Meri Lalaj


Histori dashurie

Në fillim të viteve tridhjetë të shekullit të kaluar shumë të rinj shqiptarë u ishin drejtuar Universiteteve të Europës Perëndimore për t’u shkolluar edhe më tej. Njëri prej tyre ishte Riza Alizoti, i lindur në Stamboll më 10 tetor 1910, atje ku i ati, Fejzi Alizoti kryente detyra me rëndësi në Qeverinë Turke. Rizai, pasi kishte kryer në Stamboll Robert College u kthye në Tiranë për të vazhduar mësimet në Shkollën Teknike Harry Fultz. Paskëtaj me bursë të shtetit shqiptar në vitin 1929 filloi studimet e larta në Angli, pikërisht në jug-perëndim të saj në Camborne për inxhinieri miniere. Në të njëjtin vit me Rizain filluan studimet: Rexh Meta në Cambridge specialiteti financë, i cili i kreu studimet me rezultate të shkëlqyera; Qani Kastrati inxhinieri, Rifat Tirana inxhinieri elektrike në Londër, Tefik Kalaci inxhinieri po në Londër.

Në atë qytet, Truro, Rizai u njoh me një vajzë angleze, Kathleen Mary Yeates, ajo vazhdonte studimet në Oksford. Sipas certifikatës së martesës, ata u kurorëzuan në distriktin Truro më 28 qershor 1930. Në mars 1931 u lind djali, Muhtar Peter, ndërsa në qershor 1932 u lind vajza Diane Jacqueline Belkiz, (ky i fundit sipas emrit të motrës së Rizait, por vajza do të thirrej shkurt: Xheki). Në vitin 1933 Riza Alizoti diplomohet, pastaj kryen specializimin në Strasburg. Në vitin 1934-35 kryen shërbimin ushtarak në Tiranë dhe sipas ligjeve të qeverisë shqiptare duhej të punonte shtatë vjet për Atdheun, që i dha bursën e studimit. Ndërkohë Kathleen po përfundonte studimet, ndërsa nga ana tjetër nëna e saj nuk donte që e bija të largohej nga Anglia e të shkonte në një vend të panjohur të Ballkanit. Dihet se anglezët asokohe i kishin të përcaktuara mirë shkallët shoqërore dhe familja e tyre duke qenë shtresë e mesme e shihte paksa të pamundur këtë martesë me birin e një deputeti të parlamentit shqiptar dhe njëherazi ministër i qeverisë. Ndodhi dhe një fatkeqësi, djali Muhtar u mbyt në lumë. Paskëtaj martesa u prish. Inxhinier Riza Alizoti, i ardhur në Shqipëri u emërua me punë në puset vajgurore të Kuçovës. Në vitin 1941 krijoi një familje të re. Në vitin 1943 sipas dokumenteve arkivore e gjejmë duke mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe duke marrë pjesë në demonstratë bashkë me ta, për këtë shkak Rizai u internua prej italianëve në Porto Romano. Nga martesa e dytë i lindën tre fëmijë: Nezi, Sevimi dhe Fejziu. Me vendim të Kryeministrisë Shqiptare më 22.12.1945 dekorohet me Urdhërin e Punës, por nuk do të kalonin veç disa muaj kur mbi kokat e Alizotëve do të binin fatkeqësitë njëra më e madhe sesa tjetra. Në gjyqin e parë special më 15 prill 1945 Fejzi Alizoti u dënua me pushkatim, në takimin e fundit me një familjar ai lë amanetin: “Mallkuar qoftë nga fisi im kush merret me politikë!” Në çastin e ekzekutimit përballë skuadrës së pushkatimit, ndërsa 16 vetë rrëzohen përtokë, Fejzi Alizotin nuk e kapën plumbat e mundi të flasë: “Sipas ligjit ndërkombëtar më falet jeta…” I kthehen duke e qëlluar me plumb kokës e duke i thënë: “Komunistët nuk njohin ligje…” Biri i tij Riza Alizoti arrestohet më 11 qershor 1947 vazhdon hetuesia dhe gjyqi fillon më 4 shtator 1947, ndërsa më 10 tetor 1947, pikërisht ditën e ditëlindjes, ai varet në litar tek degët e një vidhi në shesh të Kuçovës.

