Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 7
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    Historia e panjohur e familjes së vjetër shkodrane Saraçi!

    DOSSIER I

    Historia e panjohur e familjes së vjetër shkodrane Saraçi, ku pinjollët e saj pasi ishin diplomuar në universitetet e Vjenës, përfunduan në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës

    "Ja si e grabiti Sigurimi profesor Angjelin Saraçin"


    --------------------------------------------------------------------------------

    Dashnor Kaloçi

    Një nga ato familje të njohura intelektualre shkodrane e cila u godit rëndë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës që me ardhjen e tyre në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, ka qenë edhe familja Saraçi, e cila ka banuar në rrugën me të njëjtin emër, karshi hotel "Sokrati", ngjitur me Prefekturën, e cila që para viteve '90 është e njohur me emrin: Rruga "Jorgji Karamitri". Po cila ishte origjina e familjes Saraçi, që kur kanë qenë të njohur të parët e saj në qytetin e Shkodrës dhe cilët ishin pinjollët që dolën prej trungut të saj dhe e mbëjtën gjallë traditën e familjes? Ku u shkolluan djemtë e Zef Saraçit, me çfarë punësh u morën ata gjatë viteve të Monarkisë së Zogut e në periudhën e pushtimit fashist të vëndit dhe përse u godit ajo familje nga regjimi komunist i Enver Hoxhës menjëherë pas mbarimit të luftës? Kush ishte Profesor Angjelin Saraçi, njëri nga personat më të njohur të asaj familje, përse u arrestua ai nga Sigurimi i Shtetit dhe si iu grabit atij e gjithë shtëpia së bashku me bibliotëkën e tij mjaft të pasur, të cilën ai vazhdoi ta kërkonte duke iu shkruar herë pas here autoriteteve komuniste që komandonin asokohe në qytetin e Shkodrës? Lidhur me historinë e kësaj familje, na njeh dëshmia e zonjës Fatbardha Saraçi (Mulleti) bashkëshortja e Kolindo Saraçit, vëllait të Angjelinit, më të njohurit të asaj familje që tashmë nga ana mashkullore i kanë mbetur vetëm dy djem fare të rinj, të cilët për vetë moshën e tyre nuk e njohin mirë të kaluarën e asaj familje.

    Vëllezërit Saraçi, diplomohen në Vjenë
    Origjina e hershme e familjes Saraçi, është nga qyteti i Shkodrës dhe të parët e saj mendohet që janë vendosur aty në atë lagje ku ndodhen edhe sot shtëpitë e tyre, diku aty nga viti 1650. Ashtu si disa nga familjet e vjetra shkodrane me tradita të hershme edhe familja Saraçi e ka ruajtur të plotë pemën gjenealogjike të saj, e cila e ka zanafillën që në mesin e shekullit të XVI, ku i pari i tyre përmëndet Ndrek Saraçi, i lindur në vitin 1650. Pas Ndrekës, që konsiderohet si i pari i asaj familje, kanë qenë të njohur edhe Nok e Gjok Saraçi, të cilët u lindën përkatësisht në vitin 1680 dhe 1710. Që prej asaj periudhë nga ajo familje e njohur shkodrane kanë dalë disa breza dhe një nga më të fundmit e tyre, ka qenë Zef Saraçi, i cili me bashkëshorten e tij, Roza Loro Gurakuqin, kanë pasur katër djem: Pjetërin e Gaspërin (binjakë) dhe Angjelinin e Loron. Lidhur me të kaluarën e kësaj familje, Fatbardha Saraçi (Mulleti) dëshmon: "Familja Saraçi ka qenë një familje ku të parët e tyre prej shumë vjetësh kanë jetuar në një gjendje ekonomike mjaft të mirë, si rezultat i pasurisë që kishin trashëguar. Nisur nga ky fakt, Zef Saraçi u kujdes për shkollimin e të gjithë fëmijëve të tij, në shkollat më të njohura si brenda ashtu dhe jashtë vëndit. Kështu dy djemtë binjakë, Pjetrin me Gaspërin, Zef Saraçi i dërgoi në kolegjin e fretënve të qytetit të Shkodrës, të cilin ata e mbaruan me rezultate mjaft të mira. Pas mbarimit të atij kolegji, dy vëllezërit binjakë shkuan me studime në Vjenë të Austrisë, ku u regjistruan në fakultetin Ekonomik të cilin e mbaruan me rezultate shumë të larta. Aty nga viti 1930 pasi Pjetëri me Gaspërin kishin mbrojtën diplomat, u kthyen në Shqipëri dhe iu përkushtuan punës private, duke mos pranuar që të shërbenin në administratën shtetërore. Kështu, Pjetër Saraçi, që ishte dhe më i madhi nga vëllezërit, filloi të punonte si komisjoner për të gjithë tregëtarët e Veriut të Shqipëris, duke i lidhur ata në marrëdhëniet e ndërsjellta tregtare me Gjermaninë, Austrinë, Francën etj. Atë punë e cila i sillte fitime të mëdha, Pjetër Saraçi e ushtroi gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut e gjithashtu edhe gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të vëndit. Atë zanat së bashku me punën e përkthyesit, Pjetër Saraçi e vazhdoi deri në vitin 1944, kur komunistët erdhën në pushtet dhe gjatë gjithë asaj kohe ai nuk ishte përzierë asnjëhere në punët e politikës. Ndërsa Pjetëri u mor me atë punë që ia rregulloi ndjeshëm gjëndjen ekonomike, vëllai tjetër binjak me të, Gaspëri, që pas kthimit nga Vjena në vitin 1930, u vendos në qytetin e Tiranës ku mor me riparim radiosh dhe po ashtu ai ka qenë mjaft i njohur në të gjithë qytetin e Shkodrës edhe si filatelist", kujton Fatbardha Saraçi (Mulleti) për dy vëllezërit binjakë Saraçi, të cilët kanë qenë shumë të njohur edhe për humorin e tyre të hollë.

    Dënimi i vëllezërve Saraçi në 1945
    Ashtu si shumë familje të vjetra shkodrane me tradita intelektuale, edhe familja Saraçi, menjëherë pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes në pushtet të komunistëve, u godit pa mëshirë prej tyre, duke u konsideruar familje borgjeze dhe reaksionare. E gjitha ajo erdhi për të vetmin fakt se ishte familje e pasur dhe pinjollët e saj ishin shkolluar në universitetet e Perëndimit. Lidhur me goditjen që pësoi familja Saraçi dhe kalvarin e burrave të saj në burgje e internime, Fatbardha Mulleti dëshmon: "Që me ardhjen e komunistëve në pushtet nga familja Saraçi u arrestuan dy vëllezërit, Pjetri me Angjelinin. Pjetëri pasi u mbajt disa kohë në hetuesi, u nxuarr në gjyq dhe u dënua me katër vjet burg, të cilat ai i vuajti në kampet e tmerrëshme të Maliqit, Orman-Pojanit, Bedenit të Kavajës etj. Pas vuajtjes së dënimit të plotë nëpër kampet e dënimit, Pjetër Saraçi u lirua nga burgu në vitin 1950 dhe deri në vitin 1973 që ai ndërroi jetë, vuajti nga lufta e egër e klasave, duke u konsideruar si një ish i dënuar politik. Ndërsa vëllai tjetër binjak, Gaspëri i cili që pas kthimit nga studimet u vendos në Tiranë duke punuar si radioteknik, ndërroi jetë në 12 dhejtorin e vitit 1971, duke qenë vazhdimisht i survejuar për shkak të biografisë së tij familjare. Ndryshe nga vëllezërit e tij, rrodhi jeta e Angjelinit, i cili kishte mbaruar kolegjin e fretënve në qytetin e Shkodrës, dhe ishte diplomuar për Histori-Gjeografi në Vjenë të Austrisë".


    Letra e Saraçit, dërguar Komandës së Qarkut në Shkodër

    Komandës së Qarkut të Shkodrës. Unë ish profesor Angjelin Saraçi, në landë mësimi histori e gjeografi në licen e këtushëm shtetnuer e banues përpara në rrugën 28 Nanduer (përballë hotelit të Sokratos), mbasi u mbajta në burg (Burgu i Ri) për ma se gjysë vjetë e u lirova pa gjygj, kërkoj prej komandës së naltpërmendun që të më lirohet shpija e se edhe tash e pushtueme gjithnjë prej njerzve të forcës partizane, të më shpërblehet ndeja me ta, të më paguhet dami i saj qi asht ba në të - krahasoni edhe kërkesat e mia Nr.1 faqe 4 e i shpies së vjetër qi asht njitë me të, i ushqimit, i sakamit e i bibliotekës s'eme qi janë marrë prej shpies s'eme. Në rast se këto të fundit nuk gjinden, të më shpërblehen kryekëput, në rast të kundërt, të më kthehen për sesi tue u marrë por gjithnjë në shikim shpërblimi dëmet që mund të jenë shkaktue atyre prej marrësave. Ndërkaq lajmoj se pjesa më e madhe e bibliotekës s'eme gjendet në shpinë e Rinis, e më asht vue në dorëzim tem të plotë prej s'asaj shpie, jam tue rregullue vetë ka disa dit për me e hjekë. Shënjoj se flota e regishimit të materjalit tem prej anës së zyrtare qi po e qes bashkanitun këtu me dy fletë të kërkimeve të mija jo vetëm qi nuk flet as për ushqim as për bibliotekë, as për pjesën më të madhe të Sakamit- Sakam i shënjiem prej saj asht krejt i pakët e i papërduruem, e qi në këto mungesa ishte dashtë unë me pasë ndej në shpi qyqe vetëm pa hangër e pa shtroje e mbloje fjetje, ku kam ndjejë e fjetë me vjet e kam hangër për ditë, por edhe për çka ka diftue i ka kallzue të mangësa, a për negligjencë a për ndonjë send tjetër të Malo (Ismajl) Tafilit, registruesit të pasuris s'ime të tundëshme e të patundëshme si e difton edhe regjistrimi i shpies së re, se nalt ka 1 (një) odë e 1 (një) çardak ma trepër e poshtë 2 (dy) oda kah oborri, njëra ndër këto asht kuzhinë, kuzhina poshtë, qi janë lanë pa shënjue. Këtu shihet pra se si asht sa regjistrimi e kur asht shkrue kjo shpi mangut, ku janë dashtë e s'ka pasë tjetër veç odat me si njehë, vjen prej vedit se mund të lëshohet edhe për ushqim, shumë e Sakamit e për bibliotekën teme- e cila e fundit i asht lypë prej shpies së Rinisë, seksionit të III e prej këtu të registrue si e difton me gojë Malo Tafili në fjalë qi mund të jenë lanë e madje janë lënë krejt mbas dore, janë lanë krejt pa regjistrue. Po së kenunit e së këtyne gjanave në kohën e seguestrimit e të bartjes prej shtëpie asht dishmi pasë dëshmisë zyrtare në sektorin e VII të kërkesës së pjesëshme të pasunis seme, se librano të mi prej këti sektori prej anës së Shpis së Rinisë e pasë pohimit me gojë të kërkesës e të registrimit kësaj kërkese në librin registries, prej anës së Malo Tafilit vetë edhe një pjesë e madhe e Shkodrës o tue pa filmin me sy të vet, or gojë pas goje për këtë, si gazetë e pashkrueme u përgojnë. Këtë mungese regjistrimi edhe vetë Malo Tafili, si dhe si u diftue qi aksh zyrtar ka të metuna, mue vetë me gojë me këto fjalë regjistrimi i pasurisë s 'uej asht negligjue, ma ka diftue. Prandaj dishmie zyrtare e lishueme mbi pasunin teme, qi edhe kjo ka të metuna, nuk duhet të merret si gurë zyrtare e vetme, por do ti shtohen edhe kërkesat e mija si kësaj, mbi të cillat pjesërisht të ligjueme (legalizueme) e këtu asht biblioteka për tu shënjue, se kërkue marrë zyrtarisht e shënjue në protokoll zyrtar, edhe vetë M. Tafili, ngishnuesi i pasunis e Sadik Reçi, ekonom në Këshillin e II të lagjes "8 Nanduer", krahasoni poshtë këshillit pjesërisht së kenunit e tyne, gojarisht e kanë tregue. Mbi të kënunit e plotë e të kërkuemit e drejtë të pasunisë së shkrueme lënë prej meje, sa lamë në njënën anë drejtsinë e ndërgjegjes seme ndë të cillën mund të përulet e le të përulet ose të përulen komanda partizane ose tjetër kush kush ka bie mbrenda ma parë në shpi kur kjo asht zhberthye në mungese teme, ku ka kenë gjithçka e paprekun, ashtu kush ka dhanë urdhëna me u çilë me forcë shpija, asht edhe kush asht kanë pranë nder zyrtarë shteti civila, kryeplak a tjetërkush qi kanë pasë urdhnue me e pri, me kene pranë në zhbërdhim e në kontrollim të shpies e ndoshta në të manunit e sakamit përnjiherë a pjesë mbas pjese, e ata kanë me diftue e vërtetue. Kryeplaku i sundimit së përpanshëm, Halil Teli, i cili asht marrë për shërbime krye plagosije prej këshillit të parë të lagjes 1 asaj kohe të qeveris së sodshme, si aj vetë më ka diftue, më ka thanë edhe vetë se e din vetë se katër herë kanë shkue me marrë ma senjal në shpi teme e se aj veç nuk ka kenë pranë në këtë veprim. Prandaj asht e nevojshme qi të merren në pyetje pa gjyrmim kryeplaku në fjalë e njerz të këshillit të parë të lagjes e në rasë nevoje edhe asish të këshillit të dytë, të cillët po i shkruej këtu poshtë, asht të pëvetun ata që kanë bamë në shpinë teme, partizana e civila, qysh prej fillimit deri sa asht zhduk krejt materjali. Marko Dede, nieri i Korp. Armat. së III, si e difton letra zyrtare e naltpërmendun në fjalë mbi regjistrimin e pasunis seme edhe sado njoftime të pjesëshme, ka me ditë jo ma pk me diftue. Sa për përvetësim materiali tem, gja që mund të ketë nollë-nga ana civile e për gjetjen e tij komanda e naltpërmendun ka me ditë sesi fajtorët me i gjetë, materiale e në kjoftë damshpërblimin me ia marrë e si vepruesa të paligjëshëm me i dënue e ka me ditë jo pak me veprue, mbasi në dorë të saj si mall i saj, së pafont përkohësisht, kjo punë në rast se asht ba, asht shkaktue. Këshilli I Dhimitër Bojaxhiu Kryetar tash kryetar bashkie, Taip Hilmija Nënkryetar, Shuajb Bilali (sekretar, ndoshta edhe Ndoc Prendushi e Maksut Bilali. Këshill i II: Taif Hilmija Kryetar, Rustem Lukja sekretar, Sadik Reçi economist, Ndoc Prendushi, Maksut Bilali. Kujtoj se shpija e jeme asht zhbërthye si ma para shpie në Shkodër e prandaj shërbimi kundra materialit si i aratisun e kështu reakcionar qi më kanë pagëzue, asht kenë ma i madh, të hupunit ma i plotë e regjistrimi i si i lamun (neglizhuem) edhe për arsye se ma në fillim regullimi zyrtar ka pas çalue. Tue shpresue se kërkesat e të drejtat e mija kanë me u marrë parasysh, për të cilat edhe Zotni kryetar i komandës së naltdëftueme çfaqini besim përkrahje, e kanë me u ndjekë pa masë, po nën shkruejme.
    Shkodër më 9.X.1945. Angjelin Saraçi

