Socialistët shqiptarë në mbrojtje të krimit dhe korrupsionit. 47 vota kundër, 34 pro dhe 22 abstenime, rrëzojnë në Kuvend iniciativën e opozitës për heqjen e imuniteteve të deputetëve shqiptarë për t'u hetuar për lidhjet e tyre me krimin
Kleves Bitro
Mazhoranca socialiste ka hedhur poshtë dje projekt vendimin e opozitës për heqjen e imuniteteve të deputetëve të Kuvendit me qëllim hetimin e tyre nga Prokuroria, për shkak të lidhjeve të mundshme me krimin, korrupsionin e trafiqet. Në seancën e djeshme, të gjithë anëtarët e kabinetit Nano kanë bojkotuar punimet me të vetmin përjashtim Arta Daden, Ministren e Kulturës, e cila është shfaqur në Kuvend vetëm për pak minuta dhe më pas nuk është dukur më. Votimi kundër nismës së opozitës nga mazhoranca ka nxitur reagimet e ashpra të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili ka akuzuar socialistët dhe mbështetësit e tyre se ligjin themeltar të shtetit, Kushtetutën, e konsiderojnë të tillë vetëm për interesa vetjake dhe në rast të kundërt si "prostitutë".
Kryetari i PD-së është përpjekur të ofrojë një kompromis në minutat e fundit me mazhorancën duke i bërë thirrje asaj që të kthejë në vendim të Kuvendit, një deklaratë të PS-së të nënshkruar nga shumë socialistë, të cilët me dëshirën e tyre heqin dorë nga imuniteti. Në thelb kompromisi ka patur arsyetimin se Prokuroria e Përgjithshme nuk do të ketë nevojë në asnjë rrethanë që për afera korruptive që kanë lidhje me deputetët, t'i drejtohet parlamentit për heqjen e imunitetit, por të procedojë mbi bazën e një vendimi që të gjithë deputetët duhet të merrnin dje. Lëvizja e opozitës për të 'braktisur' idenë e projekt vendimit si amendim në rregulloren e Kuvendit, ka ardhur pas kundërshtimeve të hapura të mazhorancës për të pranuar opcionin e opozitës dhe aq më tepër një nismë të saj. Për këtë Berisha u ka kujtuar socialistëve se para pak kohe ata vetë kishin shprehur me një shumicë të tyre deputetësh dëshirën e mirë për të firmosur deklaratën e dorëzimit vullnetar të imuniteteve. Ai kërkoi që kjo deklaratë të kthehej në vendim. As kjo përpjekje e opozitës nuk ka gjetur të gatshme mazhorancën të votojë pro heqjes së imuniteteve duke sjellë kështu reagime nga më të ashpra në kampin e opozitarëve.
Sali Berisha deklaroi se ky vendim "e damkos përfundimisht parlamentin shqiptar si mbrojtës të korrupsionit dhe krimit të organizuar", duke shtuar se prej vitesh në gjykatat tona vendos krimi i organizuar, në Parlament vendos krimi i organizuar, në qeveri vendos krimi i organizuar, në media vendos krimi i organizuar. "Asnjë komb dhe asnjë vend në Europë nuk është në ethet e shkatërrimit nga korrupsioni, nga krimi i organizuar, nga mosfunksionimi i shtetit ligjor siç është Shqipëria", pohoi kryetari demokrat. Shkaku kryesor i kërkesës së opozitës për heqjen e imuniteteve ka qenë barazia e të gjithë qytetarëve para ligjit kur bëhet fjalë për çështje të tilla si krimi i organizuar dhe korrupsioni. Por pas debatesh mes palëve, PS e konsideroi këtë propozim antikushtetues pasi do të duhej një ndryshim i kushtetutës në garantimin e së drejtës së deputetit për të patur imunitetin.
Gazeta Tema
Krijoni Kontakt