Nga bisedat me motrat e Rizait kam dëgjuar shumë për martesën e tij me anglezen, kam lexuar edhe dy letra ardhur nga Anglia. Kam ndier dhe mallin e pamatë për të ditur diçka më tepër për bijën e tij dhe mbesën e tyre Diane Jacqueline Belkiz, por kohërat ishin të tilla që në Shqipërinë socialiste të kthyer në një burg gjigand nuk ishte e mundur të fluturonin as zogjtë, jo më njerëzit të takonin njëri tjetrin. Ndonëse u bënë disa përçapje asnjë lajm nuk vinte nga Anglia e largët. Kështu në vitin 1986 në muajt mars, prill dhe qershor motra Alizoti, motra e Xhekit (nga babai) i dërgon letra njëra pas tjetrës Kryqit të Kuq Anglez dhe përgjigjet ishin “e pamundur të gjendet personi!”

Edhe pas viteve ’90 nuk mund të krijohej ndonjë lidhje pasi nuk ekzistonte asnjë adresë, asgjë nuk i kishte shpëtuar konfiskimit të dikurshëm të Sigurimit. Nga ana e saj Xheki kërkonte babain (ajo ishte vetëm dy vjeç kur ai u largua) dhe kudo të ndodhej në Paris apo Nju Jork pyeste shqiptarët që takonte, madje takoi dhe njerëz të Oborrit Mbretëror në emigrim, po kurkund nuk gjente gjurmët e tij. Në vitin 1947 ndërsa një ditë Xheki ndodhej në park duke luajtur i afrohet një burrë i gjatë me uniformë ushtarake, i cili mbante në duar një kuti, ai e thirri vajzën: “Belkiz!” Ajo e vështroi me mosbesim, kur ai thirri për së dyti, e ëma e tërhoqi nga dora dhe u larguan. Xheki filloi të pyesë se ku e dinte ai njeri emrin e saj të regjistruar që në lindje dhe e ëma i tregoi historinë e vërtetë se ajo ishte bija e një shqiptarit me emrin Riza Alizoti. Në vitin 1976 Xheki dërgoi një letër në qeverinë shqiptare dhe i erdhi një përgjigje e llahtarshme sikur babai i saj të kish qenë një kriminel apo terrorist i rrezikshëm i Europës. Kaluan vite të gjata heshtjeje. Nëna e saj Kathleen u nda nga jeta në vitin 1988, ajo nuk mundi kurrë të marrë vesh të vërtetën për burrin e saj të parë, Rizain. Më vonë në një letër përgjigje për Xhekin nga “Shoqata Shqiptare” e 24 janarit 1990 e pyesin në ka bërë përçapje në shtypin britanik për ta gjetur të atin. Në ditët e para të janarit 1990 Xheki pret faqet e gazetave angleze ku shkruhet sesi zvarrisen të vrarët nga regjimi i Ramiz Alisë, është fjala për të rinjtë shkodranë dhe të qyteteve të tjera, që donin të kalonin kufirin.

Kur në Shqipëri u futën kompjuterat dhe interneti motra filloi që të kërkojë motrën e vet. U lidh me zyra dhe persona, që filluan ta ndihmojnë duke i dërguar certifikatën e martesës së Rizait dhe të lindjes së motrës Diane Jacquline Belkiz (Xheki). Motra në Shqipëri u lidh me emisionin televiziv “Njerëz të humbur”, të cilët bënë kërkime në Angli dhe deri diku arritën të bien në gjurmët e familjes. Më tej u desh këmbëngulja e Plarentit (djalit të Nezit), i cili jeton me bashkëshorten në Gjermani, ai mundi të gjente në internet rrënjët e familjes së munguar. Së pari, ai mësoi lajmin e keq se tezja e tij Diane Jacqueline Belkiz (Xheki), motra e nënës kishte ndërruar jetë në vitin 2001, pastaj u vu në kërkim të fëmijëve të saj dhe një ditë prej ditësh një telefon tingëlloi në Camborne të Truros: “Zonjë, unë jam një shqiptar, por ne të dy kemi diçka të përbashkët; gjyshi juaj është edhe gjyshi im…” Në fillim ajo nuk po kuptonte dhe u përgjigj: ”Ju lutem zotëri mos bëni shakara të tilla!” Ai vijoi “Gjyshi im ka qenë Riza Alizoti…” Asaj iu kujtua porosia e nënës në shtratin e vdekjes se “në Shqipëri kini kushërinj të afërt” dhe zonjës Jane i ra telefoni nga dora. Duhej të kalonin disa çaste që ajo të mblidhte veten dhe të lajmëronte vëllain Nicholas në Birmingham, kështu familjet u lidhën me njëra tjetrën, në fillim vetëm me telefonata. Familja në Shqipëri nuk mendonte se brezi i tanishëm në Angli do dëshironin të njiheshin nga afër, të takoheshin me njëri tjetrin.

Më 10 tetor 2008 në përvjetorin e ekzekutimit dhe ditëlindjes të Riza Alizotit, Bashkia e qytetit të Kuçovës e dekoroi “Qytetar Nderi” me motivacionin: “I jepet Zotit Riza Alizoti (pas vdekjes) për kontribut të veçantë në zhvillimin e industrisë së naftës në zonën naftëmbajtëse të Kuçovës.” Kryetari: Artur Kurti dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak: Arqile Mjeshtri. Organizator i kësaj ceremonie kuptimplote ishte Zoti Shkëlqim Ago, i cili ka qenë i pari që ka përmendur në Enciklopedinë e Kuçovës emrin e ndaluar të Riza Alizotit. Nipi i Rizait, Semih Pashallari, zbuloi pllakën përkujtimore tek vendi ku u ekzekutua daja i tij, tani Martir i Demokracisë. Aty u vendosën kurora dhe tufa lulesh edhe nga më e vogla Era, stërmbesa e Rizait. Të ndarë nga jeta mizorisht prej regjimit komunist as Fejzi Alizoti, as biri i tij Rizai nuk kanë varre dhe nuk janë gjetur eshtrat e tyre, prandaj është një nder shumë i madh që i bën populli i Kuçovës Riza Alizotit këtij inxhinieri të përkushtuar, duke e pranuar në truallin e qytetit të vet, duke i caktuar një vend ku mund të derdhësh dy pika lot e të vendosësh lule. Në këtë ceremoni morën pjesë shumë qytetarë dinjitozë të Kuçovës pa dallime partiake si edhe Prefekti i Beratit, Zoti Thoma Rumnici. Midis tyre ndodhej edhe mbesa e Rizait, bija e Xhekit, Zonja Jane ardhur nga Anglia tok me vajzën Lucy dhe djalin Christopher posaçërisht për këtë rast dhe për të shpënë deri në fund amanetin e nënës të saj Xheki, e cila nuk mundi ta njohë babain, po të njëjtin fat pësuan të tre fëmijët e Rizait në Shqipëri edhe ata u rritën pa e njohur atin, u mungoi tërë kohës dashuria e tij. Lot dhe mallëngjim. Ata, të ardhurit nga Anglia, gjetën këtu pjesën e humbur e të shtrenjtë të familjes, por gjetën, u dashuruan edhe me Shqipërinë e bukur me diell të ngrohtë dhe qiell të kaltër. Tani Zonja Jane, e cila banon në Camborne tok me fëmijët e saj pikërisht aty ku zuri fill kjo histori dashurie po përpiqet të mësojë gjuhën shqipe për të biseduar me të gjithë kushërinjtë e vet. Dhe fjalia e parë që ka mësuar është: Të dua shumë! Tezet dhe daja i saj po presin me padurim ditën kur do të mundin të marrin vizën dhe të shkojnë për të vizituar të gjitha viset ku ka studiuar babai i tyre, vendet ku ka jetuar Rizai me Kathleen, vendet ku ka jetuar motra e tyre Belkiz-Xheki e paharruar…