    (vijon nesër)
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    "Pse nuk ia kthejmë pasurinë Saraçit

    Historia e panjohur e profesorit të famshëm Angjelin Saraçi, të cilin komunistët ia rrëmbyen të gjithë pasurisë dhe përgjigja zyrtare e Qarkut të Shkodrës

    Kapiten Sevrani: "Pse nuk ia kthejmë pasurinë Saraçit"


    --------------------------------------------------------------------------------

    Dashnor Kaloçi

    Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, u njohëm me familjen shkodrane Saraçi, të parët e së cilës kanë qenë vendosur në atë qytet që nga viti 1650, gjë e cila bëhet e ditur nga pema gjenealogjike e plotë që disponon ajo familje, shtëpitë e së cilës edhe sot gjenden në rrugën nga ata kanë trashëguar mbiemërin. Nga më të fundmit të familjes Saraçi dhe mjaft i njohur në të gjithë qytetin e Shkodrës, ka qenë profesor Angjelin Saraçi, djali i Zefit dhe i Roza Loro Gurakuqit. Angjelini kishte dhe tre vëllezër të tjerë, Pjetërin dhe Gaspërin që ishin binjakë, e Loron që ishte më i vogli i tyre. Dy vëllezërit binjakë, Pjetri me Gaspërin pasi u diplomuan në Vjenë për Ekonomi, u kthyen në Shqipëri dhe u morën me aktivitet privat. Pjetëri punoi si komisjoner duke bërë lidhjet në mes tregtarëve të Veriut të Shqipërisë me Gjermaninë, Austrinë, Francën etj, ndërsa i vëllai Gaspëri punoi si radioteknik dhe njihej si një nga filatelistët më të pasionuar. Vëllai i tretë, Angjelini pasi u diplomua për Histori-Gjeografi në Vjenë, vazhdoi përsëri studimet në atë qytet dhe u diplomua për Filozofi e Greqishten e Vjetër. Në vitin 1932 ai filloi punë si profesor në gjimnazin e shtetit në Shkodër, ku punoi deri në 1943. Menjëherë pas mbarimit të Luftës, familja Saraçi u godit nga komunistët që erdhën në pushtet, gjë e cila bëhet e ditur edhe nga letra e prof. Saraçit, ku ai denoncon Sigurimin për grabitjen që i bënë shtëpisë së tij.

    (vijon nga numri i kaluar)

    Saraçi doktorohet në Vjenë
    Po kush ishte profesor Angjelin Saraçi, ku ishte shkolluar dhe ku shërbeu ai pasi u kthye nga studimet universitare që i mbaroi në Vjenë të Austrisë? Çfarë qëndrimi politik mbajti Angjelin Saraçi gjatë viteve të pushtimit fashist të vëndit dhe përse u arrestua ai nga komunistët që me ardhjen e tyre në fuqi në fundin e vitit 1944? Si ua grabit Angjelinit prej komunistëve e gjithë shtëpia së bashku me gjithë bibliotekën e madhe që ai dispononte dhe peripecitë e tij në kërkim të asaj biblioteke. Si rrodhi jeta e Angjelinit pas lirimit nga hetuesia dhe në çfarë rrethanash vdiq ai në Tiranë ku jetoi deri në vitin 1986 krejt i vetëm? Lidhur me këtë, zonja Fatbardha Saraçi (Mulleti) nusja e nipit të Angjelinit, Kolindo Saraçit, dëshmon: "Angjelin Saraçi u lind në vitin 1906 në qytetin e Shkodrës dhe kur ai mbushi moshën për në shkollë, dy prindërit e tij, Zefi me Rozën (Gurakuqi) e dërguan për të ndjekur mësimet në kolegjin e fretënve në qytetin e Shkodrës, një nga më të njohurat e asaj kohe. Pas mbarimit të asaj shkolle, Angjelin Saraçi u dërgua në Austri ku ai ndoqi studimet në gjimnazin klasik në Krems an der Donau, të cilin e mbaroi në vitin 1926. Më pas ai ndoqi studimet e larta në fakultetin e Histori-Gjeografisë pranë universitetit të Vjenës, të cilat i mbaroi me rezultate shumë të larta në vitin 1930. Një vit më vonë në 1931, Angjelini mbrojti diplomën dhe dezertacionin për marrjen e doktoraturës për gradën e Doktorit të Shkencave, në të cilën paraqiti temën me titull: "Geschichte Nordalbanies bis Stephan Nemanja" (Historia e Shqipërisë së Veriut deri te Stefan Nemanja) . Ai punim shkencor i tij përbëhej prej 98 faqesh me 8 fletë bibliografi. Pas mbrojtjes së gradës shkencore, Angjelini u kthye në Shqipëri dhe Ministria e Arsimit e asaj kohe e emëroi pedagog pranë gjimnazit klasik të qytetit të Shkodrës, ku ai shërbeu me përkushtim të madh deri në vitin 1943. Gjatë gjithë asaj periudhe dhjetëvjeçare, përveç lëndëve të tija mësimore që ai dha pranë atij gjimnazi, u mor edhe me punë shkencore duke shkuar nëpër të gjitha trevat e Veriut të Shqipërisë, ku mblodhi materiale të ndryshme me të cilat hartoi një histori mjaft të pasur të atyre krahinave. Ndër to vlejnë të përmënden ato të zonës së Dukagjinit, dorëshkrimet e së cilës përbëhen prej 527 fletësh dhe ato të Zadrimës prej 141 fletësh. Po ashtu aty rreth vitit 1943 kur Kosova ishte nën administrimin e Shqipërisë, ai mblodhi dhe materiale për atë krahinë, të cilat përbëhen prej rreth 30 faqesh në dorëshkrim. Duke pasur bindje politike thellësisht antikomuniste, gjatë viteve të pushtimit fashist të vëndit, profesor Saraçi aderoi në organizatën e Ballit Kombëtar dhe në qershorin e vitit 1944 ai u bashkua me dy batalionet e rinisë balliste që shkuan për të luftuar kundra forcave çetnike në Kosovë. Por pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes së komunistëvë në pushtet, kjo gjë i kushtoi shumë rëndë Angjelinit, pasi komunistët e konsideruan armik të popullit dhe e arrestun që në fillimin e vitit 1945", kujton Fatbardha Saraçi (Mulleti) lidhur me të kaluarën e profesor Angjelin Saraçit, intelektualit të njohur shkodran të diplomuar në Vjenë të Austrisë.

    Çfarë i grabiti Sigurimi
    Pas lirimit nga hetuesia në fillimin e tetorit të vitit 1945 ku profesor Saraçi qëndroi për më shumë se gjashtë muaj në kushte tepër të rënda fizike dhe psiqike, ai nuk u kthye dot më në shtëpinë e tij, pasi ajo ishte bastisur e sekuestruar nga Sigurimi i Shtetit që pas arrestimit të tij. Nisur nga ajo gjëndjë në të cilën u ndodh, profesor Saraçi u pezmatua dhe njerizit e tij të afërm të familjes kanë dëshmuar se më shumë se gjithëshka, atij i vinte keq vetëm për bibliotekën e tij mjaft të pasur e cila ishte grabitur pothuaj krejtësisht. Pas kësaj Angjelini nisi menjëherë odisenë e gjatë për të kërkuar pranë organeve kopetente të qytetit të Shkodrës, të gjitha ato çka atij i kishim marrë e sekuestruar padrejtësisht. Kështu fillimisht, ai i nisi një letër të gjatë Komandës së Qarkut në Shkodër, në të cilën shkruante: "I nënshkruari profesor Angjelin Saraçi parashtroj lutjen si vijon: Në muajin Fryer të këtij viti jam arrestua prej forcave të Brigatës së Mbrojtjes së Popullit dhe kam ndejun i burgosun prej më shumë se gjysë vjeti dhe mandej jam lirue pa dalë fare në Gjyqe si i pafajshëm. N'atë kohë, si i arratisun politikisht, m'asht sekuestrue pasunija që kisha prej forcave t'ish Korpsit të III, Seksjonit të Mbrojtjes së Popullit, etj enteve që kjo pasuni shënohet në listën e bashkanjitun. Me kenë se unë jam lirue si i pafajshëm, kërkoj që edhe pasunija të më kthehet ose të paguhet. Shtoj se i kam çmue të gjitha sendet e sikvestrueme si mbas çmimit të tregut që shiten sot dhe nuk asht çmue ma tepër në mënyrë që t'ulet dhe të mbërrijmë në çmimin e vërtetë. Jam shuëm në gjendje të keqe ekonomike dhe kërkoj prej asaj Komande me ndërmjetësue ku duhet për këthimin e plaçkave ose pagimin e tyne si mbas vleftës që asht shënue në listën bashkanjitun. Shtoj se në qoftë se materiali i mirë do të më kthehet, të më caktohet dam shpërblimi. Tue mbete në pritje të ndonji përgjegjes, Nënshkruem Profesor Angjelin Saraçi ". (firma)

    Vjedhja e prishja e bibliotekës
    Ndërsa në listën e bashkangjitur asaj kërkese ku bëhet fjalë për grabitjen e bibliotekës, Angjelin Saraçi ndër të tjera ka shkruar: "Biblioteka 1. Disa mija Napolona letër së pakut…Fr, arit 70000. a. Mungojnë libra Tedeshk dhe Shqyp, rivista, atlase e koleksjone të ndryshme gazetash. Janë shkue libra. Me hupjen e prishjen e librave e të gazetave, janë prishë koleksjonet, të cillat duhet me i zavëndësue për me i ba të vlefshme ato që kanë teprue, gja e cilla asht e vështirë se janë të vjetër. Mund të gjinden rastësisht (okasion) në rast se janë shitë. Prej atyne që kanë mbetë, shumë janë ndy, një pjesë kanë bjerrë mblojet (kartucat) të cillat kërkojnë mjaft të holla për përmirësim. Për ta kthye në gjandjen e maparshem bibliotekën, e vetmja mëndyrë do t'ishte me shkue vetë në Austri, ku të më qillojë rasa e cilla shkakton shpenzime të madha dhe bjerrje kohet. b. Më kanë humbë dy penda Stilografike të markës Pelikan (të kohës së pagjes) me disa maje pende arit rezervë sejcilla. Tri deri në katër shishe të mëdha bojet shkrimi (pagjet) pelikan kualitet i parë për pendë Stilografike Pelikan. c. Nja katërdhjet topa letre të bardha fort (shkrimit) Austrije të markës leyka, Italije, (shumica) e Franceze të pa markë ble prej nji shokut që i sillte prej Francet. e. Nji sasi e madhe letra etj të shkrimit autarkike. f. Nja sasi mjaft e madhe materjali tjetër si: kartuca shumë të re me lustër vojit, letra të mira për të pështjellë librat etj. g. Një sasi kilosh Naftaline kokërr për të krypë librat për të mos me i lanë tejen me i bre". Më poshtë kësaj letre ku profesor Saraçi paraqet listën e sendeve të vjedhura nga biblioteka e tij, ai ka paraqitur edhe një listë tjetër, që e quan: "Pasqyra e teshave të vëllaut Lorit të marra nga forcat ushtarake, të cillat ndodheshin në shtëpinë t'eme". Në përfundim të asaj liste me rrobat dhe sendet e vjedhura, Saraçi ka vënë edhe shumën e tyre në para që përbëhet prej 246677 Franga Shqiptare.

    Sevrani: Nuk e kthejmë pasurinë
    Pas kërkesës të profesor Saraçit për kthimin e pasurisë së grabitur, Komanda e Qarkut të Shkodrës, i ktheu atij një përgjigjie ku shkruhej: "Profesor Angjelin Saraçit. Shkodër. Ju komunikojmë se lutja e juaj drejtue kësaj Komande mbi këthimin e pasunisë së sikvestrueme e qi si mbas listave të paraqituna nga ana juej kanë shumën fr. Shq. 246677 ? Në bazë t'urdhnit Nr. 05-1917 / I datë 1.XII.1945 të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit nuk ju merret parasyshë, mbasi masat që janë marrë kontra ilegalve, t'internuemve e tjerë, si djegëje shtëpijash, sekuestrime pasunish e tjera në kohën e ma parshme, nuk kthehen ma. Shkodër, më 14 / I / 1945. Komisar'i Qarkut Kapiten i I (Milo Qirko) firma. Komandant i'Qarkut Kapiten (Sabri Sevrani). Pas kësaj përgjigjie, profesor Saraçi u detyrua dhe i shkroi Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë në Tiranë dhe pas asaj letre, Komanda e Përgjithshme të Mbrapavijave të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare më qendër në Tiranë, i dërgonte një shkresë Komandës së Qarkut në Shkodër, në të cilën shkruhej: "Tiranë më 6 / XII / 1945. Gjegje e shkresës Nr. 01196 datë 12.11. 1945. bashkënjitun kethejmë listat e dërguara me shkresën e sipërme për të cilat ajo Komandë duhet të vepronte me anën e Seksjonit të Mbrojtjes së Popullit aty për skjarimin e çështjes dhe zbulimin se ku ndodhen dhe prej kuej janë përdorë materijalet qi janë marrë profesor Angjelin Saraçit Prandej të zhvillohen hetimet përkatëse me anën e Seksjonit Mbrojtjes së Popullit si dhe nga kjo Komandë se ku ndodhen sendet e shënuara në lista. Për këtë në rast nevoje ju drejtojuni edhe personave që kanë kry rrekuizimin n'atë kohë. Si të jetë vërtetue sa më sipër e nëqoftë se ajo Komandë nuk do të jetë në gjëndje me përfundue këtë çështje, na dërgoni aktet për shqyrtim. Komandant' i Mrapavijave Gjeneral-Major (Dali Ndreu) Por edhe pas kësaj letre, profesor Saraçit nuk iu kthye asgjë nga pasurija që i kishin grabitur forcat partizane pas arrestimit të tij.

    Vdekja në vetmi në Tiranë
    Lidhur me jetën e profesor Angjelin Saraçit në vitet që pasuan pas lirimit nga hetuesia në vjeshtën e vitit 1945, Fatbardha Saraçi Mulleti dëshmon: "Pas daljes nga burgu, si rezultat i sekuestrimit të gjithë pasurisë dhe i mbetur pa punë e pa të ardhura, Angjelini u ndodh në një gjendje mjaft të keqe ekonomike. Duke mos shikuar mundësi tjetër, ai iku nga Shkodra dhe fillimisht u vendos në qytetin e Beratit ku punoi disa kohë si mësues. Aty nga viti 1949 ai u vendos në Tiranë, ku për pak kohë arriti që të punonte si specialist pranë Bibliotekës Kombëtare, por dhe prej aty e larguan shumë shpejt për arsye biografike. Pas kësaj ai punoi edhe si përkthyes i jashtëm pranë Institutit të Historisë, Arkeologjisë e Etnografisë dhe më pas u rregullua si përkthyes pranë një grupi gjeologësh gjermano-lindorë që asokohe kishin ardhur në Shqipëri për kërkime. Pas daljes në pension Angjelini mbeti në një gjëndje krejt të mjeruar ekonomike, pasi ai nuk kishte arritur të krijonte familje dhe jetonte krejt i vetëm në një apartament të vogël diku në lagjen "Ali Demi". Për të përballuar jetesën, ai filloi të shiste librat e bibliotekës së tij mjaft të pasur, që pak kush mund ta kishte asokohe në Tiranë e në fondin e së cilës gjendej edhe i gjithë fondi i bibliotekës së ish-konsullit austriak në Shkodër, Theodor Ippen, të cilën Saraçi e kishte blerë në Austri duke shpenëzuar shuma të mëdha parash. Profesor Angjelin Saraçi pati fatin të jetonte gjatë dhe ndërroi jetë në shkurtin e vitit 1986, duke mbyllur sytë përgjithmonë pa asnjë njeri pranë. Në atë kohë njëri prej komshijve të tij, i dërgoi telegram Ëilli Kamësit, mikut të familjes sonë dhe pas kësaj bashkëshorti im. Kolindo Saraçi shkoi në Tiranë për të kryer varrimin e tij. Po të mos kishte shkuar Kolindo atë ditë në Tiranë, trupi i Angjelinit do të shkonte pranë Institutit të Mjkeksisë Ligjore për praktikën e studentëve. Vetëm pas viteve '90, një pjesë e mbetur nga biblioteka e Angjelin Saraçit, më dt. 26. 4. 2003, iu dorzua Universitetit "Luigj Gurakuqi" të qytetit të Shkodrës për katedrën e Histori-Gjeografisë" e përfundon dëshimnë e saj zonja Fatbardha Mulleti lidhur me persekutimin e Angjelin Saraçit dhe familjes së tij, ku edhe sot e kësaj dite pasardhëseve të saj nuk i është kthyer asgjë nga pasuria e sekuestruar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës që në vitin 1945.
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  3. #3
    Qenkemi familje me mbiemer te madh ne ore.. Te faleminerit Alba per materialin qe ke sjellur

    Mesa di une i pari i Saraçeve, dmth Ndreku, eshte marrur me perpunimin dhe shitjen e lekurave. Nga ketu vjen dhe vete mbiemri (Sarac, ne turqisht dmth perpunues lekurash).

    Geschichte Nordalbanies bis Stephan Nemanja"
    (Historia e Shqipërisë së Veriut deri te Stefan Nemanja)


    Ku mund te gjendet ky liber?

  4. #4
    Une po sjell nje figure tjeter mjaft te madhe nga ky fis, Çatin Saraçi.

    "Unë, Çatin Saraçi, të akuzoj ty, Ahmet Zogu...! "




    Kush ishte Çatin Saraçi
    Dr. AUREL PLASARI


    Çatin Saraçi (1902-1974), bir i një familje në zë tregtare, i formuar me kulturë europiane dhe mendësi perëndimore, bëri pjesë për një ndërkohë të shkurtër në administratën e lartë të mbretit Zog si funksionar diplomatik. Porse ai njihej edhe si një nga miqtë më të afërt, ndoshta dhe intimë, të Ahmetit qysh në të ri. Kur i drejtohet Zogut, ai e quan veten: "Unë, si ish-shoku yt më i ngushtë...". Në mjedisin antagonistik të politikës shqiptare të asaj kohe bashkëpunimi Zogolli-Saraçi mbahej aq i padiskutueshëm, sa emri "Çatini" përgojohej edhe për organizimin e vrasjes së Luigj Gurakuqit. Për këto arësye dëshmia e tij për "ish-mbretin e Shqipërisë" vjen edhe më befasuese, pra më tronditëse, për të mos thënë më e denjë për besim. Në një kuptim, para dëshmisë së Çatinit gati-gati duken pakogjë ato çfarë patën shkruar për "mbretin" armiqtë e shpallur të tij: Noli, Konica, Çekrezi etj. Madje duket se mjaft nga tiparet e regjimit zogist dhe të karakterit vetjak të Zogut, që i pati vënë në dukje me të tepërt "historiografia zyrtare", Çatini i ka denoncuar qysh më 1940-n duke ia numëruar me shkrim vetë "figurës".
    Thuajse ekzotike ngjan karriera e këtij personazhi në mërgim. Pushtimi i Shqipërisë e zuri Çatin Saraçin në Legatën shqiptare në Londër, si sekretar të parë, dhe ai vijoi të jetonte po në Londër, mbaskësaj si artist. Në kronikat artistike të shtypit të kohës, si dhe në libra dore të historisë së pikturës angleze të mbasluftës, emri i tij figuron ndër përfaqësuesit e impresionizmit anglez, si koleg dhe mik i Oscar Kokoschka-s etj. Ekspozitën e parë vetjake Çatini e hapi mbas luftës, në Redfern Gallery. Në katalogun e ekspozitës shkruhej për të: "Mrekulli ndodhin edhe në thertoren e mbushur agoni, krim dhe korrupsion, që është bota jonë. Ky është mesazhi që përmbajnë veprat e Çatin Saraçit". Në vitet '50 dhe '60 ai hapi edhe dy ekspozita vetjake. Një ekspozitë përkujtimore u çel me 50 punime të tijat më 1975. Ishin punime në vaj, akuarele dhe vizatime, përfshirë peizazhe, natyra të vdekura, portrete. "Ai kishte një ambicje të madhe artistike, por nuk i mëshonte anës publicitare të saj", thoshte për të Dr. Hodin-i në paraqitjen e ekspozitës së 1975-s. Dhe shtonte: "Ishte një mik i dashur, një artist i hollë dhe një ndër personalitetet më të ngjyrshme që kam njohur ndonjëherë. Ishte njeri mondan dhe, në të njëjtën kohë, gjithë urtësi". Piktura e Çatinit lidhet pikësëpari me ekspresionizmin, por ai njihte mirë edhe artin piktorik japonez dhe atë kinez; për këtë arsye Hodin-i vërente se disa ndër kryeveprat e Çatinit janë "lulet".
    Një tjetër përhitje ekzotike e personalitetit të tij shfaqet, për shembull, prej librit me kujtime të Lordit Drogheda, me titull Përfitim i dyfishtë (London, Ëeidenfeld & Nicolson). Artist mondan, natyrë versatile dhe shumë inteligjente, mjaft mik me të famshmin Paul Getty, por sidomos "pushtues" grash të famshme, një ëomanizer i vërtetë. "Ime ëmë - shënon vetë Lordi - qe krejt e magjepsur prej tij dhe, ndër të dashurit e shumtë të jetës së saj, ai u bë më i rëndësishmi" (f. 52). Për takimin e parë me të Lordi Drogheda kujton: "Kur ia hodha sytë për herë të parë, qe sikur të kisha pësuar një goditje elektrike" (f. 53). "Baroni Mynhauzen", e quan gjithashtu autori për atësinë e pazakontë që Çatini kishte në të treguar.
    Ç'është për ne më e rëndësishme, Çatin Saraçi e la vërtet të shkruar dëshminë e tij për Ahmet Zogun, atë që premtonte në letrën e cila po botohet tani. Një daktiloshkrim i tërë, me titullin Historia e një maskarai (The story of a bad man), ai e depozitoi atë përnjëmend në kasafortën e një Banke të Londrës, prej së cilës tanimë është nxjerrë. Kur ta marrin për duarsh të përkthyer në shqipe, lexuesit shqiptarë do të përjetojnë me siguri një kënaqësi të rrallë: atë të njohjes së të vërtetave historike të zbuluara cullak, por edhe të shijes së hollë me të cilën pena e artistit e pati shkruar.



    Letra e Catinit për ish-mbretin Zog

    Prej vitesh kemi punuar fshehurazi njëri kundër tjetrit Që të dy nuk mund t'ia lejojmë vetes luksin e hapjes së një konflikti, por unë po e bëj. Në letrën tënde të datës 20 shkurt dukesh i merakosur për "inaktivitetin" e mikut tënd Çatin. Në të vërtetë, s'ke pse merakosesh as për këtë dhe as për bjerrjen e kohës. Ke të drejtë kur thua se unë mund të bëja shumë për Shqipërinë. Unë mendoj se kam kryer tanimë një punë të madhe duke të bërë ty për Shqipërinë të padëmshëm. E kaluara jote e fëlliqur, doemos, e bën këtë pjesë të punës sime gjë të lehtë. S'mund t'ia lejoj vetes të marr pjesë aktive në politikë për sa kohë përfitoj nga mikpritja e këtij vendi por, sa të jem gjallë, nuk do të resht kurrë së menduari dhe së vepruari me sa të mundem për një Shqipëri të pavarur.
    Prej vitit 1917 deri më sot nuk të kam kërkuar asnjë lloj favori, aq më pak parà ose post. Përprara se t'ia mbathje nga Shqipëria ti kërkove dhe more prej meje artikuj me vlerë prej 270 paundesh. E ke pranuar borxhin tënd me gojë dhe me shkrim, por ngulmon ta shlyesh atë me bankënota të pavlefshme shqiptare. Ditën kur të vizitova në Tour të Francës, në fund të tetorit të kaluar, ti më dhe 10 mijë franga franceze dhe dy mijë franga ari shqiptare në bankënota, që u provuan të ishin të pavlefshme, dhe jo 200 paunde angleze, sikurse më pate thënë atëherë. Kur unë vërejta se, me sa dija, 2 mijë frangat shqiptare ishin vetëm nominalisht 200 paunde dhe se asnjë treg jashtë Shqipërisë nuk i pranonte ato, ti në fillim më the se Z. Noçka, sekretari i Legatës, kishte këmbyer në bursën e zezë pariziane shuma të mëdha frangash shqiptare, mandej the se unë duhej t'i quaja të dyja shumat si dhuratë për udhëtimin tim. Më premtove mandej të më paguaje 5 mijë paunde në "cash" shumë-shumë deri prillin e ardhshëm. 5 mijë paundet do të paguheshin mbasi qeveria franceze të kishte paguar "Listën" tënde "të ushtarëve". Më the se kishe bërë disa bisedime të gjata me Daladier-in dhe se francezët nuk ishin aq kokëfortë, saktësove sa kolegët e tyre anglezë në Londër, dhe se Franca ishte e vetmja fushë politike për ty, duke qenë se Anglia nuk të lejoi të ishe aktiv në politikë sa kohë të qëndroje në Angli. Ti deshe ndihmën time në Europë, dhe atë të Faik Konicës në ShBA, ku planifikoje të filloje një fushatë mbledhjeje ndihmash nga Kryqi i Kuq nën patronazhin e gruas sate gjysmamerikane. Më dëftove faturën e bankës "Lloyds" për të dëshmuar se i kishe dërguar 500 paunde Ministrit Konica dhe se emri im dhe i tiji do të figuronin në krye të Listës së gjithë atyreve që do të paguheshin nëpërmjet teje prej qeverisë franceze. Organizimi i kësaj ushtrie ballkanike shqiptare do të bëhej, fshehurazi në krye të herës, duke filluar nga Stambolli, ku 50 mijë shqiptarë do të rekrutoheshin dhe armatoseshin.
    Qeveria perandorake e Austrisë të internoi më 1917 ngase kishe paraqitur lista për 10 mijë ushtarë, kur nuk kishe as 5 mijë për të paguar. Të njëjtën gjë bëre me Pashiqin më 1924, kur ishim në Beograd. Kohët e fundit "Listat" e famshme u patën paguar plotësisht nga "Luani", sikurse kishe zakon ta quaje Mussolini-n. Tani kohët ndryshuan dhe maska jote ra. Të pandehësh se marifetet e tua të vjetra mund të shkojnë ende sot, do të thotë të jesh injorant sa i takon mendësisë franceze dhe angleze. Ata e dinë që emri "Zog" është emri më i urryer në mendjen e të gjithë shqiptarëve. Edhe sikur të mbaronte lufta në Ballkan, prania jote në truallin ballkanik do të bënte që 3 milionë shqiptarë të reagonin egër kundër çdo parulle nën të cilën emri "Zog" mund të shfaqej.
    Në bisedimin tonë të gjatë në Tour ti theksove se nuk kishe dëshirë të ktheje në Shqipëri, por njëkohësisht shtove se mund të kthente yt bir si pretendues froni. Ti e di po aq mirë sa e dinë të gjithë shqiptarët se emri yt është një fatkeqësi e racës sonë dhe se ti nuk ke as edhe një partizan të vetëm jashtë Shqipërie, përveç atyre gangsterëve [angl. Gangters] të paktë të paguar mirë dhe të armatosur mirë përqark teje. Por interesi yt i vetëm është të grumbullosh edhe më milionë. Përfundimet kurrfarë rëndësie për ty s'kanë.
    Nëse Shqipëria do të shohë ende një rreze shprese për të fituar së rishti lirinë, kjo mund të realizohet vetëm nëpërmjet Anglisë dhe Francës. Shqiptarët do t'i japin gjithë dëshirë jetët e tyre për kryqëzatën anglo-franceze, kryqëzatën e njerëzimit të qytetëruar, por atëherë as ti dhe as emri yt i mallkuar s'kanë për t'u ndier më. Ti nuk do të kesh fuqi ta dëmtosh më Shqipërinë! Letra jote tjetër, që e mora dje, dhe që mban datën 29 shkurt, është e të njëjtit stil të vjetër, e denjë për karakterin dhe nivelin e një maloku analfabet dhe hipokrit të fisit prej nga ke dalë. Thirrja jote për miqësinë tonë të vjetër dëshmon se si ndërgjegjja dhe brejtjet e saj po punojnë.
    Më 1924 treshja Jak Koçi, ti dhe unë, hartuam dhe nëshkruam një kontratë në të cilën ti bije një mendjeje t'i paguaje Jak Koçit 20 dhe mua 10 për qind të të gjitha shumave që do të nxirrnim nga koncesionet e ndryshme. Pavarësisht biznesit legal, ti e fillove mbretërimin tënd duke vrarë masivisht atdhetarë dhe duke shitur drejtpërsëdrejti ose tërthorazi atdheun tënd. Alessandro Lessona [ministër i qeverisë "Mussolini"], atëherë miku im, të ka paguar më shumë se 4 milionë paunde angleze nga gushti 1925 deri më 1931. Ndonëse e kisha të drejtën, unë asnjëherë nuk ta kërkova pjesën time. Ato parà, sikurse e di çdokush në Shqipëri dhe jashtë saj, janë larë me gjakun e atdhetarëve më të mirë shqiptarë, si Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina. Dhe qindra të tjerë. Ato parà me të cilat ti po jeton sot janë produkt i tradhtisë më të ulët dhe janë të lara me lotët dhe vuajtjet e një kombi të tërë, të kombit që ti e shite për parà, ti Judë i Shqipërisë!
    Nuk ka asnjë cep të shpirtit tënd të errët që unë të mos e njoh. Nuk ka asnjë bëmë të krejt mbretërimit tënd që të jetë mister për mua. Nga kasollja jote në male, ku u linde, erdhe të jetosh në kështjella luksoze nëpër Europë. Por brejtja e zezë e ndërgjegjes, që dy herë të shpuri deri në zgrip të varrit, është ende aty, në dhomat e mëdha dhe luksoze. Gangsterët e tu të armatosur mund të mbrojnë trupin tënd, por jo sigurisht shpirtin tënd të errët dhe mjeran. Miqtë dhe armiqtë që ke vrarë të sillen vazhdimisht rrethqark, ditë dhe natë, kudo që të rrekesh të ikësh. Hijet e më shumë se një milion shqiptarëvë të robëruar të ndjekin duke gjëmuar e duke vikatur emrin tënd. Qindra mijëra shqiptarët që vdiqën për liri nuk mund të të lënë vetëm. Unë, si ish-shoku yt më i ngushtë, e di sa mirë të punon stomaku dhe sa të qetë e ke gjumin, prandaj edhe të uroj jetë të gjatë, shumë të gjatë. Mund t'i përdorësh milionët e tu, por me siguri kurrë nuk do t'i gëzosh. Sikurse shpesh më pate thënë vetë, jeta për ty është më se e mbaruar, por brerjet e zeza dhe torturuese ende jo.
    Unë jam i vetmi shqiptar jashtë që i di dhe mund t'i provoj krimet e tua të kaluara. Ato tani janë shkruar dhe ndodhen të siguruara në kasafortën e një Banke. Shqiptarët kanë për të lexuar një histori të pikëllueshme, të huajt një histori të neveritshme.
    Unë, Çatin Saraçi, të akuzoj ty Ahmeti Zogu si tradhtar të atdheut tënd, si vrasës dhe hajdut!
    Për armiqtë e tu personalë, që jetojnë jashtë, ti je mësuar të kurdisësh vrasje dhe shumë prej viktimave të caktuara prej teje kanë përfunduar të grirë plumbash. Ky lloj gangsterizmi ishte i mundshëm për sa kohë jetoje përtej hapësirës së ligjit. Tani që je person privat dhe që jeton në një vend ku huri dhe gijotina janë ndëshkimi për krimin, unë të sfidoj të bësh provë e të përdorësh metodat e tua të dikurshme. Mirëpo kriminelët janë gjithmonë frikacakë fizikisht. Unë jam një refugjat i thjeshtë, që përfitoj nga mikpritja e këtij populli fisnik dhe i respektoj plotësisht ligjet e tij, kështu që të sfidoj të ndërmarrësh veprime legale ndaj meje. Të siguroj që, nëse dal fajtor, ligji anglez do t'ia bënte qejfin Ahmet Zogut, ngase ky vend në raste të tilla përdor ndëshkime më të rrepta se çdo vend tjetër në botë.
    Duke lexuar letrat e tua, në të cilat ti ende guxon të flasësh për atdhetari dhe ende guxon të më përmendësh mua emrin e fshehtë të Shqipërisë [sic], e ndiej veten të mbushur me një krupë edhe më të madhe nga ajo e gjithë krimeve të tua të kaluara.
    Shqipëria ka parë pushtues edhe më të fuqishëm nga këta të sotmit dhe, me kalimin e kohës, ata ikën. Do të ikin edhe kësaj radhe, por emri yt s'ka për të figuruar askund. Synimi kryesor i kësaj letre është të të paralajmërojë për herë të fundit të mos ngatërrohesh më në gjithë sa i përket Shqipërisë, ose unë do të detyrohem t'u tregoj diçka më shumë francezëve dhe anglezëve. Bankënotat e pavlefshme, si dhe letrat e tua të fundit, po i ruaj si dokument të pandershmërisë sate. Ndonëse jam në shtrëngesë ekonomike, ato gjithmonë do ta kenë vlerën e 200 paundeve për mua dhe, sidoqë mund t'i marr ato parà nëpërmjet çdo gjyqtari francez, kam vendosur ta mbaj këtë souvenir të fundit.

    Çatin Paskal Saraçi
    London, Ë.8
    21 A. Stratford Rd.

    Marre nga Shekulli

  5. #5
    Çatin Saraçi u lind ne Shkoder
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  6. #6
    Çatini me familjen (i pari majtas, duke ndenjur ne kembe)

    (1918)
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Ari-Intimidator
    Anëtarësuar
    08-05-2002
    Postime
    290
    WOW!!,

    Histori e panjohur ne te vertete.

    Faliminderit per kete POstim. Mesova edhe dicka te re.

    Cdo te mire,
    ari
    An unexperienced life is not worth living. Socrates

Tema të Ngjashme

  1. Theofan Stilian Noli: Jeta dhe veprat e tij
    Nga ILovePejaa në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 85
    Postimi i Fundit: 15-11-2022, 22:39
  2. Kumanova, informacione të përgjithshme
    Nga strong_07 në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 21
    Postimi i Fundit: 15-11-2008, 07:52
  3. HISTORIA E QYTETEVE SHQIPTARE (edmondfieri)
    Nga Eni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 12-03-2008, 14:28
  4. Bibla, Arkeologjia dhe Historia
    Nga Shpresmiri në forumin Komuniteti protestant
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 14-05-2002, 19:19

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •