Pjesa 3: Qeveria
Përgjegjësitë e Qeverisë
9.3.1 Qeveria ushtron pushtetin ekzekutiv dhe zbaton ligjet e miratuara nga Kuvendi brenda fushës së përgjegjegjësive të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes të parashtruara në këtë Kornizë Kushtetuese.
9.3.2 Qeveria mund t’i propozojë Kuvendit projektligje me iniciativën e vet dhe me kërkesën e Kuvendit.
Ministritë dhe organet ekzekutive
9.3.3 Ministritë dhe organet ekzekutive themelohen sipas nevojës për kryerjen e funksioneve brenda kompetencave të Qeverisë.
Përbërja e Qeverisë
9.3.4 Qeveria përbëhet nga Kryeministri dhe nga ministrat.
9.3.5 Të paktën dy ministra do të jenë gjithmonë nga komunitetet e tjera përveç komunitetit që ka shumicën në Kuvend.
(a) Njëri nga këta të paktën do të jetë nga komuniteti serb dhe një tjetër nga një komunitet tjetër.
(b) Në rastin kur emërohen më shumë se dymbëdhjetë ministra, një ministër i tretë emërohet nga një komunitet që nuk përbën shumicë.
(c) Zgjedhja e këtyre ministrave dhe përcaktimi i përgjegjësive të tyre vendoset pas konsultimeve me partitë politike ose grupet që përfaqësojnë komunitetet që nuk përbëjnë shumicë.
9.3.6 Kryeminstri dhe ministrat mund të jenë deputetë të Kuvendit, ose njerëz të kualifikuar të cilët nuk janë deputetë të Kuvendit. Ministrat nga komunitetet, përveç atij që ka shumicën në Kuvend, nëse caktohen jashtë Kuvendit kërkojnë miratim formal prej deputetëve të Kuvendit të komunitetit përkatës.
Veprimtaritë e jashtme të ministrave
9.3.7 Kryeministri dhe ministrat nuk mund të mbajnë funksione të tjera zyrtare ose të punësohen tjetërkund me orar të plotë dhe as nuk mund të ushtrojnë me orar të shkurtuar ndonjë aktivitet tjetër të papajtueshëm me funksionin e tyre gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tyre.
Zgjedhja e Kryeministrit dhe ministrave
9.3.8 Pas zgjedhjeve, ose në rast se Kryeministri jep dorëheqjen apo nëse vendi i tij mbetet i lirë për arsye të tjera, Kryetari i Kosovës, pas konsultimeve me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, ia propozon Kuvendit një kandidat për Kryeministër. Kandidati i propozuar i paraqet Kuvendit një listë me ministrat e propozuar. Kryeministri bashkë me ministrat zgjidhen nga shumica e deputetëve të Kuvendit.
9.3.9 Në qoftë se kandidati i propozuar nuk merr shumicën e kërkuar të votave, atëherë Kryetari i Kosovës propozon brenda dhjetë ditësh një kandidat të ri për Kryeministër. Kantidati i ri, bashkë me listën e ministrave të propozuar nga ai ose ajo, zgjidhet nga shumica e deputetëve të Kuvendit.
Mocioni i votëbesimit
9.3.10 Kuvendi mund të mos ia jep votëbesimin Qeverisë vetëm nëse me një shumicë të deputetëve të tij zgjedh njëkohësisht një Kryeministër të ri bashkë me listën e mnistrave të propozuar nga ai ose ajo.
9.3.11 Mandati i Qeverisë që largohet përfundon me zgjedhjen e Kryeministrit dhe ministrave të rinj.
Ndryshimet në përbërjen e Qeverisë
9.3.12 Pas zgjedhjes së tij ose të saj, Kryeministri mund të zëvendësojë çdonjërin prej miistrave pa pëlqimin e Kuvendit.
9.3.13 Pas dorëheqjes së Kryeministrit, e gjithë Qeveria jep dorëheqjen. Qeveria vazhdon cilësinë e Kryeministrit të përkohshëm deri në zgjedhjen e Kryeministrit të ri.
Procedurat brenda Qeverisë
9.3.14 Kryeministri i thërret dhe i kryeson mbledhjet e Qeverisë dhe propozon rendin e ditës për këto mbledhje. Ai ose ajo përfaqëson Qeverinë sipas nevojës, përcakton vijat e përgjithshme të politikës së Qeverisë dhe koordinon punën e saj.
9.3.15 Secili ministër është përgjegjës për zbatimin e politikës së Qeverisë brenda fushës së tij/saj të përgjegjësisë.
9.3.16 Qeveria përpiqet t’i marrë vendimet e saj me konsensus. Nëse votimi është i nevojshëm, vendimet merren me shumicën e ministrave që janë të pranishëm dhe që votojnë. Kryeministri jep votën vendimtare në rastin kur ministrat janë të ndarë në mënyrë të barabartë. Përndryshe, Këshilli i Ministrave vendosë mbi rregullat e procedurës së vet.
Gjuhët e Qeverisë
9.3.17 Mbledhjet e Qeverisë dhe të organeve të saj mbahen në të dy gjuhët, shqip dhe serbisht. Të gjitha dokumentet zyrtare të Qeverisë shtypen në gjuhën shqipe dhe serbe.
9.3.18 Anëtarët e Qeverisë nga komunitetet e tjera, përveç atyre nga komunitetet e shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, lejohen të përdorin gjuhën e tyre.
Imunitetet
9.3.19 Të gjithë anëtarët e Qeverisë kanë imunitet në të gjitha procedurat civile dhe penale sa i përket fjalëve apo veprave të tjera të kryera në cilësinë e tyre si anëtarë të Qeverisë. Imuniteti nuk mbulon veprat të cilat nxisin në mënyrë të dukshme dhunën ndërmjet komuniteteve.
Krijoni Kontakt