur të sqarojë se edhe niveli prej rreth 60 për qind i borxhit publik nuk përbën rrezik për financat shqiptare ndërsa më pas theksoi se vendi ka kapacitete të shlyerjes së tij nisur edhe nga afati i gjatë dhe financuesit. "Ne kemi një borxh publik prej 60 për qind dhe nëqoftëse kush e dëgjon shifrën mund të thotë është i lartë apo i ulët krahasuar me vendet e tjera.


    Ajo që doja të thoja unë se niveli prej 59 për qind i borxhit publik të vendit nuk e bën atë problematik në disa aspekte", - tha Bode duke shpjeguar edhe arsyet se përse qeveria nuk e konsideron problematik nivelin aktual të borxhit publik, i cili brenda vitit 2009 u rrit me 5 për qind.


    Në total, borxhi publik i Shqipërisë deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti arriti në rreth 635 miliardë lekë. Sipas Bodes, fakti që pjesa më e madhe e borxhit publik rreth dy të tretat janë borxh i brendshëm i shërbyer në monedhën vendase si dhe afati i gjatë me të cilën është marrë pjesa tjetër e huasë nga financuesit e jashtëm bëjnë që niveli prej 60 për qind e borxhit publik të vendit të mos shfaqë rrezikshmëri për financat shqiptare.


    Momentalisht, shlyerja e interesave të borxhit publik i kushton Shqipërisë sa 3 për qind e Prodhimit të Brëndshëm Bruto.


    "Ne nuk i themi këto për të kërkuar rritjen e mëtjejshme të borxhit dhe mbajtjen e një deficiti buxhetor të lartë por për të hequr çdo merak për kapacitetin që kanë financat publike në shërbimnin e borxhit", - vijoi Bode duke dashur të ofrojë siguri edhe për investitorët e huaj për të blerë eurobondin shqiptar, i cili edhe pse ofrohet me interesa relativisht të larta në raport me vendet e tjera duket se është një produkt i papreferuar në treg.
    Ndërkohë.


    Kryeministri Berisha pranoi zyrtarisht se shitja e eurobondit shqiptar ka ngecur për momentin duke ia hedhur fajin për këtë krizës që ka përfshirë fqinjin tonë jugor Greqinë. "Qeveria dhe Ministria e Financave vendosën të paraqiten në tregun financiar evropian.


    Koha është e pamëshirë. Statusi 'junk' i shpallur për borxhin grek ka krijuar një konfuzion të madh në tregjet evropiane. Ne nuk jemi tërhequr, nuk kemi gjetur asnjë arsye që të tërhiqemi.


    Ne e kemi shtyrë, natyrisht, por kemi besim të plotë se investitorët kanë shumë arsye për të shprehur besimin e tyre tek eurobondet e Shqipërisë", -u shpreh Berisha.


    Më pas në kuadrin e sigurimit të donatorëve Berisha përmendi me radhë të gjitha nevojat për financime që kanë sektorët e ekonomisë shqiptare, siç janë energjetika, shëndetësia, arsimi, biznesi, etj.

    Emirjon Senja\Shekulli
    Eurobonde shqipe.
    Sot nuk eshte per ti pasur besim as atyre spanjolle dhe italiane qe ti japin me interes 3%,e jo te marrin ato shqiptare me 8 % interes.

    Ka nje rregull te arte ne merkaton e obligacioneve,dhe kush merret me kete pune,per hoby ose profesion,e din mire.
    Mos ble asnjeher obligacione kur ti ofrojne me interes me te larte qe ne kete periudhe nuk kalon 3- 5%
    Greqia i ofroi me 6%,qe eshte afer katastrofes sociale.
    Ndryshuar për herë të fundit nga leci : 10-06-2010 më 16:40
    Quod timor cladis.
    Sed intuitum amet elit vitae est

  7. #177
    patriot Maska e shoku_tanku
    Anëtarësuar
    18-09-2006
    Vendndodhja
    Tiranë
    Postime
    3,395
    Dmth ne qe i ofruam me 8%...!

  8. #178
    i/e regjistruar Maska e leci
    Anëtarësuar
    14-01-2003
    Vendndodhja
    Goetheanum,Italy
    Postime
    1,742
    Citim Postuar më parë nga shoku_tanku Lexo Postimin
    Dmth ne qe i ofruam me 8%...!
    E the vete shoku


    Agjensia e rating Moody's e vlereson Shqiperine si me poshte:

    obligacione ne valute te huaj Ba1
    obligacione te shtetit shqiptar B1

    Klasifikimi per Ba1 do te thote finance spekulative,nese mundeni evitoni investimet.
    Kurse B1 eshte per financat shume spekulative.

    Tani nese rating shihet si nje indeks i besimit te investitorit,une personalisht nuk do ti blija eurobondet e qeverise shqiptare,sepse nuk ka siguri pagese ne skadencene tyre.
    Edhe me te gjitha falsifikimet e bilancit te shtetit shqiptar,ne rating klasifikohemi si nje vend jo i sigurte.
    Quod timor cladis.
    Sed intuitum amet elit vitae est

  9. #179
    patriot Maska e shoku_tanku
    Anëtarësuar
    18-09-2006
    Vendndodhja
    Tiranë
    Postime
    3,395
    Vuvuzelat dhe çeku 400 milionë




    Ideja e hedhjes në bursë të eurobondeve të qeverisë shqiptare u trumbetua nga qeveria si një ngjarje historike për Shqipërinë, pas shmangies me shumë sukses të krizës ekonomike, me një taktike që i la gojëhapur vendet e paditura perëndimore.


    Eurobondet tona do të listoheshin në bursën e Londrës si një shuplakë për opozitën, për FMN-në dhe për Bankën Botërore. Kjo fushatë mburrjeje u përgatit nga kori i vuvuzelave shqiptare, që paguhen me paratë e taksapaguesve, i përbërë nga nëpunës e qeveritarë të të gjitha niveleve që manipulojnë shifrat, i kryesuar nga INSTAT dhe i pakontestuar servilisht nga Banka e Shqipërisë.


    Korit iu bashkuan edhe disa "ekspertë" ndërkombëtarë, që njëlloj si grupet marksiste të dikurshme, paguhen nga buxheti i shtetit me disa vendime skandaloze qeveritare që mbeten ende të pahetuara.


    E kapur në ngërçin e rritjes së deficitit buxhetor, të një perspektive gjithnjë e më të zymtë mbi të ardhurat tatimore dhe të thellimit të recesionit (të papranuar) ekonomik, të denoncuar në vazhdimësi nga ekspertët e opozitës, qeveria angazhoi dy banka prestigjioze për ta ndihmuar të ngrejë 400 milionë euro.


    Struktura financiare do të ishin eurobondet, të cilat dallohen nga kreditë tipike, sepse listohen në bursë dhe janë likuide, që do të thotë se investitorët mund t'i shesin, pra të marrin mbrapsht paratë e tyre, kur të dëshirojnë pasi eurobondet shiten e blihen çdo ditë në bursë.


    Tentativa e parë për të gjetur investitorët fillestarë u bë vjeshtën që shkoi, por u la thuajse menjëherë, pasi në mes të krizës botërore, oreksi i bursave për të absorbuar listime të reja nuk ekzistonte.


    Tentativa e dytë, këtë radhë serioze, rinisi në fillim të vitit dhe qeveria kishte shpresë se do të mund ta siguronte çekun 400 milionësh, pasi tregjet ndërkombëtare të kapitalit ishin zhbllokuar disi.


    Vuvuzelat kishin filluar nga puna për të mbuluar presionin e përkeqësimit të ekonomisë, mungesën e të ardhurave dhe krizën e thellë politike. Kjo u shoqërua me një "arritje", pasi dy kompanitë ndërkombëtare të vlerësimit të rrezikut kreditor, Moody's dhe Standard & Poor's, dhanë vlerësime shumë më të larta nga ç'meritonim realisht.


    Sigurisht, u kuptua shpejt se qeveria i kishte ofruar këtyre kompanive të dhëna tërësisht false mbi gjendjen ekonomike.


    Madje, në një shkrim të botuar posaçërisht për këtë temë, jam shprehur se në qoftë se vlerësimet e këtyre dy kompanive për rrezikun e Shqipërisë si huamarrëse do të ishin të sakta, Shqipëria do të kishte mundësinë të merrte kredi me interesa të tipit 7% apo 8%, duke dhënë mendimin se kjo ishte tërësisht e pamundur.


    Por qeveritarët kishte besim të patundur tek strategjia e tyre. Ata arritën "t'ia hidhnin" kompanive të vlerësimit, pse të mos ia hidhnin edhe investitorëve të huaj?! Kështu, krenarë dhe mospërfillës, qeveritaret e lartë shqiptare morën rrugën për në Londër për t'i bindur huadhënësit potenciale t'iu japin para.


    Normalisht, këtë proces e drejton zëvendësministri ose e shumta ministri i Financave, por në rastin konkret korin e dirigjoi vetë kryeministri, i cili mori rrugën për në Londër për t'u dhënë të gjithëve mësimin e radhës, këtë radhë në fushën e marketimit të eurobondeve, pa ditur as mësimin e parë që huadhënësit e kanë të qartë se «mallin e mirë e shet djali dhe të keqin, vetë babai».



    Në këto takime, u trumbetuan arritjet e lavdishme ekonomike të Shqipërisë të tipit fanar ndriçues për gjithë botën, siguria e pakrahasueshme e eurobondeve shqiptare në krahasim me ato greke dhe më gjerë, aq sa këtu, ndërkohë që opozita protestonte dhe ishte në grevë urie, po ngrihej euforia se në Londër huadhënësit po grindeshin në radhë kush e kush te blinte i pari.


    Por investitorët qartazi nuk po e hanin sapunin për djathë, duke kërkuar që eurobondet e Shqipërisë të kishin një interes shumë më të lartë; një interes që reflektonte rrezikun aktual të Shqipërisë.


    Dhe kur qeveritarët u kundërpërgjigjen me këngën e vlerësimeve pozitive të Moody's apo Standard & Poor's, bankieret ju kujtuan mbrapsht që vlerësuesi më i saktë është tregu. Atëherë, ati i qeverisë luajti asin nën mëngë, apo kartën e fundit në dëm të popullit të vet: duke vendosur rritjen e interesit nga 7.5% ne 8.5%.


    Nën trysninë e nevojës për çekun 400 milionësh dhe duke shpresuar se greva e urisë e kishte ç'orientuar vëmendjen e opozitës, qeveritarët vepruan me efikasitet të paprecedentë për të ndryshuar ligjin e hedhjes në treg të eurobondeve.


    Me shpejtësi të paparë, Presidenti e miratoi ligjin e partisë së tij, duke i dhënë Ministrisë së Financave të drejtën ta rrisë interesin deri në 8.5% që do të thotë t'i rrëmbejë popullit të varfër edhe disa milionë euro të tjera.


    Por as kjo nuk mjaftoi. Interesi duhet të ishte të paktën dy shifrorë për t'i tërhequr investitorët e huaj, një vlerë të cilën as vuvuzelat e zhurmshme, vendase e të huaja, nuk do të mund ta fshihnin apo zbukuronin dot. Për më tepër, edhe dritarja e bursave filloi të mbyllej sërish dhe qeveria shqiptare e humbi shansin e saj për të ngritur fondet. Ati i qeverisë u rikthye në Tiranë i shoqëruar nga një humbje spektakolare.


    S'kishte si të ndodhte ndryshe. Edhe ekonomistet e financierët më të paaftë e kuptojnë që borxhi publik shqiptar është mjaft i lartë, struktura ekonomike shqiptare është shtrydhur deri në limitet e saj, reforma të mirëfillta ekonomike nuk ekzistojnë, mungesa e transparencës është dominuese dhe, si për të vulosur gjithçka, paratë që kërkohen nuk do të përdoren pre investime të mirëfillta, por për financime rutinë të deficitit buxhetor.

    Konkluzioni i sagës së çekut 400 milionësh është vetë-tregues. E gjithë kjo histori është një shembull më shumë i paaftësisë menaxhuese të qeverisë.


    Por realiteti i hidhur është se ajo po vazhdon të kërkojë rrugë të reja për të siguruar këtë çek. Kësaj radhe duket se burimi do të jenë bankat që operojnë në vend dhe për këtë duhet që edhe Banka e Shqipërisë të bëjë vuvuzelën. Në këtë mënyrë, qeveria jo vetëm do të ketë ca para me shumë për të keqshpenzuar, por do të vazhdojë të dëmtojë biznesin vendas, sepse do të thithë kapitalet financiare që i nevojiten shumë më tepër sektorit privat.

    Rudina Seferi\Shekulli

  10. #180
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,969
    Postimet në Bllog
    22
    Borxhi, Berisha: Po shikojmë bono në dollarë

    Dilema për bonon e parë shqiptare në tregjet ndërkombëtare nuk qëndron më në faktin nëse do të emetohet apo jo, por në cilën monedhë është më e leverdishme dhe këtu po shihet si mundësi edhe dollari. Ky është boshti ku janë zhvendosur tanimë diskutimet e Qeverisë shqiptare. Kryeministri Sali Berisha ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve "Reuters" se Shqipëria nuk ka hequr dorë nga ideja e lakuar gjatë gjysmës së parë të vitit për emetimin e një eurobonoje 300 milionë euro. "Po shohim situatën e euros. Duket se gjendja është duke u përmirësuar disi. Ajo që ndodhi me situatën e borxhit grek shihet se ka një tendencë përmirësimi, por në rast se borxhet e ekonomive të tjera të eurozonës do të kthehen në shqetësuese, mundësitë për të gjetur para në euro në tregje do të jenë të ulëta", ka thënë Kryeministri. Një tjetër alternativë që Qeveria shqiptare po e diskuton për eurobondin është ajo e rritjes së nivelit të synuar për emetim. Kështu, nëse fillimisht mendohej që 300 milionë euro ishin të mjaftueshme për të shlyer kredinë e shtrenjtë që Qeveria mori në vitin 2009 me 11 për qind dhe për të financuar deficitin, tashmë kjo ide po hidhet poshtë. Qeveria ka hedhur si alternativë diskutimi emetimin e një eurobondi në vlerën e 500 milionë eurove, të cilat do të shkojnë në të njëjtin destinacion të deklaruar edhe më parë. "Viti i kaluar ishte shumë i vështirë. Gjithsesi ne ishim në mes të paktave vende që morën një kredi", shprehet Kryeministri, duke justifikuar këtu interesin e lartë të kredisë 200 milionë euro. Sa i përket interesit të bonos, që synohet të emetohet në tregjet ndërkombëtare, kreu i Qeverisë shprehet se pret që interesi të jetë diku tek 7 për qind, por ende nuk mund të thuhet asgjë. Ky nivel përqindjeje në fakt është shumë më i favorshëm sesa ai që realisht mori Mali i Zi në emetimin e fundit të datës 7 shtator.

    Panorama

Faqja 18 prej 20 FillimFillim ... 81617181920 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  2. Ç'mendim keni për nacionalizmin shqiptar?
    Nga Anton në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 45
    Postimi i Fundit: 25-09-2012, 16:09
  3. Çfare historie false mesohet ne shkollat shqiptare?
    Nga BARAT në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 38
    Postimi i Fundit: 31-07-2009, 09:54
  4. Partia Islamike Shqiptare
    Nga Hyllien në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 104
    Postimi i Fundit: 27-03-2004, 12:23

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •